Shtypja e lartë e gjakut apo hipertensioni njihet edhe si “vrasësi i heshtur”, sepse fillimisht të sëmurët nuk kanë asnjë problem shëndetësor. Shpesh zbulohet vetëm kur shfaqen komplikime të dukshme shëndetësore.
Kur bëhet fjalë për presionin e lartë të gjakut, simptomat që duhet t’u kushtoni vëmendje mund të jenë jo specifike. Presioni i lartë ose hipertensioni është një sëmundje e sistemit të qarkullimit të gjakut në të cilën maten vlerat jonormale të presionit të gjakut në dy ose më shumë raste.
Vlerat normale të presionit të gjakut janë rreth 120 mm/Hg (milimetra merkur) për presionin sistolik dhe rreth 80 mm/Hg për presionin diastolik.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se 44.2 për qind e të rriturve në Evropë vuajnë nga presioni i lartë i gjakut. Nëse keni presion të lartë të gjakut, është e rëndësishme ta kontrolloni rregullisht atë me ndihmën e mjekut tuaj dhe me matje të rregullta në shtëpi.
Nëse vuani nga tensioni i lartë, duhet të lëvizni më shumë, të shmangni stresin, të kujdeseni për peshën trupore, të ushqeheni shëndetshëm, por edhe të kujdeseni për atë që pini.
Më poshtë është lista e pijeve të cilat duhet t’i shmangni nëse keni tension të lartë:
Kafja
E para në listë është kafja, sepse është një pije që shumë njerëz e pinë çdo ditë. Megjithatë, shumë kafe mund të ketë një ndikim negativ në shëndet dhe hipertension. Në përgjithësi, pijet që përmbajnë kafeinë, duke përfshirë çajin, kafenë dhe pijet energjike, mund të rrisin presionin e gjakut.
Alkooli
Njerëzit që kanë presion të lartë të gjakut duhet gjithashtu të shmangin alkoolin. Klinika Mayo thotë se më shumë se tre pije alkoolike në ditë mund të rrisin presionin e gjakut. Sipas hulumtimeve, konsumimi i shtatë ose 13 pijeve alkoolike në javë lidhet me rritjen e presionit të gjakut.
Pijet energjike
Pijet energjike në përgjithësi mund të kenë një efekt të keq në shëndet, por edhe t’i rritin shanset për të zhvilluar hipertensionin. Një nga fajtorët për këtë është edhe kafeina që gjendet në to. /Telegrafi/