Kush ishte Esat Pashë Toptani? (sipas historianit të shquar, “Mësuesit të Popullit”, Hamdi Bushati )
Në të vërtetë nuk kisha menduar kurrë se do të vinte një ditë dhe do të shtrohej një pyetje e tillë. Historiografia shqiptare, në të gjithë kohrat, e kishte përcaktuar rolin e tij në historinë e kombit dhe ai ishte bërë sinonimi i njeriut që ishte i gatshëm të shiste gjithçka për sundimin e tij; njeriu i punëve të errta, varri i të cilit ende sot dergjet në varrezat serbe.
Kohët e fundit kjo pyetje është rizgjuar, janë botuar libra dhe bërë shënime duke rikthyer në vemendje figurën e një pashai që, sa ishte gjallë nuk u nderua aq sa kërkohet të nderohet tani, nga një grup njerëzish, të cilët, për interesa të veçanta ose pa asnjë interes, duan të ringritin një figurë tjetër nën emërin e Esad Pashës.
Në njërin nga shkrimet e tilla lexova se Esat pashës i detyrohemi që Shkodra është sot pjesë e Shqipërisë, pasi pa të ajo do të kishte mbetur nën Malin e Zi.
Cila është e vërteta?
Një historian i shquar i Shkodrës, ndoshta më i shquari i saj, Hamdi Bushati, “Mësues i Popullit”, figurë poliedrike dhe për shumë dekada i përndjekur dhe i internuar politik, në veprën e tij madhore, “Shkodra dhe Motet”, bazuar në dokumenta të shumta, të vendit e të huaja, kujtime të bashkëkohësve, figurave historike dhe luftëtarëve, ka shkruar edhe të vërtetën e tij mbi figurën e Esat Pashës dhe Rretimin e Shkodrës nga forcat malazeze e serbe.
Duke qenë të bindur se askush nuk mund të cënojë figurën jashtëzakonisht atdhetare të profesor Hamdi Bushatit, as kjo risjellje e kujtimeve të botuara të tij, le të ja lëmë fjalën studimit të tij:
Hamdi Bushati:
“… Më 11 tetor filloi i pari sulm i madh. Shpallja e luftës nga Mali i Zi dhe kalimi i kufinit nga forcat malazeze nga ana e perëndimit, shkaktoi një situatë kërcënuese për mbrojtjen e Shkodrës.
Ushtria në fillim të marshimit u ndalue në Kodraç, prej ku u dalluen forcat e anmikut, në vargun e maleve të Krajës.
Një forcë prej 200 vullnetarësh shqiptarë marshoi përpara drejt një majeje të Taraboshit. Lufta u ashpërsue, kambësoria anmike u afrue deri 1050 metra dhe aty filloi qitja. Nisi luftimi trup më trup e përleshja mes dy palëve. Lufta mori karakter të tmerrshëm. Ndërsa malazezët po luftonin gjoks për gjoks me ushtarët e batalionit të dytë, arritën edhe vullnetarët shqiptarë.
Kjo betejë, e para, zgjati gjashtë orë me kacafytje të përgjakshme, ma në fund u kurorëzue me fitoren e ushtrive osmano-shqiptare. Malazezët lanë 800 të vdekun, përveç armëve, thikave e flamujve.
Kjo qe beteja e parë, që u zhvillue kundër forcave të Malit të Zi prej shkodranëve dhe shqiptarëve të tjerë. Të tilla beteja u zhvilluan gjatë 6 muajve të rrethimit. Ndër të gjitha morën pjesë shkodranë e të tjerë shqiptarë të krahinave të ndryshme.
Drejtues i aparatit ushtarak në Shkodër ishte Hasan Riza Pasha, që erdhi në Shkodër në vitin 1911 dhe me 7 mars 1912 u emnue vali e komandant i kësaj guvernature. Me zotësinë prej strategu të rrallë ka fitue një nderim ndërkombëtar. Harta ushtarake e Mbrojtjes së Shkodrës, përpilue sipas udhëzimeve të tij, ndodhet e ekspozueme në reliev në Muzeun ushtarak të Zvicrës. Këtë ma pat pohue vetë Lumo Skendoja, që e kishte vizitue përsonalisht atë muze.
