Nga Ryzhdi Baloku

Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, përmes shkrimeve të publikuara nëpër disa portale, artikuj këta që pasqyrojnë këndvështrime dhe pikëpamje të ndryshme, se kush e vrau këtë personalitet.

Si dikur edhe tash mbisundon mendimi i një pjese të artikullshkruesve, se personi që e vrau Milladinin ishte mësuesi Haki Taha. Mirëpo, edhe në anën tjetër kemi një pjese të atyre, që mendojnë të kundërtën, se atë e vranë shokët e tij të luftës, mendim ky që vjen si rezultat aksiomës së njohur se pas fitores “Revolucioni i ha bijtë e vet“.

Për ta brumosur më mirë përmbajtjen e këtij shkrimi, po i prezantojmë disa të dhëna në trajtë nekrologjie nga e kaluara e afërt historike për këtë personalitet dhe atentatorin hipotetik të tij, mësuesin Haki Taha.

Sipas disa shënimeve, Milladin Popoviqi u lind me 23 maj të vitit 1910 në Mal të Zi, nga nëna Stana Radonjiq (1889-1955) e fisit Kuq dhe babai Jevrem Popoviq (1875-1958), i cili ishte oficer i ushtrisë malazeze dhe pjesëmarrës i luftës së viteve 1912-1913, kohë kjo kur shtetet ballkanike luftonin për zaptimin e tokave shqiptare.

Kur ishte fëmijë, familja e tij u shpërngul në Pejë, ngase pushteti okupues i asaj kohe u krijonte kushte të mira jetese familjeve malazeze e serbe të cilat vinin për të jetuar në këtë vend.

Si nxënës i shkollës së mesme ai i ndoqi mësimet në gjimnazin e Pejës, të Prizrenit dhe të Prishtinës. Me përfundimin e shkollimit të mesëm, nisi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Beograd.

Milladin Popoviqi ishte anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë që nga viti 1934. Në korrik të vitit 1936, organizon demonstrata në Pejë kundër qeverisë së Millan Stojadinoviqit. Në vitin 1937 themelon konferencën krahinore të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë (e Metohi), ku edhe zgjidhet sekretar i saj. Nga shtatori i vitit 1939 ishte komisar politik i Komitetit Rajonal për Kosovën. Me 11 maj të vitit 1940 organizon demonstratat antifashiste në Pejë.

Në muajin gusht të vitit 1940 zgjedhet anëtar i Komitetit Krahinor i Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Malin e Zi, Bokën, Sanxhakun dhe Kosovën. Në tetor të vitit 1941, sipas vendimit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, caktohet me detyrë partiake në Shqipëri, së bashku me Dushan Mugoshën. Në shtator të vitit 1944 caktohet në postin e sekretarit politik të Komitetit Rajonal të Partisë për Kosovë, me vendim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë.

Gjatë luftës Milladini njihet me nofkën Ali Peja, Ali Gostivari etj.
Pas arrestimit dhe dërgimit të tij në kampin e përqendrimit, lirohet pas një kohe me ndihmën e komunistëve të Shqipërisë.

Milladin Popoviqi vdes me 13 mars të vitit 1945 në Prishtinë, pas një atentati të kryer ndaj tij, ndërsa me 12 mars të vitit 1946 shpallet hero i popullit të Jugosllavisë.

Sa i përket biografisë së mësuesit dhe poetit Haki Taha, sipas shënimeve që kemi në dispozicion thuhet se u lind në vitin 1913 në Gjakovë. Shkollën fillore e nisi në vendlindje, ndërsa e kreu në Krumë të Hasit në Shqipëri. Gjimnazin e ulët e kreu në Shkodër, ndërsa shkollën “Normale” në Elbasan, në vitin 1939, kur edhe u emërua mësues në Shënavlash të Shqipërisë. Në vitin 1941, erdhi në vendlindje me grupin e parë të mësuesve, të cilët kishin ardhur në Kosovë, me vendimin e qeverisë së shtetit shqiptar.

Ndonëse Haki Taha ishte antifashist për nga bindja, gjatë tërë kohës së luftës, nuk iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për arsye se kishte mosbesim ndaj bashkëpunimit me serbë e malazezë. Megjithëkëtë, ai njëherazi as nuk u hodh në luftë të kundër kësaj Lëvizjeje. Pra, gjatë tërë kohës së luftës, Haki Taha mbeti vetëm mësues, pa hyrë në shërbim të askujt.

