Ahmet Qeriqi: Gjurmëve të një kënge historike

“Po përzihet Prizereni

Na u kanë qartë zotërinjtë mes veti

Shaqir aga e Rrustë Rexhepi”…

Në këngët historike, të cilat ilustrojnë fragmente të ngjarjeve të caktuara të kohës, bën pjesë edhe kënga e Rrustë Rexhepit të Kabashit, e përshkruar si  figurë kontroverse në Historinë e Popullit Shqiptar, por mbi të gjitha një burrë trim, i cili në rrethana të caktuara të koniukturave politike të kohës ose ishte luhatur, ose nuk kishte pasur pozicion të caktuar politik, ndërkohë që nuk mund të kontestohet pozicioni i tij kombëtar.

Në mesin e personaliteteve kontroverse të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por edhe më vonë, janë shquar edhe disa personazhe, të cilat pavarësisht se kanë pësuar nga regjimi turk, veprimtaria e tyre e luhatshme gjatë dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në një kohë të caktuar, ka ndikuar në qartësimin dhe vlerësimin definitiv të vendit të tyre në tekstet e historisë. Në mesin e figurave të përfolur për mungesë të pozicionit të qartë kombëtar dhe politik radhiten: Rrustë Rexhepi nga fshati Kabash i Prizrenit, Hasan Hysen Budakova nga fshati Budakovë, pastaj Shaban Binaku e Sulejman Batusha, Shaqir agë Nishi, Mulla Brahimi i Semetishtit të Therandës, Familja e Mulla Sylës nga Shtimja, familja e Mulla Nurës nga Shala, ish Sedllar, Emin, Brahim dhe Sadik Hallaqi nga fshati Hallaq i Lypjanit, Januz Çupi nga Vukoci i Drenicës, Miftar Shema nga Krojmiri, Brahim Uka, Bebë Çaushi nga Ribari Madh, Imer Devetaku, Adem Ilaz Reçaku e shumë të tjerë. Të gjitha këto personalitete dalin të shënuar nëpër këngë historike apo këngë të trimërisë, të cilat ndihmojnë për të ndriçuar segmente të caktuara të jetës dhe veprës së tyre, jo kurdoherë në shërbim të popullit, ashtu sikur kanë qenë kurdoherë me popullin pjesa tjetër e atdhetarëve të dëshmuar dhe të pakontestueshëm, përveç kontestimeve, që kohëve të fundit po i bën Sali Berisha dhe qarqe të caktuara të studiuesve në Kosovë,  të cilët po shkruajnë me porosi dhe për para, madje duke pretenduar të ndërrojnë edhe gjenealogjinë e figurave të shquara kombëtare.

Studiuesi  Shefqet Hoxha , në shkrimin e tij: “Rrustë Kabashi në kryengritjen antiosmane 1884-1885 (1) konstaton se “Rrustë Rexhepi  ka qenë ndër burrat me vlerë të Kosovës e të Shqipërisë, i njohur si veprimtar besnik i Lidhjes së Prizrenit, pleqnar, organizues e prijës kuvendesh dhe tubimesh popullore në visin e tij e më gjerë, si mbrojtës i vendosur i fistarëve dhe i etnisë së vet nga paudhësitë e pushtetit osman dhe të shkjaut, si luftëtar për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, si një ndër udhëheqësit e njohur të kryengritjeve antiosmane 1884-1885 e 1910, i përfolur nga armiqtë, por i dashur nga populli dhe i përjetësuar në këngët e tij, katër herë i burgosur, synuar për t’u internuar, i shkrumbuar me shtëpi e pasuri disa herë nga pushtuesi osman,  por edhe i fyer nga disa burime historike. Rrustë Kabashi ka qenë krah i djathtë i krerëve të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881). Në vitin 1882 ai së bashku me Ukë Berishën i dolën zot visit të tyre, Kabashit, që po rrënohej nga banda kusarësh, ndërkohë që mytesarifi, Hasan Pasha i kërkonte këshillit administrativ të sanxhakut që të miratonte dënimin e tyre. Në ato ditë, në marrëveshje me Sulejman Vokshin e Ali Ibrën, dy krerët e Kabashit, pasi siguruan një besë të përgjithshme, thirrën më 10 tetor 1882 një kuvend te Lisi i Zojzit, i cili vendosi t’i kërkojë Stambollit largimin e mytesarrifit të Prizrenit. Vendimi shqetësoi pushtetarët e Sanxhakut, prandaj u dërguan në Zojz forca ushtarake: një tabor këmbësorësh, një bylyk kalorësish dhe dy topa”.

Për figurën e Rrustë Kabashit, në tekstet tona të historisë  ka edhe mjaft rezerva, sidomos sa i përket veprimtarisë, por sikur thuhet edhe mungesës së konsekuencës gjatë kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Meqë me këtë rast, nuk kam objekt studimi figurën e tij, unë do të kufizohem në këngën historike për Rrustë Kabashin, duke sjellë për herë të parë edhe dy dëshmi faktografike të kohës, të shkruara në gjuhën turke dhe që kanë të bëjnë me Mulla Brahimin e Semetishtit, për të cilën kënga thotë se ka qenë bashkëpjesëmarrës i kryengritjes së Rrustë Kabashit.

Kënga e popullit, qoftë ajo historike apo e trimërisë, nuk mund të merret si burim primar për një ngjarje të caktuar historike, por në shumë raste ajo përputhet, në disa raste përputhet   në tërësi me ngjarjet historike, madje në raste të veçanta ajo ofron edhe detale që e cytin studiuesin për të thelluar hulumtimet.

Këngëtari popullor, hartues i këngëve, në të shumtën e rasteve anonim, ka pozicion asnjërës  dhe ky është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm, që i karakterizon shumicën dërrmuese të krijuesve e këngëtarëve të hershëm, brezi i të cilëve tashmë nuk jeton, me ndonjë përjashtim të rrallë.

Një rapsod i tillë duhet ta kishte hartuar edhe këngën e Rrustë Rexhepit, këngë kjo të cilën do ta  analizojmë për të hedhë dritë mbi shtypjen e një revolte popullore, e cila kishte nisur për shkak të mosmarrëveshjeve të krerëve në një, Kuvend,  (në një Mexhlis), në Prizren.

Kënga në fillim paraqet  atmosferën e rënduar në Prizren, për shkak se të parët e qytetit, apo të parisë kanë paraqitur kundërshtime të papajtueshme mes veti, gjatë një Kuvendi të mbajtur në qytetin historik të shqiptarëve. Kënga nuk e saktëson dot vitin, por ngjarja duhet të ketë ndodhur gjatë kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, apo pas saj. Krijuesi i këngës që në fillim na bën të ditur  se ngjarja që do të rrëfehet bën fjalë për dy zotërinj që janë çartur mes veti, për shkaqe individuale dhe jo për çështje të kombit apo Atdheut.

Po përzihet Prizereni

Na u kanë qartë zotnitë mes veti,

Shaqir aga, Rrustë Rexhepi,

Shaqir aga i hypi atit,

Gjan e gat ja lëshon sokakit,

Shkon sakakut, shkon qarshisë

Shkon tuj ble barut shahisë,

Blen barutin te Ukshini. 

Kjo është atmosfera e nderë ku shihet se Shaqir agë Nishi, (për të cilin supozohet se ishte nja aga i pasur me origjinë nga Nishi, por në rrethana të panjohura ishte vendosur në Prizren), ditën kritike së bashku me çaush e zapti ishte parë në shitoret e qytetit, duke demonstruar forcë dhe duke blerë barot, me qëllim për t’ u përgatitur për mbrojtje, apo për ndonjë sulm të mundshëm mbi ata që do të mund ta befasonin.

Në vargjet e mëposhtme, një person të cilit nuk i përmendet emri, por që thuhet se kishte qenë një imamxhi, hjeksaxhi, “muhaxhir”, një njeri që njihte Rrustë Kabashin dhe që  e kishte kuptuar qëllimin e tij e kishte  drejtuar atë te Xhamia.

-A ma patë at Shaqir agën?

-Te xhamia pe falë xhenazen!

-Falë xhenazen te xhamia,

-Niman agës i vdiq e bija!

Po e hjeksojke ai imamxhija,

Imamxhija ai muhaxhiri…

Pasi  Rrustë Kabashi kishte besuar se Shaqir agë Nishi  ndodhej te xhamia, duke marrë pjesë në një ceremoni varrimi të bijës së një agai të Prizrenit, ai me trimat e tij duket se bie në pritë të forcave të Shaqir Agë Nishit dhe godet pamëshirshëm. Luftimet të ashpra zhvillohen lagjen Bazhdarhane të Prizrenit, me ç rast, sipas këngës, kishte ndodhur një gjakderdhje e tmerrshme, të cilën këngëtari popullor e krahason, sikur rëndom ndodh  “te kasapi, në  kasaphane”.

Lufton Rrusta,  Ukë Imeri,

Lufton Rrusta nam po ban

Kriske pushka n bazhdarhane

-Aman Rrustë pashë jetën tane

-shumë xhenazet sot na i bane

Po shkon gjaku si n’ kasaphane

N kasaphane, te kasapi.