Hasan Riza Pasha, i shtyem nga idetë e tij mbi të drejtat e liritë që duhej të kishte çdo komb (ai vetë ishte bagdadas), përpiqej që shqiptarëve t’ua mbante të gjallë, bile t’ua nxiste sa ma tepër nacionalizmin. Kështu, një herë, i propozoi Gjergj Fishtës të kompozonte një marsh shqip për me ua mësue ushtarëve shqiptarë. At Gjergj Fishta ia përgatiti marshin dhe ia dërgoi.
Hasan Riza Pasha, tue pa se perandoria osmane kësaj here po dëbohej përgjithmonë nga Evropa, dau me qindrue për të drejtat e popullit të vogël shqiptar, për këtë qëllim u vue në përpjekje, nëpërmjet atë Gjergj Fishtës, të cilin e donte dhe e çmonte shumë, me emzot Jakë Serreqin, arqipeshkvin e Shkodrës.
Qe dërgue menjëherë një korier me letra tek i pari i Kuvendit të Rubikut, që të bajnë gati krenët e maleve me u ra në shpindë malazezve posa të shifnin të ngritun flamurin Kuq e Zi. (‘Shkolla shqiptare” – botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1941, nr 47, fq 245).
Vetëm në këtë mes po përgatitej një ngjarje e madhe brenda në Shkodër. Esat Toptani kishte dijeni rreth rrjedhjeve të punës dhe Hasan Rizaja do të vritesh pak ditë më vonë. (E përkohshmja “Dituria”)
Opinioni publik shkodran pat pështypjen dhe bindjen se, Esat Pasha e kishte kurdisë planin e vrasjes së Hasan Riza Pashës me dorën e kriminelëve Osman Bali nga rrethet e Tiranës, të Mahmutit nga Kavaja dhe të një të quajtuni Teofik nga Shqipnia e Mesme.
Humbjen e atij burri e vajtoi mbarë Shkodra, sepse me vdekjen e pashës parashihte rrezikun e madh që i kanosej.
Marrëveshja e Esatit me malazezët
Literatura historike dhe tradita popullore dëshmojnë se Esat Toptani nuk gëzonte fare simpati në popull. Në çastet e fundit, Hasan Rizaja nuk pat ba asnjë deklaratë për zevendësimin e tij. Kur i thanë që ta zevendësojë Esat Pasha, bërtiti e tha: “Në asnjë mënyrë nuk ban, se e ban hatanë”.
Pasi siguroi postin e zevendës valiut dhe komandant i Shkodrës, Esat Toptani përnjëherë nisi bisedimet me malazeztë. Komandanti i përgjithshëm i forcave malazeze, Princ Danili, me pretekst, gjoja, ilaçet për të plagosun, me anë të një delegacioni i uroi Esat Pashës detyrën e naltë që i ishte ngarkue.
Shkodra vazhdoi të mbesë e rrethueme edhe tre muej. Kjo qëndresë u detyrohej komandantëve të zonave ushtarake dhe popullit të Shkodrës në përgjithësi, që në asnjë mënyrë nuk pranonte të dorzohej deri në kafshatën e fundit.
Esat Toptani për me sigurue postin e naltë të sundimit të Shqipnisë duhej t’i kënaqte serbo – malazezët me tokat shqiptare për me pasë mandej përkrahjen politike, punë që do të tolerohej edhe nga anglo-francezët.
Esat Toptani nuk mund të realizonte planin e tij, dmth të hynte në marrëveshje me ballkanasit tue qenë Riza Pasha gjallë. Punë kjo që u vertetue dy ditë pas vrasjes së këtij të fundit, kur dilte nga shtëpia e pashës, ku ishte mik i thirrun.
