6.1 C
Pristina
Friday, September 24, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Të sigurt në luftë, me një hajmali nga kockat e Skënderbeut! Bestytnitë...

Të sigurt në luftë, me një hajmali nga kockat e Skënderbeut! Bestytnitë osmane lidhur me heroin tonë kombëtar

Nga: Paolo Giovio (1483-1552) – mjek, historian, biograf dhe prelat i njohur italian
Përgatiti: Ilia Karanxha

Asnjë princ ose perandor i krishterë nuk i përdori dot armët kundër turqve më me rrëmbim dhe mbarësi se Gjergj Kastrioti. Asnjë nuk doli dot fitues në luftë më dendur se ai.

Ai u quajt Skënderbej nga barbarët.

Dhe, me të vërtetë, Gjoni, i ati, mbret i Epirit dhe i asaj pjese të Maqedonisë që shikon nga deti Adriatik, pasi nuk u bëri dot ballë armëve të turqve, bëri paqe me Muratin me kusht që t’i jepte të bijtë peng: ndër këta Gjergji dallohej shumë si nga gjallëria ashtu edhe nga paraqitja trupore.

Pra, u edukua në pallatin mbretëror, dhe mësoi me kujdes jo vetëm gjuhën dhe zakonet e turqve, sipas fesë muhamedane, por edhe përdorimin e çdo farë arme t’atij populli, aq mirë sa, kur ishte akoma djalosh, u emërua sanxhakbej, shkallë kjo që do të thotë flamurtar i krahut kryesor të kalorësisë.

Murati e donte më shumë se të gjithë, sepse kishte pamje princi dhe shenja të dukshme që do të bëhej një ditë luftëtar shumë i madh.

Dhe, me të vërtetë, dita me ditë e kishte zakon të bënte stërvitje ushtarake me vërsnikët e tij në kopshtet mbretërorë – një kënaqësi e madhe për sulltanin – edhe n’ato stërvitje ua kalonte me fuqi dhe shkathtësi trupore të çuditshme edhe atyre që ishin më të mëdhenj nga mosha.

Meqenëse shfaqte, pra, para moshës ushtarake, një fuqi të pamposhtur me shtatin e tij të lartë si edhe një zgjuarsi të habitshme, Murati e dërgoi n’Azi kundër mbretit të Çiliçisë. N’atë luftë, nga trimëria e madhe që tregoi, muar edhe më shumë famë, kur në një përfytje një me një vrau një burrë që kishte mundur shumë vetë dhe krenohesh me fuqinë e tij duke e ngacmuar, edhe kur, po me të tillë guxim, çpoi tej e përtej me shtizë dhe shtrijti përdhe gjeneralin e famshëm persian, i cili sulmonte me kalori duke bërtitur se donte të matej me një luftëtar si vehten e tij.

Në atë kohë që po fitonte kështu famë ushtarake dhe Murati e kish me sy të mirë, i vdiq i ati, dhe fuqitë otomane pushtonin pa vështirësi qytete dhe katunde të mbretërisë së tij, gjë kjo që e hidhëroi Skënderbeun, por Murati i dha shpresë se së shpejt do t’i a kthente mbretërinë e t’et.

Por, ai nuk u besoi premtimeve dinake të mbretit barbar. Me shkathtësi dhe zotësi të jashtëzakonshme, shkoi në Shqipëri dhe me një ferman të marrë me pahir, pushtoi qytezën e shtetit atnor. Ngriti më këmbë popujt e Shqipërisë dhe të Maqedhonisë që e njihnin si trashëgimtar të ligjshëm, u brohorit mbret, fitoi zemrën e popullsive të çliruara dhe vite me radhë qe i zoti t’i çkatërrojë dhe t’i verë përpara shpeshherë ushtritë e pamposhtura më parë të Muratit dhe të të birit, Muhametit.

Në këto luftra, Skënderbeu fitoi plot lavdi ushtarake të shkëlqyera: zmbrapsi Sulltan Muratin, i cili hodhi në rrethimin e Krujës ordhi të panumërta me pajisje të jashtëzakonshme makinash lufte dhe nuk e pushtoi dot qytetin, por u largua me turp dhe vdiq nga hidhërimi; mundi dhe zuri rob shtatë gjeneralë të famshëm turq t’armatës së kalorësisë.

