Nga rrëfimet e gazetarit të shquar amerikan Peter Lucas lidhur me rolin e amerikanëve dhe anglezëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, dje publikuam takimin e fundit të oficerit amerikan Nik Kukiç me Hoxhën para largimit të misionit nga Shqipëria.

Sot po botojmë historinë e kreut të misionit amerikan në Shqipëri, Tom Stefani, i cili “rrëmbeu” një nga vajzat e Vrionasve:

“….Tom Stefani mbërriti i shoqëruar nga dy gra. Ato ishin motrat Vrioni, Luluja dhe Liliana. Të dyja ishin tërheqëse dhe të veshura mjaft bukur. Stefani ishte parë shpesh me Lulunë, më të bukurën midis tyre.

Kukiçi e kishte takuar Lulunë me Stefanin nëpër mbrëmjet festive. Ajo fliste mirë anglisht dhe ishte mjaft inteligjente. Familja e tyre bënte pjesë në elitën e Tiranës, të cilën Hoxha e urrente. Kjo elitë përbëhej nga pronarë tokash, intelektualë dhe tregtarë, pronat e të cilëve ai i konfiskoi. Ata ishin anëtarë ose mbështetës të Ballit që ishin futur në rreth të kuq për hetime, arrestime, pyetje, gjykime, burgime dhe ekzekutime.

I shoqi i Lilianës, një anëtar i Ballit, sapo ishte arrestuar dhe ishte në burg në pritje të gjyqit. Ajo nuk e dinte se në cilin burg ishte. Xhaxhai i tyre, Qemal Vrioni, mezi i shpëtoi ekzekutimit. I gjykuar nga gjykata speciale si një kriminel lufte, Qemali u gjend fajtor dhe u dënua me vdekje. Megjithatë, dënimi i tij u zbut në burgim të përjetshëm me punë të detyruar. Të 17 të bashkëpandehurit e tij u gjendën fajtorë dhe u ekzekutuan në të njëjtën ditë, më 15 prill, duke përfshirë Kol Tromarën dhe Bahri Omarin, kunatin e Hoxhës.

Martesa me Stefanin

Stefani i tha Kukiçit se ai sapo ishte martuar pa bujë me Lulunë. Ai hezitonte për dasmën. Luluja ishte e lumtur, por nervoze. Liliana ishte vetëm nervoze. Kukiçi nxori nga brezi nëntë monedha angleze prej floriri që i kishte me vete dhe ua dha atyre si dhuratë për martesën. Stefani ia dha florinjtë Lulusë.

Pastaj ai foli për planet që kishte për ta nxjerrë Lulunë jashtë Shqipërisë. Nuk bëhej fjalë për ikjen e Lilianës; ajo ishte e vendosur të qëndronte aty dhe të ndihmonte të shoqin, nëse do të gjente dot se ku mbahej i burgosur. Stefanit i mbetej fare pak kohë për të gjetur një mënyrë jashtë rregullave për ta nxjerrë Lulunë jashtë shtetit, përderisa amerikanët brenda pak ditëve do të iknin për në Romë.

Ndoshta Hoxha, po të merrte vesh martesën, nuk do ta linte kurrsesi Lulunë të ikte. Së pari ata menduan ta fusnin kontrabandë me një grup refugjatësh hebrenj të cilët po i ndihmonin për t’i nisur për në Romë, por Stefani e kundërshtoi prerë atë ide. Ai vuri veton. “Unë do ta nxjerr vetë”, tha Stefani.

Dhe ai vërtet do ta nxirrte vetë. Me anë të kufirit ishte e pamundur. Hoxha e kishte mbyllur vendin. Stefani e dinte që Balli nxirrte ilegalisht njerëz jashtë shtetit nga deti nëpërmjet rrjetit të tij që ende funksiononte. Ai sigurisht që kishte miq ballistë. “Unë nuk e di nëse Tomi u martua me të nga dashuria apo për ta nxjerrë atë jashtë vendit. Ndoshta për të dyja”, thotë Kukiçi.

“Tomi nuk i tha lamtumirë Hoxhës. Ata nuk shkonin më me njëri-tjetrin. Tomi filloi të pinte së tepërmi në Tiranë dhe ai shkonte në të gjitha llojet e mbrëmjeve që organizoheshin nga ballistët. Vetëm ballistët ishin në gjendje të organizonin partí të tilla. Partizanët ishin trokë. Hoxha nuk i pëlqente këto lloj partish.

Unë i thashë Tomit dhe O’Kifit se do të ishte më mirë të qëndronim larg tyre. O’Kifi dhe unë e bëmë, por Tomi vazhdoi të shkonte në to dhe atje takoi Lulunë. Dhe Luluja, sigurisht, ishte në anën tjetër. Unë nuk e di se si do të jetë bërë Hoxha kur ka marrë vesh martesën e tij me Lulunë. Hoxha kurrsesi nuk mund ta pëlqente atë”.

