Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave

Kjo letër midis Mustafa Krujës dhe priftit françeskan, At Paulinin është vazhdim i punës jo vetëm intelektuale por një sensibilitet, ndjeshmëri që këta dy personalitete kanë për të shkuarën, dhe aktualitetin, asaj çfarë reflektohej jashtë kufijve shqiptare nën regjimin komunist. At Paulini në punën e tij skrupuloze, në studimin e botimeve për Shqipërinë në Evropë, nuk rresht që marri mendim, e kërkuar kontribut personal nga Kruja. Një eksperiencë këmbimi dijesh, informacioni duke kuptuar se kultura dhe historia e Shqipërisë nuk kishte lënë indiferentë as të huajt. Kështu në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

Fort i dashtuni Mik,

Ket herë kam vonue do kohë per me t’i pergjegjë letres së mbrame, me 24 tetuer. Arsyeja âsht se kjeçë n’Italí e ndêja aty mâ se pesë javë. Më patën grishë me marrë pjesë në convegno  per studimet shqiptare, qi u mbajt në Palermo me 24-26 tetuer. Rruga shkuem e t’ardhun m’u pague si mue, si edhe gjith të të ftuemve prej drejtimit të convegno-s. Un prandej, mbasi rruga pague se pague, u nisa prej kndej qysh me 30 Shtatuer e ktheva vetem me 6 nanduer ktû. Nderkaq më kje grumbullue ktû në Graz bajagi postë, pse nuk kishin se si me m’i nisë letrat, tue m’u dashtë me ndrrue shpesh herë adresë neper Italí. Prandej, kur erdha, m’u desht me shkrue shum letra. E tash po i vjen rendi edhe letres s’ate. E tue kenë kjo mâ e randsishme se tjerat, duhet me e lânë natyrisht në marim, per me u ndalë nji grimë mâ teper në tê.

Nuk dij se kû ka me të gjetë kjo leter. Prandej jam tue t’a nisë kso here të rakomandueme. Mue më duket se më ké pasë shkrue nji herë tash vonë se keni nder mend me e lânë Egjiptin sá mâ parë e me dalë n’Europë.

N’udhtimin t’êm per Italí pata rasë me vizitue trí gjytete qi nuk i kam pasë pá kurr, dmth.  Assisi, Napoli e Palermo. Gzohem shum se edhe paçë rasë nji herë me pá dý nder kolonít shqiptare të Sicilís, dmth. Mezzojuso e Piana degli Albanesi. Po të kallxoj, si nder kllapa, qi 70% të Piana degli Albanesi janë komunista. Sivjet e kanë  thirrë kryetarin e Bashkís të Piana degli Albanesi në Shqypní e âsht sjellë atje per tre muej. Ka kthye në Piana e bân propagandë per komunista. Pata nafakë me e pá edhe ktê me 26 tetuer, qi kje dita e mbrame e kongresit apo e convegno-s, të cilen e kaluem në Piana degli Albanesi. Ishte nji ftyrë taman e mbrume e e pjekun per komunizem. Njekso ftyrash zgjedhin perherë të kuqt, pse me ta munden me i ndreqë punët e tyne mâ së mirit.

Por t’i lâm të kuqt, pse sot kam per të bâ shum pyetje. Kam lexue e kopjue prej librit t’Anselmo Loreçhio, qi nuk më perket mue, shum gjâna mbi Shqipní. Prej kndej po i marr do pyetje.

Si spjegohet puna qi Turkija lêjote shkolla gjithfarësh (greke, serbe, bulgare, rumene) e pengote shkollat shqipe e mâ vonë u çue aq peshë kundra alfabetit latin. Ket punen e dytë e kuptoj mâ mirë. Vorrin Turkis i a bâne njato shtete, shkollat e të cilvet Turkija i lêjote. Shqiptarët janë kenë sugurisht miq mâ të mirë per Turkí se sá Serbët, Grekët, Bulgarët e tjerët.

