Agron Islami

Hyrja e qyteteve shqiptare nën administrimin osman, u manifestua me ndryshime të mëdha në jetën sociale-ekonomike dhe politike, e cila u reflektua edhe në strukturën konfesionale të qytetit, që ishin edhe përcaktor i ndryshimeve në peisazhin urbanistik të qyteteve.1  Kështu, bashkë me konvertimin e banorëve të Prishtinës në besimin islam, qyteti u pasurua me objekte të stilit oriental-osmane. Për rrjedhojë, qysh nga gjysma e dytë e shekullit XV, Prishtina mori pamjen e një qyteti me urbanistik osmane, ku simbol i nahijes, ishin dy xhamitë kryesore të ndërtuara nga fondi i të ardhurave të Sulltan Mehmetit II (1451–1481).2  Fjala është për Xhaminë e Sulltan Muratit, e njohur si Xhamia e Çarshisë, apo e Gurit, themelet e së cilës ishin hedhur në vitin kur u zhvillua Beteja e Parë e Kosovës (1389), ndërsa punimet ishin përfunduar gjatë kohës së Sulltan Mehmet Fatihut, aneksuesit të Kosovës. Ky i fundit e ngriti edhe një xhami në emër të tij, e cila në dokumentacionin zyrtar osman njihet me emrin Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut, ndërsa në popull njihej me disa emra: Xhamia e Sulltan Mehmetit, Xhamia e Fatihut, Xhamia e Madhe dhe Xhamia e Mbretit. Sipas kitabesë (portalit) punimet e kësaj xhamie janë përfunduar në vitin 1460–1461.3

Dokumenti i 2 janari 1858, që flet për gjendjen e keqe të objektit të hamamit me dy hyrje (një për gra dhe një për burra).

Varësisht nga rritja e numrit të banorëve të besimit islam në qytet, shtohej edhe numri i mesxhideve (faltore për faljen e namazeve ditore) dhe xhamive. Andaj, krahas dy xhamive kryesore të përmendura, deri në gjysmën e parë të shekullit XVI, u ngritën mesxhide të cilat shërbenin për faljen e namazeve (lutjeve) ditore dhe sipas rregullave të jurisprudencës islame, në këto faltore të vogla (mesxhide) nuk mund të falej namazi i xhumasë (së premtes), pasi që nuk ekzistonte minberi, i cili mund të vihej vetëm me lejen e Sulltanit. Më pas, me rritjen e numrit të besimtarëve (pas vitit 1570), këto mesxhide u ngritën në statusin e Xhamisë. Psh. Xhamia e Ramazan Çaushit, Jusuf Çelebiut, Hatunijes (e Zonjës), Hasan Begut, Mehmet Bejit, Emir Alaaddinit, e Jarallë Çeribashit dhe Hasan Eminit, deri në vitin 1569-1570, ishin në statutin e mesxhidit.* 4  Ndërsa, mesxhidi i çarshisë së Prishtinës, i cili evidentohet në dokumentacionin osman të vitit 1544, sikur gjitha mesxhidet e ngritura nga ana e esnafëve në qytetet osman, e kishte ruajtur këtë statut deri në vitin 1930, atëherë kur edhe kishte pushuar së funksionuari. Një xhami tjetër e ngritur nga fundi i shekullit XVI dhe fillimshekulli XVII është ajo e Pir Nazërit, e cila gjendet në rrugën Haxhi Zeka.5  Njëherësh, sipas raportit të Stefan Gasparit nga viti 1671, pjesë e urbanistikës së Prishtinës ishte edhe kisha e Shën Mërisë, çatia e së cilës ishte në rrënim e sipër.6

Dokumentacioni osman zbulon edhe dy xhami tjera klasike të stilit osman, të cilat ishin pjesë e urbanistikës së Prishtinës dhe që sot nuk ekzistojnë. Njëra nga to është ajo, e Junus Efendiut, e njohur edhe si Xhamia e Llukaqit, e cila ishte ndërtuar pas gjysmës së shekullit XVI.7  Gjurmët e së cilës u shpërfaqen gjatë punimeve të sheshit Ibrahim Rugova në vitin 2012. Kjo xhami e cila me urdhër të kuvendit komunal të Prishtinës, u rrënua në vitin 1953, gjendej në vendin ku sot ndodhet hotel Swiss Daimond. Xhamia tjetër e cila figuron në dokumentacionin osman të shekullit XVIII është ajo e Halil Agës, për të cilën nuk dimë as vendndodhjen, as kohën e ndërtimit, e as kohën e shkatërrimit.8

Foto e xhamisë Junus Efendi (LLukaq), Burimi: Agjencia Shtetërore e Arkivave i Kosovës (F857–10).

Pjesë e urbanistikës osmane ishin edhe hamamet (banjat publike), të cilat morën hov gjatë kohës së sundimit osman në trevën e Kosovës. Kështu, gjatë dy shekujve të parë në hapësirën e Kosovës së sotme janë ngritur mbi 15 hamame të cilat ishin në shërbim të banorëve dhe të huajve (punëtoreve, udhëtarëve etj.) dhe si të tilla i shërbenin shëndetit publik.

