Kur studion historinë e lashtë, duket ndonjëherë befasuese sesi njerëzimi ka arritur të ekzistojë ende në shekullin XXI-të. Qytetërimet e lashta u goditën në mënyrë të përsëritur nga fatkeqësitë, natyrore dhe të shkaktuara nga njeriu, të cilat qytetërimi modern i ka parë rrallë.

Duket se kur natyra po përpiqej të na fshinte nga faqja e dheut, ne ishim të zënë duke i bërë keq njëri-tjetrit. Ja cilat janë 7 nga katastrofat më të rënda që e kanë tronditur botën e lashtë.

1. Krateri Çiksulub: Përplasja e një asteroid shkaktoi një shfarosje masive

Krateri Çiksulub gjendet në gadishullin Jukatan të Meksikës. Me përmasa 180 kilometra i gjerë dhe 20 kilometra i thellë, ky krater gjigant u shkaktua nga përplasja në Tokë e një asteroidi rreth 66 milionë vjet më parë. Besohet se ai kishte një diametër rreth 10 kilometra.

Mund të mos duket shumë i madh, por për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën po udhëtonte u përplas mbi Tokë me fuqinë e mbi 1 miliard bombave atomike.

Valët goditëse u ndjenë në të gjithë globin dhe erërat me shpejtësi deri në 965 kilometra në orë zhdukën gati 75 për qind të jetës së gjallë. Miliona tonë hi, gazra dhe mbeturina mbytën atmosferën, duke e bllokuar Diellin dhe shkaktuar një rënie të madhe të temperaturës. Kur këto mbeturina filluan të binin në Tokë, u bë aq nxehtë sa pati kudo zjarre të mëdha.

2. Cunami “Doggerland” zhduku banorët prehistorikë të Detit të Veriut

Rreth 8.000 vjet më parë, midis Skocisë Veriore, Danimarkës dhe Ishujve të Kanalit, ekzistonte një zone tokësore. Në këta ishuj, të njohur si Doggerland, jetonin fise të ndryshme të epokës së Mesolitit, që janë përshkruar si një kopsht parahistorik i Edenit.

Rreth 20.000 vjet më parë, nivelet e detit filluan të rriten për shkak të një çlirimi masiv të ujit që vinte nga një liqen akullnajor në Amerikën e Veriut, Liqenit Agazsiz. Niveli i detit u rrit me më shumë se 70 centimetra, dhe toka që dikur kishte qenë Doggerland u zhyt në ujë, duke lënë pas një numër ishujsh.

Gjithçka ishte mirë, derisa një rrëshqitje masive e tokës pranë asaj që është Norvegjia e sotme hodhi në deri rreth 3000 kilometra kub tokë. Kjo shkaktoi një cunami masiv që i asgjësoi plotësisht ishujt dhe të gjithë ata që jetonin në to. Dallga kishte përafërsisht të njëjtën madhësi me atë që shkatërroi disa pjesë të Japonisë në vitin 2011.       

3. Tërmeti i Damghanit shkatërroi Iranin e lashtë

Më 22 dhjetor 856 Pas Krishtit, një tërmet me magnitudë 7.9 goditi një zonë 320 kilometra të gjerë në Iranin e sotëm. Besohet se epiqendra ishte nën kryeqytetin e atëhershëm, Damghan. Tërmeti shkaktoi rreth 200.000 të vdekur, dhe klasifikohet si tërmeti i 5-të më vdekjeprurës në histori.

Edhe pse një shifër e frikshme, duhet të mos harrojmë se 1 mijë vite më parë dendësia e popullsisë ishte shumë më e ulët s sot. Dhe që një tërmet të vriste një numër kaq të lartë njerëzish, do të duhej të ishte vërtet i tmerrshëm. Ata që nuk u vranë menjëherë nga tërmeti,vdiqën si pasojë e humbjes së furnizimit me ujë.

4. Murtaja e Antoninit që gati sa nuk e gjunjëzoi Romën

Midis viteve 165 dhe 180 Pas Krishtit, Perandoria Romake u godit nga një murtajë e tmerrshme, e quajtur Murtaja e Antoninit sipas njërit prej viktimave të saj të mundshme, Mark Aurel Antonini. Por ajo njihet edhe si Murtaja e Galenit , sipas mjekut grek që dokumentoi sëmundjen.

Duke studiuar shënimet e Galenit, historianët modernë kanë arritur në përfundimin se murtaja ishte shkaktuar nga një formë veçanërisht vdekjeprurëse e lisë ose fruthit. Besohet se sëmundja u soll në perandori nga ushtarët romakë që po ktheheshin në shtëpi nga betejat që zhvilluan në Lindje. Besohet se deri në 5 milionë njerëz vdiqën nga kjo sëmundje. Gjatë valës së dytë goditëse, historiani Dion Kasi shkroi se 2000 njerëz në ditë vdisnin vetëm në Romë. Kjo do të thotë se vdiqën afro 1 në 4 të infektuar.