Loreçhio shkruen kështû: ” Gli intrighi stranieri e sopratutto le disposizioni arbitrarie (cosa d’altronde inesplicabile) prese dai governanti, hanno privato noi del diritto di avere le nostre scuole nazionali e sempre far arrestare nella maniera più crudele ogni tentativo a questo scopo”. Prap dikund mâ vonë permendë po në të njâjten rasë “bassi intrighi”. Mâ vonë, tue folë mbî alfabet, shkruen: “queste contese (per l’alfabeto)  erano provocate da intrighi sordi e misteriosi” (Intrigat e hueja dhe sidomos vendimet arbitrare e të pashpjegueshme, marrun nga qeveritarët, na kanë hequn të drejtën me pasun shkolla kombtare tonat dhe kanë ndalue rreptësisht çdo përpjekje në këtë drejtim” … “intriga të ulta” … “këto grindje (për alfabetin) ishin shkaktue nga intriga të heshtuna e të çuditëshme”) M’ intereson me dijtë kush janë kenë kta të huej qi kanë intrigue e e kanë influencue Turkín në dam të shkollave shqipe.

Në nji telegram qi dergojn kapodaít prej Gilan në Stambollë, thohen kto fjalë: “In conseguenza di un malinteso i cannoni e i fucili tuonano da un mese e mezzo in tutte le parti della nostra provincia….. “.(“Si pasojë e nji keqkuptimi topat dhe pushkët gjëmojnë ka nji muej e gjysëm në të gjitha anët e krahinës tonë”)   Ky telegram u dergue në korrik 1912.

Il Comitato centrale Albanese  “Kombi” kû e ka pasë selín?

Shka thue ti per këto fjalë: “In Albania l’interesse nazionale è sempre andato avanti alle considerazioni religiose” (Në Shqipní interesi kombëtar a âsht mbajtë gjithmonë para konsideratave fetare )

Qytet i Shkupit a mund të thirrej në kohë të Turkís qytet shqiptar? A njimend zotnonte gjuha shqipe në qytetin e Shkupit?

Aty te Gilani harrova me të plotsue pyetjen, dmth në shka permbahet ky malinteso ?

Dikund tjeter thohen prap këto fjalë: “Nel 1204 (vjetët janë alla turca, por sugurisht dhe kjo vjetë kshtu âsht gabim shtypit!) in seguito ad ordine assurdo ricevuto, Ahmet Mukhtar Pascià si pose in marcia con 20 battaglioni contro Prizreni, ma grazie alle saggie misure prese dal Pascià non fu versato sangue” (Në 1204, mbas nji urdhni absurd, Ahmet Mukhtar Pasha filloi të marshojë me njizet batalione kundër Prizrenit por, falë vendimeve të matuna të Pashës,  nuk u derdh gjak).  Kúr e n’ ç’ rasë ndodhi kjo gjâ?

Shka don me thânë fjala Merqes, psh. Merqes di Janina?

“Nel Kazá di Luros, cosi nei piani di Perlepi e Florina le terre e le case sono proprietà degli Albanesi” ase “tutte le proprietà sono degli Albanesi”. Kuzzo- valaçhi e israeliti non possiedono.( “Në Kazánë e Lurës, si dhe në fushat e Përlepit e të Follorinës tokat dhe shtëpitë janë pronë e shqiptarëvet”…. “të gjitha pronat janë të shqiptarve. Kuco – Vllehët dhe Izraelitët nuk zotërojnë.”)  A âsht e vertetë kjo gjâ?

Tash, prej nji gurrës tjeter, po nxjerri këto pyetje: “Janina (në kohë të luftës balkanike) rá në dorë, prejsè u thye me pare e trathtoi… (“Janina durch Verrat und Bestechung gefallen” – me kto fjalë tedeshke lajmonte ministrín e vet perfaqsuesi gjerman prej Istambulit). E shton edhe këto fjalë: “Ismail Kemali habe dabei seine Hände im Spiel gehabt” (Ismajl Qemali ka pasë gisht në ket punë). Shka din e shka thue ti per ket punë? E kush kje ai a kush kjén ata qi trathtuen e qi u thyen me pare në Janinë?

A janë kenë  n’ushtrí t’Esat Pashës, qi luftoi në Shkoder kundra Malazezvet e Serbëvet edhe Kristjan, apor ishin të tanë ushtarët musulman? Ket pyetje po t’a bâj jo per tjeter, por vetem pse nder kondita qi Esat Pasha u pat vû Malazezve per dorzimin e Shkodres, kje dhe kjo qi mos me pasë të drejtë Malazezt me kontrolue çfarë elementash kristjan gjinden n’ushtrín e Esat Pashës. Se çfarë rândsijet ka mujtë me pasë kjo gjâ, un nuk e kuptoj.