Ndryshe prej qytetit të Vushtrrisë, i cili ishte njohur me banjën (termen) publike, që nga koha e sundimit Romak,9  donator i hamamit të parë në Prishtinë ishte Sulltan Mehmet Fatihu, i cili krahas xhamisë (1460/61) ngriti hamamin, medresenë, mejtepin, bibliotekën dhe hanin (bujtinë),10   të cilat përbënin kompleksin klasik (kylije) të qytetit osman, ku bënin pjesë edhe çarshitë e hapura dhe të mbyllura. Prishtina kishte dhe një hamam tjetër, i cili njihej si Hamami i Vjetër, e që rrënojat e kësaj banje janë evidentuar në afërsi të objektit të Parlamentit të Republikës së Kosovës.11  Ky konstatim vërtetohet edhe nga të dhënat zyrtare të shekullit XVIII, të cilat bëjnë fjalë për aktivitetin e hamamit shtetëror, siç thuhet në dokument.12  Njëherësh sipas të dhënave të vakfijës së Koxha Sinan Pashës, e legalizuar në vitin 1566, në Prishtinë ishte ndërtuar edhe një hamam tjetër, me donacion të Sinan Pashë Topojanit, i mbiquajtur Koxha.13

Në kuadër të të dhënave zyrtare osmane shihet se, si rrjedhojë e vjetërsisë  së objektit të Hamamit të ndërtuar nga Sulltan Mehmet Fatihu, kohë pas kohe ishin bërë renovime. P.sh. Dokumenti i më sipërm, i lëshuar nga administrata e kazasë së Prishtinës, më datë 2 janar 1858, flet për gjendjen e keqe të objektit të hamamit me dy hyrje (një për gra dhe një për burra),14  si dhe nevojën për një investim prej 10,804 groshëve për rinovimin dhe mirëmbajtjen e tij.15

Në kohën e reformave të Tanzimatit, zhvillimi i urbanistikës së qytetit të Prishtinës, ishte akoma më i theksuar. Kështu, ajo qysh në dekadat e para të shekullit XIX, pasurohet me Xhaminë e Jashar Pashës (1834/35),16   e njohur si Xhamia e Mesme, Xhaminë Kaderije (1893), e cila u ndërtua në lagjen e muhaxhirëve,17  tyrben e Danjalit dhe teqenë e Sheh Mehmet Sezaiut.18  Gjatë kësaj kohe bien në sy edhe ndërtimi i konakut (kuvendit) qeveritar (sot Muzeu i Kosovës), sahat kullës, shkollës së mesme etj.19  Ndërtime të stilit osman të ndikuar nga arkitektura evropiane, siç është rasti me stilin secession, i cili gjeti zbatim edhe në konakun qeveritar, objekt në të cilin gjendet muzeu i Kosovës.

Të dhënat e raportit vjetor (salname) të Prizrenit nga viti 1291 (1875) shpërfaqin një pjesë të mirë të panoramës së qytetit të Prishtinës, i cili në atë kohë bashkë me Gjilanin, Kurshumlinë, Vushtrrinë dhe Prizrenin ishte në statusin e kazave të varura nga Vilajeti i Prizrenit. Sipas këtyre të dhënave, në Prishtinë kishte 17 xhami dhe mesxhide, një teqe, një medrese, një kishë, një sinagogë, një sahat kullë, 14 hane (bujtina), 6 mejhane (kafe), 525 dyqane, 1 çarshi e mbyllur (bedesten) me 28 dyqane dhe 3 hamame.20  Këto të dhëna konfirmohen edhe në salnamen e Vilajtetit të Kosovës të vitit 1318 (1900), ku thuhet: “ Në Prishtinë ka 500 dyqane, 20 hotele, 10 bujtina, 1 sahat kullë, ndërtesa e kuvendit komunal, 30 kafehane, 2 hamame çifte dhe 1 hamam tjetër vetëm për meshkuj, 1 spital, 1 depo e armëve, baraka për kuajt e ushtrisë dhe një zyrë e komunës.21  Po ashtu përmendet edhe një fabrikë e miellit në afërsi të Prishtinës, e cila është në pronësi të Myftiut, Mustafa Hamdi efendiu dhe Murat Begut.

Aspekti i komunikimin rrugorë dhe telegrafik, po ashtu përbënte një zhvillim të rëndësishëm për Prishtinën si kryeqendër e Vilajetit. Salnameja e vitit 1896, bën fjalë për linjën hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit. Linjë në të cilën kishin qasje edhe qytet tjera të Kosovës. Ndërsa rrjeti i telegrafit shtrihej nga Prishtina në Gjilan, Prizren, Vushtrri dhe Shkup. Po ashtu ishte aktive edhe një linjë e veçantë e komunikimit me Vjenën, kryeqendrën e Austrisë.22

Fusnota

  • 1

    Ferit Duka, “Aspekte të Urbanistikës dhe Arkitekturës së Qytetit të Beratit gjatë shek. XVI-XVIII”, Shekujt Osman në Hapësirën Shqiptare (studime dhe dokumente), Tiranë: UET Press, 2009, fq. 334.

