‘ZA DRINA’ E VLERAVE UNIKE

Zadrima e sotme, në antikitet njihet me emrin Farsalja, fusha ku u bë njëra nga përleshjet në mes të Çezarit dhe Pompeit. Zadrima si krahinë më këtë emër përmendet vetëm pas pushtimeve sllave pasi edhe emri i saj është toponim sllav; Za Drina ose Tej Drini, pra bëhej fjalë për krahinën në të majtë të rrjedhjes së mesme të lumit Drin. Që në kronikën e Danilos së v.1337 përmendet forma sllave Drimë, prej kësaj ngelën edhe toponimet Zadrimë e Podrimë (Kosovë).

Në vitin 1459, Ljubiç citon se në anën e majtë të lumit Drin shtrihet fusha e Zadrimës, që gjatë mesjetës quhej fusha e Shatit (Pian del Satti) me kështjellën Sati (Castrum Satti) mbi malin e Shën Mëhillit, Nënshat .

Sot, Zadrima kufizohet në veri me zonën e Gurit të zi dhe atë të Postrribës, në veriperëndim me zonën e Bushatit e malin e Kakarriqit, në jug me qytetin e Lezhës, në juglindje e lindje me zonën e Mirditës. Zadrima është e rrethuar nga në veri mali i Dejës nga Shita e Hajmelit në lindje me lartësi mbi 600 m, ku ky vargmal vazhdon më pas me malin e Shën Mëhillit, me lartësi mbi nivelin e detit 664 m, i cili gjendet në lindje të fshatit Nënshat, e malin e Kreshtësh rreth 600 m. lartësi. Në juglindje është mali i Velës, me lartësi 1174 m. mbi nivelin e detit që është edhe maja më e lartë e kësaj zone. Në jugperëndim e perëndim kufizohet nga mali i Kakarriqit, mbi 350 m. lartësi.

Kjo krahinë përbëhet nga këto fshatra: Laçi, Vau i Dejës, Mjeda, Shelqeti, Naraçi, Kaça, Pistulli, Paçrami, Kukli, Plezha, Hajmeli, Dheu i Lehtë, Nënshati, fshatra këto që administrativisht i perkasin të rrethit të Shkodrës, ndërsa rrethi i Lezhës përfshin fshatra si Krajni, Fishta, Troshani, Baqli, Blinishti, Koledhi, Dajçi, Kotrri, Dragusha, Maba, Grashi, Zojzi, Gjadri, Piraj. Nga fundi i shek. XVIII me Zadrimën bashkoheshin edhe Vjerdha, Lisna, Gajtani e Rragami. Duhet theksuar se edhe disa fshatra kufitare si : Ganjolla, Jubani, Guri i Zi, Renci, Vukatana e Spathari po në veri, në doke, zakone, veshje e në marrëdhënie shoqërore afrohen me Zadrimën. Ndërsa në jug fshatra si Kallmeti, Rraboshta megjithëse bëjnë pjesë në zonën e Zadrimës, në doke, zakone, veshje e në marrëdhënie shoqërore ndryshojnë me Zadrimën.

Për herë të parë Zadrima, përmendet në relacionet e shekulli XII-XIII kur Ana Komnena e përmend ndër të tjera fushën e Zadrimës dhe fushat e Lezhës si vende të veprimeve luftarake të Bizantit me romakët, ku ajo shënon: “Kjo është një trevë me zhvillim bujqësor”. Pas kësaj kohe Zadrima dhe fshatrat e saj përmenden here pas here për arsye të ndryshme.

Në vitin 1570, Zadrima përmendet për bukurinë e saj nga Antonio Bisanti, në “Relazione dell Albania”: … Drini, lumë i cili, rrjedh mandej nga perëndimi në një fushë të bukur që quhet Zadrimë,.. fusha e bukur dhe e këndshme e Zadrimës”.

Mjaft e përmendur del edhe relacionet e shekullit XVII nga ipeshkvijtë e dioqezës së Sapës, të cilët i dërgojnë papës informacione për zhvillimin ngjarjeve në Zadrimë. Ndër këto përmendim relacionin e vitit 1621 të shkruara nga Gjergj Bardhit, Frang Bardhit etj.

Zadrima dhe popullsia e saj ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm historik në mbajtjen gjallë të traditave fetare, kulturore, gjuhësore e kombëtare gjatë sundimit osman.

Përpjekjet për mbrojtjen e kulturës, gjuhës dhe besimit u ngritën në një rang më lart me mbajtjen e disa kuvendeve në këtë zonë. Gjithashtu, për veprimtarinë e patriotike dhe fetare të popullsisë dhe klerikëve katolik të Shqipërisë së veriut, ku një rol të rëndësishëm luan kleri dhe popullsia zadrimore, përmendim organizimin e shumë kuvendeve me rëndësi të madhe fetare dhe historike për mbarë kombin dhe për vazhdimësinë e tyre përgjatë sundimit pesë shekullor osman, ku përmendim Kuvendi i Matit 1594, Derjan të Matit 1602, Blinishtit 1637 etj.

