Andrea Topia ishte një fisnik mesjetar arbëror i shekullit 14-të i cili u dashurua me Helenën, vajzën e Mbretit Robert II (1277-1343) i cili sundonte Napolin dhe një pjesë të madhe të Arbërisë.

Sipas kronikave të Princit Gjon Muzaka (1510) dhe Karl Hopf (1873), Mbreti Robert kishte vendosur që ta martonte të bijën me sundimtarin e Moresë, Filip Cortenay. Gjatë fundit të viteve 1320, Helena pa dëshirën e saj, u nis me një anije mbretërore drejt Moresë ku e priste bashkëshorti i saj i ardhshëm, por sapo anija doli në det të hapur, filloi një stuhi detare e cila detyroi marinarët që të lundronin në brigjet e Arbërisë në Durrës. Lajmi bëri bujë dhe vasali i Robertit, Konti arbër Tanush Topia menjëherë dërgoi djalin e tij Andrea në krye të një delegacioni zyrtar arbër që shoqëroheshin nga një eskortë e armatosur nën komandën e Andreas. I riu Andrea Topia u dashurua menjëherë me Helenën e cila përshkruhet si një vajzë e gjatë, me sy blu dhe me flokë të verdhë. Andrea Topia rrëmbeu Helenën dhe u martua me të, por kjo tërboi Mbretin Robert i cili nuk do t’ua falte kurrë!

Në fillim Mbreti Robert planifikoi që të niste drejt Arbërisë një ekspeditë ndëshkimore, por Konti Tanush Topia nga Kruja i dërgoi ambasadorë në Durrës, dhe Roberti hoqi dorë nga kjo ekspeditë, ndërkohë Tanushi i dhuroi Andreas dhe Helenës kalanë e Petrelës ku lindën dy djem, Karli dhe Gjergji. Pas shumë lutjeve të Andreas dhe Helenës për ti falur, në vitin 1340, Mbreti Robert ftoi ata në Napoli gjoja se do ti falte. Sapo arritën në Pallatin mbretëror, pritja ishte vërtetë madhështore por me mbarimin e festimeve, Mbreti Robert, i cili kurrë nuk jua fali turpin, dha urdhër që tu priteshin kokat të dyve. Mbreti Robert ndërroi jetë në vitin 1343 kur princi i ardhshëm i Arbërisë, Karl Topia, ishte vetëm 12 vjeç.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here