Dokumente origjinale të Arkivit Qendror të Shtetit dhe arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë janë bashkuar për ekspozitën “Shqiptarët zgjedhin për me shpëtue” në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Në mesin e materialeve të përzgjedhura të ekspozuara zbardhet informacioni mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullatës në vitin 1923 e të tjera fakte

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit është bërë shkas që në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë, të hapen arkivat për ta shpalosur rrëfimin “Shqiptarët zgjedhin për me shpëtue”.

Ministri Igli Hasan ka vlerësuar rolin e diplomatëve dhe përpjekjet e popullit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve, teksa është shprehur se evente të tilla shërbejnë për të kujtuar që duhet të punuar shumë, për të edukuar shoqëritë kundër çdo lloj urrejtjeje e diskriminimi racor, fetar e etnik.

“Teksa shfletoja disa dokumente nga arkivat, ajo që del në pah është që këtu bëhet fjalë për veprimet e një shoqërie të tërë. Gjen aty dëshmi diplomatësh të angazhuar për të gjetur mënyra kreative për t’u dhënë viza udhëtimi për në Shqipëri qytetarëve hebrenj nga e gjithë Evropa. Asgjë nuk mund të justifikojë antisemitizmin. Teksa me të drejtë ndihemi krenarë për këtë traditë mikpritje e për atë çka bënë paraardhësit tanë për të shpëtuar hebrenjtë, koha ku jetojmë e bën të domosdoshme që ne të punojmë për të ardhmen e veçanërisht për edukimin e brezave të rinj”, ka thënë ai, raportojnë mediat në Shqipëri.

Hasani ka thënë se “në epokën e rrjeteve sociale e qarkullimit të pakufizuar të informacionit e dezinformacionit, është vërtet e rëndësishme që të mos e marrim si të mirëqenë këtë traditë të bukur, por të punojmë për ta konsoliduar e forcuar atë”.

Në vitin 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi përkufizimin e antisemitizmit të përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) si një instrument orientues për fushën e arsimit.

“Hapi tjetër në këtë drejtim është përfshirja e trajtimit të antisemitizmit në sistemin arsimor e Shkollën e Magjistraturës. Ndërkohë që kemi marrë dhe angazhimin për t’u bërë anëtarë të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, ka thënë ai.

Këto hapa e të tjera masa si këto, sipas kryediplomatit shqiptar, janë jo thjesht mënyra më e mirë për të edukuar shoqërinë mbi nevojën për të luftuar antisemitizmin e çdo lloj tjetër urrejtje e diskriminimi.

“Ato janë po ashtu mënyra më e bukur për të respektuar të gjitha ato familje, të gjithë ata individë që rrezikuan aq shumë për të shpëtuar hebrenjtë në territorin e Shqipërisë nga tragjedia e Holokaustit, me veprën e të cilëve ne krenohemi sot”, ka thënë ministri Hasani.

Ambasadorja izraelite në Tiranë, Galit Peleg, është shprehur se populli izraelit do t’i jetë gjithmonë mirënjohës Shqipërisë për kontributin e tyre, teksa ka theksuar se e gjithë bota duhet të mësojë për këtë akt simbolik të shqiptarëve.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, ka theksuar se duhet bërë çmos që historia të mos përsëritet.

Gjatë aktivitetit, u ekspozuan dokumente origjinale të Arkivit Qendror të Shtetit dhe arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për përpjekjet e bëra nga diplomatë shqiptarë të asaj kohe për shpëtimin e hebrenjve.

Image

Në mesin e materialeve të përzgjedhura që janë ekspozuar, zbardhet edhe informacioni mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullatës në vitin 1923, ku hebrenjtë evidentohen të jenë 90 banorë; korrespondencë ndërmjet legatave shqiptare në Paris dhe në Londër me Mbretërinë Shqiptare dhe me Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare mbi mundësinë e instalimit të kapitalistëve hebrenj (polakë dhe zviceranë) në Shqipëri si dhe informacion i ardhur nga Legata Italiane më dt. 06.12.1938 prej nga ku citohet se “Mbreti Zog është në tratativa për lejimin e 500 familjeve hebrenje të vendosen në Myzeqe”. Komiteti hebraik i New Yorkut merr përsipër ndihmesën financiare për këtë veprim kundrejt Mbretërisë Shqiptare.

Gjithashtu, u publikua vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 28.1.1939, i cili u lejon shtetasve me etni hebraike qëndrimin apo edhe shtyrjen e vizës turistike shqiptare, listë e pjesshme e rezidentëve hebrenj të ndodhur në Tiranë si dhe lista e hebrenjve të ardhur nga Prishtina në lokalitetet e Krujës, të Shijakut dhe të Kavajës./koha.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here