Jahja Drancolli

Territori dhe qyteti i Prishtinës ruajnë një vertikale të gjatë historike, e cila daton të paktën në periudhën neolitike. Në zonën e qytetit dhe në rrethe janë gjetur gjetje të shumta arkeologjike, të cilat për vlerën e tyre kulturore përfaqësojnë jo vetëm Prishtinën dhe Kosovën, por edhe më gjerë. Kjo histori e bujshme e qytetit ka ndikuar në zhvillimin e tij gjatë shekujve të antikitetit dhe mesjetës, në këto shekuj, që falë pasurive minerale të shfrytëzuara të Kosovës, veçanërisht në minierat e Novobërdës, Janjevës dhe Trepçës, bënë që Prishtina të shpallet qytet i rëndësishme. Në këtë periudhë mbi të gjitha spikati Konsullata e Republikës së Raguzës nga viti 1396.

Në fakt, pothuajse asgjë nuk është ruajtur nga trashëgimia materiale kulturore nga periudha kur Prishtina përmendet me emrin e saj aktual. Megjithatë, burimet e shumta të shkruara, të ruajtura veçanërisht në arkivat e Dubrovnikut, lejojnë një rindërtim të historisë së Prishtinës gjatë shekujve XIV-XVI. Gjatë shekujve në fjalë, Prishtina duke zotëruar statusin e një qyteti autonom të kryesuar nga një princ dhe i shoqëruar nga oborri, administrata, si dhe burgu, qyteti mori pamjen e një qendre tipike mesjetare europiane. Nga kjo kohë njihen edhe disa rrethe dhe sheshe; tregu i shoqëruar me dyqane të shumta artizanale dhe tregtare (“Piaza di Prishtina”, më 1436), dhe në këtë kontekst burimet e shkruara spikasin mbi të gjitha sheshin e lojërave Kreshnike (1436) dhe tavernën e njohur të Prishtinës (e para e këtij lloji te ne), që përmendët në vitin 1438!

Burimi: Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut (DAD)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here