5. Shpërthimi i malit Vezuv varrosi për shumë shekuj 2 qytete të mëdha

Mali Vezuv është ndoshta shpërthimi më i famshëm vullkanik në historinë e regjistruar. Para se të shpërthente në vitin 79 pas Krishtit, ai e paralajmëronte popullsinë përreth me një tërmet. Mjerisht, ai u shpërfill. Dhe ajo që ndodhi më pas ishte një shpërthim vërtet kataklizmik.

Një re vdekjeprurëse e gazit të mbinxehur shpërtheu në qiell deri në lartësinë 33 kilometra. Shkëmbi i shkrirë dhe hiri i nxehtë ranë nga qielli. Dy qytete romake ndodheshin rrëzë Vezuvit. Pompei ishte vetëm 8 km larg, ndërsa Herkulaneumi akoma më afër. Banorët e tyre, të cilët i kishin injoruar ngjarjet pararendëse, u mbytën nga hiri, u dogjën për vdekje dhe më pas u mbytën nga mbeturina dhe llava piroklastike.

Popullsia e kombinuar e të dy qyteteve ishte rreth 20.000 banorë, dhe mbetjet e 1.500 njerëzve janë gjetur në rrënojat e 2 qyteteve. Numri i përgjithshëm i viktimave nuk dihet.

Pompei u la në harresë për shekuj derisa u ri–zbulua në vitin 1631, kur zona u godit nga shpërthim tjetër vullkanor.

Ndërkohë gjatë shekullit XX u zbulua shkalla e plotë e asaj që kishte ndodhur. Për shkak se llava piroklastike vërshoi shumë shpejt mbi 2 qytetet, dhe u ftoh shumë shpejt, trupat e banorëve mbetën të varrosur në shkëmbinjtë vullkanikë, dhe më pas u dekompozuan.

Sot ato janë në formën e statujave, që na ofrojnë një panoramë të tmerrshme se si vdiqën këta qytetarë. Vezuvi konsiderohet ende si vullkani më vdekjeprurës në planet. Ai është ende aktiv dhe më shumë njerëz jetojnë në afërsi të tij sesa pranë çdo vullkani tjetër. Herën tjetër që do të shpërthejë, mund të ketë miliona, dhe jo dhjetëra mijëra të vdekur.

6. Murtaja e Justinianit vrau miliona njerëz

Nga viti 51 deri në vitin 549 Pas Krishtit, murtaja e Justinianit shkatërroi Perandorinë Romake Lindore. Ajo përfshiu të gjithë Mesdheun, Evropën dhe Lindjen e Afërt. Kostandinopoja, kryeqyteti bizantin, ishte vatra fillestare. Epidemia mori emrin e perandoritbizantin Justiniani I, që ishte në pushtet në atë kohë.

Sipas historianit bashkëkohor Prokopi, Justiniani ishte një nga të paktët njerëz që u prek nga kjo sëmundje dhe jetoi për ta treguar historinë. Por shumica e njerëzve nuk ishin aq me fat.

Murtaja zhduku afro 1/5 popullsisë së Konstandinopojës. Nga aty u përhap në Egjiptin Romak në vitin 541 dhe vazhdoi në Evropë deri në vitin 549.

Ndërsa shifrat e sakta janë të pasigurta, kronikat e kohës flisnin për 5000 të vdekur njerëz në ditë vetëm në Kostandinopojë. Vlerësohet se gjatë kësaj epidemie, numri i të vdekurve ishte midis 40–100 milion njerëzve. Sot besohet Murtaja është shkaktuar nga bakteri Yersiniapestis. I njëjti bakter shkaktoi Murtajën Bubonike (Vdekja e Zezë) të viteve 1347-1351, që shfarosi pjesën më të madhe të popullsisë së Evropës.

7. Luftërat e Tre Mbretërive, mund të kenë vrarë 2/3 e popullsisë së Kinës

Ajo e Tre Mbretërive është një periudhë historike që mbulon vitet 220–280 Pas Krishtit, gjatë së cilës Kina u nda në tre shtete dinastike:Cao Uei, Shu Han dhe Vu. Kjo periudhë ishte një nga më të përgjakshmet jo vetëm në historinë kineze, por edhe në historinë botërore.

Sepse pati një luftë pothuajse të vazhdueshme në rajon, ku u angazhuan ushtri prej më shumë se 500.000 burrash, duke shkaktuar masakra aq të mëdha, të cilat Perëndimi nuk do t’i arrinte t’i kopjonte deri në Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore.

Një regjistrim mbarëkombëtar i realizuar në vitin 280, pretendoi se në Kinë jetonin gjithsej 2.5 milionë familje me 16 milionë banorë në total. Një regjistrim i bërë në fillim të periudhës tregoi më shumë se 11 milionë familje dhe 56 milionë individë. Pra një rënie drastike prej afro 40 milionë njerëzish.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se 40 milionë njerëz vdiqën gjatë kësaj periudhe.  Vlerësimet më konservatore flasin për afro 12 milionë të vdekur për shkak të luftës, ndërsa pjesa tjetër mund të ketë emigruar për shkak të urisë dhe sëmundjeve infektive. / Ancient Origins – Bota.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here