E di, thuajse çdo gjë është thënë edhe nga shqiptarët, edhe nga të huajt, që kanë folur me veprën e tij, por që në fillesën e shkrimeve të tij, ku shkruante për Gjirokastrën, shkruante edhe për qytetin e veriut – me fytyrë të përgjakur – Gjakovën. Por, që atëherë e sot, atdheu i shkrimtarit është gjysmë Shqipëri, sepse nuk është Kosova

Nuk e kam ndërmend të flas për vlerën e poezisë së Ismail Kadaresë, por deri në vitet gjashtëdhjetë, kur botohet vëllimi me poezi “Shekulli im”, poezia shqipe dhe letërsia shqipe në përgjithësi, nuk ishte e zonja të komunikojë me poemat madhore të Jeronim De Radës, me vlerat e artit të Naimit, të Nolit, të Lasgush Poradecit. Ismail Kadare në “Shekulli im” bëri dy profeci: a) paralajmëroi kthimin e dinjitetit të një letërsie dhe të një kulture dhe, b) paralajmëroi se ky shekull është shekulli i tij. Mund të thuhet lirisht se ky shekull ishte shekulli i Ismail Kadaresë në kulturën dhe artin shqiptar dhe botëror. Nuk kam çka të them më shumë sesa është thënë për poezinë e tij, por këtu është vendi të shtoj, se poezia e tij, nuk është trajtuar si një libër i kujtesës kombëtare. Në poezinë e tij, përveç bukurisë së atdheut, përveç historisë së tij, ka gjetur vend edhe trajtimi i tradhtisë. Gjenerali i tij, Moisi Golemi, ka një vdekje të lemerishme, sepse ishte vdekje në tradhti: “Nën kërcëllime zinxhirësh, frymëmarrje luanësh,/ ulërima, kuje e lemeri,/ General Moisi”. Ky marsh apokaliptik i ritmit dhe strukturës së vargut, që shënjon ankthin e vdekjes, por ku mungon varri. Pra, kjo kujtesë kombëtare e poezisë së Ismail Kadaresë nuk ka varg për tradhtinë kombëtare.

Nuk kam çka të them më tepër sesa kanë thënë shqiptarët për veprën e tij, sesa kanë thënë francezët, anglezët, amerikanët, italianët, suedezët e të gjitha ato gjuhë të botës në të cilat ka folur vepra e tij madhore. Por askush nuk ka thënë se bota pas pesëqind e më shumë vjetësh komunikimi me shpatën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që për tridhjetë vjet ishte përballur me perandorinë më të madhe të kohës, me Perandorinë Osmane, sot komunikon me shqiptarët përmes veprës së Ismail Kadaresë. Sot bota flet me shqiptarët përmes gjuhës së veprave të tij, duke i vlerësuar ndër arritjet kulmore të artit të fjalës, të mendimit, të ideve dhe të shtresimeve të jetës historike të një populli që ka përballuar gjithë rrënojat e shekujve. Përmasa e tragjedisë së qëndresës skenderbeiane, kuptohet e plotë, qoftë edhe me këto kuje kombëtare që po i vinte atdheut, pas pushtimit osman, që janë më shumë se shkollë e historisë: “Dhe ishte e zbehtë gjithçka/ dhe ishte e vdekur/ dhe unë gati sa s’klitha: si do të bëhesh Azi, ti që je kaq i bukur, Arbri im”. Nuk kam çka i shtoj dijes historike për qëndresën e shqiptarëve, për trimëritë dhe marrëzitë e tyre nëpër shekuj, të trajtuar në veprën madhore të tij në prozë, por askush nuk e tha, se Ismail Kadare na ka mësuar historinë e shqiptarëve, jo atë që shkruhej e thuhej, por ajo që duhej dhe kishte qenë dikur, pastaj e kishin bjerrë kohët, ndoshta bashkë edhe me ndihmën e shqiptarëve. E di, thuajse çdo gjë është thënë edhe nga shqiptarët, edhe nga të huajt, që kanë folur me veprën e tij, por që në fillesën e shkrimeve të tij, ku shkruante për Gjirokastrën, shkruante edhe për qytetin e veriut – me fytyrë të përgjakur – Gjakovën. Por, që atëherë e sot, atdheu i shkrimtarit është gjysmë Shqipëri, sepse nuk është Kosova.

