6.1 C
Pristina
Sunday, January 23, 2022
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Marrëveshjet e Esat Toptanit me serbët për shitjen e Shqipërisë

Marrëveshjet e Esat Toptanit me serbët për shitjen e Shqipërisë

Në këtë numër vazhdojmë argumentin e profesorit të njohur për rrugën e ndyrë diplomatike që bëri Esat Pashë Toptani thjesht për interesat e tij. Këtë herë ‘Java’ po boton dhe tekstin e marrëveshjes së tij me Ministrin e Brendshëm Luba Jovanoviq… Sipas kësaj marrëveshjeje, që njihet me emrin Marrëveshja Toptani- Jovanoviq, Esat Toptani pranonte të cedohej në favor të Serbisë, pavarësia politike e Shqipërisë dhe tërësia e saj territoriale. Kjo del nga neni I i marrëveshjes që parashikonte se Serbia do ta mbronte Shqipërinë nga copëtimi…

Në fillim të janarit 1915, qeveria serbe njoftonte përfaqësuesit e saj diplomatikë se ishte i nevojshëm “pushtimi i pikave strategjike në Shqipëri”. Miratimi i parë dhe i menjëhershëm mbërriti nga Rusia, e cila madje sugjeroi që pushtimi i Shqipërisë të ishte definitiv. Esati e shfrytëzoi këtë pozitë në të cilën e futi vendin, për të kërkuar para nga Serbia, nën justifikimin se i duhej që të paguante forcat që kishte rreth vetes. Më 1 qershor 1915, ushtria serbe e furnizuar me armatime te renda e municione nga Rusia, filloi sulmin dhe pushtoi Elbasanin, hyri në Tiranë,  në Shijak, Kavajë, Peqin etj. Ushtria malazeze pushtoi krahun e djathtë të Bunës, Taraboshin dhe më 27 qershor Shkodrën. Në gjysmën e dytë të qershorit 1915 ushtria serbe kishte vendosur pushtetin në viset e pushtuara shqiptare si dhe kishte bërë ndarjen administrative. Të gjitha organet e këtij pushteti ishin nën kontroll të plotë të komandës ushtarake serbe.


Për të sanksionuar juridikisht situatën de facto të krijuar si rezultat i pushtimit të Shqipërisë, Serbia shpejtoi ta plotësonte Marrëveshjen e Nishit të 17 shtatorit 1914, me një akt tjetër. Në gjysmën e dytë të qershorit 1915, mbërriti në Tiranë për një vizitë sekrete ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë Luba Jovanoviq. Ai hyri në bisedime me Esat Pashën dhe i vuri përpara për nënshkrim një marrëveshje tjetër me 17 pika, akt që u krye më 28 qershor 1915. Sipas kësaj marrëveshjeje, që njihet me emrin Marrëveshja Toptani- Jovanoviq, Esat Toptani pranonte të cedohej në favor të Serbisë, pavarësia politike e Shqipërisë dhe tërësia e saj teritoriale.Kjo del nga neni I që parashikonte se Serbia do ta mbronte Shqipërinë nga coptimi. Kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve e Londrës më 1913, në bazë të marrëveshjes me Esat Toptanin, do të ndryshoheshin në favor të Serbisë sepse i konsideronte si të imponuara nga Austria. Ajo do të merrte Pogradecin me rrethet e Gollobordës, Malësinë e Dibrës, Lumën dhe Hasin deri edhe Spaçin e Mirditës. Për më tepër në rajonet që do të mbeteshin brenda kufijve të Shqipërisë mikroskopike që Serbia do t’ia linte Esatit dhe organeve fantazmë të ngritura si struktura shtetërore, pushteti i tij dhe ato vetë do të ishin virtualë, çka del nga pikat V, VI, VII e VIII të kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja Toptani- Jovanoviq në pjesën hyrëse mban datën 27 qershor 1915, kurse në pjesën përmbyllëse ka datën  15 (28) qershor 1915. Ajo ka këtë përmbajtje:Mund tju interesojë


I Qeveria mbretërore serbe do të veprojë në atë drejtim, që asnjë fuqi e jashtme mos ta pushtojë Shqipërinë, dhe nuk do ta lejojë copëtimin e saj, por ajo të mbetet si tërësi shtetërore, e cila për jetë do të jetë në aleancë dhe bashkësi me Serbinë në bazë të marrëveshjes së mëparshme, si dhe në bazë të dispozitave të këtij protokolli.