E shkrojti historinë e fitoreve të bujshme Marini i Shkodrës, i cili e lartësoi Skëndërbenë me oratorinë më të madhe, dhe, me botimin e një vepre të veçantë, u a la brezave t’ardhshëm të paharruar kujtimin e tij.

Më anën tjetër, Gjergji bëri një armëpushim me Mehmetin. Ishte atëherë kur Sulltani po përgatitej të bënte kërdinë në Greqi dhe kur Skënderbeu po mendohej t’i vinte në ndihmë Ferdinandit të Napolit që mezi po u bënte ballë fuqive anzhuine. Thirrjes së mbretit për ndihmë të shpejtë Skënderbeu iu përgjigj menjëherë dhe me arritjen e tij në Pulie fuqitë frënge u thyen dhe u mundën aq keq sa mbreti e pohoi me gojën e vet se vetëm nga trimëria e pashoqe e Gjergjit i erdhi shpëtimi.

Por, në këtë kohë e sipër armëpushimi kishte mbaruar edhe Mehmeti që kish vrarë perandorin e Greqisë dhe kish pushtuar Bizantin, kish përmbysur edhe principatën e Trapezuntës, edhe, pasi i kish pushtuar mbretërinë e tyre, kish vrarë mbretërit e Çiliçisë, të Misisë dhe të Ilirisë: me gjithë këtë, edhe ky, si ati nuk i a duall dot t’a zerë Krujën, sepse Skënderbeu me qëndresën e tij të fortë i prapësonte rrethonjësit dhe gjithnjë u shkaktonte humbje të mëdha.

Për këtë arsye, Papa Piu, kur thirri mbretërit e krishterë të rroknin armët dhe shpalli luftën kundër Mehmetit, e çmoi Skëndërbenë si të vetmin gjeneral që mund t’i ngarkohej komanda e përgjithshme për t’u prerë hovin dhe për t’i mundur barbarët. I shtytur po nga ajo bindje e thellë vendosi t’a bënte edhe mbret, jo vetëm të Arbërisë por edhe të Maqedhonisë.

Por, ai vendim nuk arriti të zbatohej, sepse Papës në të papandehur i erdhi vdekja n’Ankona. Papa i ri, Pali II, nuk i u kushtua aspak punës së luftës që ishte një çështje me rëndësi, sadoqë Skënderbeu nëpër vështirësi të mëdha erdhi në Romë për t’i mbushur mendjen me gojën e tij që të mos e humbiste kohën me çështje të vogla. Erdhi edhe për t’i kujtuar Senatit të Kardinalëvet rrezikun që i kërcënohej qënies së të gjithëve nga ambicia e guximshme dhe e pakufi e barbarëve, së cilës nuk i bëhej dot ballë pa përpjekjen e përbashkët të të gjithë Evropës: por ai u fliste njerëzve të paregjur dhe të ngathët!

Ai nuk bëri më ndonjë veprim tjetër që të pajtohej me lavdinë e tij të mëparshme, natyrisht sepse nuk kishte më shpresë për një marrëveshje të përbashkët. Dhe, kështu, kur ndodhej në Lezhë, pranë lumit Drin, duke biseduar çështje lufte me qeveritarin Venedikas, e goditi për vdekje një ethe e fortë. Ethet po bëheshin çdo ditë më të forta edhe porsa e kuptoi që ora e kobshme po afrohej, i a la kujdes të Senatit të Venedikut, të birin Gjonin, që ishte akoma i vogël, ushtrinë dhe gjithë ç’kishte. Pas pak kohe kaloi në jetën tjetër, në moshën 63 vjeçe, në vitin 1467.

Gjergjit kurrë nuk ia kaloi njeri as me fuqi trupore, as me gjallëri dhe as me fitore ushtarake. Kishte përherë më këmbë më se dy mijë burra të zgjedhur, por, edhe kur e shtonte numrin, fuqia e tij ushtarake nuk arrinte më tepër se 6000 kalorës dhe 3000 këmbësorë të lehtë.

Ai pohonte se fitoret nuk përgatiten me numër të madh, por me ushtarë të provuar dhe të zgjedhur. Ua mbante mend emrat ushtarëve të tij, u a dinte trimëritë dhe ata e kishin për nder të madh të pinin verë nga kupa e tij. Ishte i dashur dhe zemërgjerë: me këto veti ua fitonte zëmrën dhe u a ndizte shpirtin.