Në vitin 1942, kur Kosovën e vizitoi kryeministri i atëhershëm i shtetit shqiptar Mustafa Kruja, Haki Taha ishte njëri nga ata, që i organizoi të rinjtë e Gjakovës, që me flamur kombëtar e pa shenjat fashiste t’i dilnin përpara dhe të kërkonin nga ai që në Gjakovë të hapej Shkolla Normale e jo ajo tregtare, siç kishte vendosur qeveria e tij.

Këtë kërkesë, në emër të të rinjve gjakovarë e kishte parashtruar përmes fjalimit të tij Vehap Shita, asokohe nxënës i Gjimnazit të Prishtinës. Kështu, pas vizitës së cekur të kryeministrit, hapet dega e Shkollës Normale pranë Institutit Tregtar në Gjakovë, me drejtor Zekeria Rexhën, kurse dega e tregtisë pranë këtij Instituti thuaja se u shua fare.

Sipas disa shkrimeve thuhet se Haki Taha bëri vetëvrasje në mars të vitit 1945 në Prishtinë, me qëllim që OZN-ës jugosllave mos t’i bie në dorë, pas vrasjes së Milladin Popoviqit.

Një numër i atyre që janë marrë me këtë çështje deklarojnë se e vërteta e ngjarjes lidhur me vrasjen e Milladin Popoviqit dhe vetëvrasjen apo vrasjen e vetë Haki Tahës, konsiderohet si ende e pandriçuar sa duhet. Mirëpo, për më shumë se pesëdhjetë vjet Enver Hoxha ishte i bindur, se “Miladin Popoviqin e vranë prapa krahëve njerëzit e UDB-ës, sepse ishte shprehur për të drejtën e popullsisë shqiptare të Kosovës për vetëvendosje”, e që me një rast tjetër mu për këtë ngjarje, ai thotë: “Haki Taha në fund të jetës u përdor si kamikaz i UDB-ës për t’ia shuar jetën një jugosllavi më pro-shqiptar“.

Në këtë kontekst, mendimin pak më ndryshe e gjejmë në një artikull të publikuar për këtë ngjarje, ku në mes tjerash shkruan se në pyetjen që i ishte parashtruar Fadil Hoxhës (i cili ka qenë shok shkolle me Haki Tahën) në prezencë të shefit të kabinetit të tij, Masar Murtezait, me citim paraprak të një deklarimi, se akademiku, historiani dhe publicisti Vlladimir Dedier, i cili për çdo gjë që ka shkruar, është mbështetur në dokumente konkrete, ndërsa lidhur me atentatin ndaj Milladinit ka thënë: “Dosjen për vrasjen e Milladin Popoviqit nuk e kam parë kurrë, por, siç më kanë thënë, atë e ka vrarë Haki Taha…“?

Pas këtij parafrazimi të mendimit të Dedierit, Fadil Hoxha me atë rast pasi ishte menduar pak kishte thënë: “Edhe unë mendoj, se Haki Taha e ka vrarë Milladinin. Ai ka qenë nacionalist i madh dhe me këtë ka dashur që të mbetet në histori“.

Në një artikull tjetër lidhur me këtë ngjarje shkruan se pishtari i arsimit Mehmet Gjevori kishte deklaruar: Kur erdhi në punë Minush Lipoveci, tregoi se e kishte pasur në konak Haki Tahën disa ditë më parë, kur ishte në udhëtim e sipër për në Prishtinë. Ai tha se Hakiu ishte shumë i sëmurë, i zhgënjyer dhe i shqetësuar. Po interesohej për të shkuar ndokund për mjekim. Megjithatë, në ndarje i kishte thënë Minushit: “Ke për të dëgjuar për mua dhe për veprën time!” Këtij i ishin bërë merak ato fjalë dhe sjellja e shqetësimi që e kishte kapluar Hakiun. Shpejt pas kësaj u dëgjua për vrasjen e Milladin Popoviqit në Prishtinë, e më vonë edhe për vrasjen apo vetëvrasjen e Haki Tahës.

Përkundër këtyre dy deklarimeve, ekzistojnë mendime të kundërta lidhur me këtë atentat, të cilët e analizojnë atë ngjarje si vijon: “Nëse pesë rojat partizane që ruanin komandantin e qarkut të Kosovës, në 15 marsin e vitit 1945 bënin një lojë të vërtetë shahu, apo një lëvizje të detyruar filash, kjo ka mbetur një enigmë më vetvete. Por, e sigurt është se vëmendja e tyre u shqetësua pak nga figura e gjatë e një djaloshi 28-vjeçar, që s’u foli dhe drejtoi sytë e gjelbër nga hyrja e ndërtesës së Komitetit Krahinor të Kosovës.

