NGA: GJON GJOKAJ

Territori malor i Trieshit, aty ku “Paria Shqiptare” shpalli autonominë e Shqipërisë më 1911, ndodhet në pjesën më veriore të trojeve shqiptare. Është një vend i sigurt gjeografikisht, por është gjithashtu një fakt historik i vërtetuar dhe i padiskutueshëm se burrat e kësaj treve ishin nga natyra trima e guximtarë dhe shumë luftarak. Strategjia e këtyre malësorëve më efektive ishte kundërsulmi, pritat, depërtimi i thellë në prapavijat e armikut dhe kundërsulmi në befasi.

Trieshianët, përveç tradhtisë së Mark Milanit gjatë “Krizës Lindore” që dogji pabesisht të gjitha fshatrat e këtij fisi në fillim të vitit 1878, nuk njohin asnjë humbje gjatë shekujve në luftërat e shumta përballë me armiqëve e tyre turko-sllav. Në atë kohë trieshianët e papërgatitur për një sulm të tillë, pas një rezistence të shkurtër, për të shpëtuar familjet e tyre detyrohen të tërhiqen në tokat e tyre në Luginën e Cemit.

E kundërta ndodhi në vitin 1856, kur malazezët, pas shkretërimit dhe masakrës që bënë në krahinën e madhe të Kuçit, tentuan ta shfarosnin edhe Trieshin, por rezistenca e fortë e trieshanëve, theu ushtrinë malazeze, të komanduar nga senatori dhe vojvoda i Cetinës, Petar Filipi Vujovic. Lufta heroike e trieshianëve u konfirmua nga konsulli francez në Shkodër Hyacinthe Hecquard(i cili ishte edhe përfaqësues special i fuqive të mëdha midis konflikteve të fiseve shqiptare dhe principatës malazeze),si dhe Valiu i ri i Shkodrës, gjeneral Mustafa Pasha, i cili I kishte cilësuar publikisht trieshianët si luanë të vërtetë që prenë dhjetëra koka të ushtarëve malazezë në betejën që ishte zhvilluar në Lamë të Nikmarashit, kur principata malazeze gjatë Krizës Lindore 1953-56(kur pozhvillohej Lufta e Krimesë), tentoi që përmes me terrorrit t’izgjeronte kufijtë e saj në kurriz të territoreve shqiptare.

Luftërat trieshiane dhe përplasjet me turqit gjatë shekujve ishin të shpeshta qyshë në gjysmën e parë të shek. XVII në Bjeshkë të Koritës, rreth mesit të shek. XVII në Rudinë të Nikmarashit, në Cemin e Trieshit më 1717 afër Dobërçinit, Qafë të Nagrivës më 1862 dhe në Luginë të Cemit në Lemajë më 1907, ku kjo luftë heroike e trishianëve dhe dëbimi i osmanëve nga kjo zonë, që i parapriu kryengritjes së Malësisë në vitin 1911, do të shënojë territorin e parë shqiptar të çliruar nga Perandoria Osmane.

Sipas legjendave të hershme vendase, lufta e parë frontale e trieshanëve kundër turqve ishte zhvilluar në Rudinë të Nikmarashit, kur Vuksan Gela i Grudës kishte ikur në Muzheçk për t’u shpëtuar ekspeditave osmane të cilat kishin qëllim asgjësimin e tij.

Në kohën e tij Vuksan Gela, ishte i njohur si një luftëtar i dalluar i krahinave të Malësisë së Madhe. Gjatë kësaj kohe ai kishte nën sundim tokat malore të Grudës, Dinoshën dhe krejt Dheun e Zi. Thuhet se ai që në rini, gjatë sundimit të tij, kishte luftuar disa herë dhe i kishte kthyer prapa zaptuesit turq që donin të shfrytëzonin këtë pjesë të bukur të Grudës.

