Memorie.al/ Ndoshta si shumë të tjerë, edhe unë, shpeshherë shfletoj letrat me miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, që nuk janë më në këtë jetë. Duke i shfletuar ato, për një çast shpalosen kujtime që më duket se disa prej tyre mund t’i shërbejnë historisë tonë. Pastaj, kthehem te vetëdija për gjendjen e e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, e them me vete: “Vallë, çfarë mund të shërbejnë në këtë kohë të zymtë kujtimet e mia për të tjerët ose letrat e njerëzve të vdekur?”

Pa qenë ndjellës ogurzi i pesimizmit, duke menduar si gjithmonë për një të ardhme më të mirë, kthehem tek detyrimet e mia ndaj miqve të mi dhe si një vëzhgues i akullt i kohës, pa asnjë pretendim shërbimi historik, kur më jepet mundësia e botimit, shkruaj atë që kam në mend, gjithnjë të mbështetur në shkrimet dhe në letrat e tyre. Ky parim ndiqet edhe në këtë libër për Xhafer Devën. Xhafer Devën e njoha në person, kemi këmbyer vizita dhe kemi pasë letërkëmbim të dendur.

Kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij dhe kam trashëguar të gjithë korrespondencën e Xhafer Devës me Rexhep Krasniqin, shokun e tij më të ngushtë, për mëse 40 vjet. Mbas shumë vjetësh, bisedova në telefon me të bijën dhe dhëndrin e zonjës Deva. Në bisedë e sipër, duke përfituar nga miqësia e vjetër, pyeta për letrat e tij dhe më njoftuan se të gjitha i kishte Qefali Hamdia, mik i familjes së tyre.

Në qershor të vitit të kaluar (2001) shkova në Kenosha, Wisconsin, mysafir i Qefali Hamdisë, për të shikuar korrespondencën e Xhafer Devës, të cilën ia kishte dërguar zonja Deva vite më parë, kur ajo, për shkak të moshës së thyer, po mbyllte shtëpinë e vet për të vajtur në shtëpinë e 5 së bijës dhe të dhëndrit, zonjës Burgl Dagmar dhe Rev. Dennis Logie.

Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i merrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihet një periudhë mbi 30 vjet, 1945 – 1978. Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë – tetë gjuhë. Korrespondenca e tij është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht. Letrat dhe shkrimet e Xhafer Devës, me përjashtim të atyre me shkronja të turqishtes së vjetër dhe të serbishtes me shkronja cirilike, kryesisht janë të shkruara me makinë, të mbajtura mirë dhe të renditura si mbas alfabetit, me personat që ai kishte të bëjë.

Aty përfshihen edhe letrat e tij familjare. Ai ruajti me kujdes kopjen e çdo letre që dërgoi dhe çdo letre që mori. Zonjës Oswalda Deva, të bijës Burgl, dhëndërrit Dennis Logie dhe z. Qefali Hamdia me familje, i’u shprehi falënderimet më të përzemërta për besimin që më dhanë. Me mirënjohje të veçantë kujtoj këtu ndihmesën që më dhanë vëllezërit – Kapidan Nue Gjomarkaj dhe Nikoll Gjomarkaj, në përgatitjen e njërit prej kapitujve më të rëndësishëm të këtij libri.

Kapidan Nou, përveç vënies në dispozicion të lëndës mbi marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe dërgimin e parashutistëve në Shqipëri e në Kosovë, shqyrtoi bashkë me mua secilin dokument të asaj periudhe, dhe formuluam tekstin në formë bisede; ndërsa Nikolla, deshifroi letrat, transkriptoi dhe përktheu nga italishtja, materialet e papublikuara deri më sot, të cilat u botuan në këtë kapitull.

