Daut Dauti

Miqësia

Në Betejën e Nikopolisit (25 shtator, 1396), qytet në bregun e Danubit që sot gjendet në Bullgari, forcat ushtarake të krishtera që përbëheshin nga francezët, gjermanët, hungarezët, kroatët, venedikasit, portugezët, etj., pësuan humbje katastrofale nga otomanët.

Edhe pse kjo betejë ishte organizuar nga papa dhe kishte karakter të një kryqëzate katolike me qëllim të asgjësimit të otomanëve dhe depërtimin në Jerusalem, kësaj ushtrie iu bashkuan edhe ortodoksët: Perandoria Bizantine, Perandoria Bullgare dhe Vllahia (Rumania).

Por, nuk ishin të gjithë ortodoksët në anën e kryqtarëve. Serbët, nën udhëheqjen e Stefan Llazareviqit, morën anën e otomanëve dhe, duke treguar aftësi ushtarake ishin vendimtarë në fitoren e betejës që e udhëhoqi sulltan Bajaziti I, i njohur edhe si ‘Rrufeja’. Llazareviqi, duke qenë vazal i otomanëve dhe duke e patur Bajazitin dhëndërr, nuk e pa të arsyeshme të kalonte në anën e krishterëve, çfarë ishte ai dhe Serbia.

Pas kësaj beteje Perandoria Otomane vazhdoi të zgjerohet në drejtim të Kroacisë dhe Hungarisë. Serbia e forcoi miqësinë me otomanët nga të cilët fitoi favore në ruajtjen e kontinuitetit të ekzistencës së shtetit serb. Pra, vetëm pas 7 viteve të Betejës së Kosovës (1389), ku serbët ishin armiq të përbetuar të otomanëve, u shndërruan në miq të vërtetë. Në momentet vendimtare, serbët edhe sot herët e diktojnë se në cilën anë duhet të rreshtohen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here