Në të gjitha kohërat shqiptarët vendas kanë dhënë kontributin e tyre së bashku me të huajt si ktitorë, arkitektë, freskokografë e ikonografë, kaligrafë të manuskripteve, artizanë nga më të ndryshmit, mirëmbajtës dhe mbrojtës të devotshëm. Për Patrikanën e Pejës, Manastirin e Deçanit, Manastirin e Graçanicës dhe Bogorodica Levishkën në Prizren, ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve me vite ekzistojnë pohime kontroverse për përkatësinë e tyre

Kosova ka një trashëgimi të pasur arkeologjike, etnografike, si dhe me monumente religjioze të krishtera e myslimane. Janë këto kisha dhe xhami me vlera të jashtëzakonshme të ndërtuara gjatë shekujve të gjatë të pushtimeve të huaja, qofshin ato bizantine, sllave apo osmane. Në të gjitha kohërat shqiptarët vendas kanë dhënë kontributin e tyre së bashku me të huajt si ktitorë, arkitektë, freskokografë e ikonografë, kaligrafë të manuskripteve, artizanë nga më të ndryshmit, mirëmbajtës dhe mbrojtës të devotshëm. Në këtë kontekst, do të përqendrohemi vetëm në katër tempujt kryesorë religjiozë ortodoksë, meqë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve me vite ekzistojnë pohime kontroverse për përkatësinë e tyre. Këta tempuj janë: Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës dhe Bogorodica Levishka në Prizren.

Image
Mbishkrimi i arkitektit shqiptar Vita Cuci-Kuqi në Manastirin e Deçanit

Patrikana e Pejës është rindërtuar mbi një ngrehinë paleokristiane në kohën kur mbreti Dushan kishte shfrytëzuar turbullirat në Bizant për të përfituar hapësira të reja. Atëbotë, ai kishte pushtuar disa territore arbërore dhe e kishte shpallur vetveten (disa herë) si car të serbëve, grekëve, shqiptarëve dhe bullgarëve. Me atë rast argjipeshkvinë e kishte shpallur patriarkalë. Gjatë Perandorisë Osmane Patrikana e Pejës, më 1577, me ndihmën e sadrazemit (kryeministrit) osman me prejardhje mbase shqiptare apo sllave nga Herceg-Bosnja, Mehmed Pasha Sokolu (apo Sokoloviq), ia zgjeroi edhe më shumë kompetencat nga Kosova e gjithandej nëpër vendet fqinje. Kjo bëhej me qëllim që osmanët të vilnin sa më shumë taksa për arkën e tyre perandorake.

Manastiri i Deçanit (1335), bazilikë romanike me elemente gotike, është njëri ndër tempujt më të mëdhenj mesjetarë në Ballkan dhe paraqet monumentin më të madh të ruajtur bizantin freskografik. Arkitekti është mjeshtër shqiptar, Vita Cuci Kuqi, klerik katolik së bashku me dhjetëra skalitës nga Kotorri. Në një dokument të arkivave të Vatikanit thuhet se car Dushani skizmatik i Serbisë kur kishte filluar rindërtimin, në të vërtetë, konvertimin e Kishës së Deçanit ai ishte detyruar të siguronte një njësit të fortë ushtarak për mbrojtjen e mjeshtërve, sepse vendasit – shqiptarët katolikë, nuk donin t’i lejonin rindërtimet në kishën e tyre. Ndërkaq, në një dokument tjetër që mban datën e 19 dhjetorit të vitit 1167, informon se Papa Aleksandër (Alexander III) lavdëron peshkopin shqiptar Lazrin (Lazarus), i cili dëshironte ta braktiste ritin grek dhe ta pranonte atë roman. Sidoqoftë, kjo faltore e bukur i dedikohet Krishtit Pantokrator dhe është e ndërtuar nga blloqe të kuqe në të purpurt, nga mermeri oniks i të verdhës së lehtë. Ajo dallohet nga kishat e tjera bashkëkohore nga dimensionet e saj imponuese dhe karakteristikat e dukshme romaneske. Pikturat murale të saj, që janë pikturuar më vonë mbi një sipërfaqe monumentale të mureve, 36 metra gjerësi me 30 metra lartësi – përbëhen nga rreth 1.000 portrete si dhe me temat kryesore të Dhiatës së Re. UNESCO e ka shpallur Manastirin e Deçanit Trashëgimi Botërore në vitin 2004, duke përmendur se afresket e tij janë nga shembujt më të shquar të Rilindjes Paleologe të pikturës bizantine dhe një rrëfim i rëndësishëm i jetës së shekullit XIV.

