Nëse do të më pyesni se cili është shkaku i braktisjes së arsimimit të masave deri më sot, do të përgjigjesha vetëm me dy fjalë. Fillimisht është e kaluara e trishtuar që e ka penguar deri sot zhvillimin intelektual; më pas, janë edhe padituria dhe egoizmi i të krishterëve vetë që e pengojnë përsëri. Askush prej të pasurve nuk dëshiron të shpenzojë qoftë edhe një lek për të arsimuar popullin.

Nga Vaso Pasha

Në Bosna – Serai [Sarajevë], për shembull, ka vetëm një mektebi-rushdie, ku shkojnë rreth 100 nxënës myslimanë. Përveç kësaj ka edhe afërsisht 20 shkolla të vogla në lagje të ndryshme të qytetit; por në këto shkolla nxënësit mësojnë vetëm pak lexim dhe fenë; zakonisht ato janë vatra të fanatizmit.

Ortodoksët kanë shkolla mjaft të mira, ku nxënësit mësojnë të lexojnë e të shkruajnë gjuhën sllave, bëjnë pak aritmetikë, gjeografi dhe histori. Përveç kësaj, kanë edhe një shkollë të mirë për vajzat; ajo i detyrohet zemërgjerësisë dhe përkushtimit të një zonjushe boshnjake e cila, mbasi e themeloi, mbeti drejtoreshë e saj.

Latinët kishin vetëm një shkollë për djem të mbajtur nga françeskanët; për shkak të varfërisë së popullatës, ajo ishte në gjendje të vajtueshme.

Edhe izraelitët e kanë një shkollë, por aty mësojnë vetëm fenë.

Në kryeqendrat e sanxhakëve të krishterët kanë ca shkolla të mjerueshme, ndërsa në fshatra ato mungojnë krejtësisht. Është ndoshta për t’u çuditur që në një provincë kaq të madhe dhe kaq të pasur si Bosnja, nuk ka një numër shkollash në përpjesëtim me nevojat shoqërore të vendit dhe me përparimet e shekullit. Nëse do të më pyesni se cili është shkaku i braktisjes së arsimimit të masave deri më sot, do të përgjigjesha vetëm me dy fjalë. Fillimisht është e kaluara e trishtuar që e ka penguar deri sot zhvillimin intelektual; më pas, janë edhe padituria dhe egoizmi i të krishterëve vetë që e pengojnë përsëri. Askush prej të pasurve nuk dëshiron të shpenzojë qoftë edhe një lek për të arsimuar popullin.

,,,

Pamë se me ngadhënjimin otoman shumica e pronarëve të mëdhenj të krishterë u shndërruan në myslimanë dhe se tokat e të krishterëve, që e lëshuan vendin, iu dhanë ngadhënjimtarëve. Të krishterët, që mbas ardhjes së turqve ndenjën në Bosnje dhe që nuk kishin qenë asnjëherë gjë tjetër përveç bujq në shërbim të pronarëve të krishterë, mbetën të tillë edhe mbas pushtimit. Për statistikat pak ka rëndësi nëse pronari quhet Mehmet apo Gjergj.

Qysh prej asaj kohe, në këtë provincë kishte vetëm pronarë myslimanë dhe bujq të krishterë; këta të fundit punonin për zotërinjtë e tyre të rinj në të njëjtën mënyrë siç kishin punuar nën mbretërit e Bosnjës.

Bëhet pyetja: për ç’arsye të krishterët në këtë krahinë nuk mundën më vonë të blejnë toka për t’u bërë pronarë të tyre, siç ndodhi në të gjitha provincat tjera të perandorisë? Në dijeninë time nuk ka pasur kurrë në Turqi ndonjë ligj që t’i ndalonte të krishterët të përfitonin toka, se në të gjitha provincat tjera ka të krishterë që janë pronarë të mëdhenj. Nëse kjo e drejtë nuk ka qenë e njohur dhe e vlerësuar sa duhet gjatë qindvjeçarëve, kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së ligjit që e përcakton, por më shumë për shkak të mujshisë së myslimanëve të Bosnjës dhe për shkak të topitjes së vetë të krishterëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here