Sipas legjendave lokale përcjelle deri në ditet tona, Vuksan Gela kërkonte për Vërri, Dinoshën, e për Bjeshkë Vërmoshin, Dheun e Zi dhe Pyllin deri tek Liqeni i Shkodrës. Veziri i Shkodrës për t’i përfituar këto kullosa dhe toka pjellore, të cilat ishin të njohura, posaçërisht si toka pemëtarie të klasit të parë, si fiq, rrush, ftoj, shega etj., e kishte thirrur në mejdan (dyluftim) Vuksan Gelën, me një nga bajlozët e tij të hatashëm, të ashtuquajturin “Harapi i Zi”, i cili ishte një mejhanexhi i tmerrshëm dhe i fuqishëm nga trupi. Vuksanin e moshuar nuk e kishin lënë djemtë e tij të dalë me u pre në mejdan, por në mejdan del djali i tij i vogël, Sina, i cili i pas një dyluftimi të rreptë i pret kokën (kryet) Harapit të Zi në fushë të Dheut të Zi.

Me këtë akt trimërie, Vuksan Gelës me të bijtë u del zëri si trima dhe luftëtarë të mëdhenj. Që nga ajo ditë, Fusha e Dheut të Zi, që nga Dinosha e deri në Zetë e Liqe të Shkodrës, quhet Toka e Grudës, të cilat edhe pas vdekjes së Vuksan Gelës do t’i rikthejnë e sundojnë vëllezerit apo katër të bijtë e Vuksan Gelës, Ivzi, Nika, Gjola, Sina dhe pasardhësit e tyre.

Kështu që, më vonë Veziri i Shkodrës, për hakmarrje kishte mësye Vuksan Gelën me një ushtri të komanduar nga Bali Begu, i cili sipas urdhërit synonte ta arrestonte e ta dërgonte të lidhur trimin e Grudës në Shkodër tek Veziri.

Vuksan Gela, i moshuar, dhe i papërgatitur për t’u konfrontuar me një ushtri kaq të madhe, dhe duke parë planin që i ishte kurdisur, nuk pranon të dorëzohet por detyrohet të tërhiqet në fshatin fqinj të Grudës në Muzheçk të Trieshit.

Pas këtij veprimi të Vuksan Gelës, ushtria turke dërgon në Triesh dy lajmëtarë për t’i dhënë ultimatum Vuksan Gelës për t’u dorëzuar. Kur ata mbërrijnë në Qafë të Nagrivë, muzheshianët i kërcënojnë të kthehen prapa dhe të largohen nga territori i tyre, por ata nuk pranojnë dhe kështu muzheshianët pas një konfrontimi ua prejnë kokat atyre.

Me këtë rast u përhap shumë shpejt fjala në të gjithë Triesh, se ushtria turke ishte gati të sulmonte dhe të kapte të gjallë Vuksan Gelën, ku përnjëherë i gjithë Trieshi tubohet dhe bëhet gati për t’u konfrontuar me ushtrinë osmane.

Kur del Bali Begu me ushtri në Rudinë të Nikmarashit, ai i kërkon Trieshit për ta dorëzuar Vuksan Gelën, se përndryshe do ta pësojnë keq, por trieshianët përgjigjen, se,”nuk asht traditë e malsorit me dorzua mikun në besë”. Turqit duke mos ditur organizimin e trieshianëve, përsëri i kërcënojnë trieshianët se do t’i vrasin, dhe aty pa zgjatë shumë fillon lufta, ku pas një përleshje të rreptë, mbetet i vrarë komandanti turk Bali Begu me gjithë ushtarët e tij.

Kështu që, Vuksan Gela, do të mbes i strehuar në fshatin Muzheçk, deri në vdekje aty ku kishte kumbarët e vet, përkatësisht trashëgimtarët e vellazërisë së Gjolajve të sotëm, të trungut të Preç Mirash Diloshit. Sipas të dhënave gojore Vuksan Gela, pas kësaj ngjarje nuk jetoi gjatë dhe vdiq, dhe prej asaj dite nuk kishte arritur për t’u kthyer kurrë më në vendlindjen e tij në Grudë, meqenëse ky vend ishte pushtuar nga osmanët.

Vuksan Gela para se të vdiste, kishte lënë amanetin e tij të fundit: “Dua me më vorrue në Maje t’Suks, aty ku mos t’shkeli kama e kalit të turkut”. Amanetin e këtij kreshniku dhe trashëgimtarit të Fisit të Grudës ia kishin çuar në vend muzheshianët dhe katër bijtë e tij, duke e varrosur aty ku vërtetë asnjëherë nuk shkeli këmba e kalit të turkut, në Majë të Sukës.