Respektin e së drejtës së pronësisë private pa përjashtim reformash në përshtatje me frymën e kohës kur ato bahen vetëm e vetëm për përparim ekonomik e shoqnuer të popullit. Pasunija e vogël tokësore respektohet. Për sa i përket pasurisë së patundshme tokësore, jo vetëm qi punuesi i saj i tashëm nuk detyrohet t’a kthej, por i njihet atij e drejta e pronësisë dhe prodhimet e saja. Për sa u përket ndërtesave të çdo lloji, si: shpija, dyqane, mullijë, hotele, magazina e të tjera, ju kthehen të zotëve po nuk u prekën interesat kolektive, e në këtë rast, shpërblehen.

Kërkesën, gjatë qëndrimit në mërgim, të çdo mjeti të përshtatshëm për t’a lirue atdhen nga zgjedha mizore e sotme, t’ue pranue e lypë bashkëpunimin e çdo personi, grupi ase enti qi frymëzohet nga ndiesija e kulluet e çlirimit të Shqipnisë.

Konsideratën se zgjidhja institucionale në Shqipni, asht nji e drejtë qi i përket vetëm popullit shqiptar, kur këtij t’i kthehet lirija e plotë e votës, e qi sot detyra e nji partie në mërgim asht veprimi m’e vu në gjendje popullin shqiptar, të shprehi lirisht vullnetin e vet.

Mendimin se në Shqipni të çlirueme nuk duhet të formohen:

a) partina politike me karakter fetar; b) partina politike, të subvencionueme prej burimesh jo shqiptare; c) partina politike, qi janë pjesë e formacioneve të huaja, kombëtare ase ndërkombëtare; c) partina politike, qi tue shpërdorue liritë demokratike, synojnë të vendosin regjime totalitare, dhe d) partina politike, qi pagëzohen me emra, mbiemra ase me e) tituj personash;

Pranimin e laicizmit në punët shtetërore tue përkrahë e nderue lirinë e besimit, bashkë me ushtrimin e tij dhe të ndërgjegjes;

Idenë se arsimi do të synojë formimin e qytetarit të ri, i cili, tue mos u shkoqë nga vetit etnike, të jet i pajisun me të gjitha njoftimet theorike e praktike ma moderne qi nevojiten për të qenë faktor i mirëqenies kombëtare, tue naltësue njiherit edhe gjendjen vetjake e familjare.

Arsimi drejtohet prej shtetit. Shkollat e komuniteteve të ndryshme fetare, t’ue gzue të drejtën me përpilue programet e tyne, për sa i përket moralit dhe ushtrimit të besimit, detyrohen me zbatue programin mësimuer kombëtar dhe me i u shtrue kontrollit t’autoriteteve arsimore qeveritare;

Përkrahjen e riatdhesimit të t’gjithë atyre të merguemve me zanafille shqiptare, qi kanë rrejtur kultin e dokeve dhe ndiesit kombëtare, edhe sikur të kenë marrun shtetësin e huaj;

Nevojën e përpjekjes për marrëdhanje miqësore, në nji rrafsh barazie të plotë, me të gjitha shtetet, e veçantish me shtetet fqinj, tue ruejtë në mënyrë rigoroze tagret kombëtare;

Rregullimin ekonomik të vendit mbi përkrahjen e nismave private në harmoni me ato shtetërore, mbi ndalimin e krijimit të çdo monopolizimi ase privilegji dhe mbi ekuilibrin e të gjitha mjeteve prodhuese në përshtatje me dobinë e përgjithshme të punëtorisë së krahut dhe të mendjes;

Mos-ndalimin e ndërhyrjes së kapitalit të huaj, kur ky t’i shtrohet kushteve të frymzueme nga moscenimi i interesave të ligjshme private e shtetnore;

Kundërshtimin në mënyrë kategorike, në kohën tranzitore qi do te krijohet në Shqipni me rasën e ndryshimit te regjimit nga komunizmi në demokraci të lirë, të çdo hakmarrje ase veprimi ekzekutiv pa gjyq të rregullt.

Mbas Statutit, ‘Blloku Kombëtar Indipendent’ e filloi veprimtarinë e vet në drejtime të ndryshme. Në mars të vitit 1947, nxori në qarkullim numrin e parë të gazetës ‘L’Albanie libre’, e mbas saj revistën ‘Lajmëtari i të merguemit’.