II Pasi që kufijtë midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk janë të natyrshëm, por janë vendosur sipas dëshirës së Austrisë e cila ka dëshiruar të krijojë konflikte dhe shqetësime të përhershme midis këtyre dy shteteve fqinjë. Kufiri i tanishëm do të përmirësohet, kështu që Serbisë do t´i takojnë Pogradeci me rrethet e Gollo Brdos, Malësia e Dibrës, Luma dhe Hasi deri në Spaç. Derisa ky kufi i ri të mos caktohet nga fuqitë ndërkombëtare, Serbia në viset e përmendura do të mundet me vendos pushtetin e saj.(korsivi i autorit)


III Ekselenca e tij (E.T.) Esat pashë Toptani do ta kryejë sa më parë organizimin e pushtetit në Shqipëri, do të formojë komuna, nahi (rrethe) dhe qarqe, duke pasur parasysh sa të jetë e mundur ndarjen e vendit nëpër fise. Do të emërojë për nëpunës njerëz të vet e miq të Serbisë. Serbia do t´i vejë në dispozicion njerëzit e saj për këtë punë. (korsivi i autorit)
IV Ekselenca e tij Esat pasha do të fillojë menjëherë organizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë. Për udhëheqës dhe instruktorë të ushtrisë dhe xhandarmerisë qeveria mbretërore serbe do të vejë në dispozicion njerëz të vet, si dhe një numër të konsideruar xhandarësh. (korsivi i autorit)


V Pasi ta kryejë organizimin e komunave, rretheve dhe qarqeve E.T. Esat pasha do të fillojë zgjedhjet e deputetëve për kuvend dhe do të kujdeset që në Asamble të vijnë njerëz të besueshëm dhe ithtarë të tij dhe të Serbisë. Në këtë punë Serbia do ta ndihmojë Esat pashën. (korsivi i autorit)


VI Po sa të bindet se e ka shumicën e ithtarëve E.T. Esat pasha do të konvokojë mbledhjen e Asamblesë, e cila do ta zgjedh për sundimtar me titull princ.


VII Sa të zgjedhet për princ, Esat pasha do t´i paraqesë Asamblesë projekt Kushtetutën e Shqipërisë, e cila më herët do të përgatitet në marrëveshje me qeverinë mbretërore të Serbisë. Pasi që Asambleja ta aprovojë Kushtetutën, Esat pasha do ta formojë qeverinë nga njerëzit që përkrahin idenë e bashkimit serbo – shqiptar. (korsivi i autorit)


VIII E.T. Esat pasha obligohet që pas kësaj, në momentin e përshtatshëm ta aplikojë në jetë, me anë të Asamblesë unionin real me Serbinë, sipas të cilit Serbia dhe Shqipëria do të kenë ushtri të përbashkët, union doganor, përfaqësues të përbashkët jashtë vendit, entet e përbashkëta të tregtisë dhe komunikacionit, një sistem financiar dhe bankën popullore. (korsivi i autorit) Gjyqet, arsimi, punët fetare, taksat dhe të ardhurat tjera të dedikuara për nevoja të enteve të veçanta shqiptare, do të jenë thjesht shqiptare.(Esat pasha do të mundet lirisht të qeverisë me punët e brendshme).
IX Deri sa të arrihen këto, Esat pasha do t´i marrë në duar të veta të gjitha doganat, kurse për drejtor do ta pranojë një nëpunës të doganës serbe, i cili tani do ta zbatojë sistemin turk, e më vonë do ta rregullojë doganën sipas ligjeve serbe, që të mund t´i dakordojë legjislacionin doganor serb. (korsivi i autorit)


X Pasi të kryhen të gjitha këto që u përmendën, do të realizohet unioni doganor.(korsivi i autorit) Nëse më vonë nuk aprovohet marrëveshje e re, që me të ardhura doganore e të tjera të përbashkëta të plotësohen shpenzimet e përbashkëta (ushtria, përfaqësitë jashtë vendit etj), të ardhurat doganore do të ndahen sipas destinimit të mallit, pasi të hiqen shpenzimet e regjisë.
XI Që të mund të sigurohet komunikacioni sa më i plotë ekonomik midis Serbisë dhe Shqipërisë, Esat pasha do të kujdeset që më vonë t’i përshtatë shpenzimet monopolike dhe të taksave në atë mënyrë që të dakordohen me ligjet serbe mbi monopolet dhe taksat (brenda mundësive).

