Kush ishte Homeri dhe çfarë gjuhe fliste? – Nga Sulejman Mato

Sulejman Mato

Një pyetje që ka trazuar shumë studjues në të gjitha kohërat, pasi dy veprat e quajtura homerike kanë jo vetëm vlera të mëdha për njohjen e një kohe të errët prehistorike, por, janë zanafilla e letërsisë botërore. Kush ishte ky aed i epokës së bronxit? Ku lindi? Ku jetoi, ku vdiq? Për të gjitha këto pyetje ka mendime të ndryshme, nga studjues të ndryshëm, në kohë të ndryshme.

Homeri ishte një rapsod i cili jetoi në një kohë kur nuk njihej shkrimi, ndaj edhe krijimet recitoheshin në sheshe nga aedë popullorë dhe përcilleshin gojë më gojë, nga njëri vend në tjetrin e nga njëra kohë në tjetrën. Shumica e studjuesve kanë rënë në një mendje se ai ka jetuar në shekullin e nëntë p.e.s. në qoftë se ka ekzistuar vërtet një Homer, por ka dyshime se eposi homerik, sidomos, “Iliada” është dhe më e hershme dhe nis fill pas rënies së Trojës.

Në qoftë se do të pranojmë se në krijimin e këtij eposi popullor kemi vetëm një autor dhe ai quhet Homer, atëhere duhet të themi dy fjalë për vendlindjen dhe kohën në të cilën ka jetuar. Nga të gjitha biografitë e shkruara të dhënat kanë ndryshuar vazhdimisht. Thonë se ka lindur në një nga 7 qytetet; Smirnë, Cios, Colofhon, Cumas, Argos, Ithakë dhe Athinë.

Ka pasë mendime se ka lindur në Egjypt ose në Qipro. Secila dëshmi greke ka dashur ta konsiderojë poetin me origjinë nga trojet greke, ndërkohë që, siç do ta shpjegojmë më poshtë gjuha e dorëshkrimit të parë tregon se kemi të bëjmë me një gjuhë Joniane. Dhe koha e lindjes së këtij rapsodi   kufizohet në tre shekuj, nga shek i XI-të gjer në shek.e VIII-të p.e.s.

Të parët që i japin veprës lashtësi burimore, priren të thonë se nuk kemi të bëjmë me një autor, por me një shumësi autorësh dhe me një vepër e cila ka nisur pas luftës së Trojës dhe ka ardhur duke u shtuar e përmirësuar nga një poet në tjetrin. Të dytët që e sjellin si një dëshmi të shek VIII-të p.e.s, dëshirojnë të thonë që kemi të bëjmë me një autor të vetëm dhe se ai i përket Greqisë së lashtë, ndërkohë që duhet të themi se në kohën homerike në truallin grek nuk përmendet emri Greqi, e nuk kemi pasur shtete por fise, madje fise lëvizëse, me gjuhë e kulturë të ndryshme.

Në kohën për të cilën bëhet fjalë, aedët ishin aktorë lëvizës të cilët recitonin, pa e shoqëruar me vegla muzikore.

Ajo që është më e njohur dhe ka lashtësi më të madhe, është dëshmia e historianit të lashtësisë, Herodotit, i cili dëshmon se emri i vërtetë i poetit ishte Melesigenes dhe se ai ka lindur në Smirnë, në Izmirin e sotëm.

Nëna e tij quhej Critei, një vajzë jetime e cila mbeti shtatzënë dhe nuk u martua, u detyrua të linte qytetin e saj, Cumas dhe të emigronte në Smirnë. Pra, bëhet fjalë për një fëmijë të jashtëligjshëm. Në Smirnë e edukoi Femio, një mësues i njohur, i cili pikasi te ky fëmijë një inteligjencë mbinatyrale, e që më pas me vdekjen e tij shkolla do të kalonte në duart e njerkut të tij. Herodoti tregon se Melesigenes e kaloi jetën në udhëtime, gjersa një ditë u sëmur dhe u verbua.