Pas luftimeve të përgjakshme ku nënkuptohet se ishte vrarë edhe vetë Shaqir agë Nishi,  të cilin këngëtari e përshkruan si një tregtar (tyxhar) prej qytetit të Nishit, Rrustë Kabashi lajmëron autoritetet turke, duke bërë të ditur edhe motivin e vrasjes. Duket se kohë më parë, nuk e saktësojmë dot vitin, në një Kuvend të parisë në Prizren, Shaqir aga kishte përjashtuar nga “mexhlisi” Rrustë Kabashin dhe e kishte hedhur në rrugë. Në, shenj hakmarrje për një përçmim dhe përulje të tij karshi burrave në Kuvend, Rrustë Kabashi kishte bërë namin në Prizren.

I shkoj haberi Sulltan Hamitit

-Ta kam pre nji tyxhar prej Nishi,

-se m’ ka nxjerrun prej mexhlisi,

-se m ka nxjerrë ma ka qitë n sakak.

Duke konsideruar se Rrustë Kabashi nuk kishte pasur motiv për një sulm të tillë të përgjakshëm, Stambolli cakton Hafiz  Pashën në krye të një ekspedite hakmarrëse, me qëllim për ta ndjekur dhe për ta likuiduar Rrustë kabashin dhe sejmenët e tij.  Në ekspeditën shkatërruese, Hafiz Pasha vë në veprim edhe topat me të cilët bombardon jo vetëm kullën me qemerë dhe me bedena të Rrustë Kabashit, por e kallë në flakë edhe tërë Kabashin. Këngëtari anonim popullor përshkruan edhe disponimin e Rrustë Kabashit, i cili nuk pendohet fare për konfliktin në Prizren, por me një krenari të ligjshme pranon se ka nisur luftë me “Memleqet”, me pushtetin turk dhe nuk pendohet për pasojat.

Hafiz pasha nji burrë plak

Po i qet topat n’ at Muhlak

Kallë kabashin tym e flakë,

Tym e flakë e gacë të verdhë,

Kulla Rustës  me qemer,

Me qemer e rreth me xhama,

Po thotë Rrusta vet e bana,

Vet e bana s’ po kam dert,

Kam nisë luftë me Meleqet.

Në përmbyllje të këngës, madje në të gjitha variantet e shënuara, del edhe një si shtojcë, për të sjellë në skenë edhe një emër tjetër të rezistencës, një mik apo bashkëveprimtar të Rrustë Kabashit, i cili ishte Mulla Brahimi i Semetishtit, një hoxhë, që  kishte qenë i ndëshkuar por jo i vrarë as i burgosur, as i varur në litar.

Zot kësaj lufte kush i prini

Rrustë Kabashi e Mulla Brahimi.

(Këngë popullore historike  I, Prishtinë, 2007, faqe   410- 411)

Mulla Ibrahimi është ndër hoxhallarët e rrallë të asaj kohe që kishte përkrahur kryengritësin, Rrustë Kabashi. Duket se hoxha e kishte mik atë, por mund të ketë qenë edhe përkrahës i veprimeve të tij atiosmane. Mulla Brahimit, nuk dihet viti i saktë i lindjes, por duhet të ketë qenë bashkëmoshatar i Rrustë Rexhepit. Ai ka qenë nga fshati Semetisht i Therandës, (ish Suharekë). Familja e tij i përket fisit Bytyç, për të cilët thuhet se në fund të shekullit 18 të parët e tij ishin shpërngulur nga Bytyçi i Malësisë dhe ishin vendosur në Semetisht, në kohën kur një shumicë e banorëve ende kishin qenë të krishterë. Nuk ka dëshmi të besueshme se kjo familje mund të ketë ushtruar dhunë ndaj të krishterëve, për ta pranuar islamin, sikur përflitet në disa shkrime serbe të kohës, meqë të krishterët ishin shqiptarë, ortodoks. Duket se shqiptarët ortodoksë ka pasur edhe në fshatin fqinj, Peçan, ku ka mbijetuar edhe ekzemplari i fundit, familja e avokatit,  Tadija  Rodiqit.

Mulla Ibrahimi ishte djali i Mulla Halilit, po ashtu hoxhë i njohur, i cili kishte kryer detyrën e imamit në xhaminë e fshatit. Familja Hoxha, në kohën e Perandorisë Osmane ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe me kohë kishte zgjeruar pronat, duke blerë edhe shtëpi nga pjesëtarët e një lagje, e cila e kishte lëshuar fshatin dhe ishte vendosur në Prizren.

Ky fakt dëshmohet edhe nga një kontratë shitblerjeje e vitit 1908, të cilën e posedojnë trashëgimtarët e tij, në fshatin Semetisht, të Therandës.

