“Për me e dashtë historinë e kombit, duhet ma parë me e njoftë ate”
Marin Sirdani

Përmes një shkrimi të shkurtër me titullin “Zbulohet harta e rrallë italiane e shek. XVll për trojet shqiptare” të studiuesit Artan Shkreli në mediat online u njoha me një skicë harte të panjohur që ruhet Bibliotekën Kombëtare të Francës (Bibliothèque Nationale de France). Siç sqaron edhe autori i shkrimit “…bëhet fjalë për një dorëshkrim me penë që mban emërtesën DI ALESSIO, ndërkohë që në skedarin e arkivës titullohet frengjisht “Carte italienne de la région située à l’embouchure du Drin” (Hartë italiane e zonës që ndodhet në grykëderdhjen e Drinit).
Skica sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës (Bibliothèque Nationale de France, département Cartes et plans, GE D-17186), dhe është hartuar afërsisht në shkallën 1:30.000, në një fletë të vetme me dimensione 280×425 mm.
Në shkrimin e tij A.Shkreli me të drejtë mbron tezën se autor i kësaj skice do të ketë qenë “një relator klerik vendas” dhe se skica mund të jetë hartuar diku në gjysmën e dytë të shek. XVIl, supozime që ai i mbështet në ngjashmërinë që ka skica në fjalë me hartën e famshme “Corso delli fiumi Drino e Boiana in Dalmazzia” të hartografit të njohur italian At Vinçenso Maria Koroneli të vitit 1688, si edhe në dy toponime në gjuhën vendase, pra në shqip, “Vadimolin” (Vau i mullinit) të cilën autori e përkthen “cioe, Passo di Molini” dhe ca më poshë: “Uraechenetez” (Ura e Kenetes)”, të cilat ndeshen në të dy hartat.
Madje Shkreli ka mendimin se harta “franceze” ka gjasa që të jetë një skicë që “mund te kete sherbyer si material përgatitor për vetë hartën e Coronellit”.


Foto 1. Skica “franceze” foto 2. Pjesë nga harta e Koronelit

Shkrimi interesant i Shkrelit, faktet që sillte ai si edhe kureshtja e pasioni për këtë fushë më nxiti që të bëj një analizë më të hollësishme të skicës në fjalë e gjithashtu edhe një krahasim të toponimastikës që gjendet në skicën “franceze” dhe në dy harta të fundshekullit të XVII, ku për herë të parë ndeshim të detajuara të vendbanimeve të kësaj treve.
Si i apasinuar pas historisë, kryesisht i asaj të vendlindjes, prej vitesh isha njohur me hartat e dy hartografëve të përmendur italianë, me hartën e famshme të At Vinçenso Maria Koronelit (padre Vincenzo Maria Coronelli, 1650-1718) të vitit 1688, “Corso delli fiumi Drino e Boiana in Dalmazzia”, dhe me hartën e Xhakomo Kantelit (Giacomo Cantelli, 1643-1695) “Albania Propria ouero Superiore / Shqipëria e Epërme” të vitit 1689; dy prej geografëve ma të njohur të kohës e të hartografisë moderne.

Duke qenë banor i zonës që përfshijnë hartat për të cilat po flasim, pra “i familjarizuar” me toponimastikën e kësaj zone, e falë edhe ndihmës që më ofroi vetë A. Shkreli, duke më dhënë linkun se ku mund të gjeja një pamje sa më të qartë të hartës “franceze”, nisa të analizoj më imtësisht dokumentin e mësipërm si edhe të bëj një krahasim me hartën e Koronelit. Sepse këtë hartë e kisha studiuar edhe vite më parë, atëherë kur pata gjetur në internet (në pdf) librin origjinal (pra në italisht) të autorit Ermanno Armao, studiues e konsull i Mbretërisë së Italisë në Shkoder në vitet ’30 të shekullit të kaluar, me titullin “Località, chiese, fiumi, monti, e toponimi varii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale” (Vendbanime, kisha, lumenj, male e toponime të ndryshme të një harte të Shqipërisë Veriore). Duhet shtuar se autori në fjalë ishte edhe zotërues (pra që kishte në pronë të tijën edhd një botim origjinal, të vitit 1688, të hartës së rrallë të Vinçenso Koronelit. E gjatë kohës që gjendej me shërbim në Shkoder, ai kishte studiuar e shkelur në terren nëpër të gjitha vendbanimet që figuronin në hartën e mësipërme. E falë studimit të tij me të dhëna e informacione mjaft me vlerë, sot kemi të botuar edhe në shqip librin e tij të sipërpërmendur.