Veprimtaria në Shqipëri.

Pyetje: Për veprimtarinë e ‘Bllokut’ në Shqipëri, ju dhe udhëheqësit kryesor të ‘Bllokut’, Kapidan, nuk keni folë ose shkruar shumë. Disa persona, veprimtarë të asaj kohe, kanë shkruar kujtimet e tyre, pa zënë në gojë ‘Bllokun’, kanë folur për Mirditën, si kryeqendër të veprimtarisë. Ju që dispononi tërë këtë material arkivor të asaj kohe, si mund t’a përmbledhin shkurtimisht këtë veprimtari të partisë që keni qenë një ndër katër themeluesit e saj dhe e keni drejtuar të paktën për nji çerek shekulli?

Përgjegje: “Për dërgimin e misionarëve t’ (parashutistëve) në Shqipni, lypej krahina ma e sigurt për suksesin e nji veprimtarie të tillë. Në gjykimin logjik të iniciatorëve të këtij misioni, ishte Mirdita, ku ende veprojshin luftarët e lirisë. Mirdita nën udhëheqjen e kryetarvet të çetave të armatosura, për Orosh: Llesh Preng Bajraktari, Bardhok Marka Gjoka e Nikoll Gjet Ndoj. Për Spaç: Gjon Dodani e Gjoni i Zi. Për Kushne: Nue Bajraktari e Pjeter Llesh Gjoni. Për Diberr: Marka Jak Bajraktari e Dod Marka Gjoka. Për Fand: Marka Gjok Ndoj e Marka Biba. Për Kthellë: Frrok Melyshi, Marka Cara, Preng Dod Gjini, Bib Marka Biba. Për Selitë: Ndrec Lufi, Geg Borshi. Për Rranx: Gjon Mhilli, Lam Daci. Për Malësi të Lezhës: Nue Llesh Bajraktari, Kol Lushi, në krye te cilëve ishte Kapidan Mark Gjonmarku, i cili ishte në ndërlidhje me krahina tjera të Veriut.

T’ue ia fillue punës qysh në fillim të vitit 1945, t’ue kapërcye vuajtje e sakrifica mbinjerëzore, arriti në qershorin e vjetit 1946 organizimit për plasjen e revolucionit kombëtar, që besohej se do të jepte përmbysjen e regjimit komunist. Mjerisht, kur po perfundojshin përgatitjet për plasjen e kryengritjes, me 13 qershuer 1946, ra heroikisht deshmuer në fushën e nderit, për çlirimin e atdheut, krye organizatori Kapidan Mark Gjomarku.

Vdekjen burrnore të këtij heroi klasik të maleve të Veriut, e vajtuen jo vetëm bashkëpunuesat e tij t’afërt e të largët, por edhe gjithë populli i ndershëm shqiptar, qi rënkonte për nji Shqipni të lirë dhe demokratike, mbasi tek ai ishin mbështetë të gjitha shpresat e shpëtimit. Kapidan Marku vdiq, por vepra e tij nuk vdiq.

Mbas udhëzimeve të lanuna prej tij, mbas shumë sakrificave e pune të panderpreme e të palodhëshme, u ba riorganizimi i Nënkomitetit të Mirditës. Për formimin e Nënkomitetit të Mirditës, u caktue: të gjithë udhëheqsit e çetave qi ishin emnue ma parë mbeteshin në fuqi. Për të zavendësue udhehjeksat e vramë ndër luftime të ndryshme, u zgjodhën këta qi vijojne: Orosh: Mhill Kol Gjeta, Preng Ded Marka Gega, Zef Dod Pervuka, Llesh Marka Tuçi e Ded Kaziu. Dibërr: Shtjefen Marka Prenga, Frrok Dod Topuzi. Malsia e Lezhës: Gjok Dod Perbrunga, Llesh Pren Nikolli, Gjin Jaku, Zef Pjeter Gjoni. Kthellë: Preng Ruçi, Gjin Kros Buna, Zef Dod Lek Gega. Kurbin: Tom Nikoll Mhilli, Marka Lok Piroli, Preng Llesh Gjergji.