  • 2

    Xhamie e Sulltan Muratit (e çarshisë) dhe Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut (e Madhe).

  • 3

    Teksti i portalit: O Zot i Gjithësisë, bëj (që kjo Xhami) të qëndrojë gjatë në këmbë.
    Gjatë gjithë jetës së njerëzimit të cilën sulltan Mehmedi
    E ndërtoi dhe e ngriti në këmbë këtë ndërtesë.
    Xhamia e sulltan Mehmedit, babait të fetihëve (triumfatorëve)
    (xhamia) Për besimtarët (është) si një kopësht i xhenetit (Parajsës).
    (që) u fal atyre (besimtarëve) shijen më të mirë në shpirt.
    Kur e pa këtë vepër të bukur Sadiu
    E shënoi datën e tij (izopsefike) me fjalët “koha e grumbullimit të asketëve”

  • 4

    Këto të dhëna zyrtare mbi statusin e faltoreve islame shpërfaqin procesin e islamizimit, i cili mori hov pas viteve të 70-ta të shekullit XVI, atëherë kur u ndje nevoja që mesxhidet të kthehen në xhami, në mënyrë që të mund të falet namazi (lutja) e Xhumasë (së premtes).

  • 5

    Për historikun e xhamive dhe mesxhideve të Prishtinë deri në fund të shekullit XVIII, shih, Agron Islami, “XVIII. Yüzyılda Kosova: Sosyo-ekonomik tarih”, İstanbul Üniversitesi,  İstanbul, 2021, fq. 76-81; Agron Islami, Areali i Kosovës në kohën osmane: një histori socio-ekonomike e shekullit XVIII, Prishtinë: Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, 2024 (në shtyp), fq. 123-130.

  • 6

    Fermendžin, Eusebio (1892). Izprave god. 1579–1671. tičuće se Crne gore i stare Srbije. Në Starine (25), Zagreb, f. 196–198. Dokumenti origjinal: Tabular. s. Congregat. de propaganda fide. Origin. Vol. 220 fol. 69. (Përkthimi: Yll Rugova)

  • 7

     Iljaz Rexha, “Monumentet sakrale dhe profane të periudhës osmane në Kosovë”, ibid.

  • 8

    Agron Islami, Ibid.

  • 9

    Për më shumë shih, Fejaz Drançolli, Monumentet e shkatërruara në Kosovë 1998/99-Destroyed monuments in Kosovo 1998/99, Prishtinë: Instituti për Hulumtimin e Krimeve/Institute for War Crimes Researches, 2015, fq. 113-114.

  • 10

    Mehmet Z. Ibrahimgil-Neval Konuk, Kosova’da Osmanlı Mimari Eserler, Ankara: Türk Tarih Kurumu, 2006, fq. 338.

  • 11

    Orges Drançolli, Xhamitë me kube në Kosovë, Prishtinë: Instituti i Historisë “Ali Hadri” , 2023, fq. 53.

  • 12

    Agron islami, ibid, 123.

  • 13

    Hasan Kaleshi, Dokumentet më të vjetra të vakëfeve në gjuhën arabe në Jugosllavi, Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, 2012, fq. 362.

  • 14

    Hamamet klasike osmane ishin të ndara në dy pjesë të barabarta dhe me hyrje të veçanta. Hyrja për gra menaxhohej nga një myteveli (administratore) grua, ndërsa hyrja për burra nga një myteveli (administrator) burrë.

  • 15

     BOA. İMVL. (Kopje nga Arkivi i Prishtinës, këtu e tutje KAP.) 387/16893, shih edhe BOA. İ.ML. (KAP.) 2/49; BOA. İ. ML. (KAP.) 20/15

  • 16

    Besir Neziri,  “Vakëfnameja e Jashar Pashë Gjinollit”, Edukata Islame, nr. 122, Prishtinë 2020, fq. 77;

  • 17

    BOA. DH.MKT. (KAP.) 73/44 sipas dokumentit në fjalë, “kjo xhami e ngritur, menjëherë pas themelimit të lagjes së muhaxhirëve, e cila është ngjitas me lagjen Hasan Bej, në Prishtinë, në shenjë respekti për shehzaden (princin) Abdylkadir efendi, emërohet me emrin e tij, “Kaderije”.

  • 18

    M. Ibrahimgil-N. Konuk, ibid, fq. 525-537.

  • 19

    BOA. İ.HUS (KAP.). 73/144; ŞD.(KAP.) 1965/33.

  • 20

    Salnâme-i Vilâyet-i Prizren, Prizren, 1291, Prizren Matbaa-i Vilâyet, fq. 73-74.

  • 21

     KVS, 1318, Üsküp Matbaa-i Vilâyet, fq. 560.

  • 22

    1896 (Hicri 1314) Kosova Vilajeti Salnamesi, ibid. fq. 191.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here