6.1 C
Pristina
Monday, May 16, 2022
Home ART Fytyra e skllavërisë moderne në Malavi

Fytyra e skllavërisë moderne në Malavi

Fotografi Håvard Bjelland, në bisedë me gazetarin Edward Siddons / The Guardian
Përktheu: Telegrafi.com

Vitin e kaluar e bëra këtë fotografi, në veri të Malavit. Ishte pjesë e një projekti për Ndihmën e Kishës Norvegjeze – të OJQ-së që e dokumenton skllavërinë moderne, në industrinë e minierave. Është e vështirë t’u besosh syve, kur e sheh se si duken ato në të vërtetë. Këta minatorë punojnë në kushte të rrezikshme e me shumë pak pajisje mbrojtëse. Pagat e tyre janë tmerrësisht të vogla, ndërsa kontratat janë të paqëndrueshme – për të mos përmendur këtu pasojat e rënda shëndetësore dhe mjedisore në një punë të tillë me pluhur. Por, miniera është e vetmja mundësi që kanë në dispozicion banorët vendas: nuk kanë zgjidhje tjetër.

Qëndrova në një tendë, aty pranë. U zgjova në katër të mëngjesit, për ta nisur ecjen prej një ore drejt puseve të minierave. Në momentin që arritëm, minatorët veçse kishin punuar – për orë të tëra.

Një person që e vizituam, ishte i paralizuar. Nuk mund të punonte më, që do të thoshte se nuk mund t’i paguante faturat. Disa javë pasi u largova, vdiq një tjetër minator. Aksidentet po bëhen përherë e më të shpeshta, për shkak të shembjes së minierave. Kushtet e punës atje ishin nga më të këqijat që kam parë ndonjëherë.

Vizita ime ndodhi disa javë përpara Samitit të Klimës – Cop26 në Glasgou – ku të gjithë liderët e botës u mblodhën për të folur për ndikimin e qymyrit në mjedis. Por, teksa ata flisnin, ky ishte realiteti në terren. Dëmi nga qymyri nuk është vetëm te ndikimi në mjedis, nga emetimet e djegies, por edhe se sa i rrezikshëm është procesi i nxjerrjes nëpër miniera.

Kontrasti më bëri përshtypje në këtë fotografi. Bukuria e peizazhit e kompenson mjerimin e skenës. Gjelbërimi i kodrave rri aty, për ta nxjerrë në pah errësirën e qymyrit. Ndërsa, drita e butë e mëngjesit që prek këtë njeri, të quajtur Zikani Musafili, e ndriçon shprehjen e pikëllimit të tij të thellë teksa ia ngulitë sytë shikuesit. Më pëlqen cilësia kompozicionale e dorës së zgjatur – kjo kapje e rastësishme vërtet e ndryshon imazhin.

Gjithmonë dua që fotografitë e mia ta ndërtojnë një marrëdhënie mes subjektit e shikuesit. Dua të jem pranë njerëzve që janë në situata të vështira por, disi me dinjitet, që t’ua jap të tjerëve mundësinë për ta përjetuar atë afërsi.

I bëj këto foto në një përpjekje për ta bërë ndryshimin; për ta ngritur ndërgjegjësimin për kushtet e punës; për t’i mbështetur njerëzit në çdo veprim ligjor që ndërmarrin; dhe, për t’i ndihmuar që të marrin kompensime kur diçka nuk shkon si duhet. Ndoshta është fotografi e stilit së vjetër, por mendoj se fotografitë duhet të tentojnë t’i ndryshojnë gjërat. E dokumentoni botën dhe të këqijat e saj ashtu që njerëzit të mund t’ua japin fundin gjërave që nuk duhet të ndodhin.

Nuk zgjodha të bëhem fotograf i OJQ-ve. Por, gazeta lokale për të cilën punoja në Norvegji, e mbylli zyrën në Oslo duke më lënë pa punë. U detyrova ta bëja një ndryshim, që më doli shumë i mirë. Duke qenë në një organizatë që bënë fushata, e jo në një gazetë, ndiej sikur është më i vogël hendeku mes bërjes së një fotografie dhe asaj që e bën ndryshimin.

Më shqetëson rënia e industrisë së gazetave. Nuk isha i vetmi që e humba punën. Në ditët e sotme, shumë punë të mira bëhen nga krijuesit e pavarur që punojnë në projekte specifike dhe që i zhvillojnë idetë për të cilat pastaj financohen për t’i ndjekur. Puna e përditshme e fotoreporterit nuk është e fuqishme si dikur. Por, puna që bëhet tani është më e mirë se kurrë: kjo ndodh në vende të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme.

Nuk jam i prirë për ta bërë këtë punë, si dikur. Nuk kam humbur asgjë nga pasioni, ndërsa përvoja m’i dha aftësitë që nuk i kisha kur e nisa këtë punë. Përvoja është gjë e mirë, por ndonjëherë duket sikur nuk vlerësohet sa duhet. Është mirë të punësohen të rinjtë, por ka aq shumë gjëra që mëson gjatë karrierës së gjatë e që nuk mund t’i kapësh të gjithat ato përnjëherë.

Nuk do të ndalem kurrë së urryeri fotografinë e keqe. Fotografitë mund t’i ndihmojnë njerëzit në mënyra konkrete. Dhe, meqë fotografitë mund ta bëjnë ndryshimin, ato duhet të jenë të mira.


CV-ja e Håvard Bjelland-it

Vendi i lindjes dhe ditëlindja: Bergen, Norvegji, 1966.

Trajnimi: Autodidakt.

Ndikimet: “Cartier Bresson, James Nachtwey dhe fotografët në gazetën time lokale – në kohën kur isha shpërndarës i gazetës”.

Kulmi i karrierës: “Publikimi i librit ‘Ma kthe jetën prapa”, në vitin 2014: një dokumentim i norvegjezëve me stres postraumatik”.

Dështimi: “Humbja e punës në gazetë. Mbaj mend kur bëja foto në pjesët e akullta të veriut të Norvegjisë, kur bëja storje nga aeroplani luftarak që e bombardonte Libinë, kur e merrja ndonjë thirrje telefonike. Por, në fund, kjo ma dha një mundësi të re”.

Këshilla: “Mos u ndal së punuari”. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Turma që iu fut valles deri në vdekje: Murtaja e kërcimit që tronditi Strasburgun

Në vitin 1518, një “'murtajë kërcimi" bëri që banorët e qytetit francez Strasburg, që thuhet se kërcenin në mënyrë të pakontrolluar për...

Nga e hëna në të diele, mësoni oraret më të mira për të postuar në Instagram

Mediat sociale vërshojnë jetën tonë! Patjetër që për të hyrë në procesin e leximit të këtij artikulli, ju keni llogarinë tuaj personale...

Ilaçi që zhduk zbokthin

I keni provuar të gjitha medikamente kundër zbokthit dhe nuk keni gjetur shërim? Nëse jeni mërzitur nga ky problem...

Nëse bojleri juaj bën këtë zhurmë, hiqeni menjëherë nga priza

Në rast shpërthimi, bojleri mund të shkaktojë dëme të mëdha materiale apo edhe të marrë jetë. Sipas ekspertëve, bojleri mund të shpërthejë...

Recent Comments