Le ta pranojmë këtë version si më të hershmin, edhe pse është tepër dyshues

Versioni tjetër është i afërt me të parin, me pak ndryshime, që ai lindi pranë lumit Meles, ndaj dhe ia vunë emrin Melesigenes, e ëma Griteis ishte e detyruar të martohej me mbretin Meon, nga kjo martesë lindi Homeri ynë.

Më afër të vërtetës mendoj se është versioni që tregon se Homeri ishte biri i Telemakut dhe këto histori të luftës dhe të kthimit të Odiseut në Itakë ai i kishte dëgjuar nga i ati, ose nga vetë gjyshi i tij, Odisea… Mendoj kështu duke pranuar që edhe gjuha origjinale e poemit Odisea është e zonës Jonike.

Përsa i përket emrin Homer, këtu ka disa mendime. Në greqisht emri Homer shkruhet “Omir us” e cila nënkupton se qe i verbër. Në fakt dhe te poemi “Odisea” na del si personazh një rapsod me emrin “Demodoku” i cili ishte i verbër, si Homeri, dhe që këndonte hisoritë e Luftës së Trojës dhe peripecitë e kthimit të Odiseas në Itakë.

Për verbërinë e autorit nuk ka kundërshtime, ndonëse unë mendoj që rapsodët në çastin kur recitonin qëndronin symbyllur e si të   përhumbur në kujtime.

Në periudhën helene u bënë shtatë biografi të ndryshme për Homerin duke e parë nga kënde të ndryshme dhe përkatësi të ndryshme. Debati më i ndezur i cili ekziston edhe sot është ai, nëse ka pasur një Homer apo shumë homerë në kohë të ndryshme. Sipas arsyetimit të disa prej tyre “Iliada” dhe “Odisea” kanë dallime esenciale në krijimin e tyre, ato janë dy vepra të cilat ndryshojnë nga njëra-tjetra në pikpamje të stilit të rrëfimit, ndaj nuk mund të jenë të krijuara nga i njejti autor.

Diskutimet rreth ekzistencën së një Homeri të verbër dhe të dy veprave homerike nuk kanë shteruar as në ditët e sotme. Ende ka mbetur pa përgjigje kush ishte Homeri? A ishte një autor i vetëm apo ishin shumë autorë? A ishte ai një përpilues apo krijues i këtyre dy veprave? Në cilën kohë u shkruan këto vepra dhe cila është origjina gjuhësore e tyre.

Duke u nisur nga një vëzhgim i hollësishëm i të gjitha biografive dhe të gjitha versioneve të mundshme rreth veprës dhe autorësisë së tyre unë mendoj se dhe “Iliada” edhe “Odisea”, kanë autorë të ndryshëm. Të dyja këto vepra kanë një zanafillë, kanë një burim. Ashtu si ujët e një burimi që i del nga guva e një shkëmbi e më pas, duke rendur drejt detit, përzihet me ujëra burimesh të tjerë, të cilët bashkohen në një rrjedhë edhe më të madhe duke formuar një lum, i cili vrapon drejt detit, ashtu dhe këto dy krijime, të cilët kanë një gurrë, janë pasuruar e shtuar, përmirësuar e zbukuruar, nga një rapsod te tjetri,  nga njeri vend te tjetri e nga një kohë te tjetra, duke u shndërruar në pronë historike e artistike, për të gjithë popujt e Ballkanit dhe të botës.

A i japim dot detit Jon një përkatësi? Nga cilët burime e cilët lumenj e ka përkatësinë? Në çfarë kohe është krijuar? Si ka ndryshuar uji i tij nga koha në kohë? Deti Jon, me që te Odisea flitet dhe për një gjuhë Jonike, tashmë është i të gjithëve, i përket botës turistike. Ai që e ka rrëzuar këtë ide ka qenë arkeologu francez i shekullit të 17-të, François Hébel, i cili   konkludoi që nuk kemi të bëjmë me ekzistencën e një njeriu të vetëm. Ai hodhi idenë që termi “Homer” në kohët e lashta ishte një aluzion për poetët anonimë.

