Dorian Koçi

Betejat ushtarake të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut kundër osmanëve ndikuan në imazhin e Arbërisë dhe arbërëve në Evropë. Ilustruesi i “Historisë së Skënderbeut” të Marin Barletit, botimit të dytë në gjermanisht, është miniaturisti dhe piktori gjerman Jost Amman (1539-1591). Gravura më e rëndësishme e Jost Amman-it në këtë botim të vitit 1578 të Frankfurtit është ilustrimi i një beteje të osmanëve në muret e Krujës.

Në këtë gravurë kemi pasqyrimin e qytetit të Krujës si një qytet mesjetar europian ku në sfond dallohen disa kisha, arkitektura antike, tempuj me kolonada, ndërtesa monumentale me harqe dhe stil gotik, muret me kontraforte, porta e madhe e hyrjes. Në pjesën kulmore të kompozimit gravuror mbi një tjetër kullë të rrumbullakët ngrihet pak i anuar në shtizë një flamur i madh me shqiponjën dykrenore, flamuri heraldik i Skënderbeut. [1]

Jost Amman nuk ka qenë në Arbëri, por nëpërmjet imagjinatës së vet përmes leximit të veprës së Barletit pikturon një qytet të tipologjisë europiane të kohës. Ky vizatim i Amman nën ndikimin e frymës humaniste përforcon një proces historik më të hershëm që kishte filluar në territoret e Arbërit. Në brigjet e Adriatikut lindor evoluojnë qendrat urbane në qytete-republika, të cilat do të kenë një tregti të zhvilluar, por dhe statutet e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen e qyteteve dhe për të rregulluar marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të tjerë me qytetet. Këto statute janë të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe një pjesë të madhe zë koncepti i lirisë së qytetarëve dhe administrimi kolegjial i tyre nëpërmjet një këshilli të zgjedhur, të përbërë nga qytetarët më të shquar.

Po kështu familjet fisnike ballkanase fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë, si ato të Engjëllorëve për shembull (një familje fisnike shqiptare nga Drishti), origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë e identitetit që këto familje fisnike ndjejnë, por dhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera evropiane, duke përforcuar kështu idenë evropiane të rajonit, që zë fill nga miti i lashtë i Evropës por që ushqehet rrugës dhe me mite të rinj.

[1] – Moikom Zeqo. Gravuristi Jost Amman, Skënderbeiada e artit. Drita. – 1 prill, 2007.

©Dorian Koçi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here