Mue më duket se ket herë të kam bâ pyetje boll. Nji herë tjeter nuk di as vetë se shka me të pyetë, pse mâ i shpika sot.

Prap jam interesue me pyetë per Lambertz. Po qênka tue u shypë blêni I persrí, prandej kuptohet vonesa e madhe.

Kúr e ké menden me dalë n’ Europë? Tash po e shof se shi në letren e mbrame po m’a paske shkrue ket gjâ. Po të tokoi me ndejë gjatë n’ Europë, m’a merr mendja se ka me na tokue me u pá ndojherë perpara se të bâjsh hapin e madh e të kalojsh pertej oqeanit të hapët. Por tashmâ edhe ky oqean i pamasë po kapercehet me nji orë ajruer. Prandej afer se afer jemi.

Un nuk kam bâ kurr ndonji hap per me dalë n’ Amerikë. Shum e kanë bjerrë shpresen per Europen plakë. Vetë endè nuk e kam bjerrë shpresen n’ Europen, qi shum e thrrasin me fjalen tedeshke “Blindarm i Azís”. Blindarm shqip âsht “zorra qorre”. Pra, simbas tyne, Europa âsht zorra qorre e Azis. Mrekullí.

Shum shndet e urime të përzemerta per vjetin e rí, sadoqi heret âsht tash. Por deri at herë ndoshta nuk do të mundemi me të shkrue mâ. Letra e porositun e êmja do të ngjasë shum me të mërrijtë.

Prá edhe njiherë shndet e daulet e urime të perzemerta si per tý si edhe per motren.

    Miku i Yt.

  1. P. Margjokaj

Ramleh,  21. I. 1955

            Fort i dashuni mik,

U kënaqa për tý për atë udhtim qi paske bâmë n’Italí prej nji skânji në tjetrin. Un mjerisht nuk munda me ardhun. Vërtet biletën do t’mâ kishin paguem edhe mue të shkuem e t’ardhun; por kisha shumë arsye tjera qi më penguen. Shëndosh për tjetër herë. Ti je vrojs i mirë e të falem nderës për ato pak rreshta aqë të interesueshëm qi më ke shkruem mbi at’udhtim.

Po kaloj te pyetjet:

Pse s’kanë dashun pushtetet othomane qi edhe Shqiptarët të kenë shkollat e veta në gjuhë të vet si gjithë popujt tjerë allogjenë të mbretnisë? Un e kuptoj kështu:

Çdo e drejtë ka konsistencë kur njeriu qi duhet t’a ketë e ndien, e din e e çëmon. Ndryshe e drejta nuk eksiston. E kanë ndiem, e kanë kuptuem, e kanë çëmuem Shqiptarët të drejtën për shkolla shqip? Njiqindmijë jo, nji po : do me thânë jo.