Ky Nënkomitet, kryesohej prej Llesh Gjomarkut (vëllai i Mark Gjomarkut), i cili i kishte vu detyrë vedit, organizimin e popullit në mënyrë konstruktive për kryengritje dhe rezistencën e panderpreme me armë kundër regjimit komunist; gjithashtu veprimtari të palodhshme prej anës së organeve të shpagimit, kundra spiunëve e tradhëtarëve të popullit. Në kët ndërkohë, vuejtjet kjen të tejnatyrshme për çetat e malit, gjithashtu edhe humbjet shumë të randa”.

Pyetje: Me 9 gusht 1947, Llesh Gjomarku ra dëshmorë në krye të detyrës, vet i treti, mbas një luftimi prej gjashtë orësh. Me flijen e jetës së këtij luftari të palodhshëm shihet se bjen një hije e zezë në të gjithë Mirditen dhe se komunistët korrin nji fitore të madhe. Me vrasjen e dy vëllazëve t’uaj, a shuhet rezistenca në Mirditë?

Përgjegje: “Rezistenca vijoj gjithnji, shumë herë edhe ma e terbueme, vetem se, mjerisht, për kah udhëheqja politike, mbeti mjaft e disorjentueme. Për sa i përket pikëpamjes luftarake, pa i’u përjashtue asnji betimit, kanë dhanë jetën si shqiptarët e vjetër. Organizimi i çetave dhe organeve të shpagimit, ka vijue gjithnji me ripërtrimje të përkohshme. Megjithëse ishim në dijeni të rezistences antikomuniste në Mirditë, prap se prap, mbas vrasjes së Mark Gjomarkut, e mbas vrasjes se Llesh Gjomarkut, na dukej gadi e pamundshme nji qëndresë aq e fortë, por Besa e dhanun, e kishte ba mrekullin e vet, aq sa me zemrue gjithkendin.

E proven na dhanë këta luftarë që në vjetin 1948, kaluen në Greqi, e ishin: Nikoll Melyshi me djalin Gjonin e vllaun Nue Melyshin, Gjon Gjinaj, Nue Pjetri, Pjeter Gjoci, Bardhok Gjeta e Nue Frisku, të cilët na lajmruen, t’ue na pershkrue me saktësi gjendjen dhe ekzistencen e luftarëve të lirisë që veprojshin në Mirditë. Tash ishim të sigurt se çdo veprimtari kunorzohej me sukses.

Në verë të vjetit 1947, më qe paraqitë kërkesa me dergue misionar në Shqipni. Ajo kërkesë më joshi me studiue problemin, e megjithëse në mërgim ishim pak mirditas, mora kontakt me Nikoll Plakun prej Fandi dhe Preng Ndoj, prej Burgli, të cilët u diftuen të gatshëm për nji mision të tillë. Propozimi qi m’u ba, ishte me i dërgue me anë të detit. Kërkesa me i dërgue me anë të detit, nuk ma mbushi menden, por më duhej me pyet të interesuemit.

Të dy m ‘u përgjegjen: me anë të detit nuk e njofim terrenin dhe mbetemi t’ue u sjellë nëpër knetat e prozhmet e Bregut të Matës e do të vritemi. Në bazë të spjegimit të këtyne dyvet, kërkova vijën ajrore, por atëherë m’u refuzue. Kështu dështoi ajo inisiative. Koha po ecte me vrull, regjimi komunist po stabilizohej dita ditës, por qindresa kombëtare në Mirditë, edhe pse në nji situatë teper të zorshme prej ndjekjeve të forta të policisë komuniste, qindroi me armë në dorë e pa iu përkulun çdo sulmi e shtypje të tyne.