Esati, porsa e mori në dorë komandën e përgjithshme, hyni në marrëveshje me malezezët. Më 3 mars 1913 nga ana e Liqenit erdh’ një vapor me një delegacion nga Mali i Zi. Delegacioni vinte për bisedime me Esatin. Delegacioni ishte i formuem prej gjeneralit Miter Martinoviq, kryekomandant i ushtrisë së bregut, i cili solli letrën e shkrueme me datën 15 fruer – shkurt 1913.
Në delegacion merrte pjesë edhe Pjetër Pllamenaci, ministër i jashtëm i Malit të Zi dhe ish ambasador në Stamboll. Mbas sa bisedimeve rreth bombardimeve të bame gabimisht kundër spitaleve etj, ma në fund Pllamenaci kërkoi të rrinte vetëm me Pashën.
Sipas autorëve të librit “Rrethimi i Shkodrës” kur Esati qenka pyet rreth takimit me delegacionin malazias qenka përgjegjë tekstualisht: “Qëndresa është e kotë! Serbët për me çue në vend hakmarrjen e disfatës që ata patën në Bërdicë, sot a nesër po sjellin 20.000 ushtarë e 75 topa. Inati nuk të jep asnjë dobi. Fortesa e Shkodrës e ka ba detyrën e saj. Madhninë dhe nderin ushtarak ka kohë që e ka plotësue“.
Esat Pasha me anëtarët e komisionit malazias shfaqej krejt intim. Ai nuk dëshironte të merrte pjesë ndojë tjetër ndër bisedimet private që kishin në mes tyre. U kuptue mirë, thuhet në literaturën e cituar, se Esati ishte tuj ba pazarllëk për të ardhmen e tij dhe të Shqipnisë.
Pllamenaci, pas këtij takimi, erdh edhe dy herë të tjera. Esat Pasha hidhte gurin e fshihte dorën. Ai nuk kishte guxim t’ua dorëzonte Shkodrën malazezve në krye të vet. I marrun vesh me malazeztë, me një mënyrë ose në një tjetër, pavarësisht nga qëndrimi zyrtar, personalisht përpiqej të ia dorëzonte Shkodrën Malit të Zi.
Qeveria malazeze andrrronte se mbas pushtimit, Shkodra do ti mbetej Malit të Zi, prandaj me çdo kusht pranonte pushtimin e këtij vendi. Me datën 16 prill 1913 ushtria serbe e përbame prej 15.000 vetësh, me 6 bateri, po tërhiqej drejt Lezhës. Në këtë rast komandanti Bojoviq, komandanti i ushtrisë serbe, e kishte ba me ditë krajl Nikollën e Malit të Zi për vendimin e largimit të ushtrisë serbe nga rrethimi i Shkodrës.
Me datën 20 prill 1913 Esat Toptani dërgoi delegatët pranë komandës malazeze për me bisedue kushtet e dorëzimit të qytetit. Po këtë ditë ai mori një telegram të Mahmut Shefqet Pashës, ministër i luftës së Turqisë, me të cilin urdhnonte komandantin e Shkodrës që të mos ndiqeshin serbët, mbasi kishin marrë urdhnin të largoheshin nga rrethinat e Shkodrës.
Të nesermen më datën 21 në mëngjes, vapori i Malit të Zi sillte gjeneralin Janko Vukatiq dhe ministrin e jashtëm Pjetër Pllamanacin, të cilët ishin të ngarkuem vetëm për marrëveshje të kushteve të dorëzimit. Me datën 22 prill 1913 EsatToptani ua dorëzoi projektin për kushtet e dorëzimit. Kushtet e marrëveshjes së dorëzimit ishin 15.
Ndër këto dy ditë Esat Toptani ishte shumë i shqetesuem dhe i frikësuem: kishte bindjen se populli i Shkodrës kishte përshtypjen e një tradhtie që ky po bante me dorëzimin e qytetit dhe e gjykonte si vrasës të Hasan Riza Pashës.