Me kërkesën e E.T. Esat pashës qeveria mbretërore serbe do t´i vejë në dispozicion ekspertët që do t´i ndihmonin ta zbatojë dhe përsosë organizimin e qeverisjes dhe të enteve të nevojshme për shtetin shqiptar.


XIII Për të bërë të mundur një komunikacion sa më të fortë midis Serbisë dhe Shqipërisë, menjëherë do të fillojë ndërtimi i rrugës prej kufirit serb gjer në Elbasan, e prej andej një vijë do të shkojë për në Durrës, kurse tjetra për në Tiranë. (korsivi i autorit)


XIV Ndihmën që qeveria mbretërore serbe ia ka dhënë, ose pas tashti do t´ia japë Esat pashës, shkon në llogari të borxheve të Shqipërisë.


XV Gjatë kohës së punëve të përmendura (gjersa të gjitha punët mos të kryhen), ushtria serbe do të mbetet në Elbasan, eventualisht edhe në Tiranë. Kur të paraqitet nevoja e të lejojnë kushtet, ajo në marrëveshje me Esat pashën dhe komandantin e ushtrisë serbe do të ndërmarrë ndjekjen dhe shpartallimin e kundërshtarëve të vet dhe të Esat pashës, duke bërë lëvizje sipas marrëveshjes reciproke. (korsivi i autorit)


XVI Nëse E.T. Esat pasha heton se Italia mendon ta okupojë Durrësin, menjëherë për këtë do ta lajmërojë qeverinë mbretërore serbe dhe do të thërras ushtrinë mbretërore serbe, që në emër të tij ta okupojë Durrësin, para se Italia ta bëjë këtë. (korsivi i autorit)


XVII Nëse E.T. Esat pasha e sheh të nevojshme të kërkojë një numër ushtarësh serb, të cilët si xhandarë do t´i mbajë në Durrës, komandanti i ushtrisë serbe do t´i vejë në dispozicion. (korsivi i autorit)


Më 15 (28) qershor 1915, Kryetari i qeverisë Esat Pasha”. Edhe kjo “marrëveshje” është shkruar në turqisht me shkrim arab, si dhe në gjuhën serbe. Në tekstin e saj Esat pasha ka shkruar me dorën e vetë e këtë vërejtje: ”Qukësi do të mbetet jashtë kufirit të përmendur, dmth mbetet i Shqipërisë.”


Ato çka lexohen në tekstet e dy akteve të mësipërme, të quajtura marrëveshje, janë jashtëzakonisht të vështira për t’u besuar, sepse nuk mund të përfytyrohet që dikush, që kishte pretenduar gjithë kohës se po luftonte për interesat e Shqipërisë, për mbrojtjen e territorit të vet, etj, të ndërmerrte një akt të tillë, ku të pranonte shitjen e saj te të huajt në shkëmbim të disa titujve dhe të shpërblimeve materiale personale.


Shumica e dispozitave të tyre u riprodhuan 10 vjet më vonë, në “marrëveshjen” shqiptaro-serbe të përfunduar në Beograd, në gushtin e vitit 1924. Meqenëse Esat Toptani nuk jetonte më, sepse ishte ekzekutuar  në Paris nga patrioti Avni Rustemi, si tradhtar i interesave kombëtare, Nikolla Pashiçi, sërish kryeministër i Serbisë, do ta nënshkruante atë me Ahmet Zogun, një nga të afërmit e Esatit (thuhet se ishte nipi i tij), jo vetëm për nga lidhjet familjare, por edhe për nga karakteri dhe mungesa e parimeve moralë. Zogu, pasi u hakmor, duke e vrarë Avni Rustemin, u rrëzua nga pushteti me kryengritje popullore dhe u arratis në Serbi. Gjeti strehë tek Pashiçi, miku i kushëririt të vet. Gjatë kohës që ndodhej në Beograd nënshkroi pothuajse të njëjtën “marrëveshje”, në të cilën “zyrtarizoi” premtimet për cedime territoriale në shkëmbim të rikthimit në pushtet me ndihmën e serbëve, të cilëve iu fali Shën Naumin dhe Vermoshin. Kjo “marrëveshje”, përveçse një akt i pastër tradhtie, nga pikëpamja juridike ishte gjithashtu një akt i zakonshëm, pa vlerë zyrtare, sepse Ahmet Zogu e nënshkroi në kushtet e mungesës së legjitimitetit.