Pak minuta më vonë, po këta sy paksa më të turbullt iu drejtuan daljes, përsëri pa tërhequr vëmendjen dhe pa shqetësuar lojën e partizanëve jugosllavë. Në çastin që Milladin Popoviqi do të gjendej i ekzekutuar me tre plumba, dy në gjoks e një në kokë, mbi tryezën e tij të punës, sipas një versioni ballkanik të “herostratit”, me fishekët e mbetur të 15-shes, gjakovari Haki Taha do të vriste veten publikisht në qendër të Prishtinës”.

Në bazë të shkrimeve të deritashme për këtë ngjarje, ekzistojnë tri versione:
– Versioni të cilin e lansoi pushteti sllavo-komunist dhe organet e sigurimit shtetëror jugosllav, se Haki Taha është “vrasës i paskrupull” i Milladin Popoviqit,

– Versioni që qarkullon në opinionin e gjerë dhe ndër të afërmit e Haki Tahës se këtë atentat vërtet e bëri Haki Taha, por me vetëdije të plotë dhe me paramendim si vepër patriotike e gjest heroik, i cili mund të krahasohet me atë të atdhetarit Avni Rrustemi kur e vrau në Paris tradhtarin më të madh shqiptar të të gjitha kohëve – Esad Pashë Toptanin, dhe

– Versioni të cilin e përkrahin edhe disa historianë shqiptarë, se Haki Taha është vetëm viktimë e lojës së ndytë e OZN-ës jugosllave, për t’i fshehur vrasësit e vërtetë të Milladinit.

Ndoshta vlen për të cekur në këtë shkrim lidhur me këtë ngjarje se, qysh në moshën e fëmijërisë kisha dëgjuar lidhur me thënien e nënës së Milladinit, e cila në praninë e një numri të njerëzve në Pejë kishte deklaruar se djalin e saj nuk ia kanë vrarë shqiptarët. Mirëpo përkundër këtij deklarimi, popullata nuk ka guxuar ta komentojnë në kurrfarë rrethane atë mohim lidhur me vrasësin e birit të saj, të cilin e kishte pikasur pushteti.

Meqë im vëlla Remziu, tashmë i ndjerë, qysh si i ri ishte kyçur në lëvizjen ilegale NDSH e më vonë edhe si themelues i Organizatës BTSH dhe kishte njohuri të mjaftueshme për shumë ngjarje, e kam pyetur dhe biseduar disa here lidhur me çështjen e kësaj vrasjeje, pas daljes së tij nga burgu në vitet e shtatëdhjeta. Gjatë asaj bisede më pat thënë se sipas njohurive që kishte, Milladinin e ka vra Vasa Bogdanoviqi me direktivë dhe organizim nga OZN-a.

Lidhur me këtë temë, tash vonë pas luftës së fundit, një mik imi i letrave nisi të shkruajë në një portal, lidhur me vrasjen e Milladinit, duke ngulmuar në heroizmin e Haki Tahës si atentator i tij. Kur pas atyre shkrimeve i komentova në rubrikën përkatëse të “facebook-ut” se vrasja e Milladinit mund të ishte e njëjtë si Rasti “Panda” në Pejë, ku babai i njërit prej viktimave, Dragi Stanojeviqi u ishte përgjigjur kolegëve të punës se djalin e tij nuk ia kanë vrarë shqiptarët, mu ashtu siç kishte deklaruar dikur edhe nëna e Milladinit, Stana, ai gati u çmend, nuk zgjodhi fjalë për të m’u kundërvënë, fjalë këto që nuk i prisja nga ai, ngase njiheshim prej kohësh, si bashkëvendës i im.

Si përfundim po e rrumbullakoj këtë shkrim me shpresë që një ditë do të fryjë era e demokracisë edhe në Serbi dhe do të hapen arkivat e shtetit në Beograd, me ç’rast do të shpalosen në detaje faktet rreth organizimit të vrasjes së Milladinit dhe shumë ngjarjeve të tjera enigmatike që janë sajuar dhe organizuar nga shërbimet sekrete serbe, e të cilat deri tash kanë mbetur të pa sqaruara sa duhet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here