Nga Paul Miller-Melamed

“E shtëna e parë e Luftës së Madhe” e cilëson historiani i famshëm A.J.P Tejlor në librin e tij “Lufta e Parë Botërore: Një histori e ilustruar” (1963). Ajo u realizua nga një i ri serbo-boshnjak i quajtur Gavrilo Princip në Sarajevë më 28 qershor 1914. Dhe “viktimat e para” të asaj lufte, ishin Arkiduka Franc Ferdinand, trashëgimtari i fronit të Austro-Hungarisë (Monarkia e Habsburgëve) dhe gruaja e tij, dukesha e Hohenbergut.

Natyrisht, kjo është një metaforë. Pasi nuk pati menjëherë luftë kur ndodhi atentati famëkeq i Sarajevës, dhe nuk do të kishte edhe për muajin pasardhës. Për më tepër, nëse duhet fajësuar dikush për shpërthimin e luftës në korrikun e vitit 1914, atëherë ata janë udhëheqësit e Fuqive të Mëdha të Evropës, dhe jo fshatari Gavrilo Princip.

E megjithatë, është shumë e lehtë të supozosh një lidhje sinonimike midis vrasjes së Arkidukës dhe Luftës së Madhe. Është pikërisht ky supozim, ai që e bën kaq magjepsës studimin e atentatit të Sarajevës. Shumica e raportimeve mbi vrasjen e Sarajevës, qofshin botime shkencore apo raportime gazetash, përpiqen aq shumë për ta bërë aktin si përmbushës të trashëgimisë së tij, saqë shpesh e shtrembërojnë dhe nxjerrin shumë nga konteksti.

Dhe ky është një problem më i madh se një metaforë e zgjuar, është një mit. Në dallim nga përshkrimet popullore të “vrasësve terroristë” të regjur më kësi punësh, të rinjtë boshnjakë ishin tërësisht amatorë. Ata kishin mësuar vetëm kohët e fundit të gjuanin me armë apo të ndiznin një granatë.

Nga mjedisi i “i dhunshëm” ballkanik dhe deri tek ekzekutimi i rrëmujshëm, vrasja politike e Ferdinandit është manipuluar duke u shndërrua në një ngjarje gati mitologjike. Kjo ngjarje duhet të ndodhte me siguri në këtë “zonë të egër të Evropës së qytetëruar”, shkruante një historian në vitet 1930, duke ndjekur një traditë të gjatë dhe të vazhdueshme të stereotipizimit të Ballkanit si të rrezikshëm dhe të padisiplinuar, si primitiv dhe të prirur për luftë.

Gati 80 vjet më vonë, një studiues tjetër e përshkroi vrasjen si një “ngjarje të rastësishme”. Sigurisht, Sarajeva nuk ishte Vjena, edhe pse që kur e mori nën administrim në vitin 1878, Austro-Hungaria kishte investuar burime të mëdha në zhvillimin e Bosnjes. Dhe pasi e aneksoi atë në mënyrë të njëanshme në vitin 1908, vetë monarkia e Habsburgëve iu afrua shumë provokimit të një fuqie tjetër me ndikim në në Ballkan, Perandorisë ruse, duke rrezikuar një luftë më përmasa kontinentale.

Kur tensionet u zbutën dhe kur kajzeri i Habsburgëve vizitoi provincat e kontestuara në majin e vitit 1910, një vrasës e ndoqi atë deri në Sarajevë. Vetë Franz Ferdinand u paralajmërua të mos shkonte në Bosnje për inspektime ushtarake në vitin 1914, për shkak të tentativave të shumta për vrasje në rajon.

Edhe në prag të parakalimit të tij në Sarajevë, Ferdinandi u paralajmërua nga zyrtarët boshnjakë dhe njerëzit në rrethin e tij për rreziqet e udhëtimit nëpër kryeqytet me një makinë të hapur, pikërisht në ditën e një festë kombëtare serbe. Ishte Vidovdani, ose Dita e Shën Vitit.