E njëjta gjë duhet thënë edhe për dy “marrëveshjet” e firmosura nga Esat Toptani. Ato përbënin akte ilegjitime, pa fuqi juridike. Kjo jo vetëm sepse ai, siç u pa më sipër, nuk hezitonte të merrte angazhime dhe të hidhte firma në çdo copë letër që i vihej përpara, kur ishte fjala për përfitime materiale e monetare dhe për sigurimin e pushtetit personal. Por, sepse Esat Toptani ishte askushi për Shqipërinë e asaj kohe. Për sjelljet dhe veprimtaritë e kryera, personalitete të shquara shqiptare e të huaja, e kanë etiketuar dhe e kanë stigmatizuar publikisht si “aventurier renegat”, si “sëpata e zezë e Abdul Hamidit”, si “dhelpër dinake”, “njeri pa skrupull, synimi i të cilit ishte të ndante Shqipërinë”, si dikush “që nuk përfaqëson asnjeri veçse  veten e tij”, që “kthen nga t’i fryjë era”. Miss Edith Durham, e cilësonte “një personazh me ambicie të shfrenuar për pushtet”, “injorant dhe pa skrupuj, një relike e kohës së errët të Turqisë së vjetër ” dhe e vulos me shprehjen Esat-tradhtia. Vënia në shërbim të të huajve, veçanërisht në shërbim të Serbisë, shpjegon edhe përse Pashiçi ishte i vetmi që vrasjen e tij e quajti humbje për Serbinë e asaj kohe, përse serbët i bënë vend në varrezat e ushtarëve të tyre në Paris dhe përse Beogradi vazhdoi për shumë kohë financimin e familjes dhe të bashkëpunëtorëve të tij në Paris.


Vlerësimet e mësipërme janë bërë që kur Esat Toptani ishte gjallë, në një kohë kur në Shqipëri nuk kishte as komunizëm dhe as komunistë. Prandaj pretendimet e ndonjërit që shkruan se vlerësimet negativiste për Esat Toptanin, janë jehonë e mendësive dhe e koncepteve komuniste, tingëllojnë qesharake dhe mbrojtje naive e një personazhi pa skrupull.


Veprimtaria antishqiptare, vrasjet e patriotëve dhe njerëzve të pafajshëm, vjedhjet e pasurisë kombëtare, e shndërruan Esat Toptanin në personifikimin e tradhëtarit, e njeriut të urryer, në simbolin e politikanëve pa skrupuj e pa moral, që për interesat vetiake sakrifikojnë gjithëçka, përfshirë edhe atdheun. Esat Toptani iu kujton dhe do t’iu kujtojë gjithmonë shqiptarëve politikanët e pashpirt, mashtrues e megallomanë, që abuzojnë me slogane demokatike të stilit perëndimor, por edhe me propagandë, demagogji dhe retorikë komuniste, për të mbuluar autoritarizmin, arrogancën, vrasjet, korruptimin financiar, poshtërimin e individit, uzurpimin e pushtetit etj. Vjen një ditë, kur edhe këta, ashtu si Esati, nuk mund t’i shpëtojnë dot fundit të palavdishëm, ndëshkimit të merituar, turpërimit të përjetshëm dhe përfundimit në koshin e historisë.  
 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

OBSH paralajmëron se Omicron nuk do të jetë varianti i fundit

Një zyrtare e lartë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi shtetet që mendojnë se kishin kaluar më të keqen e Covid-19 pasi...

Vitamina D mund të mbrojë trupin nga disa lloje të kancerit

Të pasurit e një niveli të ulët vitamine D mund të lidhet me një risk më të lartë për zhvillimin e disa...

Simbolet që përdori principata e Kastriotëve

NGA: GJON KEKA Në kuadër të simboleve të kombit tonë arbëror europian më i rëndësishëm është konsideruar simbili i Principatës...

Takimi me diktatorin Enver Hoxha e çoi në ekzekutim/Historia e trishtë e Sebiha Kasamatit

Marrëdhënia e grave me shkencën është karakterizuar gjithmonë nga një rrugë e përpjetë qoftë në sferën kulturore, qoftë në atë profesionale. Për...

Recent Comments