Pas vdekjes dhe varrimit të Vuksan Gelës në Majën e Sukës, që atëherë quhej Suka e Milisit, ky vend do të marrë një toponim të ri – Suka e Grudës, sepse aty do të varroset trimi i Grudës dhe Maleve të Malësisë -Vuksan Gela.

Le të kujtojnë lexuesit se Suka e Milisit apo siç e quajmë sot Suka e Grudës është edhe sot pronë e Trieshit. Në vendin e quajtur Markoç, i cili ndodhet pas Sukës (në anën e Grudës), është shtëpia, kroni i Markoçit dhe toka e Tomë Hasit Gjeloshaj, pikërisht në këtë shtëpi apo d’ban(shtëpi verore), ka lindur arsimtari i shumë gjeneratave të Malësisë -Gjelosh Tomë Gjeloshaj, përkatësisht babai i kryetarit të komunës së Tuzit z.Nikë Gjeloshaj.

Pleqtë e vjetër thonë se gjithë këto toka të Sukës me rrethinë kanë qenë në të kaluarën ashtu sikurse janë edhe sot në pronësi të Muzheçkut dhe Nikmarashit, përkatesiht Lulnikëve, Cacajve dhe Gjurashajve, duke filluar mbi Krua të Zef Miliqit, Kapom- Nikvuç të Gjokë Prelës (Gjokaj), Markoç të Tom Hasit(Gjeloshaj), Kolat të Gjon Nilit, duke përfshi Sukën e Milisit, Majen e Cigares e deri në Qafë të Ulic’s, ku deri para 20 viteve kane jetuar pasardhësit e shtëpisë së njohur të Smajl Tomës (Gjokaj).

Në veprën madhore të At Bernardin Palajt -Grimca nga “Visaret e Kombit”(tek Tradita-Zakonore), gjejmë thënjen e Vuksan Gelës në pleqëri;

“Eh, i shkreti unë, më ka lanë këmba e dora se i kisha dalë në bejleg hasmit të Vezirit”. Njëri nga djemtë e Vuksanit e garanton të jatin që të rrijë pa merak se do ta kryente vet këtë dyluftim, dhe, fitoi ndaj rivalit të tij që iakishte përcaktuar Veziri i ri. Vuksani kërkoi Dinoshën në fushë për vërri dhe Vermoshin për Bjeshkë, Dheun e Zi si dhe Pyllin e Madh deri tek liqeni i Shkodrës!… Thuhet se Vuksan Gela, para se të vdiste, porositi:”Keni me më varrosun në Majë të Sukës së Grudës ku këmba e kalit të turkut nuk ka me mujtë me ma shkelun vorrin!”. “Edhe sot ky varr është aty ku porositi Vuksan Gela e për çdo vit i kujtohet emri dhe i bëhen ritet fetare”.

Këto rite fetare si shenjë respekti për kumbarën, që ishte strehuar në fshatin e Muzheçkut, janë vepër e muzheshianëve, që, qe 360-70 vjet e deri në ditët tona, çdo vit ditën e Shna’Kryqit, qe nga vdekja e Vuksan Gelës e deri në vitet e fundit të shekullit XX, përderisa kishte mjaft banorë në këtë fshat, gjithmonë, dikush nga vëllazëria e Muzheçkut, e vendoste kryqin e njomë mbi varrin e këtij kalorësi në Majë të Sukës.

Këto nuk janë vetëm gojëdhëna, por dëshmi të brezave deri tek ditët tona, që i flasin përpikshmërisht jo vetëm vëllazëria e Muzheçkut, por edhe ata të Nikmarashit e më gjerë.

Në Rudinë, ku mbeti i vrarë komandanti turk Bali Begu me ushtrinë e tij, në vendin e kësaj ngjarje qindravjeçare, mbeti si dëshmi toponimi “Bali Beg”, kjo tokë sot është pronë e trashëgimtarëve të Gjekë e Tomë Cumit Gjurashaj nga Rudina e Nikmarashit. Gjithashtu në Qafë Nagrivë në vendin ku u vranë ushtarët e Bali Begut dëshmi ka mbetur toponimi Bregu i Bal’s.