Gjuha homerike

Një aspekt tjetër është gjuha homerike ose ajo që u quajt “greqishtja homerike”. Në dy poemat homerike janë gjetur afërsisht 9000 fjalë nga të cilat 1382 janë emra të përvecëm, emra personazhesh dhe toponime vendesh, janë dhe 2307 fjalë që shfaqen për herë të parë në tekst e kuptimi i tyre vetëm konkludohet, domethënë merret me mend.

Si një stujdues i gjuhës shqipe do të doja shumë të merresha si me 1382 emrat e përveçëm, ashtu edhe më fjalët të cilat vetëm nënkuptohen, pasi do të isha i sigurt që në këtë drejtim do të na ndihmonte shumë gjuha e lashtë shqipe. Ky problem është anashkaluar nga studjuesit e huaj jo rastësisht, disa për shkak të mosnjohjes së gjuhës shqipe, por, të tjerë sigurisht e anashkaluar gjuhën  e ashtuquajtur Jonike, e cila do të zgjidhte përfundimisht, çështjen me të errët dhe më delikate të evidentimit të përkatësisë së  këtyre veprave madhore, në veçanti të poemit “Odisea” për të cilin  jo vetëm unë, por edhe gjuhëtari i shquar, Çabej, qysh në rininë e vet, ka konstatuar se  poemi “Odiseja” është  një produkt i  eposit të ilirëve të jugut.

Çabej thotë që dhe kënga e lashtë popullore “Kthimi i Ymer Agos” pas nëntë vjetëve te gruaja e tij, është një jehonë e historisë së kthimit të Odisesë nga lufta e Trojës, pas nëntë vjetëve, në Itakë. Gjuha me të cilën janë shkruajtur veprat origjinale Iliada dhe Odisea të Homerit ka mbetur pa një përgjigje, dhe kjo për shkak se nga shumë studjues që janë marrë me problemin e gjuhës homerike asnjë nuk e ka njohur gjuhën shqipe.

Nga mbi 116 mijë fjalë që gjenden te veprat homerike, njëzet përqind kanë mbetur të hamëndësuara, pikërisht për faktin që ata nuk kanë njohur gjuhën shqipe, madje shqipen arkaike, të kohës homerike. E cila sipas të gjitha gjasave përkon me gjuhën që flitej në atë kohë në fiset pellazge dhe dardane. Disa dëshmi na i jep njohësi i gjuhëve tona të vjetra, greqishtes dhe shqipes, arvanitasi Aristidh Kola, te libri i tij “Arvanitasit dhe prejardhja e grekërve”. Për më tepër theksohet se “Iliada” dhe “Odisea” janë vepra që në themel kanë bashkëbisedimin dhe, besoj se e keni vënë re, që nuk përmendet përkthyes në këto dy vepra. Gjithashtu, fjala helen përmendet tek “Iliada” vetëm një herë dhe në një rresht.

Qyteti pa kujtesë

Është një qytet i lashtë, në zemër të Shqipërisë, të cilit i ka humbur kujtesa, ashtu siç iu ka humbur kujtesa dhe shumë qyteteve tona.             

Ka kohë që arkeologët atje gërmojnë dheun duke nxjerrë mbi tokë gërmadhat e një qyteti buzë Aosit të lashtë. Qyteti quhej Byllis. Ende askush nuk ia di mirë historinë e themelimit, as etimologjinë e emrit.

Nuk dua të nxitohem për të thënë se Byllis ka në rrënjë emrin “yll”. Nuk më përket mua të nxitohem. Do ua lë hamëndjet e mia arkeologëve, të cilët duhet të thellohen   në të dhënat arkeologjike dhe gjeologjike të cilat përcaktojnë kohën e themelimit të   këtij qyteti, si si dhe ndryshimet gjeologjike në harkun kohor tremijë vjeçar.