(kapaku i parë i librit t E. Armaos në origjinal e në shqip)

E jo vetëm hartën e Koronelit, por krahas saj kisha parë e studiuar edhe hartën e Xhakomo Kantelit (Giacomo Cantelli, 1643-1695) “Albania Propria ouero Superiore / Shqipëria e Epërme”, e cila, sikurse mësohet nga kushtimi në anën e majtë të hartës, është bërë me porosi dhe me interesim të drejtpërdrejtë të Imzot Gjon Fraçesk Albanit (Monsig. Giovanni Francesco Albani), Papa i ardhshëm Klementi XI, kur ky ishte në detyrën e sekretarit të Zyrës së Shkresave (Bulave)  të Papa Inoçentit XI, 11 vjet përpara se të merrte fronin në Selinë e Shenjtë.


Xhakomo Kanteli

Duhet përmendur se kjo hartë në anën e majtë të saj ka të shkruar këtë kushtim: “Të shkëlqyerit e të përndriturit zotit administrator të denjë për shumë lavdi, imzotit Gjon Françesk Albanit, sekretar i kancelarisë së Papës. Dy shekuj më parë Shqipëria qante largimin e bijve të vet më të ndritur dhe të heronjve që, deri në atë kohë e kishin mbrojtur ndaj barbarëve. Tani, që ju zot i shkëlqyer i jeni përkushtuar, ajo po lehtësohet pjesërisht, duke kujtuar se, midis atyre luftëtarëve të famshëm, kanë qenë Filipi dhe Gjergj prej familje fisnike nga Laçi. Të nxitur prej emrit të Frederikut të Madh të Montefeltros, dukës së Urbimos, ata emigruan dhe u pranuan këtu nga Krahina. Prej vendit nga kishin ardhur ata u mbiquajtën Albani. Më pas ky mbiemër i ri u trashëgua prej pasardhësve të tyre të shkëlqyer, nga të cilët është zotëria juaj i shkëlqyer që aq shumë po ndriçon në Lacion tonë. Shërbëtori juaj po ju rishpreh shumë përvuajtëri, shumë besikëri dhe shumë bindje, Xhovani Xhakomo de Rosi”.
Kjo hartë gjendet edhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë me index Albh.III.2 dhe me nr inventari 527778, me ngjyra në përmasat 52 x 41 cm.
Bashkë me hartën gjendet edhe një portret i papës Klementi XI [Gio. Franc. Albani (Clemente XI)], me përmasa 33 x 24 cm.


Foto 4. Pjesë nga harta e Kantelit.