Esat Toptani vazhdimisht kishte përshtypjen e kurdisjes së një komploti nga ana e shkodranëve, prandaj ai merrte masa paraprake. Më datën 23 prill 1923 Esat Toptani mblodhi parinë e Shkodrës në zyrën e Doganave. Esati me këtë donte me argumentue dorëzimin që gjoja po bahej edhe me deshirën e popullit dhe u njoftoi se qytetin do ta dorëzonte e nuk ishte ma në gjendje me qindrue.
Për këtë mbledhje, autori i librit “L’Assedio di Scutari” ndër të tjera shkruen:
“Gjashtë kristianë ishin të pranishëm në mbledhje, të cilëve u vinte keq për dorëzimin dhe dhanë sigurime që në qoftë se valiu kërkonte ndihmë ishin gati. Një pjesë e myslamanëve propozuen të shtyhej edhe disa ditë qëndresa, ndër ta Sylçe Begu i ofronte 100 lopë valiut, tue e sigurue edhe për të tjera. Jakup Rroji, nga tregtarët e parë të tregut bashkë me disa të tjerë jo vetëm qe gadi me dorëzue bagëtitë e trasha dhe të imta,por me dhanë edhe ndihma në të holla. Këtë na e pohonte Muharrem Gjylbegu, kryetari i bashkisë, që kishte qenë prezent në mbledhje. Fjala e shumicës ishte veç të mos i dorëzohej qyteti anmikut. Në këtë diskutim Esat Pasha foli ashpër kundër shkodranëve edhe ma në fund, doli nga mbledhja tue kthye krahët”.
Meqenëse anmiku e kishte sigurue ramjen e qytetit nga Esat Toptani e tue qenë në dijeni se paria e qytetit ishte mbledhë për këtë çështje, për me i trembë të mbledhunit, nisi të bombardojë qytetin me një breshni predhash e shrapnelash: mbi treqind hodhi atë natë në qytetin e Shkodrës.
Me datën 24 prill 1913 malazeztë hynë në qytet…”
Pas shënim:
Marëdhëniet mes së vërtetës dhe historisë janë gjithnjë të ndërlikuara. Zakonisht, kjo e fundit, historia, shkruhet kur gjërat janë ftohur nga pasionet e çastit dhe menjëherë pas fitores. Si të thuash, historia e saktë qëndron e varur diku mes qiellit dhe tokës. Është gjithnjë në zgrip dhe kurdoherë e kërcënuar nga e pavërteta. Nganjëherë është e nevojshme që mes asaj që ka ndodhur, trajtimit të saj dhe ngulmimit të historisë të ketë një mur mbrojtës. Historia, vetëm kështu, mund të qëndrojë përgjithmonë e pavarur në thellësinë e saj.
Rishikimi i historisë ka qenë gjithnjë një akt njerëzor. Retushimi i saj mbetet përherë një akt çnjerëzor.
Isha i ftuar disa muaj më parë në promovimin e një libri në Tiranë. I ulur në një tavolinë në qoshe të mjediseve të Hotel Tirana, duke pritur fillimin e promovimit, pranë mjete uleshin dhe ngriheshin qytetarë të ndryshëm, të ftuar, po ashtu në promovim.
I fundit që u ul ishte i shoqatës së Tiranës. Edhe libri që do të promovohej fliste për Tiranën. Nuk e di se si ra fjala dhe i uluri pranë meje befas më tha se Tiranës i ishin hequr heronjtë e saj, ndoshta më i madhi që kishin, Esat Pasha, dhe fajtori i vetëm ishte Enver Hoxha, që e kishte shpallur tradhtar. Kur i ndërhyra modestisht se vrasja kishte ndodhur nja 25 vite para se të vinte në pushtet Enver Hoxha, ai më shikoi me zemërim, u ngrit dhe iku në një tavolinë tjetër.
Mos u çudisni nëse një ditë në Shqipëri do të vijnë edhe ajo që ka mbetur nga eshtrat e Esat Pashës. Direkt nga Beogradi.
Citimi që solla nga profesori i shquar, historiani i njohur, Bushati është pjesë e librit të tij në dy vëllime, “Shkodra dhe motet”
Bedri Islami – DITA