Pranë Bylisit ndodhet qyteti Amantia, vendbanim i Abantëve, të cilët, sipas një legjende janë me prejardhje trojane.

Trojanë në Butrint… Trojanë në Orikum… Trojanë në Amantia. Nga mbinë këta trojanë në këto qytete? Janë të ardhur pas luftës së Trojës apo janë autoktonë?

Arkeologët kanë zbuluar në Byllis, varre madhështorë dhe Byllisin e kanë quajtur “Qyteti i mbretërve  Ilirë”.

Shlimani iu afrua kodrës Hisarlik vetëm duke patur në mendje të dhënën se Ilioni gjendej pranë dy lumenjve, Skamandër dhe Simonit.

Në qoftë se “Simonit” ka qenë “Semani” atëhere në largësinë e tre mijë vjetëve, dhe Skamandri do të jetë quajtur në mos Aosi, një degëzim i Aosit.

Nga të dhënat gjeologjike të kësaj treve nxjerrim konkluzion që Vjosa dikur nuk derdhej atje ku derdhet sot. Deti ka qenë disa kilometra në brendësi të fushave të Myzeqese.

Derdhja e Vjosës do të ketë qenë shumë afër kodrës së Bylisit. Këtë mendim e mbështet fakti që poshtë kodrës, Bylis ka ganxha hekuri që kanë shërbyer për ankorim anijesh. Mund të hamëndësojmë se në grykëderdhje lumi Vjosa ka pasur një degëzim i cili sot nuk ekziston.

Trojet tona detare në harkun kohor të tre mijë vjetëve kanë përfituar tokë. Për këtë fakt askush nuk ka bërë një studim serioz i cili do të na ndihmonte në gërmimet arkeologjike. Toka shqiptare ka tremijë vjet që fiton çdo vit një milimetër. Ky është edhe fakti që fshatrat tona të bregdetit të Jugut janë në largësi me vijën bregdetare.

Le t’i kthehemi sërish eposit homerik. Si konkuzion përfundimtar dua të them se ky epos është ngritur i gjithë mbi disa legjenda të veçanta të hiperbolizuara artistikisht.

Dhe me luftën e Trojës, fillimisht do të kemi pasur të bëjmë me një mini luftë fisesh të hiperbolizuara nga rapsodët bashkëkohorë, ose nga një bard te tjetri e nga një shekull te tjetri. Kështu ka ndodhur dhe me Eposin e kreshnikëve dhe me disa nga këngët tona epike. Në një këngë dibrane thuhet se në lumin e Radikës kanë rënë 12 mijë ushtare turq… Kështjellën e Krujës e paskanë sulmuar mbi 150,000 ushtarë.

Hiperbola është një element artistik i poezisë gojore. Unë mendoj se kjo gjë ka ndodhur dhe me eposin homerik ku, me kohë janë bashkuar legjenda dhe historia… Beteja e Akilit me Hektorin do të jetë një prej këtyre rrëfimeve hiperbolike. Legjenda e udhëtarit të detit është një legjendë tjetër që i është bashkangjitur legjendës së Trojës. Po Akejtë kush ishin? Nga erdhën dhe pse u zhdukën papritur? Ja dhe një histori apo legjendë tjetër të cilës nuk i është gjendur kuptimi. Në këtë epos kemi disa legjenda të tjera të ngjizura brenda një legjende te vetme. Legjenda e Circes, e Kalipsosë e lopëve të Diellit, e Amazonave, e Ciklopit, e Hadit, e kthimit të Odisesë në Itakë janë të gjitha trillime rapsodësh, të ngjizura në një epos të tërë…

Cikli i kreshnikëve të Veriut e argumenton më së miri këtë gjë… Ka ardhur koha që studjuesit e eposit homerik ta pronojnë si një vepër letrare, me ngjizje motivesh historike e legjendash dhe hiperbola të shumta, pa kërkuar asgjë tjetër nga çfarë mund t’i kërkojmë një eposi letrar.

©Sulejman Mato

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here