Nuk mund të thuhet asgjë më shumë, sesa kanë thënë të tjerët, për mitologjinë kadareane, por mitologjia e veprave të tij, ishte një shtresim i historisë kombëtare, që brezit tim të lexuesve shqiptarë u ka hyrë në punë edhe si mësim në luftë kundër robërisë. Këtu, po jua kujtoj një fakt të çuditshëm. Në fund të romanit “Kush e solli Doruntinën”, Princi Stres, mban një fjalim, ku e pranon se Doruntinën e kishte sjellë i vëllai, andaj i duhej të jepte dorëheqje. Ne, atëherë, kopjuam pjesën e madhe të atij fjalimi dhe ia dërguam Komitetit të Partisë në Prishtinë, duke i kërkuar Mahmut Bakallit, që pasi ta lexonte këtë tekst për demonstratat e vitit 1981, të jepte dorëheqje. Siç e dini, askush nuk dha dorëheqje, as nuk i ra pishman, edhe kur i larguan nga pushteti, edhe kur i burgosën, e disa vdiqën edhe me emrin e vëllazërim bashkimit në gojë. Mitologjia e “Krushqve të ngrirë”, bëhet lajtmotiv i qëndresës, i përgjakjes, por edhe i zërit të atdheut, që i kishte mësuar rinia e Kosovës, edhe nga veprat e Ismail Kadaresë. Do të thotë, që nga viti 1956 e deri në vitin 1999, tema e Kosovës ishte pjesë përbërëse e krijimtarisë së tij, siç ishte konstrukt i atdheut të tij historik, që e ka përjetësuar në veprën e tij gjeniale. Nuk ka studiues të veprës së Ismail Kadaresë, që nuk ka folur për romanet e tij, andaj edhe për dy romanet e tij, epope, për romanin “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të dimrit”. Njëri kushtuar marrëdhënieve ruso-shqiptare, tjetri kushtuar marrëdhënieve kinezo-shqiptare. Aspak nuk është me rëndësi se çka thonë kritikë të ndryshëm, se janë romane politike, se janë romane me temë historinë e re, se janë romane që i kanë dhënë mundësi shkrimtarit të shpëtojë nga burgu, se janë romane që nga shumësia e personazheve shumë shpesh humb ideja themelore, e
kështu me radhë.

Por, askush nuk e tha se monologu i palltove në Sallën Georgjevskaja të Moskës, ku mbahej mbledhja e 81 partive komuniste, është më shumë se gjeniale, për të mos thënë se e denjë për një Shekespear, apo për një Goethe. Përmasa kohore dhe historike e komunikimit të veprës së Ismail Kadaresë, zë fill me Homerin e Eskilin, me Dante Aligierin e me Hamletin e Shekespeareit, dhe vjen nëpër rrjedhën e shekujve, deri te miti për ngrirjen e krushqve në Kosovë. Por, askush nuk e tha se “Koncert në fund të dimrit”, është një roman me përmasë kozmogonike, ngase atje ngjarjet ndodhin në një hapësirë të pafund, kurse personazhet jetojnë edhe jetën e zakonshme, edhe atë të përtejme. Nuk ka asgjë më të saktë për portretin krijues të Ismail Kadaresë sesa ato që i ka thënë vetë te “Pesha e kryqit”: “Shkrimtari është gjithmonë gjetkë. Ti e bombardon strehimin e tij, kurse ai ndodhet në tjetër strehim.

Ti e shikon në bankën e të akuzuarve, në polici, në baltërat e kooperativave socialiste, kurse ai ndodhet ndërkaq në studion e tij, në labirint, në darkë me faraonin, në çmendinë, ose në tempull. Ti e kujton ditën tjetër në gosti a në ceremoni solemne, kurse ai është, përkundrazi, në zi, e plagët i kullojnë çurg”.

Fjala e mbajtur në mbledhjen komemorative, të organizuar nga Instituti Albanologjik më 02.07.2024, me rastin e vdekjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here