Tashti lè të bëjmë një analizë më të detajuar me të dhënat që na ofrojnë dy hartat e mirënjohura të hartografëve të famshëm italianë dhe të skicës “franceze”. Siç u përmend edhe më sipër e siç mund ta dalloni edhe ju vetë, shihet qartë se ka një ngjashmëri të madhe në mes të skicës “franceze” dhe hartës së Koronelit. Është supozuar edhe më herët se, ndryshe nga Kanteli që thotë tekstualisht në shënimin që ka lënë në hartë se ajo është hartuar me skica të bëra në vend nga autori (…descritta con Disegni fatti sul luogo, da Giacomo Cantelli), harta e Vinçenso Koronelit është bërë mbi skica të hartuara nga të tjerë që kanë punuar për llogari të tij. Pra, një ndër to mund të jetë edhe skica “franceze”.
Në shkrimin e sipërpërmendur, A. Shkreli thotë se në skicën “franceze” ka vënë re dy toponime në gjuhën shqipe.
Por në një analizë më të hollësishme mund të dallohet se toponimet në shqip janë më shumë se aq. Konkretisht, në skicën në fjalë (e po ashtu edhe në hartën e Koronelit) përveç toponimeve Vadimolin” (Vau i mullinit) dhe “Uraechenetez” (Ura e Kenetes), pak përmbi to shohim edhe një tjetër toponim shqip: “Plachegion ” (Plakegjon), toponim i njohur më shumë se sa për lumin e vogël që mblidhte ujrat e përrenjve të Kallmetit e derdhej në Drin, përmendet për urën e gurtë mbi këtë lumë e që mbante emrin “Ura Plakagjon”. Po ashtu, në anën e majtë të toponimeve të mësipërme, matanë Drinit, shohim edhe dy toponime të tjera në gjuhën shqipe: “Lundersa pantani” (Laguna e Lundërzës, që padyshim është Laguna e Kune-Vainit ) dhe “Grucaemorans” (Gryka e Moranës), që i bie të jetë gryka nga Balldreni në malin e Rrencit. Përveç këtyre, duke u ngjitur përgjatë rrjedhës së Drinit, ndeshim “va di Bussati” (vau i Bushatit) e pak më majtas “Busegiarpane” (Buzëgjarpen), nji vendbanimi i hershëm e i njohur edhe për kishën e tij, toponim që në hartën e Koronelit shënohet si “”Busergiapane”, ndërsa në atë të Kantelit nuk shenohet fare. Pak më poshtë ndeshim një tjetër toponim; “Lagi Conti” (Lagjja e Kontit, sot fshati Konaj). Të njëjtë çuditërisht këtë toponim e gjejmë edhe në hartën e Kantelit, ndërsa në “simotrën” e saj, pra në hartën e Koronelit e shohim si “Lagia e Condit”.
E, përveç këtyre, skica “franceze” na ofron edhe disa toponime të cilat nuk i gjejmë në hartën e Koronelit. Kështu, në skicë shohim “Schiesi” (Shkjezi, fshati përballë Bushatit), Seimeana (Zefjana), si edhe “Mundia M.” (mali Mundia, kodrat në mes të Bushatit e Barbullushit).
Por në këtë skicë (e po ashtu edhe në hartën e Koronelit), poshtë Bushatit ndeshim toponimin “Gurra” bashkë me simbolin e një kishe, toponim që nuk e hasim as në hartën e Kantelit e as në dokumente të mëvonshme. Dihet se bëhet fjalë për “lagjen” Gurrila (po e vë në thojza, sepse sot është një fshat i mirëfilltë me mbi njëqind shtëpi), ku gjendej kisha e Shën Rrokut, e shembur në kohën e komunizmit, e ku sot gjenden varrezat e famullisë me të njëjtin emër. Duket se kemi të bëjmë me po të njëjtin vendbanim që Shuflaj e shënon si “Fontanella” (pra gurra, kroi), e përmendur që në vitin 1459, toponim që gabimisht arkeologët e studuesit ia mveshën si “Fontana e Bushatit” një zbulimi të pjesshëm që u bë aty ku vitet e fundit u zbulua qyteti i lashtë i Basanias.
Më poshtë po sjell toponimet që ndeshim në të tri hartat e mësipërme, asht siç i kanë shënuar vetë autorët e tyre. Kam vënë pika në rastet kur në njërën nga hartat gjejmë një toponim që nuk e ndeshim ndeshim në dy “simotrat” e tjera.
_____________________________________________

