Gjatë rindërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, janë zbuluar gjetje arkeologjike tepër të rëndësishme si për nga tipologjia, ashtu edhe me vetë historinë e zhvillimit të qytetit antik.

Bëhet fjalë për një bazament kolone, fragmente muresh, fragmente potenciale të pikturës murale e fragmente mermeri, që nga vlerësimi paraprak përkojnë me elemente tipike të strukturës së një vile romak.

“Por gjetja kryesore është një mozaik floreal, që nëntoka e ka ruajtur në një gjendje mjaft të mirë, i periudhës së hershme perandorake romake, që në fazën aktuale, mendohet të mbulojë një sipërfaqe prej afro 30 m2. Hulumtimi i mëtejshëm pritet të zbulojë edhe elemente të tjerë të rëndësishëm të sitit arkeologjik”, ka shkruar ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti.

Sipas saj, pas këtij zbulimi do të realizohet gërmimi arkeologjik i hapur me qëllim evidentimin e plotë të këtij siti, në vijim të së cilit do të vlerësohet ecuria e mëtejshme e projektit dhe destinacionin final të materialeve arkeologjike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here