Mirdita ishte krahina kryesore dhe e vetme qi jepte garanci veprimi. Në shqyrtim të kësaj situate e në bazë të dhanavet të Nikoll Melyshit me shokë, u perforcue ideja e dërgimit të njerezëvet besnik në Mirditë. Per kët detyrë delicate, u ftuen Nue Pjetri e Nue Melyshi, të cilët, me nji qëndrim të premë e përfundimtar vendosen: të bahet e të kryhei sa ma parë. Koha nuk pret. Këtij grupi (Nue Pjetrit e Nue Melyshit), për sigurim, i’u ngjesh grupi i Elbasanit (Alush Leshanaku e Xhevdet Blloshmi).

Mbas nji pregaditje prej disa muejsh, këta katër kreshnik, me 15 fruer 1949, shpërthyen të parët perden e hekurt që rrethonte Shqipninë. Mjerisht hudhja u bâ keq, për faj të pilotit: me dashje ose pa dashje. Nue Pjetri e Nue Melyshi, këcyen të parët dhe ranë në vendin e caktuem, kurse Alushi e Xhevdeti, ranë në Macukull, e kështu mbetën të ndamë prej shokvet. Këta të dy (Alushi e Xhevdeti), tue mos e njoftë vendin e pa pyet kërkend, që të mundëte me i drejtue, vendosen me u largue sa ma parë e me vazhdue rrugën me kap kufinin e Greqisë.

Nue Pjetri e Nue Melyshi, mbas shumë mundimesh e lodhje shkaktue prej borës së madhe, me 20 fruer 1949, mbërrijnë në katundin Ndershenë dhe i drejtohen nji shtëpije qi ka qenë bazë nacionalishtash, me shpresë se do të gjejshin prap mirëpritje e përkrahje. I zoti i shtëpise i priti me krah haptë, i ushqej dhe ju dha lajmet e para, edhepse të idhta. Ai u tregoi se shumë kryetar çetash, ishin vra në luftime me komunistët: Frrok Melyshi Bajraktari, Mark Nue Bajraktari, Pjeter Llesh Gjoni, Major Lodovik Saraçi, Marka Cara, Bardhok Marka Gjoka, Pjeter Paloka, Gjin Paloka, Nue Gjet Ndoj, e shumë të tierë.

Të nesermen, me 21 fruer 1949, mbrrijnë në katundin Kthellë e Epërme dhe i drejtohen nji shtëpije që besojshin se edhe ajo do t’ishte si përpara, gjithnji bazë nacionalishtash, e me të vërtetë ashtu u duel, pse u pritën me përzemërsi. Prej zotit të shtëpisë morën lajme tjera ma të hollësishme. Aty kanë ba nji pushim prej dy ditësh. Zoti i shpisë i ka vu menjiherë në lidhje me grupin e Preng Dod Gjin Keçit, të Bib Marka Bibës, të Preng Zef Tarashit dhe të Nuue Nikoll Prenges.

Këta katër luftarë kishin pas ba nji mbledhje në Qafmollë me grupet e Malsisë së Lezhës dhe me atë të Ded Kolziut, Llesh Marka Dodës, Llesh Marka Tuçit dhe të Gjon Marka Çupit. N’at mbledhje, kishin pas vendosë me qindrue në kontakt me njani tjetrin dhe me u ndërlidhë me grupet e Nue Bajraktarit, Marka Dod Lleshaj, Marka Jak Bajraktarit dhe të Gjok Dod Perbrunges. N’at mbledhje, kishin caktue si datë takimi l’ardhëshem 15 marsin e 1949-tës.

Me datën 23 mars, Nue Pjetri e Nue Melyshi bashk me grupin e Preng Dod Gjin Keçit janë takue me grupin e Llesh Marka Tuçit, Llesh Marka Dodës, e te Preng Zef Tarazhit në Qafëmolle. Aty Nue Pjetri u ka lexue letrën që kishte me vete, të firmosun prej Kapidan Gjon Marka Gjonit e Nue Gjomarkut, me përshëndetje ma të përzemërta, e me hollësi për nji organizim të rezistences. Memorie.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here