Plani i arratisjes

Plani i Stefanit për të dalë nga Shqipëria bashkë me Lulunë ishte më i thjeshti që mund të imagjinohet. Ditën e fundit të detyrës në Tiranë ai i paketoi pajimet e tij në një Jeep dhe e ngau makinën nga shtëpia e Lulusë dhe e rrëmbeu atë. Mandej, tok me Kukiçin, O’Kifin dhe disa pjesëtarë të tjerë të Grupit të OSS-it në Tiranë në një Jeep tjetër, shkuan drejt aeroportit.

Megjithëse Hoxha e kishte forcuar sigurinë në aeroport dhe përqark Tiranës, fluturimet e përditshme ushtarake të Dakota C-47 nga Roma në Tiranë ishin bërë aq rutinë saqë rojet e aeroportit vetëm sa i përshëndesnin me dorë amerikanët që zbrisnin apo hipnin në aeroplan. Shpesh amerikanët u jepnin atyre ndonjë shishe me uiski skocez, apo paketa me cigare.

Stefani ishte familjarizuar aq shumë saqë ata i kushtuan shumë pak vëmendje kur ai hipi në aeroplan bashkë me të tjerët, përfshi edhe Lulunë. Tri orë më vonë Tomi dhe Lulu Stefani kishin hapur një shishe shampanjë dhe trokëllinin gotat në Hotel Excelsior në Romë.

Stefani në kujtimet e Enver Hoxhës

Pjesëtarët anglezë të SOE-s në luftën shqiptare që kanë shkruar libra mbi përvojën e tyre – njerëz si Smajli, Emeri dhe Kempi – nuk e përmendin Stefanin. Shkrimtari anglez Xhon Hallidei, në librin e tij për Hoxhën dhe luftën, e poshtëron Stefanin. Në një shënim në fund të një faqeje në librin e tij, i ndikuar dukshëm nga komentet fyese të Hoxhës, shkruan:

“Misioni i parë i OSS-it nuk mundi të mbërrinte në shtabin e Hoxhës para majit 1944. Ai kryesohej nga një figurë e parëndësishme, Tom Stefani, të cilin Hoxha e trajtonte me njëfarë përçmimi”. Hoxha, në kujtimet e tij të shkruara dekada më vonë, e largon nga vëmendja Stefanin.

Rexhinald Hiberti, i cili ka shërbyer për SOE-n dhe shkruan për të, është i vetmi anglez që thotë diçka pozitive për Stefanin. Hiberti i cili u takua më Stefanin në Shqipërinë jugore në pranverë të 1944-ës, komenton mbi njohjen që kishte Stefani për Shqipërinë:

“Ne takuam gjithashtu Kapiten Tom Stefanin, oficer i ndërlidhjes së SHBA me partizanët. Ai ishte nga prejardhja shqiptar dhe dukej se e kishte plotësisht në duar situatën në Shqipëri”.

Ndryshe nga homologët e tyre anglezë, amerikanët në Shqipëri nuk ishin njerëz të letrave. Ata nuk shkruan libra apo artikuj për kohën që kaluan në Shqipëri. Historia e OSS-it amerikan në Shqipëri nuk është rrëfyer kurrë. Shqipëria mbeti një histori angleze e treguar nga shkrimtarë anglezë. Më 1995 Xhejms Hudsoni botoi vetë kujtimet e tij për Shqipërinë në “Përtej OSS-it”.

Lulu Vrioni nuk merr pjesë në varrimin e Tom Stefanit

Tom Stefani vdiq ne rrugët e Los Anxhelesit më 6 shtator 1959. Ishte vetëm. Nuk kishte shtëpi. Ishte 42 vjeç. Gazeta Laconia Evening Citizen botoi nekrologjinë e Stefanit një javë pasi kishte vdekur.

“Ai u shemb në rrugë, ndërsa me të mbërritur në spitalin e Los Anxhelesit u mor vesh se kishte vdekur”, thuhej në nekrologji. Ai nuk kishte asnjë adresë me vete. Kur unë kontaktova me zyrtarët e policisë së Los Anxhelesit për shkakun e vdekjes së tij, policia tha se dokumentet për vdekje të tilla, kur nuk janë shkaktuar nga ndonjë veprim keqdashës, zhduken pas dhjetë vjetësh.

Laconia Evening Citizen përmendte tri motrat e Stefanit, por nuk përmendte Lulu Vrionin.  Ata ishin ndarë dhe nuk kishin lënë pas fëmijë. Tom Stefani u varros më 14 shtator 1959 në Union Cemetery në Lakoni. Varreza është vendosur jo shumë larg nga qendra e qytetit, pas ndërtesës së gjykatës, por njëherësh edhe jo shumë larg nga shtëpia ku Stefani kishte jetuar dikur.

Një burizan nga Korpusi vendor i Ushtrisë së Shpëtimit i kishte rënë burisë. Në varrim morën pjesë motrat e tij si dhe pak miq nga New Hapmshire dhe Massachusetts. Lulu Vrioni nuk mori pjesë. As ndonjë nga shokët e dikurshëm të Stefanit që kishin punuar për OSS-in. Ata nuk e dinin që ai kishte vdekur.

Përktheu Xh.Shehu

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here