Nacionalizmi serb, është një tjetër pjesë e brutalitetit të supozuar ballkanik. Edhe pse kishte 1/10 e madhësisë dhe popullsisë së perandorisë Habsburgase, Serbia lakmonte provincat e saj sllave në jug, dhe mbi të gjitha Bosnjen. Princi dhe bashkëpunëtorët e tij ishin kryesisht serbë të Bosnjës, pra boshnjakë ortodoksë, jo qytetarë serbë.

Vërtet atentati u krye gjatë Vidovdan, por nuk ka asnjë provë që kjo kohë ishte e qëllimshme. Më shumë rëndësi për komplotistët kishte urrejtja e tyre e lindur për sundimin e Habsburgëve, dhe jo dashuria e tyre e fortë për Serbinë e Madhe, e lëre më pastaj për socializmin, anarkizmin apo ndonjë ide tjetër dominuese në fundin e shekullit XIX-të.

Edhe më serioze dhe subversive janë akuzat, se forcat tinëzare nacionaliste brenda Serbisë planifikuan vrasjen dhe rekrutuan “kukullat” boshnjakë. Një organizatë “sekrete”, Dora e Zezë, ishte prapa komplotit të Sarajevës. Por sërish provat janë të pamjaftueshme. Dora e Zezë, ekzistonte vërtet dhe ishte një fraksion ushtarak vërtet kërcënues për qeverinë serbe. Por udhëheqësit e saj nuk ishin budallenj, dhe ata e dinin se një vrasje e pasardhësit të Habsburgëve, rrezikonte një luftë për të cilën Serbia ishte e papërgatitur. Vrasja e Sarajevës nuk “ndezi fitilin” e luftës së parë botërore. Përkundrazi, kjo e fundit u shkaktua nga një krizë diplomatike, të cilën udhëheqësit e Evropës së “qytetëruar” nuk arritën që ta zgjidhnin në mënyrë diplomatike.

Mund të ketë qenë vërtet një anëtar i “Dorës së Zezë”, ai që i ndihmoi vrasësit të gjenin armët dhe të stërviteshin me to në Beograd. Por kjo nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me organizatën, dhe lëre më pastaj me qeverinë serbe. As Austro-Hungaria nuk pretendoi diçka të tillë në ultimatumin e saj të 23 korrikut ndaj Serbisë.

Sipas një historiani, vrasja politike ishte një ngjarje që mbeti në mendjet dhe kujtimet e të gjithë bashkëkohësve, njësoj si 11 Shtatori 20001 ose vrasja e presidentit Xhon Kenedi për amerikanët. Në fakt, rrëfime të panumërta flasin për një apati dhe indiferencë relative në raport me këtë vrasje politike.

Sigurisht, ajo u konsiderua një tragjedi, por jo e përmasave të tilla, që siç i shkroi në mënyrë të frikshme nënsekretari i përhershëm britanik i shtetit në Ministrinë e Jashtme, Sër Artur Nikolson, ambasadorit të tij në Shën Petersburg, do të “çonte në pasoja të mëtejshme”.

Ajo që “ndryshoi gjithçka” nuk ishin plumbat e një “heroi serb”, por një gabim historik nga ana e Evropës.

Së pari i Fuqive të Mëdha, që iu bashkuan ultimatumit të Austro-Hungarisë drejtuar Serbisëmë 23 korrik. Në atë kohë, vrasja e Sarajevës po harrohej, sepse tek e fundit ajo ishte një epokë, në të cilën vrasjet politike ishin shumë të zakonshme. Ose siç shkroi një gazetë amerikane në atë kohë, kishte trashëgimtarë të tjerë austriakë për të zëvendësuar Arkidukën.

Shënim: Paul Miller-Melamed, lektor i historisë në Universitetin Katolik Papa Gjon Pali II në Lublin, Poloni, dhe në Kolegjin Mekdeniel në SHBA.

Marrë me shkurtime nga “History Extra” – Bota.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here