U botua në Firence më 1866 dhe përmban 72 këngë: balada, këngë trimërie, dasme, dashurie kryesisht nëpër fshatrat arbëreshe të Kalabrisë (Maq, Shën Mitër, Qanë, Shën Sofi, Pllatan, Strigar etj.). Ajo qe gjithashtu fryt i punës së një numri atdhetarësh arbëreshë si Xhovani Françesk Avatit, Anxhelo Baziles, Françesk Anton Santorit, Luixhi Petrasit, Dhimitër Kamardës. sidomos Vinçenc Dorsës. U botuan sërishmi më 1883–1887 (shtojcë e revistës “Fiamuri Arbërit” me titullin “Rapsodie nazionali e Lexicon” (Rapsodi kombëtare) me një renditje të re sipas përmbajtjes së këngëve. Në dy parathënie të botimit të parë theksohet, midis të tjerash, se “Poema” flet për një popull luftëtar që është i vetëdijshëm për rilindjen e vet. Ndërsa në parathënien e botimit të II jepet historiku i mbledhjes së këngëve dhe burimet e tyre. Me gjithë ndonjë shtesë e përpunim të De Radës, këngët përfaqësojnë një material të mirëfilltë folklorik. Duke qenë e përkthyer edhe në italisht, vepra luajti rol të rëndësishëm për të bërë të njohur në opinionin shkencor të Europës vetitë e larta morale e luftarake të popullit shqiptar, aftësitë krijuese dhe luftërat e tij për liri.
MORI VASHË, E BARDHA VASHË
Mori vashë, e bardha vashë,
si u ndjeve sonte mbrëma?-
-Gjeta mëmë e gjeta tatë,
gjeta vëllezër trima,
gjeta motra të lëvduara
dhe vet e kam trimin e ri:
ditën më rrit me ata sy,
natën më shtrëngon në gji-
-Ju ruajtë Zoti përjetë,
ju dhëntë ditë të bardha e vjetë.
(‘Mori vashë e bardha vashë’ shkëputur nga “Rapsodi të një poeme arbëreshe”; J. de Rada dhe të përshtatur në shqipen e sotme nga Agim Mato; botimet Milosao; 2016)