Na s’kemi pasun kurrë, jo shkolla, por as shkrim t’onin. Kur nji elite të vogël i rá ndër mênd për tê aty kah 1870 e sa, i pari alfabet shqip u sajue shi në Stamboll me lejën e sulltanit. Gjithashtu u çel edhe nji shkollë shqip në Korçë. Shqiptarët nisën me shkruem. Në mos u gabofsha – se s’kam burime këtu për me kontrolluem hollsitë – në 1880 u botue e famshmja “Historí” e Skënderbeut prej Neim Frashërit. Grekët u nxituen me i a raportuem fill e për pê Sulltanit. Dhe kishin ç’i raportojshin! Se ajo s’ishte as historí, por nji libello  qi shfrente kundra Tyrqet vënerin e katërqind vjete të nji populli të pushtuem ashtu siç e ndiente, jo vetë ai popull, por auktori. Prûna vetëm nji shembull, por në letërsinë jugore, të botueme përjashta, ke sa të duesh edhe tjerë qi tregojnë se ç’synojshin intelektualët shqiptarë, se ku dojshin me dalë nëpër shkollat kombtare në gjuhë shqipe. Sikur shkrimi shqip, letërsija shqipe të kishte pasë nisun e vazhduem me vepra si Lahuta e Malcisë në të cilën shqiptarët gjithkund luftojnë “për mbret e troje të veta” e “të bardhën fé”, kush mundet me thânë se na nuk do të kishim pasun shkollat t’ona në gjuhën t’onë, librat t’anë e gazetat t’ona, jo vetëm lirisht, por edhe të nxitun e të subvencjonuem prej shtetit othoman? Vênu ti në thronin e Abdylit e gjyko në se ka faj, sidomos tue marrë para sŷsh se ndërsa shkrimet e Neim Frashërit me shokë ka pasun plot kush me t’i raportuem e me komentime të rafinueme, e ato të kokave të randa si Fishta me shokë jo. Un në të ritë t’em i kam kënduem me enthusjazëm e tue derdhun lot veprat e Neimit. Por sot i gjykoj historikisht. Pra këndej del edhe qi të drejtën duhet jo vetëm t’a keshë ndiem, kuptuem e çëmuem, por edhe të dijsh me e përdorë. Tjerë të huej, veç Greket, un s’besoj qi kanë bâmë intriga kundra gjuhës s’onë. Por besoj se do të ketë pasun Shqiptarë të poshtër, këta po, qi kanë menduem vetëm për interesat personale qi mund të biershin e mâ fort ato qi do të fitojshin tue trathtuem kombin e vet. Kush ka qênë? X-i e Y-i et. a në dash thuej dreqi e i biri!

“… i cannoni e i fucili tuonano.. eç.” i referohet sigurisht kryengritjes së Kosovës. “Malinteso” këtu âsht fjala për nji shprehje diplomatike, besoj un.

Un s’besoj se ka pasun nji komitet shqiptar Kombi: gazetë me kët’ emën po, por komitet jo. Ndoshta nji patrijot a nji grusht ksish kanë mujtun me përdorë nji emën të këtilë për të impresjonuem ke ka qênë nevoja. Âsht nji systemë revolucjonare të pafuqishmish qi e kam përdorë edhe vetë në 1910.

Unë e kam besuem gjithmonë se ndër Shqiptarë instinkti racjal ka qênë mâ i fortë se ndiesija fetare, por jo “interesa kombtare”, të cilën ata s’e kuptojnë as sod. Këtu s’po shkoj mâ gjatë, se besoj se ndryshimi ndërmjet dý shprehsivet kuptohet lehtë.

Shkupi, nën sûndimin othoman, ka mujtun me arsye me u quejtun qytet shqiptar. Posë qi afërsinat e tij kanë qênë me shumicë shqiptare, kujtoj se i tilë ka qênë edhe vetë. Influenca shqiptare ka qênë sigurisht mâ e fortë në Shkup se ajo e çdo elementi tjetër.

Ça i përket Ahmet-Muhtar Pashës do të ketë ndodhun kundra Lidhjes së Prizrendit (1878-1881). Me ato të dhâna qi gjêj në letrën t’ânde, un kështu mund t’a zgjidh atë problemë algjebrike.

Merqez = qêndër, kryevênd, kryeqytet, selí etj, simbas rasës.

“Nel Kazá di Luroshetc” do t’i afrohet mjaft së vërtetës.

Për Janinën un nuk dij kurrgjâ të sigurtë, madje nuk dij veçse çança qi vijshin rrotull aso kohe e që ishin në gojë të gjithë kundrështare të Ismail-Kemalit. Dij qi ky ka dekun pa ovull në xhep e qi në Vlonë pranë tij kanë qênë Luigj Gurakuqi, D. Nikoll Kaçorri e sa patrijotë tjerë të panjollë.

Mbas dokumentit qi po më thue, duhet të kenë qênë ndoshta edhe të krishtênë me Esatin në Shkodër, sado pak e ushtarë (luftarë) apo civila. Un me fakte nuk dij gjâ. Rândsij’e kushtit t’Esadit âsht kjo, qi në Shkodër po hŷnte Mali i Zi e, pa atë kusht, të krishtênët qi kishin qênë në shërbim të tij do të pësojshin dame e ndëshkime.

Përgjegjet i mbarova shi ku duhet e për tjera s’po kap nji copë letër tjetër mâ, por mirë se të flasim nji tjetër herë kur të më keshë shkrue ti, e tu mirë qofsh.

        MKruja

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here