Lista e atyre shkrimtarëve që i shërbyen shpirtërisht diktatorit dhe diktaturës komuniste të Enver Hoxhës është më e gjatë se lista e atyre që vendosen idealet mbi nevojën e nënshtrimit dhe përllosjes së sublimes së krijuesit. Kjo evidencë ndoshta sot mund të ketë po të njëjtin interesim siç kishte në atë kohë, patjetër që me kahe të ndryshuar. Atëherë… ata që thurnin për Enverin ishin më të shumtë se ata që publikonin krijimet e tyre për diktatorin. Ishin ata që gëzonin një status të privilegjuar… atëherë, fatalisht edhe sot. Sepse janë po ata që shitën si shpirtin edhe hyjninë e krijimit për llogari të interesave të tyre. Është llogari, është hesap, është pazar që ata nuk nguruan ta bënin atëherë dhe nuk kanë pse të ngurrojnë ta zhbëjnë edhe sot. Të paktën ata, sot janë të shfajësuar, kjo ngase nuk shkuan më larg se vargëzimi për diktatorin, ndërkohë që kolegë e tyre, nënshkruan varje dhe ekzekutime poetësh, syrgjynosje dhe linçime krijuesish, burgosje dhe përndjekje intelektualësh.

Sot të gjithë janë këndejpari, pa patur nevojë të vargëzojnë për tiranët modern, por duke i shërbyer zellshëm atyre në dëm të aspiratave dhe idealeve, të cilat ndonëse kurrë nuk i patën… pse ti gëzojnë edhe të tjerët. Por ka nga ata që me vdekjen i morën të gjitha lavdinë dhe pendesën, por lanë këtu sëmundjen lënguese të të shërbyerit me përulësi tiranëve.

Prej kohësh më ka ngucatur kjo trajtesë. Më erdh në ndërmendje një material në lidhje me këtë zbulesë për kohërendësit e tashëm, një punë e mikut tim Irhan Jubica, të publikuar në periodikun letrat ARS, të cilin për fat të keq nuk e gjeta, por u përpoqa ta huazoj krijimin e kësaj panorame “turpi” me dy shkrime të publikuara nga mikja dhe kolegia, Admirina Peci në Shqiptarja.com, dhe gazetarja Belina Budini në “Shekulli”. Gjithëkjo nuk është një heroizëm nga ne as një herezi nga ata, fundja Enveri ishte i të gjithëve, por jo të gjithë i thurën këngë e i shkruan vargje atij. Nëse ata që i shpëtuan këtij doktrimi janë të zgjedhurit, ndoshta ata që përunjësisht i shërbyen atij, s’ka pse të jenë të mallkuarit. Sot vërtetë na mungon Enveri, diktatura, por ata që zevëndësuan, atë janë Enverë të shumëzuar, janë diktatorë që kanë shndërruar çdo pëllëmbë të kësaj tokë në një saraj Pashallarësh të kuq, mavi, blu, portokalli, të gjelbër, të bardhë e pangjyrë.  Janë ata e këta që përllosën penë e ideale, që i kënduan diktaturës dje dhe predikojnë “diktatorëve” sot, është ky shpirt pragmatist që nuk e la këtë Shqipëri të lind atëherë dhe të këndojë sot.   

Kur “të gjithë” i dhuronin vargje Enver Hoxhës

Belina Budini, “Shekulli”

Nga Dritëro Agolli, Ismail Kadare e Xhevahir Spahiu, deri te Bardhyl Londo, Natasha Lako e Dhimitër Shuteriqi

Naive apo të sinqerta? Furçe regjimit, apo bindje të kohës? Dikur pompoze e të rëndësishme, sot butaforike e të harruara. Poezitë e indoktrinuara, kushtuar Partisë Komuniste dhe Enver Hoxhës, prej vitesh kanë përfunduar në kosh e pak nga pak po fshihen nga kujtesa e njerëzve. Për mirë apo për keq! Autorët duhet të jenë lehtësuar nga pesha e tyre në ndërgjegje. Në rastin më të mirë i kanë lënë pas me gjithë kohën. T’u rikthehesh sot, është edhe zbavitëse. Jo vetëm për t’u zbavitur, kërkuam disa syresh. Jo nga ato poezitë e botuara ashtu “rastësisht” në libra, revista e gazeta letrare të kohës, por vargjet e zgjedhura enkas nga vetë poetët e shkrimtarët për t’ia dhuruar Enver Hoxhës. Me firmën e autorit poshtë vargjeve dhuratë për Enverin, në përvjetorin e 70-të të ditëlindjes, pra në vitin 1978. Të shkruara bukur, me dorë, dhe të organizuara në formë libri luksoz për kohën, me kapakë plastikë, libri-dhuratë që ruhet në Arkivën e Shtetit, përmban vargje nga 21 autorët më autoritarë të asaj periudhe në Shqipëri. Të gjitha janë vargje ideologjike, të zgjedhura nga vetë autorët që kanë nëshkruar poshtë tyre. Vargjet janë organizuar në rend alfabetik sipas emrave të autorëve. Libri-dhuratë përmban 23 fletë, ku fleta e parë përmban dedikimin në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve, 21 fletë përmbajnë vargjet e poetëve dhe një fletë, fleta e fundit është bosh. Nuk mungon asnjë fletë e ndërmjetme, pra asnjë autor. Libri i lidhur ka qenë pjesë e fondit personal të Enver Hoxhës, të cilin ai e ka kaluar vetë për ruajtje në Arkivin e Partisë e mandej në atë të Shtetit.

Dedikimi

Në dedikimin e fletës së parë shkruhet tekstualisht: “Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të gjithë poetëve të Republikës, që tashti janë aq të shumtë, se Shqipëria jonë e shtrenjtë është vendi i ëndrrës më të bukur të njerëzimit, se në Atdheun tonë socialist poezi ka kudo, siç e keni theksuar Ju, shoku Enver, udhëheqësi dhe mësuesi ynë i dashur, Ju urojmë nga thellësia e zemrës të na rroni sa malet për të mirën e Partisë, të popullit, të idealit të pavdekshëm komunist të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit. Jetë të gjatë, shëndet të plotë, përherë gëzime në familjen tuaj.”

Vargjet

Nuk janë poezi të plota, por fragmente poezish të botuara më parë ose të hartuara enkas për t’ia dhuruar ish-diktatorit për ditëlindjen e tij të 70-të. Pjesa më e madhe kushtuar Partisë. Në pak vargje fjala parti përmendet 29 herë dhe aludohet për të dhjetëra herë të tjera. Fjala Enver dhjetë herë, pa përmendur plot fjalë të tjera të përsëritura si turbinë, komunist, 16 tetori yt, tunel, lavdi, hekurudhë, krom e bakër, internacionale, Stalin, Marks, Engels, pushkë, teserë, komitet, shok, kushtrim, punë, ushtar, ballë, krenari, uzinë, çelik, djersë, lapidar… Me një fjalor të tillë kaq jopoetik në vetvete, janë ndërtuar të 21 fragmentet poetike!

Autorët

Nga të përkëdhelurit e regjimit deri tek ata që sot janë 180 gradë në kah tjetër. Sipas rendit alfabetik autori i parë është Adem Istrefi me poezinë e tij “Emri yt, Parti”. ‘Komunist’ është titulli i fragmentit të dytë poetik, dhuruar Enver Hoxhës, me autor Agim Gjakovën. Aleks Çaçi është autori i tretë që i dhuron ish-diktatorit vargjet “Ashtu, Myzeqe”. Nuk mungojnë vargjet për partinë të Andrea Varfit me titullin “Një ditë nëntori”. Edhe Bardhyl Londo i këndon partisë në vargjet me titull “Ti je zemra, Parti”. Autori i gjashtë në rend alfabetik është Dritëro Agolli me poezinë e tij të njohur “Komunistët”. Pa u ndarë nga partia, Dhimitër Shuteriqi ka dhuruar vargjet “Lavdi për ty, Parti”. Fatmir Gjata ato internacionalet e “Dimri i dyzet e katrës”. Fatos Arapi dhuron poezinë e tij “Alarme të përgjakura”. I dhjeti në rend alfabetik, Ismail Kadare dhuron fragment nga poezia e tij për partinë me titull “Shqiponjat fluturojnë lart”. “Gjirokastër” është poezia e Luan Qafëzezit për 16 tetorin e ditëlindjes së Enver Hoxhës. Llambro Ruci i ka blatuar ish-diktatorit vargjet “Drita e udhës”. Partisë vazhdon t’i këndojë Llazar Siliqi në poezinë “Mesazhi”. Ndoc Gjetja bën poezi me titull “Çast nga pranimi në Parti”. Ndërsa Ndoc Papleka për “Enveri midis nesh”. Natasha Lako përsërit katër herë në katër vargje fjalën parti në poezinë me titull ‘Këngët e rinisë”. Edhe Spiro Dede i ka dhuruar një poezi të titulluar “Krenari” ku shkruan “Ç’nder i madh të jesh shqiptar/ të jesh ushtar i Enver Hoxhës”. Një “Meditim nga uzina e çelikut” i dhurohet Enver Hoxhës nga Sulejman Mato. Një tjetër autor i kësaj rëndësie, Vehbi Bala, shkruan vargjet me titull “Shqipëri” ku sigurisht e ka fjalën për “Zemër, mendje e vegjëlisë, Parti e Punës/ prijëse e shqype e Shqipërisë…”. Xhevahir Spahiu i 20-ti poet në rend alfabetik, i kushton ditëlindjes së partisë vargje me titull “Ditëlindja e madhe”. Autorja e fundit është Xhuljana Jorganxhi me vargjet “Parti e vendit tim”. Në pamundësi për t’i botuar të gjitha, po botojmë vetëm disa prej tyre, ato të autorëve më të njohur, jo vetëm dje, por edhe sot, si dhe disa nga vargjet më zbavitëse të autorëve që sot janë rikthyer në anonimitet.

Ti je zemra, Parti

Vargje të Bardhyl Londos

30 vjet të kam folur me fjalë biri

dhe fjala gjithë dashurinë për ty s’e ka thënë

30 vjet zemra ime ka rrahur për ty

dhe prapë gjithë dashurinë s’e ka nxënë

30 vjet ka folur për ty gurgullima e gjakut

dhe prapë ka shumë të të thotë gjaku im i nxehtë

S’më mjaftokan, jo, 30 vjet që të jem biri yt

S’më mjaftokan bile as dy jetë

Komunistët

Vargje të Dritëro Agollit

Për Enver Hoxhën këngë thur tërë jetën

Se nëna ime bukë i dha me dhallë;

Me të në dhomën pa tavan ne fjetëm

Na puthi ne fëmijëve mu në ballë

Na puthi ne, fëmijët e rreckosur

Në tymin e kandilit e të pishës,

Të zverdhur prej rigonit e prej gjizës

Dhe pa në sytë tanë vetëtima,

Dhe pa ata që sot ngrenë turbina

Lavdi për ty, Parti

Vargje të Dhimitër Shuteriqit

Çaje tynelin me vërtik

Malin e Shqipërisë

Edhe vërsho tej, në të ik,

Hekurudh’ e rinisë

Sos janë male vetëm gur;

Po janë krom e bakër plot,

Thesare plot.

Mbi male sot jam zot,

I lirë e lavdiplotë.

Lavdi për ty, Parti!

“Dimri i dyzet e katrës”

Vargje të Fatmir Gjatës

Kishin ikur zogjtë shtegtarë

E kish ardhur një dimër i marrë

Qefinin kish hedhur mbi male

Dimri i zi, i kuq e i bardhë!

Po ne këndonim Internacionalen,

Këngë për Stalinin dhe Enverë

Dhe si lulet rriteshim në pranverë…

“Alarme të përgjakura”

Vargje të Fatos Arapit

Dhe erdhi Partia ndër shtëpitë tona

Bashkë me baballarët,

Bashkë me vëllezërit e lodhur

Prej pune

Mbi hasër të vjetëve

U ul te qoshja.

Maleve, qyteteve,

U lëshon kushtrimin

Partia e halleve,

Partia e derteve:

-Në këmbë, o të shtypur, e ju, të munduar

Shqiponjat fluturojnë lart

Vargje të Ismail Kadaresë

Ku t’i kërkoj rrënjët e tua, Parti?

Si një rrap madhështor mbi këtë vend të lashtë

Ke mbirë ndanë udhës ku shkojnë shtrëngatat

Ato rrahin të të shkulin,

Por ti veç vaditesh

Prej shqotës së tyre

Dhe mes shqotave rritesh.

“Çast nga pranimi në Parti”

Vargje të Ndoc Gjetes

Kur po plotësoja autobiografinë

Me shkrim të pastër dhe të bukur.

Më dukej sikur hidhnin valle gërmat dhe firma

Nën ritmet e zemrës sime të lumtur.

Pastaj kur më dhanë për herë të parë

Teserën e Partisë shokët e komitetit,

Më dukej sikur mbaja në dorë

Tërë peshën e shqetësimet e planetit.

Enveri midis nesh

Vargje të Ndoc Paplekës

Sot Shqipëria s’ka dy milionë,

Por dyqind milionë…

Tha plaku nga Valbona-

Këtu edhe toka qet zjarr,

Edhe guri qet zjarr,

Edhe ahu qet zjarr,

Edhe pushka qet zjarr,

Edhe zemra qet zjarr,

Po të japë kushtrimin

Enveri.

“Këngët e rinisë”

Vargje të Natasha Lakos

Parti,

Mijëra mëngjese kam hapur sytë

Dhe kam gjetur dritën tënde.

Parti;

Mijëra ditë fjalën e parë e kam këmbyer me ty;

Parti;

Në mijëra ditë më bëre trime,

Parti;

T’u bëftë dita një mijë!

“Meditim nga uzina e çelikut”

Vargje të Sulejman Matos

Nga konturet e hekurta të kësaj uzine

Dëgjoj këngën e hekurit si ngjitet lart,

Për një këngë të tillë ëndërruam në shekuj,

Kur na munguan armët dhe luftuam me sfurqe,

Kur na mungonte plori i parmendës.

Kjo tokë e vaditur me djersë dhe me gjak

E ruajti këtë këngë thellë në gji

Për këto ditë të bardha, ditët e Partisë.

Ditëlindja e madhe

Vargje të Xhevahir Spahiut

Shtëpi e varfër,

Sup më sup me shoqet,

Dalë nga të çarat e dheut,

Dalë nga dhembjet e popullit.

Në strehët e saj

Erërat frynin,

Të thëllimta.

Akull.

Komunistët çelnin shtegun e një ere të re.

Çelnin në mes të shekullit

Shekullin.

Parti e vendit tim

Vargje të Xhuljana Jorganxhi

Ne mal përmbi këto male

E ngritëm Shqipërinë,

Plot dritë e sotmja jonë,

Më të bukura ditët vijnë

Dhe dora shtrëngon dorën

Dhe bëhet grusht i fortë,

Të gjithë rreth Partisë

Rreth shokut Enver Hoxha

Llambro Ruci

Llogoret

Malin e zbukuruam

Me brezare e vetullore

Me hare gjelbërim e mbushëm.

Dhe pranë rrënjëve

Vumë një llogore,

Ku mbështesim zemrën e çelën degët,

Të zbresë i plotë dielli,

Ku mbështesim kokën e armët

E hapet i pastër qielli

Sulejman Mato

Mbi tokën dibrane binin lule të bardha

Mbi tokën dibrane binin e binin lule të bardha

Shkëlqenin nën dëborë,

Rrugët,

Pemët e çatitë…

Era lajmin e gëzuar shpërndante fshatrave të dëmtuara

Po vinte udhëheqësi i madh i partisë.

Shikoni:

Vjen një diell, i qeshur,

Mbi dëborë,

Vet Enveri.

Gjëmojnë vallet rrugëve, buçet daullja.

Dëbora papushim i bie mbi supe dhe flokë

Sikur malësorët e mirëseardhin

Me lule të bardha.

Vjen si një diell mes shtegut të bardhë,

Hyn në shtëpitë e dëmtuara dibrane,

Hyn…

Dhe dhomat mbushen plot me dritë.

Malësorët dëgjojnë fjalët e udhëheqësit të madh,

E u ngrohen zemrat

E u ndritin sytë.

Para shtëpive të rrënuara ndali Sekretari

Të bisedojë

Me dibranët e dëmtuar prej tërmetit.

Ju rrëzua shtëpia malësorit,

Iu lëkundën arat dhe pemët,

Por nuk iu lëkund dot besimi i madh

Që ruante në zemër për Partinë dhe Enverin.

Ndali Sekretari

Për një çast

Mbi dëborë

Të dëgjojë zhurmën e çekiçave që ngrenë shtëpitë,

Të dëgjojë këngët e brigadave vullnetare

Që erdhën këtu

Në ndihmë të malsisë.

Ndali Sekretari

Mbi bardhësinë e dëborët

Të shikojë ditët e bardha të Shqipërisë.

Vallja e solidaritetit

“Dëgjoni… në Dibër, mbi dëborën e bardhë, bie daullja”

Bjeri daulles!

Të gjëmojnë vallet

Kjo është vallja e solidaritetit, mbas pune,

Rrotullohen në valle gjithë ngjyrat e krahinave.

Vallet zgjaten si tinguj lahute

Çelin plot ngjyra si zambakë mbi dëborë

Vallet hapen si fletët e petaleve.

Vaji i shkrimtarëve për vdekjen e Enver Hoxhes

Admirina Peci në Shqiptarja.com

A kanë qenë artistët dhe shkrimtarët tanë shërbestarë të regjimit? Nëse po pse e kanë bërë? A kishin mundësi të tjera krijimi dhe a mund t’i gjykojmë sot në një kohë dhe kushte të tjera?

Në koleksionin e revistës Nëntori, që nga vitet ’60 e deri në fund të viteve ’80, mund të hasësh emra pafund shkrimtarësh, poetësh e artistësh, që ‘mbretëruan’ hapësirën e letërsisë dhe arteve si në atë epokë por edhe pasuesen. Shkrimtarë dhe artistë që në një mënyrë a në një tjetër i kanë shërbyer sistemit për të qëndruar në këmbë e për të ushqyer mendjet e shqiptarëve me atë ideologji.

Ata shkrimtarë dhe artistë çuditërisht i gjen mjaft aktivë edhe pas ndërrimit të sistemit.

Botojnë, krijojnë në fushën e muzikës, të arteve pamore, në skenë dhe në ekrane televizionesh.

Jo rrallë e rreshtojnë emrin e tyre në peticione për kauza të caktuara në shërbim të politikës. Sërish në shërbim të politikës, 20 a më shumë vjet pas përmbysjes së diktaturës….!!!!

Rikthehemi tek koleksioni i “Nëntorit”, të cilit gazeta jonë do t’i rreferohet shpesh këto kohë.

Tek e shfletojmë na dalin para sysh emra të njohur shkrimtarësh dhe artistësh. Ja disa emra shkrimtarësh: Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Aleks Çaçi, Shefqet Musaraj, Sterio Spase,  Dhimitër Xhuvani, Gjergj Zheji, Fatmir Gjata, Kolë Jakova, Nonda Bulka,  Petro Marko, Dritëro Agolli, Ismail Kadare,  Xhevahir Spahiu,  Naum Prifti, Ndoc Papleka, Fatos Arapi, Frederik Rreshpja,  Zija Çela, Besnik Mustafaj, Mimoza Ahmeti,  Teodor Keko, Visar Zhiti, Moikom Zeqo, Mujë Buçpapaj…e lista do të vijonte gjatë nëse do të përmendeshin të gjithë.

Dikush shkruan për frymëzime rinore me atmosferë revolucionare, dikush për Partinë dhe arritjet e mëdha, për Enver Hoxhën, Stalinin, Leninin,  dhe dikush, diku guxon të shfaqë edhe një frymë disi moderne, apo lirike…

Disa shkrimtarë thonë sot se të botoje për Partinë dhe Enverin, ishtë një pasaportë për botime të tjera të vlefshme. Në këtë këndshikim, kjo i ka vlejtur letërsisë dhe arteve, për të nxjerrë në dritë edhe vepra të bukura.

Dikush tjetër thotë se kjo dukuri (shërbestaria) ka lindur si nevojë për t’i shpëtuar burgut, internimit, njollave në biografi që ua linin të afërm të arratisur, apo klerikë….

Dikush e mohon katërcipërisht t’i ketë shërbyer sistemit, me apo pa dashje, dikush tjetër ndërsa rrëfen krijimtarinë e asaj kohe, le si padashur pa përmendur ndonjë mëkat (shkrimor)…

Por ndërsa lexon këtë koleksion reviste (dikujt që ja zura në gojë tha: aty kanë shkruajtur të përkëdhelurit e Partisë…), sidomos në disa numra kushtuar përvjetorëve të caktuar, nuk gjen asgjë tjetër veçse art shërbestar.  Arsyeja e krijimit të kësaj letërsie dhe e këtij arti, mund të ketë qenë individuale për seicilin prej tyre.

Megjithatë një analizë e së tërës, duke kundruar edhe rrugën 20-vjeçare pas rënies së regjimit, na ngre pikpyetje të mëdha edhe për këto arsye. Nëse u përmendën pak më lart peticionet e artistëve të këtyre viteve tranzicion, nuk u përmendën më kot.

Shërbestaria është gjallë. Adhurimi dhe bindja ndaj më të fuqishmit, po ashtu. Politika mbretëron edhe sot pas kaq vitesh.

Kjo retrospektive përmes faqeve të revistës “Nëntori” thjeshtë do të rifreskojë kujtesën e lexuesve të thjeshtë, të atyre që i kanë hasur dikur këto krijime, por edhe të lexuesve të rinj që nuk e kanë jetuar atë regjim e shpesh rrëfimet për të ngjajnë tejet fantastike…. Javën e shkuar zgjodhëm një numër special të “Nëntorit”, kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Leninit, nga ku shkëputëm dy poezi të Ismail Kadaresë dhe Xhevahir Spahiut. Ndërsa këtë javë do të botojmë krijime kushtuar vdekjes së Enver Hoxhës, marrë nga numri 4. i prillit 1985. Sot kemi dy poema të Dritëro Agollit dhe Ndoc Paplekës, ndërsa në ditët në vijim vijnë emra të tjetër poetësh e shkrimtarësh…

 Dritëro Agolli

Elegji për Enver Hoxhën

1.

Ish i rëndë dimri i sivjetshëm

Dhe pranvera erdhi me mundim

Erdhi përmes shirash të rrebeshëm,

Erdhi me një det me hidhërim.

Falmë Enver, që vargu m’u rëndua,

Falmë, Enver, që fjalët s’i them dot;

Shqipërisë zemra iu lëndua,

Shqipëria jote po derdh lot.

Shqipëria Jote s’i kish parë

Mbyllur as në gjumë syt e Tu,

Qielli i ballit Tënd me yj të larë

Ndriti dhe nga retë nuk u zu…

Falmë, Enver, që po përmend në vjershë

Fjalën vdekje mbushur gjëmë e zi,

Fjalën vdekje Ti në varg s’e deshe,

Deshe jetën në çdo poezi.

2.

Malet heshtin, malet ulin kryet,

Roje rrinë në arkivolin Tënd,

Janë vrejtur pishat nëpër pyjet,

Po rënkon çdo plis e gur e shkëmb.

Eh, shiriti i zi, një ton me hekur

Më rëndon në krahun tim, Enver,

Shqipëria s’të sheh dot të vdekur,

Ndaj lumejtë e pikëllimit derdh…

Falmë, Enver, nga dhimbja s’jam i qetë,

Falmë Enver që kaq i dobët jam!

Paska çaste kur njeriu I shkretë

Veten se pushton e dot s’e mban!

3.

Falmë, Enver, kam bërë dhe gabime,

Nëpër fluturime si nëj zog,

Ndofta të kam sjellë dhe shqetësime

Ndofta të kam thinjur ndonjë flok!…

Ti na rrite dhe na bëre burra,

Rrite çdo të ri dhe çdo plak,

Ecëm nëpër male, shkrepa, gurra,

Ndezëm komunizmin prag më prag.

Ne me ty, me dorë i kapëm yjet

Dhe i vumë përmbi Shqipëri;

Ne me ty s’I ulëm kurrë kryet

Nëpër gjysmëshekullin e  ri.

Falmë, Enver, që kryet i kam ulur

Dhe ec rrugës dhe nuk vij në mënd;

Neve, që furtunash jemi turrur,

Çdo qelizë e trupit sot na dhëmb!

4.

Vallë a do mësohemi njëherë

Pa të patur pranë dhe mes nesh,

Bora nëpër male kur të bjerë,

Dielli kur të dalë midis nesh,

Plisat kur të ngrihen në luginat,

Fushat kur të vishen me flori,

Kur të nisë Komani turbinate,

Kur të mbushet plot liqeni i ri,

Kur të zgjohet herët Gjirokastra

Dhe të hapen portat në sokak,

Kur shamitë e nuseve buzarta

Flokëve të çelin si zëmbak,

Kur të mblidhen shesheve fëmijët

Tok si luleshqerrat në livadh,

Kur si zjarr të ndizen karafilët

Dhe në gjoks të derdhet malli i madh,

Kur Një majet duart të trokasin

Mbushur plot me lule dhe me gaz,

Kur pëllumbat kopshtit të gugasin

Dhe të rrahin krahët në pullaz,

Kur Tirana mes përmes të dritave

Të lundrojë natën si në det,

Kur shtëpitë e ëndrrës së petritave

Të na duket sikur dikë pret,

Kur të vijnë Kongreset e Partisë

Me hap komunizmi ngadhnjimtar

Dhe të ndritë balli i Shqipërisë

Me flamurin Tënd të ngritur lart…

5.

Falmë, Enver, që frymë dot s’të dhashë

Nga kjo frymë e gjallë e gjoksit tim!

Zemrën time do ta nxirrja jashtë

Të ta jepja Ty me ngazëllim!

Ç’them dhe unë e ç’vargje hedh ën letër!

Fjalët më përzihen, sigurisht!

Vallë a mos jam bërë njeri tjetër

Dhe harroj që jam një komunist?

Jo, Enveri s’vdiq e s’është i vdekur,

Është i gjallë e ndër të gjallë rron,

Ngrihet sipër malesh kreshtëhekurt

Dhe armatën komuniste çon.

Si profet ngre kokën madhështore

Dhe rrudh ballin mbushur me mendim,

Dhe na thotë njihni veç fitore,

Pastë nder e dritë vendi im!

Dhe na thotë: ruajeni Partinë,

Që e lidhëm më dyzetenjë,

Jam mes jush, mes brezave që vijnë,

Jam me mendje, frymë dhe me zë!

6.

Falmë, Enver, që jam trishtuar shumë,

Ndofta kam përlotur ndonjë varg,

Jam njeri me mish e gjak dhe unë,

Ndonëse shoh si komunistët larg.

Unë e di se zemra Jote e madhe

Di të falë, e mua ti më fal

Si poet u preka kësaj radhe

Dhe në gjoks një lëmsh me lot m’u ndal.

Jam krenar që rrojta me Ty bashkë

Dhe jam bashkëkohas tok me TY,

Nëpër popull shpirtin tënd e pashë,

Pashë pranë të pavdekshmit sy!

Jam krenar që gjendem në armatën,

Që e ke ngritur Ti si arkitekt,

Kjo armatë mprehur e mban shpatën,

Se ia mprehe Ti mbi dyzet vjet…

Ndoc Papleka

Cingërimë në prill

Cingërimë e tmerrshme këtë mëngjes me diell

në të hyrë të prillit

Një lajm i befasishëm, i pabesueshëm

që zemra s’don ta pranojë.

“Shoku Enver  ka vdekur”. Jeta për një çast sikur u mpi

I zuri ngërçi zemrat, duart, buzët, fjalët…

Në çdo pemë të lulëzuar u ul një korb. Në çdo lule

u lidh një fjongo e zezë.

Dhe qielli ishte me re si një bebëz

e trubulluar nga lotët.

“Shoku Enver  ka vdekur”. Lot. Ngashërima. Ngulçe. Kuje

që gufojnë nga thellësia e qenies.

Por as mendja as zemra nuk duan ta besojnë. Nuk

mund ta besojnë. Nuk i zënë besë.

Mendja dhe zemra e dinë se ky kob

që sillet si një korb jashtë vetëdijes sonë

Pa gjetur një dru të thatë ku të ulet, nuk është i vërtetë…

Shokun Enver e ka zënë një gjumë i rëndë:

vetëm kaq.

***

U drithëruan gurët e kalldrëmeve të Gjirokastrës:

nuk e besuan.

U drithëruan pishat në malet e Çermenikës

nuk e besuan.

U drithëruan shtatoret e të rënëve:

nuk e besuan.

U drithëruan ullinjtë dhe portokallet e Lukovës:

nuk e besuan.

U drithëruan digat e Drinit, themelet e furrnaltave:

nuk e besuan.

U drithëruan llambat e ndezura në Bjeshkët e Nemuna:

nuk e besuan.

U drithërua flamuri në gjysmë shtize: nuk e besoi.

U drithëruan zemrat tona që e deshën: nuk e besuan.

U mbushën sytë tanë me lot: nuk e besuan…

Enveri është pjesë e qenies sonë. Si mund të vdesë Enveri?!

***

E pashë. Ishte shtrirë. Me sy të mbyllur.

I rrethuar me trëndafila.

Ishte hera e parë që kalonim pranë tij

Dhe ai s’na buzëqeshte,

s’na tundte dorën.

Ishte hera e parë që kalonim pranë tij

me ballë të rënduar,

me gojë të kyçur,

duke kafshuar dënesat midis dhëmbëve,

Sepse ai na deshi burrërorë e të fortë si lisat në stuhi…

Ishte e madhe dhimbja ato ditë: s’e nxinte zemra.

S’e nxinin shtëpitë. S’e nxinin fushat e malet.

Ishte e madhe sa bota dhimbja për Enverin.

Dhe ishte e natyrshme ajo zi popullore nëpër rrugë.

Ishte e natyrshme ajo borë e papritur

që zhuriti gjethet e reja e rrëzoi lulet.

Ishte i natyrshëm ai shi që binte mbi supet e kërrusura të maleve e të njerëzve,

Që përcillnin për në varr Enver Hoxhën.

Ishin të natyrshëm e fisnikë ata lot…

***

Po shkon Enveri të çlodhet në tokën e dashur

Si biri i kapitur nga udha që mbështet kokën

në prehër të nënës.

Po shkon Enveri të flejë pranë shokëve:

Të zgjohet çdo ditë në sytë tanë

që shohin me besim të nesërmen.

Të zgjohet çdo pranverë fytyra e tij te blerimi.

Të zgjohet e qeshura e tij te lulet. Të na vështrojë

përmes pemëve të çelura

Si nga ajo fotografia ku ka dal midis oleandrave.

****

Po të sjell lule, shoku Enver!

Krahu më mpihet prej tyre si të ishin prej plumbi.

Do të doja që gjaku im të rridhte nga krahu në to,

Që të mbeteshin përherë të freskëta.

***

Një varr. Mbi pllakën e mermertë: Enver Hoxha.

Nuk është e vërtetë: nuk ka asnjë varr

që ta mbajë Enver Hoxhën.

Nuk ka varr për mendimet  dhe idealet e tij:

Enver Hoxha ecën nëpër rrugët e rruzullit

si udhërrëfyes i viteve.

Enver Hoxha thërret: Rroftë komunizmi! Me zërin

e një komunisti që pushkatohet në Kili.

Enver Hoxha flet për kundërrevolucionin me punëtorët

e kantiereve të Gdanskut.

Enver Hoxha shtrëngon dorën me rritësit e ullinjve

në luginat e Greqisë.

Enver Hoxha prin në demonstratë me komunistët danezë.

Enver Hoxha bën planin e një revolucioni të ri

me proletarët e botës…

***

“Shoku Enver u nda nga ne…” këto fjalë

sillen si zogj të hutuar diku jashtë vetëdijes.

Enveri është me ne përgjithmonë, më pranë nesh se kurrë.

Në një kujtim të paharrueshëm. Në një mendim të bukur

e të guximshëm. Në një qëndrim burrëror.

Në vegimin e së ardhmes.

Ai është pranë punëtorëve, bujqve, studentëve,

grave dhe vajzave, ballëhapura.

Ai është në ara duke përkëdhelur bisqet e grurit të ri.

Ai është në uzina ku rrjedh metali i shkrirë.

Ai është në këngë…

Ai hyn në vatrat tona me atë buzagaz të ëmbël,

Me atë shikim plot rreze.

Ai hyn në zemrat tona, siç hyn dielli

Në hapësirat e ditëve.

– Ai nuk ka vdekur! – thonë gjethet e prillit,

që s’mund ti thajë asnjë cingërimë.

– Ai nuk ka vdekur! – thonë zogjtë

që ligjërojnë lis më lis.

– Ai nuk ka vdekur! – thonë hapat e rrugëve,

tymrat që ngjiten përpjetë.

– Ai është gjallë! – thonë shokët që u betuan

para trupit të tij.

– Ai është gjallë! – thonë këta fëmijë

që shkruajnë me zaje: “Pionerët e Enverit”.

– Ai është gjallë! – thotë dielli në qiell,

gjaku në damarë…

– Ai është gjallë – po aq i gjallë sa e nesërmja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here