Nga: Hasan Bello

Nënshkrimi i paqes mes Perandorisë Osmane dhe shteteve ballkanike krijoi një situatë të nderë për forcat e mbrojtjes. Hasan Riza Pasha refuzoi të nënshkruante armëpushimin me serbo-malazezët. Këta të fundit, pas tërheqjeve taktike ktheheshin për të goditur më furishëm. Artileria nuk kursente as objektet e kultit, as konsullatat. Për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet po i referohemi një ditari anonim, që ruhet në arkiva dhe që do të botohet së shpejti.

Në fund të dhjetorit 1912 autori shkruan se mes komandantit Hasan Riza Pashës dhe zëvendëskomandantit Esat Pashë Toptanit kishte patur dy përplasje, “por i kishin hi ndërmjet asqeria e të mdhajt”. Kjo tregon se mosmarrëveshjet mes tyre lidhur me taktikën e luftës dhe çështje të tjera kishin shpërthyer hapur në sy të ushtarëve dhe drejtuesve kryesorë të shtabit.

Por, një nga shënimet më interesante të këtij ditari është ai datës 26 janar 1913, ku autori shkruan: “Do thonë edhe qi Hasan Rizaja, komandari i Shkodrës, i ka thirrë t’parët e myslimanëve e u ka thanë: ‘Çka doni me ba se unë po dal e po e la’. Ata i kanë thënë qi ‘kur t’vinë koha me dalë, na dona me ju pshtetë Austrisë’. Valiu i paska sha tue ju thanë se, ‘si nuk ju vjen marre me thanë ashtu. Kështenimi i Shkodrës me rrethe thonë me kenë n’vedi e ju doni Austrinë’”.

Kjo konfirmon faktin se Hasan Riza Pasha kishte vendosur që të tërhiqej nga Shkodra bashkë me ushtrinë osmane dhe këtë ia kishte bërë të qartë parisë myslimane, e cila shpëtimin e shihte tek vazhdimi i qëndresës dhe mbështetja austro-hungareze.

Të njëjtën gjë mendonte edhe Esat Pashë Toptani dhe oficerët shqiptarë. Sipas tyre, tërheqja e forcave osmane nga Shkodra do të shoqërohej me masakrimin e popullsisë. Përpjekja për ta bindur Hasan Riza Pashën që të hiqte dorë nga ky plan absurd rezultoi e kotë.

Kjo bëri që të mos i mbetej asnjë alternativë veçse ta vrisnin dhe të vazhdonin qëndresën derisa Fuqitë e Mëdha të vendosin përfundimisht për fatin e Shkodrës.

Në këtë ditarë ngjarja e mësipërme përshkruhet me këto fjalë: “Sonde në nji e gjysë sahatin natë, Hasan Rizaja, komandari i Shkodrës, tue dalë prej Esat Pashë Tiranës bashkë me javerin e vet, kje gjue pushkë e vra. Nuk dihet se kush e ka vra, sado qi rrugët u mbyllën me të shpejt. Do thonë se qenë katër asqerë shqyptarë, do tjerë thonë ndonji mysliman shkodran e do tjerë thonë qi ka ardhë ndonji prej anmikut, ka hi n’sheher dhe e ka vra” (30 janar 1913).

Karikaturë që shpreh luftën shqiptare për mbrojtje nga fqinjët (Mali i Zi i shfaqet si majmun, Greqia si leopard dhe Serbia si gjarpër)

Qëndresa për të mbrojtur qytetin pas vrasjes së Hasan Riza Pashës vazhdoi më me intensitet. Ajo tashmë do të drejtohet nga Esat Pashë Toptani.

Autori përshkruan ardhjen e negociatorëve malazezë për ta bindur Esat Pashën që ta dorëzonte qytetin, por ai do të refuzojë. “Thonë qi ata kanë bisedue me Esat Pashën për me e lëshue Shkodrën, por Esat Pasha nuk i ka ndigjue” (3 shkurt 1913).

Në fakt betejat më të ashpra për mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni serbo-malazez do të zhvillohen në periudhën kur komandonte Esat Pasha. Kjo konfirmohet nga dokumentacioni dhe dëshmitarët okularë. /telegrafi.com/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here