Një ngjarje e madhe historike e kombëtare që u zhvillua në këtë krahinë pikërisht në atë periudhë kur mendohej se nuk mund të bëhej më asgjë për shpëtimin e kombit, pasi pushtimi osman kishte arritur kulmin e sundimit ishte mbajtja e Kuvendit i Arbrit me 14-15 janar 1703 në fshatin Mërqi, në jug të krahinës Zadrimës. Kisha në të cilën u zhvillua ky kuvend mban emrin “Kisha e Shën Gjon Kryepremit” (Shën Gjon Pagëzuesit) e cila fillimisht bënte pjesë në dioqezën e Zadrimës më pas kalon në atë të Lezhës. Mbajtja e Kuvendit të Arbrit në Mërqi, nuk ishte e rastësishme. Fakti që këtu ishte zhvendosur dhe rezidenca ipeshkvore e Lezhës do të thotë se ishte një vend i sigurt dhe komod, i cili pozicionohet në një rrëzë mali nga ku shikohej gjithë fusha e Zadrimës dhe pak a shumë në qendër të dioqezave të Shqipërisë së veriut, në mënyrë që të mundësohej pjesëmarrja e të gjithë të ftuarve. Në këtë kuvend u përcaktua emri dhe fati i popullit shqiptar, sepse duke qëndruar besnikë të krishtërimit dhe të kombit vazhduan të trashëgonin traditën, kulturën, gjuhën dhe emrin shqiptarë.

Kjo kishë është një ndër kishat e shumta të Zadrimës, të cilat njihen për përpjekjet dhe rezistencën e vazhdueshme kundër osmane sidomos në rrafshin fetar dhe atë kulturor, për hapjen e shkollave të shumta si ajo Blinishtit ndër të parat në Shqipëri, krijuar në vitin 1639, shkolla e mesme e Troshanit si një nga shkollat më të vjetra të vendit tonë. Nga kjo shkollë doli dhe një figurë shumë e rëndësishme dhe simbolike për arkeologjinë shqiptare, është Atë Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), i cili konsiderohet dhe si pionieri i arkeologjisë shqiptare.

Ai ishte studiues dhe etnograf shumë i apasionuar pas kulturës shqiptare, njëkohësisht edhe ruajtës i vlerave kulturore të vendit tonë dhe ndoshta shqiptari i parë që bëri gërmime arkeologjike. Ai që në moshën 10 vjeçare, studioi në shkollën e Troshanit dhe qëndroi deri në vitin 1888. Gjeçovi rikthehet në Troshan si prift me1896, mbasi kishte kryer studimet teologjike. Në revistën “Zani i Shnandojt” ai, më 1920, publikoi një artikull mbi arkeologjinë me titull: “Një argëtim arkeologjik”, dhe ky është artikulli i parë arkeologjik mbi gërmimet që ai bëri në Troshan. Aty ai gërmoi një grup tumash nëpër majat e kodrave. Gërmimi i tij i parë u bë me 29 Janar 1920, kur rastësisht duke bërë një shëtitje në shpatin e kodrës Kolmarkaj, vërejti disa grimca qeramikash dhe disa rruaza të shpërndara. Mbasi filloi të gërmojë, në thellësinë 1.5 m, gjeti dy maje heshtash, copa qeramikash dhe objekte të tjera.

Me 1 Shkurt 1920, Gjeçovi filloi të gërmojë në kodrën “Kuveth” ku gjeti një varrezë 2 x 0,50 x 0,5 m. e mbuluar me tulla dhe në të një enë prej balte shumë të dëmtuar. Në kodrën “Qarre” me 20 shkurt 1920, ai, gjeti 3 maje heshtash prej hekuri me përmasa të njëjta, një heshtë me maje të shtypur dhe një sëpatë. Materiali arkeologjik i gjetur nga Gjeçovi përbehej nga: monedha të mbretit Gent, armë si heshta parzmore, sëpata, objekte zbukurimi të grave vendase si rruaza, fibula etj., dhe kanë një rëndësi shumë të madhe pasi japin të dhëna të rëndësishme për popullimin e kësaj zonë që kohët e vjetra. Vetë Gjeçovi, për vendet, ku gërmoi shkroi: “Këta varreza janë për t’i krahasuar me ato etruske”, si dhe jep shpjegime edhe mbi disa rite të varrimit të ilirëve.

Gjatë këtyre viteve ai krijoi një koleksion prej 500 objektesh arkeologjike të cilat i kishte mbledhur në Troshan e Koman, që u quajt “Koleksioni Shtjefën Gjeçovi”. Ai shkruan për domosdoshmërinë apo nevojën për të hapur një muze arkeologjik kombëtar por edhe nga mundësia e rrezikut të zhdukjes së vlerave arkeologjike kombëtare, dhe për këtë është konsideruar si studiuesi dhe themeluesi i parë i arkeologjisë shqiptare.

Kjo krahinë përveç vlerave historike, arkeologjike dhe fetare mbart dhe vlera të mëdha kulturore dhe etnografike. Këngët e Zadrimës janë një pjesë e rëndësishme e muzikës folkloristike të kombit tonë dhe gjithashtu zakonet dhe veshjet tradicionale shumëngjyrëshe zadrimore janë një pasuri më vetë për etnografinë shqiptare.

Zadrima kishte mbajtur gjallë për shumë breza ndjenjën e atdhedashurisë duke përçuar vazhdimisht traditën e të parëve dhe duke ruajtur me fanatizëm zakonet dhe besimin e ku nga gjiri i saj kishin dalë figura të njohura si; Frang Bardhi 1606, Pjetër Zarishi 1806, Gjergj Koleci 1868, Gjergj Fishta 1871, Gjon Gazulli 1893, Nikollë Gazulli 1894, Jak Zeka 1906 etj. Kontributi i këtyre figurave kombëtare vlerësohet jo vetëm për shërbesat e tyre si klerik, por edhe që nuk reshtën së punuari dhe sakrifikuari veten e tyre për çlirimin e kombit dhe ngritjen lart të vlerave shqiptare në përgjithësi dhe të Zadrimës në veçanti.

Nga: Liza Brunga

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here