Çështjen e ikjes së Vuksan Gelës në Muzheçk, e thekson edhe vajtori i mirënjohur i Malësisë, i ndjeri Nikë Gjeti Arapaj, në veprën e tij “Në hijen e heshtjes”, ku ndër të tjera shkruan:

“Në atë kohë kur Vuksan Gela i Grudës, kishte ikë prej turkut e kishte ardhur në Muzheçk, Veziri i Shkodrës kishte urdhërua që ta zënë të gjallë e me ia çua në Shkodër. Në Rudinë të Trieshit del ushtria turke nën komandën e një farë Bali Begut, i cili kërkon me dorëzuar Vuksan Gelën, ose me e djegë krejt Trieshin. Trieshianët jo vetëm se nuk e dorëzojnë Vuksan Gelën, por gjithë vëllazëritë eatëhershme luftojnë së bashku kundër ushtrisë turke. Ai vend ku zhvillua kjo luftë edhe sot quhet Bali Begu.”

Gojëdhenat thonë se pas vdekjes së Vuksan Gelës fushat e Dheut të Zi, që nga Dinosha e deri në Zetë e Liqe të Shkodrës, që quhen Tokat e Grudës, do t’i rikthejnë nën sundimin e tyre katër të bijtë e Vuksan Gelës, Ivzi, Nika, Gjola dhe Sina.

Aty ku pushojnë eshtrat e këtij vigani, trashëgimtarët e tij, pra vëllazëritë e fisit të Grudës, para pesëmbëdhjetë viteve, në shenjë kujtimi e respekti për vlerat e tij të lavdishme i ndërtuan Vuksan Gelës një përmendore në Majë të Sukës së Grudës

Për emrin e të ashtuquajturit të parit të Grudës, Vuksan Gela, me sa di une deri me sot, asnjë studiues shqiptar nuk na sjellë të dhëna dokumentare për ekzistencen, kohën dhe veprën e tij.

Në kërkimet e mija, unë, emrin e trimit legjendar, Vuksan Gela, e zbulova në një relacion të letrave të aristokratit të Republikës së Venedikut, z. Mariano Bolizza, i cili në përshkrimin e tij të fiseve malësore në vitin 1614, pos të tjerash shkruan:

-40 shtëpi, me 100 burra burra nën armë. Komandant – Gassan Gergelou…”

Personi, “Gassan Gergelou “, pra komandanti i famshëm i Grudës, padyshim se është Vuksan Gela. Pra kemi të bëjmë me vitin 1614, dhe me një burrë të moshës rinore.Këtu gjërat përkojnë me fakte të qarta që mund të argumentojmë, sipas trashëgimtarëve të fisit të Grudës, të cilët shkojnë 10-12 breza, derisa përpiqen tek i pari i tyre Vuksan Gela.

Gassan Gergelou;

Emri: Gassan – Vuksan; Emri i Babait – Gerge – Gelë; Tituli ushtarak – Lou;

Fjala “Lou” rrjedhje nga gjuha latine që d.m.th. “Luftëtar i Famshëm”. Në kohëra të lashta prapashtesa”Lou”, i është ngjitur një ushtaraku apo luftëtari të madh, njëjtë si; Skënder-Beu, si p.sh.; Komandant, Bég, Chief, “titled man”(njeri i ëmeruar me tittull të lartë) etj.

Duhet ti rikujtomë lexuesit se gjuha italishte gradualisht është zhvilluar nga gjuha latine, kështu autori Bolizza, në shrimet e tija të asaj kohe përdorë shumë emra shqiptarësh me trajta të gjuhës latine apo toskanës së vjetër italike.

Si përfundim, këtu padyshim se bëhet fjalë për Vuksan Gelën(Gassan Gerge-lou), dhe lirisht mund të konstatojme së rikapitulacioni i të gjitha këtyre të dhënave përkojnë logjikisht me ekzistencën dhe kohën kur ka jetuar ai, sepse trashëgimia, breznitë, gojëdhenat e shumta, legjenda, por edhe këto dëshmi të studiuesit dhe aristokratit venedikas, na mësojnë se ai i përkiste kësaj periudhe dhe se ai ishte një; -Luftëtar i Famshëm i Krahinave të Mbishkodrës, i njohur si i -Pari i Grudës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here