Kultivimin e drithërave të bukës e ndeshim në Shqipëri që nga periudhat më të hershme historike. Gjetja e mbeturinave të bykut dhe të mokrave të gurit gjatë gërmimeve arkeologjike në vitet 1969-1970, në vendbanimin neolitik të Cakranit, vërtetoi një ekonomi bujqësore që merrej me kultivimin e tyre. Më pas me kalimin e kohës kultivimi i drithërave do të ndahej në dy grupe. Të lashtat, që korreshin në fillim të verës në të cilat bëjnë pjesë gruri, elbi dhe thekra, dhe të vonat, ku bënin pjesë meli, orizi dhe misri. Por natyrisht sipërfaqen më të madhe në kultivimin e tyre e zinte padyshim gruri, me të cilin përgatitej buka dhe disa gatesa të tjera. Në Rajonin Perëndimor të Shqipërisë ku bëjnë pjesë edhe krahinat e Myzeqesë dhe Mallakastrës, korrja e grurit bëhej përgjithësisht në muajin qershor. Në këtë periudhë, fushat dhe sipërfaqet e mbjella ‘’zverdhnin’’ nga ngjyra e artë e tij. Për të korrur grurin punohej në mënyrë kolektive, proçes që shoqërohej me shirjen dhe magazinimin në hambarë. Më pas, gjatë shekullit të kaluar në faza të ndryshme të tij u futën në përdorimin edhe makinat e shirjes dhe kombajnat. Ndërsa duke nisur nga neoliti i mesëm në Muzeun Historik Fier ruhen ruhen jo vetëm pjesë por edhe mokra të plota prej guri që shërbenin për bluarjen e drithit në ambientet shtëpikake. Nga kjo veprimtari kanë ardhur deri në ditët tona shprehje të tilla frazeologjike, si: ‘’Drapëri i parë’’ apo ‘’Koha e lëmit”.
Foto: Mokër guri. © Muzeu Historik Fier. Burimet: Muzafer Korkuti-Zhaneta Andrea, Stacioni i neolitit të mesëm në Cakran të Fierit, Iliria, III, Tiranë 1974, f. 57.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here