Kur hiqte udhën i armatosur, kaq të madhe e kishte fuqinë e syve dhe kaq të ëmbël fjalën e gojës saqë u a fuste zjarrin ushtarëve për çdo ndërmarrje sado të rrezikshme, duke i bërë kështu jo vetëm luftëtarë të aftë por edhe trima të tërbuar që t’a përbuznin armikun e mbrapshtë. Kishte pastaj një shtat aq të lartë dhe të ngjeshur, me gjymtyrë të forta, me hundë të dalluar të kthyer bukur si të shqiponjës për të përfaqësuar pa dyshim tipin e heroit

Dhe, këtë paraqitje të bukur e konstatojmë se e kanë trashëguar akoma shumë pas tij zotërinjtë e kësaj familje të cilët u vendosën në Pulje, siç mundëm ta shikonim nga krahasimi i portretit që ne kemi në Muze e në mënyrë të veçantë tek Ferrando stërnipi i tij, Markezi i qytezës të Sant Anxhelos, i cili vdiq në ditët e Pavisë i vrarë nga dora e mbretit. Stërnipërit e tij tregonin atë që më tej u shkrojt edhe nga të gjithë historianët – se Gjergji kurrë nuk iu shmang betejave, kurrë nuk u thye, kurrë s’pat frikë, kurrë nuk u plagos, përveç se një herë fare lehtë nga një shigjetë në këmbë, vravi me dorën e tij më shumë se 2000 armiq, shumica barbarë, në beteja të ndryshme, nga një herë vetëm me një të qëlluar. Se në luftë e sipër e kishte zakon t’i vriste armiqtë një nga një, edhe, duke përdorur edhe me fuqi edhe me mjeshtëri një shpatë të madhe dhe të rëndë, i ndante më dysh gjer në kërthizë dhe pastaj i copëtonte!

Këto kërdi të pamëshirshme të goditurash i kallëzonin armiqtë që ktheheshin të gjallë në Bizant, dhe të gjithë habiteshin. Vetë Muhameti shfaqi dëshirën ta shihte atë shpatë të famshme, të përdorur nga një dorë e fortë me rreptësi të pazakonshme, dhe Gjergji ia dërgoi në Bizant: ata që e panë thoshin se ishte e bërë me një lëndë aq të fortë, sa çdo gjë, edhe po t’ish e hekurt, bëhej copë e thërime nga goditjet e saj!

i trimërisë së jashtëzakonshme të heroit ishte përhapur kaq e shumë sa që, pas vdekjes së tij, turqit, pasi e pushtuan pothuajse të gjithë Shqipërinë, kërkuan varrin e Skënderbeut, në Lezhë, edhe plot admirim, e nderuan me ndjenjë të madhe fetare. Edhe si njerëz supersticiozë, i nxorën eshtrat e këtij njeriu të madh dhe i morën me vete me adhurim, pasi secili besonte se do t’ishte i sigurt edhe i pathyer po të kishte me vete, kur shkonte në luftë, një hajmali me një copë nga kockat e shenjta të udhëheqësit të pamposhtur. /Zemra shqiptare/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Robert De Niro dhe Al Pacino kanë gjatësi të trupit gati të njejtë, por në filmin ‘Irishman’, De Niro duket gjigant..

Daut Dauti Robert De Niro dhe Al Pacino kanë gjatësi të trupit gati të njejtë, por në filmin 'Irishman',...

OBSH: Ndotja e ajrit vret shtatë milionë persona në vit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka fuqizuar të mërkurën udhëzimet e reja për kualitet të ajrit, duke thënë se ndotja e ajrit është...

Balli Kombëtar i kërkonte Amerikës në prill 1945 të rrëzojë Enver Hoxhën

Nga Thanas Mustaqi Më 14 prill 1945 krerët e Ballit Kombëtar të arratisur në Itali i sugjeronin Uashingtonit që...

Ujqit, 40 Fakte magjepsëse dhe interesante të ujkut

A keni frikë pak nga ujqit? Për mijëra vjet, qeniet njerëzore i kanë adhuruar ata, kanë frikë dhe madje i kanë urryer.

Recent Comments