I. Kontratë shitblerje e vitit 1908  (1326 hixh.)

Kontrata e shitblerjes është bërë në mes të mulla Ibrahimit  të birit të mulla Halilit nga fshati Semetisht  dhe gruas së Haxhi Bahtijarit në Prizren.  Bijat e Haxhi Bahtijarit i kanë shitur mulla Brahimit një shtëpi  në Semetisht, me vlerë 25 lira të  Turqisë.

Në këtë kontratë i kanë vënë firmat dhe vulat e  tyre: Gruaja e Haxhi Bajtijarit, Anjishahja nga lagjja Katib Sinan, në Prizren, pastaj bijat e Haxhi Bahtijarit: Herzemja, Gjylshahja, Zymrytja, dhe Shemsija.

Dëshminë e kësaj kontrate e kanë vërtetuar:

Shaban Efendiu, i biri i Abaz agës nga lagjja Katib Sinan në Prizren,

Jashari i biri i mulla Jahës nga lagja e Ilaz Kukës, në Prizren,

Mujihedin Veseli po ashtu nga lagja e Ilaz Kukës, në Prizren.

Dëshmitarët i kanë vendosur vulat e tyre në gjuhën turke.

II.

Letër dëshmi

1905 (1323)

Në këtë letër dëshmi janë prezantuar emrat e dëshmitarëve, mbase edhe të dorëzanëve të kontratës. Ata janë: Shaqir Rexhepi dhe

Sherif mulla Ademi.

Mbi vulën e rrumbullakët janë shënuar emrat e Mustafa Caravranës dhe Selman  Rahavecialiut.

(Përmbajtjen e kontratës nga gjuha turke e ka zbërthyer orientalisti, Sadik Mehmeti, punëtor shkencor në Arkivin e Kosovës).

Pas varjes në Prizren të Rrustë Kabashit, familja e tij e madhe cila përbëhej prej 25 anëtarëve është dërguar në internim në Turqi. Djemtë e tij i depërtuan të lidhur me pranga me shtatë serema (qerre me kuaj). Ata i kishin  nisur prej Korishës, në relacion: Ferizaj, Shkup, Selanik, në Stamboll dhe më në fund ishin vendosur në rajonin e qytetit Brusa të Anadolisë.

Fshati Kabash gjatë viteve 1912-1914  ka qenë i sulmuar nga forcat okupatore serbe me ç rast ata kanë vrarë dhe kanë masakruar rreth 150 banorë të këtij fshati. Armata e Tretë serbe gjatë operacioneve pushtuese në Kosovë në tetor-dhjetor 1912,vrau e masakroi barbarisht, burra, gra, pleq e fëmijë si dhe dogji e shkretoi po thuajse tërë fshatin.

Kanga e Rrustë Kabashit

Po përzihet Prizereni

Na u kanë qartë zoritnit mes veti,

Shaqir aga Rrustë Rexhepi,

Shaqir aga i hypi atit,

Gjan e gat ja lëshon sokakit,

Shkon sakakut, shkon qarshisë

Shkon tuj ble barut shahisë,

Blen barutin te Ukshini,

-A ma patë Shaqir agë Nishin

-A ma patë at Shaqir agën?

-Te xhamia pe falë xhenazen!

-Falë xhenazen te xhamia,

-Niman agës i vdiq e bija!

Po e hjeksojke ai imamxhija,

Imamxhija ai muhaxhiri,

Lufton Rrusta,  Ukë Imeri,

Lufton Rrusta nam po ban

Kriske pushka n bazhdarhane

-Aman Rrustë pashë jetën tane

-shumë xhenazet sot na i bane

Po shkon gjaku si n’ kasaphane

N kasaphane te kasapi

I shkoj haberi Sulltan Hamitit

-Ta kam pre nji tyxhar prej Nishi,

-se m’ ka nxjerrun prej mexhlisi,

-se m ka nxjerrë ma ka qitë n sakak.

Hafiz pasha nji burrë plak

Po i qet topat n’ at Muhlak

Kallë kabashin tym e flakë,

Tym e flakë e gacë të verdhë,

Kulla Rustës  me qemer

Me qemer e rreth me xhama

Po thotë Rrusta vet e baba

Vet e bana nuk po kam dert

Kam nisë luftë me meleqet

Zot kësaj lufte kush i prini

Rrustë Kabashi e Mulla Brahimi.

 Literatura:

1. Këngë popullore historike  I, Prishtinë, 2007. faqe:   410- 411.

2. Shefqet Hoxha: Rrustë Kabashi në kryengritjen antiosmane 1884-1885.

3. Historia e fshati Kabash, Internet.

4. Kontratë shitblerje e vitit 1908  (1326 hixh.)

5. Kontratë shitblerje e vitit 1908  (1326 hixh.)

6. Fotot: Youtube, Leonard Gjakova, kënga e Rrustë Kabashit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here