Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.
Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejt për mësuesit.
Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut.
Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.
• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur.
• Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet.
• Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën.
• Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.
• Mos jini kategorikë.
• Gjithçka shikojeni me sy kritik.
• Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.
• Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta
• Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.
• Mos bëni asnjë punë shkel e shko.
• Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.
• Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.
• Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.
• Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore…