-Pesë vjet mësues në Skrapar, mbresa e kujtime –

Zeqir M. Fekollari

Ishte viti 1959, muaji prill, kur ishim maturantë në shkollën pedagogjike Gjirokastër. U shtrua problemi:mbas mbarimit të shkollës ku do punojmë? Atje ku ka nevojë atdheu- qe përgjigja e njëzëshme e jona!Muajt kaluan, viti shkollor mbaroi,tok me të,më pas,edhe pushimet  verore. Erdhi shtatori dhe pritej emërimi  në punë. Na u tha se të maturuarit përmetarë janë emëruar në Skrapar. Për mua që isha pranë Skraparit shpirtërisht e gjeografikisht qe një variant i mirëpritur dhe i kënaqshëm. Jam nga Bënja e Dëshnicës dhe ujërat e Qarrishtës  rrjedhin edhe nga Përmeti edhe nga Skrapari. Kam lidhje miqësore me disa familje në disa fshatra të atij rrethi. U afishuan edhe listat e emërimeve dhe pesë përmetarë do të fillojnë të ushtrojnë profesionin e mësuesit në vendin e trimave. Ishim: Vetëtim Bejko,Thoma Zhamo, Selami Këlliçi, Viktor Meshini dhe unë.

Në Malind

Më 19 gusht 1959 së bashku me babain tim Meleqin, shkoj  të paraqitem në shkollën e Malindit ku isha caktuar. Porsa mbërritëm, takuam shokët e Këshillit Popullor. Na u bë një pritje tepër e ngrohtë, shoqërore e miqësore. Aq sa mundet në takimin e parë biseduam për hallet e problemet e shkollës. Sipas traditës së vendit dhe kohës, u caktuam në bazë për të kaluar natën. Shprehja ‘u caktuam në bazë’ për lexuesin e sotëm duhet të plotkuptohet: mësuesi do të shpenzonte kohën jashtë mësimit po në shkollë, kurse për të fjetur, do të kalonte nëpër shtëpitë e fshatarëve sipas një radhe që e miratonte këshilli popullor, dhe fshatarët, të themi plotësisht të vërtetën,pavarësisht nga gjendja e tyre ekonomike dhe e strehimit, e kishin për nder që të kishin mësuesin në shtëpi të tyre. Kjo bazë ishte shtëpia e Elmazit dhe Asllanit, dy vëllezër. Sa nisi  muhabeti, ndonëse ishte hera e parë që takoheshim, e ndjemë veten sikur të ishim në shtëpinë tonë. Të rrethuar nga mikpritja proverbiale (siç do ta përjetonim pandërprerje edhe në vitet pasues) skraparase, nga respekti dhe dashuria njerëzore. Atë natë mendoja me veten time se sa  me fat paskam qenë e sa i lumtur do të isha  që do të punoja  me këta njerëz, që kanë një shpirt e zemër të hapur, me fëmijët e tyre,..Kaluan vetëm tre ditë dhe  një njoftim në formë urdhëri , disi i papritur:” Transferohesh në shkollën e Zabërzanit. Shko merr takim me  shokët e pushtetit dhe fillo menjëherë punën ! Shefi i arsim-kulturës të rrethit Skrapar, Abdulla Badronja.” Nuk e fsheh: më erdhi shumë keq! Pse kështu do më hedhin e presin mua? Kështu po e nis punën e mësuesit?Por detyra shtrohej për zbatim e jo për diskutim.

Në Zabërzan e Therepel

Shkova në Zabërzan, një fshat me dy lagje të paksa të mëdha, ku shkolla ishte pak e shkëputur nga shtëpitë. Fillimisht m’u prish qejfi nga ai urdhër, por pasionin për punë e kisha sepse e dashuroja profesionin. Kujtoj që ishin 49 nxënës me katër klasë kolektive. Iu përvesha punës me gjithë shpirt, me ndërgjegje e pa u kursyer. Një vit u mbush në këtë fshat, dy vjet në vijim më caktuan në Therepel dhe dy vitet e tjera në seksionin e arsimit-kulturës së rrethit Skrapar. Pesë vjet punë mësuesie, pesë vjet gëzim e kënaqësi,pesë vjetët më të bukur të jetës sime si arsimtar. Ruaj respekt të jashtëzakonshëm për të gjithë ata shokë e miq me të cilët punova dhe u mirëkuptuam për detyrat që na u caktuan të kryenim edhe kur kërkesa e llogarisë ishte shumë e lartë( dhe kjo ish një domosdoshmëri për punë cilësore mësimore dhe edukative) dhe punohej kurdoherë me rigorozitet. Mbresat e mia për Skraparin dhe skraparlinjtë janë të shumta, oh sa të shumta!Janë të  pashlyera dhe po përpiqem të rendis disa prej tyre.

Skraparlinjtë burrërorë dhe  të etur për dije

Skrapari me atë terren të thyer e malor, me dimër të ashpër e verë të thatë, që kur merrje maloren e Pirogoshit apo do të ngjiteshe për në qafën e Gjergjovës, edhe pse të thahej buza për një pikë ujë, prapëseprapë ai vend ishte dhe mbeti shumë i dashur  për mua. Jo vetëm pse nis udhën e jetës  në këtë rreth apo siç e thashë më lart se kam edhe disa lidhje familjare e  miqësore në këtë krahinë,por mbi të gjitha për burrërinë  e banorëve të kësaj treve të lashtë,për pastërtinë e shpirtrave,për ndershmërinë, për etjen që ata kanë për dije, për shkollën e kulturën, për vendosmërinë e tyre në arritjen e qëllimeve të larta e të mira.

Kur përmend etjen për dije, kam parasysh mjaft djem e vajza që i kam patur nxënës në shkollën shtatë vjeçare  të Therepelit.E para klasë  e shtatë në atë fshat ishte ajo e vitit 1962. Ishin vetëm shtatë nxënës në klasë dhe thuajse të gjithë, duke punuar me vullnet e dashuri për të arritur maja në shërbim të atdheut, u bënë kuadro të lartë siç do të kujtoj tani Agimarta Spahiu-doktoreshë, Mustafa Dervishi-agronom, Baki Bakiu- profesor filozofie,Përparim Celibashi, mësues dhe oficer e pedagog, etj.Shembull i vullnetit e i këmbënguljes për dije e arsim, mbetet ish-nxënësi i shkollës së natës, Kujtim Zaimi, që duke ruajtur dhitë e lagjes,i mbrojtur  prej shiut e dëborës nga një çadër e vjetër, bënte  aq mirë mësimet.E më pas mbaroi shkëlqyer shkollën e mesme e atë të  lartë. Ndjehem krenar që në zonat ku isha caktuar të punoja si inspektor arismi, pati shtrirje të gjerë në ndërtimin e shkollave 7-vjeçare.Kjo flet pë dëshirën e pasionin e njerëzve të atyre viteve për kulturë, arsim e dije. U ndërtuan shkolla të reja në Malind, Therepel, Staraveckë, Backë, Potom, Leshnje, Vlushë. Zgjerime u bënë në shkollën e Çepanit e gjetkë.Merita është e vet banorëve të atyre fshatrave që punonin me këmbëngulje duke e vlerësuar shkollën si institucionin më të fuqishëm të dijes, të edukimit e të kulturës.

***

Skraparin e kujtoj si vendin ku jetohet e punohet me një shoqëri të sinqertë, pa hile, me humor e shaka, por me  virtyte e cilësi të rralla që manifestoheshin në kolektivat arsimore. Mësuesi veteran Hysen Hito nga Blezëncka, me ato njohuri që kish punonte me një pasion të paimagjinuar me të rinjtë që këta të bënin  sa më mirë planet dhe ditarët.Kujtoj me respekt të veçantë mësuesin Nexhip Dashi nga Zabërzani, si  një model për shoqërinë me kolegët, me fshatarët, prindët e nxënësve dhe me vetë nxënësit.Drejtori i shkollës së Çepanit korçari Ylli Qesku ishte gjithnjë buzagaz e i mirësjellshëm me të gjithë.E ku mund të gjesh një shoqëri të pastër e të sinqertë  ashtu si ajo  që na lidhi ne në një ndërtesë të vogël pranë muzeut të qytetit të Çorovodës, ku kalonin kohën pas mësimit e punës dhe aty edhe gatuanim, hanim, flinim së toku pa asnjë shqetësim, por vetëm me dashuri e respekt për njeri- tjetrin, plotësisht si vëllezër. Madje vishnim edhe teshat e sho-shoqit në rastet e veçanta.Ishim: Novrus Naska, Demir Hysenbelliu, Asqeri Jaubelli, Ilia Trebicka, Bardhyl Ylli, Ajli Alushani…

Një fragment i veçantë nga jeta shoqërore, nga dashuria për shokun që shkon deri në flijim, e vlen të kujtohet. Ishte prill 1964. Ndodhemi me detyrë në shkollën e Grevës në Tomorricë. Na njoftojnë se duhet të paraqitemi sa më parë në seksionin e arsimit në Çorovodë, na kërkon shefi Syrja Laze. Ishte Ilia Trebicka (mësues korçar, por që ishte ‘skraparizuar’) dhe unë. Nisemi për të dalë shkurt në fshatin Kuç. Si të rinj, shkojmë rrugë pa rrugë dhe zbresin drejt rrëpirave piktorike të Barçit.Duke ecur ndeshim në një pjesë shkëmbore si stenë e lartë që i kalonte mbi 2-3 metra e aty mund të rrezikoheshe se nuk kish ku  e me se të mbaheshe.Në këtë moment  Ilia tha:”Dale Zeqir, të hidhem unë i pari,se edhe po u vrava nuk ka kush më qan, ndërsa ti ke familje”(Ilia ishte jetim i rritur në shtëpinë e fëmijës)…

***

Gjatë dy vjetëve që punova në seksionin e arsimit të rrethit u njoha nga afër me traditat e skraparliut, që ndonëse ishte i varfër, ishte shumë mikpritës, i dashur e i respektuar për miqtë.Më pati rënë rasti pothuaj në çdo zonë, që të merrja pjesë në dasma e gostira, të ulesha këmbëkryq në oda e në kuvende.Vendi  nderit i rezervohej gjithnjë mësuesit.Pas plakut me “një pëllëmbë “ mustaqe,në dhomën e mbushur plot e përplot  me miq e dashamirës, do të ulej, drejtori i shkollës, e aty ku ishte shkollë fillore, mësuesi.Aty e kam parë veten “keq” sepse do t’iu bëje ballë edhe zakoneve të vendit, të respektoje trapezën apo sofrën,duke pirë dollinë që rregjistrohej prapa paketës(atëkohë i thuhej ‘paqetë’)”Partizani” dhe t’ia merrje këngës sipas kërkesës-urdhër që bënte i pari i muhabetit.Me ‘hallin’e parë, pra pirjen e gotave të rakisë së dollisë, bëra ca përpjekje dhe diçka arrita,por me të dytin,të kënduarit ,me gjithë dëshirën e mirë që kisha , ‘ngela në klasë’.Ndihesha shumë inferior kundrejt zërit të ëmbël e melodioz të skraparliut që dinte të këndonte thuajse çdo këngë popullore si bilbil e të hidhte vallen sipas traditës që të mbeteshe me duar në ije, i mahnitur.Kujtoj artistin e madh e të papërsëritshëm Demir Zyko, grupin e valleve të Strorës etj.

Më kanë lënë mbresa dinamizmi dhe gjallëria e të rinjve, por edhe mbështetja e të moshuarëve për t’u marrë me veprimtari kulturore. Nuk dua të flas për grupet folklorike, që Skrapari i ka patur, e me sa di, i ka akoma traditë, sepse atyre u këndon shpirti. Ata shquhen si për këngë trimërie,luftarake,heroike,dashurie, humoristike, …por dua të nënvizoj punën  për grupet artistike komplekse duke ngjitur në skenë edhe femrat. Shembull  në këtë drejtim ishin  kuadrot duke aktivizuar në këto përpjekje emancipuese  motrat e gratë e tyre së bashku me mësuesit e pasionuar. I jam mirënjohës Skraparit dhe skraparlinjve sepse më dhanë kulturën e punës, më mbrujtën me dashurinë e tyre,më mëkuan me shpirtin bujar, më rritën pasionin për profesionin shumë të nderuar të mësuesit. Unë u fala atyre pjesë nga vitet e mia më ta arta të moshës rinore, u fala dashuri e respekt, s’kurseva mund e djersë për ato vite që punuam bashkë. Punuam aq sa dinim dhe ashtu siç dinim, por me tërë fuqinë e mendjes e të zemrës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here