O burra të besës dhe Ju djelmosha trima!
Juve Ju bekoft i Lumi Zot dhe u qoft miradija e tanë popullit shqiptar për trimnin e madhe e shpirtin e sakrificës qi treguet në ballë t’anmikut për t’i dalun zot kësaj toke të shëjtë, qi na kurrkuejt nuk ia kemi grabitë, por na kanë lanë babat t’anë, q’edhe ata vet e trashiguen prej gjyshave e t’parve të tyne të mëdhaj, qi sa qenë gjallë nuk guxoj kurr i hueji me vue sye e me prekë m’to, sikur tash qi — çue peshë e tërbue si llava e ujqve në dimen — na kanë msye prej të tana anve e po duen me na përbi dhe m’u ba zot-shtëpije ndër votra t’ona.

Deri më sod u kam prie ndër luftat e ashpra q’i kemi fitue me ndihmen e Zotit dhe të gjakut të deshmorve që dërdhen pa kursim kundër sulmuesavet serbo-malazez qi kërkojshin me na i grabitë me anen e forcës e të dhunës dhe Ju, burra të pushkës e djelmosha trima, e paçit faqen e bardhë qi deri më sod më keni ndjekë e më keni shoqnue në kët luftë të shejt,  qi na e bamë për t’a mbrojtë vendin t’onë të dashtun.

Ju kujtohet se para se me hye në luftë, si i pari i fesë dhe besimtari i Zotit qi jam, Ju kam kërkue kurdoherë Besen e Zotit dhe fjalen e burrit Shqiptar qi kahdo e kudo të na hjedhe lufta, nuk keni me plaçkitë gjanë e tjervet, as me prekë m’erz të huej, qoft edhe t’anmiqvet, e Ju — e paçit faqen e bardhë ! — besen e mbajtët si fetar e luftarë të mirë dhe lufta na ka ecë gjithmonë mbarë e me fitim.

Por tash qi — mo’ zot ma keq për në — edhe vllaznit t’anë Shqiptar të Shqipnisë s’lirë, kanë ardhë me i ndihmue Titos dhe shqeve të Jugosllavisë, të cilët po duen me i marrë rishtas vendët dhe me na ba ne ndër shtëpijat t’ona, skllav e rrogtarë të tyne, ose me na shdukë e me na qitë fare, ah… i mjeri unë dhe bashkë me mue edhe Ju trima të mjerë, lufta e jonë ka mbarue e veç Zoti na pagoft, perse me derdhë gjak e me luftue me bijt e nji nane dhe me vllaznit e nji gjaku e nji gjuhe, kuku medet për ne !, se na pushkë për me luftue me Sërbet e Malezezët dhe Maqedonasit e tjerë bij të shkinavet kemi pasë dhe kemi, por pushkë për me u vra Shqiptari me Shqiptar nuk kemi.

M’a bani hallall bre luftarë trima dhe Zotynë e shpetoftë Shqipninë dhe Kosovën e mjerë !

Marrë nga Libri i Tahir Zajmit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here