Dy aspirinë në javë mund të zvogëlojnë rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë te njerëzit që kanë stil të pashëndetshëm jetese.
Shkencëtaret, në studimin e ri nga “Mass General Brigham” në Boston të SHBA-së, ku morën pjesë afër 108 mijë profesionistë të shëndetit, shumica prej të cilëve ishin rreth moshës 50 vjeçe, analizuan dozën e aspirinës që konsuamuan bazuar në nivelin e peshës trupore, sasinë e alkoolit që konsumonin, aktivitetin fizik, mënyrën e të ushqyerit dhe konsumimin e duhanit, shkruan Forbes.
Pjesëmarrësit u përcollën për më shumë se tri dekada, ku studiuesit në mesin e tyre dokumentuan rreth 2500 raste me kancer të zorrës së trashë.
Pjesëmarrësit që përdornin dy apo më shumë tableta standarde të aspirinës (325 miligramëshe) në javë, kishin më pak gjasa të zhvillonin kancer në zorrë të trashë.
Ata që kishin stil më të pashëndetshëm jetese, që pinin duhan dhe kishin mbipeshë, përfituan më shumë nga marrja e aspirinës, kur u krahasuan me pjesëmarrësit e tjerë që ishin më të shëndetshëm.
Në mes të pjesëmarrësve të shëndetshëm, shkalla e kancerit të zorrës së trashë ishte 1.5 për qind, në grupin që merrte aspirinën dhe 1.6 për qind tek ata që nuk merrnin aspirinën.
Grupi i të pashëndetshmëve patën 3.4 për qind më shumë gjasë të iu zhvillohej kanceri i zorrës së trashë nëse nuk e merrnin rregullisht aspirinën, krahasuar me ata që merrnin aspirinën, të cilët gjasat për zhvillimin e këtij kanceri i kishin 2.1 për qind.
“Rezultatet tona tregojnë se aspirina mund të ulë rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë tek ata persona që kanë stil të pashëndetshëm jetese. Aspirina ishte e mirë edhe për ata që kishin stil më të shëndetshëm të jetës”, ka thënë autori i studimit, Daniel Sikavi, nga spitali gjeneral në Massachusetts.
Kanceri i zorrës së trashë është një ndër kanceret më të shpeshta në botë, shakatari më i shpeshtë i të cilit konsiderohet të jetë mbipesha.
Në vitin 2016, The US Preventive Services Task Force (PSPSTF) ka rekomanduar që të rriturit e moshës 50 vjeçe të marrin një dozë të vogël të aspirinës çdo ditë si parandalim për kancerin e zorrës së trashë dhe sëmundjet e zemrës.
Studiuesit kanë deklaruar se aspirina mund të ndihmojë sistemin imunitar që të identifikojë e të targetojë qelizat kancerogjene, të pengojë inflamacionin, i cili është një ndër faktorët e rrezikut të kancerit në fjalë, si dhe ndihmon rritjen e baktereve të mira në zorrë.