Si filloi të krijohej në Prishtinë dhe Mitrovicë ajo që quhej “qytetari socialiste”? Si quhej rok-grupi i parë shqiptar në Jugosllavi? Si e përjetoi Prishtinën britanikja Mary Motes në vitin 1963? Disa detaje nga libri “Prej rrënojave të vjetra do të ndërtojmë botën e re” të historianes gjermane Isabel Ströhle.

Hendeku mes fshatit dhe qytetit në Kosovën socialiste mbeti i thellë përkundër premtimeve të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë për zhvillim të barabartë.

Mirëqenie gëzonte vetëm një shtresë e hollë e elitës komuniste, ndërsa në zonat rurale nuk investohej fare ose shumë pak. Megjithatë, në fund të viteve ’50 nisën të përhapen format moderne të kalimit të kohës së lirë.

Në modë, muzikë dhe kulturë vërehej dukshëm ndikimi perëndimor, shkruan historiania gjermane Isabel Ströhle, e cila së fundi ka botuar si libër punimin e saj të doktoratës mbi praktikat e sundimit dhe lojalitetet në Kosovë (1944-1974). Disertacioni është mbrojtur në Universitetin LudwigMaximilian në München, shkruan dialogplus.

Nga qytetarët socialistë pushteti priste që ata të angazhoheshin politikisht dhe të tregonin interesim për jetën kulturore. Për këtë qëllim u themeluan “Shoqëritë Kulturoro-Artistike”. Prej tyre pritej jo vetëm ta argëtonin, por edhe ta brumosnin popullin me idealet socialiste.

Kjo kulturë e imponuar nga pushteti refuzohej gjithnjë e më shumë në rrethet urbane, të cilat synonin të krijonin një ofertë të veçantë kulturore. Në dokumentacionin e Lidhjes së Komunistëve për vitet 1955/56 “mbi disa dukuri në jetën kulturore dhe arsimore” në Qarkun e Mitrovicës nënvizohet se intelektualët në vend se të përfaqësojnë pikëpamje përparimtare, janë bërë bartës të stilit mikroborgjez perëndimor të jetës.

Një komisar për ideologji kritikonte «elementet mikroborgjeze» dhe muzikantët që pa asnjë kontroll të Këshillit Arsimor në lokalet e Mitrovicës zgjidhnin vetë muzikën dhe këndonin këngë “pa asnjë lidhje me jetën e sotme shoqërore”.

“Në kuadër të liberalizimit të politikës kulturore edhe kritika kundër ndikimeve perëndimore ndaj muzikës argëtuese mori fund. Kur britanikja Mary Motes udhëtoi në Prishtinë në vitin 1963, këngët Beale Street Blues, Let’s Twist Agian, Hit the Road, Jack dhe St. Louis Blues ishin pjesë përbërëse e repertorit të grupeve që bënin muzikë në hotele. Krahas xhazit, bluzit dhe muzikës pop, rininë kosovare filloi ta entuziazmojë edhe muzika e rokut.

Rok-grupi i parë shqiptar në Jugosllavi <modestët> nga viti 1964 këndonte versione këngësh të grupeve të famshme ndërkombëtare si The Beatles, The Rolling Stone dhe The Moody Blues”,- shkruan Ströhle në librin e saj mjaft të vlefshëm për historinë bashkëkohore të Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here