Në vitin 1776, sigurisht nuk ekzistonin mjetet e komunikimit nga larg, Do të duheshin edhe plot 100 vjet që të shpikej telefoni dhe më shumë se gjysëmshekulli që të vinte telegrafi.

Akoma më të vështirë e bënin lajmërimin kushtet e luftës në të cilat ndodheshin kolonitë amerikane, të ngritura në revolt kundër britanikëve të cilët kishin zbarkuar në Long Island formacione shumë më moderne dhe të mëdha se sa vullnetarët e kryengritësit e çorganizuar të amerikanëve që komandonte George Washington.
U desh pra që të vinte data 9 korrik, që Nju Jorku të mësonte se ishte i pavarur. E vendosur në 2 korrik dhe e përfunduar e nënshkruar në 4 korrik, në Filadelfia nga Kongresi Amerikan, Deklarata e Pavarësisë po përhapej me një numër kopjesh të çmuara në 13 kolonitë.
Kopja e parë u nis drejt Nju Jorkut edhe për një arsye të rëndësishme.
Aty ndodhej njeriu që do të bëhej presidenti i parë i Amerikës, George Washington. Shtabi i përgjithshëm i të cilit ishte vendosur fillimisht, në adresën kuptomplotë 1 Broadway, Megjithëse komandonte kryengritjen, edhe ai e mësoi vetëm në datë 9 se amerikanët kishin shpallur pavarësinë. Një akt që e përshëndeti me shumë zjarr.
Qysh herët në mnëgjez u hap fjala se duhej të mblidheshin në Kamëns, kullota e dikurshme që ishte vendi ku bëheshin të gjitha mitingjet politike, jo larg nga Bashkia e sotme e qytetit, në Manhattan.
Një urdhër nga vetë komandanti i përgjithshëm Gjenerali George Washington kërkonte rreshtimin e të gjitha brigadave si për paradë dhe leximin pastaj me një zë voluminoz të të gjithë tekstit të pavarësisë.
Aty para njerëzve të mbledhur gjenerali shpalosi kopjen e tij të Deklaratës së Pavarësisë, që i kishte mbërritur nga Filadelfia.
E njohur si “Kopja e G Uashingtonit”, ajo ruhet edhe sot si një nga reliket më të mëdha të historisë së Amerikës.
Entuziazmi dhe paniku pushtoi njëkohësisht rrugët e qytetit. Një pjesë festonin dhe betoheshin më zë të lartë për të vdekur për atdheun e ri, të tjerë nxitonin të mblidhnin placket për të brakstisur qytetin. Nju Jorku kishte shumë luajalistë që besonin se lidhja me Anglinë ishte e paprekshme. Londra ishte kryeqyteti i botës dhe Britania ishte fuqia më e madhe.
Po zjarri patriotik mbizotëronte. Njerëzit rrethuan statujën e madhe të Mbretit Xhorxh të Anglisë, të cilët luajalistët e qytetit e kishin ngritur vetëm 6 vjet më parë për të dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj kurorës. Për amerikanët statuja ishte një simbol e shtypjes.
Ashtu si shumë më vonë, shqiptarët në Tiranë me statujën e Enver Hoxhës, njerëzit rrethuan Xhorxhin e Tretë që qendronte mbi kalë dhe i hodhën lakun rreth qafës duke e rrëzuar mes brohorimave.
Statuja gjendej në Bowling Green, aty ku shumë shqiptarë mblidhen sot për të ngritur flamurin në 28 Nëntor, apo në parkun ku shumë vizitorë e dinë mirë ngaqë shkojnë për të marrë anijen që i çon te Statuja e Lirisë
Kjo punë e statujës ka edhe një vazhdim shumë interesant. Me ushtrinë britanike që afrohej për të kapërcyer nga Brooklyn në Manhattan, amerikanët me mungesa të mëdha në armatime e municione, patën një ide gjeniale.
Pjesë të statujës së Mbretit Xhorxh u shkri për të bërë plumba.
Më shumë se një tonelatë plumb i larë në ar u dërgua në Liçfild, Kënektikat, ku u shkri dhe u kthye në 42,088 fishekë për musketat amerikane.
Ishte një ironi e madh historike pa dyshim që shumë prej plumbave me të cilën u goditën trupat angleze më pas kishin qenë dikur pjesë e statujës së mbretit të tyre.
“Tani e kanë mbretin e shkrirë brenda vetes”, u tall sipas anektodës një ushtar amerikan.
Përpara se amerikanët të bëheshin esëll për të kuptuar më mirë sfidat dhe rreziqet e mëdha që vinin bashkë me këtë deklaratë pavarësie, festuesit vërshuan drejt tavernave të qytetit për të pirë deri sa të rrëzoheshin për tokë.
Ndërsa gëzonin e festonin në Gjirin e Hudsonit kishte mbërritur flota më e madhe që kishin parë ndonjëherë. Anglia nuk ishte mundur kurrë jashtë Europe dhe nuk kishte ndrmend të fillonte aty. Shumë shpejt madje do ta merrnin Nju Jorkun nën zotërim. Po fleta e historisë ishte kthyer njëherë e përgjithmonë. Demokracia më e madhe e botës sapo kishte hedhur hapin e saj të parë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here