TOPONIMET
Skica “franceze” Harta e Koronelit Harta e Kantelit
Alessio (Lezha) Alessio (Lezha) Alessio (Lezha)
…………….. ………… Muluti (Manati)
Case di contadini (Shtëpi fshatarësh) 6 Case di contadini ………..
S.Gió Medua Porto (Shën Gjin, Medua port) S.Gió di Medua ……….
Lundersa Pantani (këneta e Lundërzës) ……………. …………
Monast. S. Maria (Manast. i Sh. Marisë) S. Maria chiesa (kisha Sh. Marisë) S. Maria
Urachenetez (Ura e Kënetës) Vacchenatez (vau i Kënetës) …….
Merchigna (Merqi) Merchigna (Merqi) Marchigna (Merqi)
Vadimolin (Vau i Mullinit) Vadimolin (Vau i Mullinit) ……….
……… Rabostia (Rraboshta) Rabostia (Rraboshta)
Valle di Moranes (Lugina e Moranës) ……….. …………..
………. Paludi di Baladrin (kënetat e Balldrenit)………….
Grucaemorans (Gryka e Moranës) Grucaemorans (Gryka e Moranës) …………..
Baladrin (Balldren) Blandin (Balldren) Baladier (Balldren)
Plachegione fiu. (lumi Plakagjon) Plachegione fiume (lumi Plakagjon) ……..
Calameti (Kallmeti) Calameti (Kallmeti) Kalameti (Kallmeti)
Bliniscti (Blinishti) Bliniscti (Blinishti) Blinisti (Blinishti)
Beracha tor. (përroi i Brrakës) Beracho Torrente (Përroi i Brrakës) …………
S. Steffano chiessa S.Steffano chiesa S. Steffano
Giadri (Gjadri) Giadri (Gjadri) Giadri
Giadri fiume (lumi Gjader) Giadri fiume (lumi Gjader) …………..
S.Nic.a (Sh. Nikolli) S.Nicola di Cacarichi parrochia Cacharichi (Kakarriqi)
Cucoli (Kukli) ……….. ……………
Trosciani (Troshani) ……….. ……………
Fiscta (Fishta) Fiscta (Fishta) ……………
………. Codeli (Kodheli) Codeli (Kodheli)
………. Daici (Dajçi) Daici (Dajçi)
………. S.Dimitri S. Demetrio
Soisi (Zojzi) Soisi (Zojzi) Soisi (Zojzi)
Gramsci (Gramshi) Gramsi (Gramshi) Gramsi (Gramshi)
S. Pantaleone S. Pantaleone S. Pantaleone
Babba (Maba) Baba (Maba) …………
Pistoli (Pistulli) Pistoli (Pistulli) …………
S. Gió (Sh. Gjon) S.Gio (Sh. Gjon) S. Gio (Sh. Gjon)
Schiesi (Shkjezi) …………. ………….
Bachiuli (Baqli) Bacili (Baqli) ………….
………… Cotari (Kotrri) Cotari (Kotrri)
…………. ……….. Temefsi
…………. ………… S. Michele (Sh. Mëhill)
…………. ………….. Kameli
…………. Hoameli (Hajmeli) …………..
S.Giorgio, chiesa di Sappa ……….. S. Giorgio (Sh. Gjergj)
(Sappa, resid. del vescovo) ………. Suppa
…………. ……….. Metia (Mjeda)
…………. S. Marco (Sh. Marku) …….
Dragusta (Dragusha) Dragusta (Dragusha) Dragusia (Dragusha)
…………. Ranesta (mbase Dheu i Letë) Ranesa
………….. Dagno (Deja) …………
………….. Stalka (Stajka) Staika (Stajka)
Mundia m. (mali Mundia) ………. ………….
Va di Bussati (vau i Bushatit) Passo di Bussati (Vau i Bushatit) …………
Traghetto di Bussati (trapi i Bushatit) …………. …………
Bussati (Bushati) Bussati (Bushati) ………….
Gurra (Gurrila, sot lagje) Gurra ………….
Seimeana (Zefjana) ……………. …………..
Melgusi (Melgushi) Melguci (Melgushi) ……………
Busagiarpane (Buzëgjarpen) Busergiapane (Buzëgjarpen) ……………
……………….. Baltogna (Beltoja) Blatognia (Beltoja)
Trumsci Superiori (Trushi i Sipërm) Trumsci Superiori Trumsci Superiori
Lagi Conti Lagjja e Kontit, Konaj) Lagia e Condit Lagi Conti
Trumsci Inferiore (Trushi Poshtëm) Trumsci Inferiore Trumsci Inferiore
S. Pellegrino (Sh. Pelegrini kishë) S. Pellegrino S. Pellegrino
Murtepsa Lago (liqeni i Murtepsës) Murtepsa Lago Murteppsa
Belagni (Belaj) ………… …………
Pentari (Pentari) …………. ………..
Renesi Renesi ………..

Një shënim tjetër që bie në sy në skicën “franceze”, përveç të dhënave që cituam më sipër, është edhe një shkrim sqarues mu bri qytetit të Lezhës, ku qartazi lexohet: “Alessio, castello ove morí Scanderberg, flagello dell’ Imperio Ottomano” (Lezha, keshtjella ku vdiq Skenderbeu, kamzhik për Perandorinë Osmane).

Mesa duket se autori ka dashur të përkujtojë qendresën e paharruar të arbërve, duke e shkrirë emrin e Lezhës me atë të Gjergj Kastriotit, miti i të cilit vazhdonte të përkujtohej edhe në ato kohë të errëta nën pushtimin turk.

Po ashtu, në grykëderdhjen e lumit Drin në gjirin Lodrin, në të dy anët e Ishullit (të Shëngjinit) autori ka vënë dy shenime informuese; në të djatthtë të skicës ai shkruan “Drino grande, qui passano solo Marciliane” (Drini i madh, këtu kalojnë vetëm Marçiliane), ndërsa në të majtë të ishullit shkruan “qui si puó guazzare a barche piccole” (këtu mund të kalohet me varka të vogla).

Këto dy shënime pak a shumë të njëjta i gjejmë edhe në hartën e V. Koronelit: “Drino grande, navigabile con Marciliane” (Drini i Madh, i lundrueshëm me Marçiliane); “Drino piccolo, navigabile con barchette” (Drini i Vogël, i lundrueshëm me varka të vogla).
Edhe më parë është hedhur idea se këto shenime mund të jenë vënë për ndonjë zbarkim të mundshëm në territoret e pushtuara nga turqit.

Ndrekë Zalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here