Ligjet e Kanunit kan shërbyer për shumë kohë si norma shoqërore dhe si një sistem vetëqeverisës që mbizotëronte në viset e malësive të Shqipërisë së Veriut në kohën kur rajoni sundohej nga Perandoria Osmane. Kanuni ka një rëndësi themelore në historinë e popullit shqiptar pasi që është një dokument i lashtë.

Forma e parë e tij e shkruar i referohet Lekë Dukagjinit edhe pse konsiderohet që ekzistonte shumë më parë e që i përkiste tradiave të goj’dhënave të trashëguara brez pas brezi. Libri i Kanunit të Lekë Dukagjinit u përmblodh me shënime nga At Shtjefën Gjeçovi gjatë viteve 1910-1925.

Ja çfarë thuhet në kanun mbi detyrat e gruas dhe burrit në familje:

Detyrët e burrit dhe grues

32. Detyrët e burrit ndaj grues

  • a) me u përkujdesë për veshë e mbathë e për gjithshka të lypet për me mbajt jeten;
  • b) me e ruejtë nderën e grues e mos me e lanë me u ankue për kurrnji nevojë.

33. Detyrët e grues ndaj burrin

  • a) me i a ruejtë nderin burrit;
  • b) me i rrogue pa zhibla;
  • c) me i ndejt nënë sundim;
  • d) m’u përgjegjë detyrave të kunorës;
  • e) me rritë e me mkambë fmin me nderë;
  • f) me i ndejë gadi me të veshmen e të bathmen (kah e qepmja)
  • g) mos me i u përzie në fejes të të bijave e bijve.

Kanuni është ligj apo përmbledhje e ligjesh dhe normash të pashkruara, të trashëguara në mënyrë gojore, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike-shoqërore të periudhave të kaluara dhe që në kohën e vet mbronin interesat e klasave e të shtresave të caktuara shoqërore, si dhe tërësia e normave të së drejtës zakonore.

Prejardhja e termit “Kanun” siç dihet, ka ngjallur diskutime ndërmjet autorëve të ndryshëm shqiptarë. At Gjergj Fishta në parathënien dinjitoze të Kanunit të Lekë Dukagjinit shprehet se “rrjedh nga greqishtja e vjetër “Anon” që u përhap edhe në gjuhë të tjera”.

Historiani Kristo Frashëri mendon se termi “kanun” është me origjinë bizantine dhe se rrjedh nga termi “Kanon”.

Autorë të tjerë thonë se në Shqipëri ky term hyri nëpërmjet turqishtes “kanun” dhe “Kanuname”.

Pavarësisht se nga se rrjedh ky term e si u përhap në Shqipëri është fakt i pamohueshëm se termi u pranua në të gjitha variantet e kanuneve shqiptare deri në Kosovë.

Termi “Kanonizma” është përdorur në aktin e Komitetit të Fshehtë të Manastirit “Për lirinë e Shqipërisë” të themeluar në vitin 1865.

Gjithashtu termi “Kanon” është përdorur nga qeveria e Vlorës ne aktin e quajtur “Kanoni i Zhurisë” (10 maj 1913). Është e vërtetë se në popull përdoreshin fjalët “shart”, ²adet², “zakon” por edhe këto janë me origjinë të huaj e dallohen parimisht nga normat juridike të së drejtës zakonore.

Para botimit të Kanunit të Labërisë u shfaqën mendime të mos titullohej me termin kanun, por të vihej: ”Zakonet juridike të Labërisë” ose “Përmbledhje zakonesh të Labërisë”.

Natyrisht, secili variant ka argumente pro dhe kundër. Por gjithsesi autori, edhe pas konsultimesh me specialiste të tjerë, mbështeti përfundimisht variantin që të titullohet Kanuni i Labërisë për këto arsye kryesore:

Së pari, derisa termi “Kanun” është njohur e pranuar në malësitë e veriut e deri në Kosovë dhe në aktet e Qeverisë së Vlorës, është më shumë i pranueshëm edhe për Kanunin e Labërisë, ku ndikimet e kulturës greke bizantine dhe turke kanë qenë më të ndjeshme.

Së dyti, ruajtja e termit “kanun” tregon edhe për unitetin e së drejtës zakonore të shqiptarëve, pavarësisht nga veçoritë e dallimet vendore të tyre.

Së treti, është teorikisht më i bazuar termi kanun po të kemi parasysh përmbajtjen e tij.

Kanuni paraqitet si tërësi e normave juridike, rregullave të sjelljes, të pashkruara, të vendosura në kohë të ndryshme e të përcjella në traditën gojore nga njëri brez tek tjetri dhe që shërbejnë për rregullimin e mar.rëdhënieve juridike në mes njerëzve, në fusha të ndryshme të jetës, zbatimi i të cilave sigurohet sipas traditës nga vetë bashkësia e njësisë së vetëqeverisjes vendore, pa ndikimin e shtetit.

Pranimi i titullit “Zakonet e Labërisë” do të nënkuptonte që të përfshihen në punim jo vetëm ato që kanë karakter juridik, por të gjitha zakonet pa përjashtim, çka ndryshon krejtësisht përmbajtjen e botimit dhe qëllimet e tij.

Përsa i përket emërtimit e drejta dokesore, nuk e kemi parë si të arsyeshme sepse ky term nuk njihet e nuk përdoret në Labëri.

Së fundi, me botimin e “Kanunit të Labërisë” krijohen hapësira të gjera për studiuesit shqiptarë e të huaj që të bëjnë hulumtime e studime shkencore krahasuese me kanunet e tjerë se çfarë kanë të përbashkët e çfarë i dallon dhe të nxjerrin në dritë vlerat kulturore të Labërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here