Manastiri i Graçanicës është rindërtuar nga mbreti serb Stefan Milutin, më 1321. Ky manastir gjendet shumë pranë Lipjanit – qytetit të lashtë romak Ulpiana, ku ishte rezidenca e vjetër e peshkopëve. Graçanica është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe më të vjetër të shekullit XIII të Virgjëreshës së Shenjtë, e cila ishte ndërtuar mbi rrënojat e një bazilike edhe më të hershme të krishterë, gjatë shekullit VI. Në murin jugor të kishës gjendet mbishkrimi i mbretit, duke përfshirë edhe këto fjalë: “Unë kam parë gërmadhat dhe katandisjen e tempullit të Virgjëreshës së Shenjtë të Graçanicës, peshkopit të Lipjanit, kështu që unë e kam ndërtuar atë nga toka dhe pikturuar e zbukuruar atë si nga brenda dhe jashtë”. Brenda në narteks, gjenden portretet e themeluesve: mbretit Milutin dhe mbretëreshës Simonida, Mbretëreshës Hélène d’Anjou etj. Në pikturën murale paraqitet edhe gjenealogjia e dinastisë së Nemanidëve, e cila fillon me Stefan Nemanjën dhe përfundon me Milutinin. Afresket e kishës janë pikturuar më 1321-1322. Piktorët mjeshtër janë Mëhill Astrapa dhe Eutihiu nga Ohri, të cilët atje kanë pikturuar në kishën e fisnikut shqiptar, Progon Zguro – në Kishën e Shën-Klementit (Peribleptos), e cila është themeluar më 1295, në Zonjën e Levishës në Prizren dhe në Kishën e Shën-Gjergjit afër Kumanovës.

Image
Afresku i Simonidës në Kishën e Graçanicës

Ndërkaq, kisha serbe ka ndërtuar në Beograd kishën e Shën Markut sipas kopjes arkitektonike të Manastirit të Graçanicës në Kosovë, si dhe një tjetër kopje të përpiktë në periferi të qytetit Chicago, Illinois (SHBA).

Kisha Zonja e Levishës është faltore ortodokse e shekullit XIV që gjendet në qytetin e Prizrenit. Kisha është rindërtuar gjatë viteve 1306-1309 nga Milutini i Serbisë. Ajo është rindërtuar mbi rrënojat e një kishe më të hershme bizantine, emri origjinal i së cilës ishte Metera Eleousa, e që në sllavisht njihet si Bogorodica Ljeviška. Gjatë Perandorisë Osmane ajo ishte shndërruar në një xhami dhe më pas përsëri ishte kthyer në kishë ortodokse në fillim të shekullit XX. Në vitin 1990 Serbia vlerësoi kishën Zonja Jonë e Levishës si monument të kulturës me rëndësi të veçantë, ndërsa më 13 korrik të vitit 2006 kjo kishë u vendos në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, me emërtimin Monumente Mesjetare në Kosovë. Kisha është ruajtur nga KFOR-i pas qershorit të vitit 1999. Megjithatë, kisha ishte dëmtuar rëndë nga zjarrvëniet gjatë trazirave në Kosovë të vitit 2004.

Që të katër këta tempuj shumë të bukur dhe të rëndësishëm janë regjistruar si trashëgimi botërore në Listën UNESCO’s World Heritage List në emër të Monumenteve Mesjetare në Kosovë, nën mbrojtjen e Republikës së Serbisë. Këto katër kishat e krishtera të Kosovës, së bashku me të gjitha monumentet e tjera që gjenden në kufijtë e saj, i përkasin trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës dhe ato sipas ligjeve ndërkombëtare do të regjistrohen si trashëgimi botërore në favor të saj nga UNESCO.

Seria e teksteve “Kujt i përkasin, në të vërtetë, tempujt fetarë në Kosovë?” të Shyqri Nimanit (6 maj 1941 – 22 qershor 2023), u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë, prej korrikut deri në gusht të vitit 2014./koha.net

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here