6.1 C
Pristina
Monday, October 18, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Migjeni dhe unë…

Migjeni dhe unë…

  • nga Ernest Koliqi (1974)

Dosja e “Arbërisë”

Kush merret me politikë duhet të llogarisë edhe pasojat që rrjedhin nga një veprimtari e tillë, dmth. do të presi të shame (shumë) e lavde (pak), shpesh të teprueme e në daç të parat e në daç të dytat. Në rrethin shqiptar mandej, ku pjekunia dhe njerzia shoqnore ma të shumtën mungojnë, miratimi e kundërshtimi shfaqen në mënyrë të pabukur, pa shkallzim ngjyrash (nuanca). Edhe lavdì përdoret jo aq në naltësim të akcilit, po si e shtime pushke e tërthortë për të mposhtë ndoj kundërshtar.

Me kohë ndoshta do të arrijmë edhe na të shofim kthjelltë, e zotësi dalluese mendje, në të gjithë shtrimjen e ndjesive larmiplote. Jo të ndame primitivisht me nji vijë të preme, këndej të mirët e të ndershmit, andej bakëqinjtë e të mbrapshtit… Nevojitet kohë që trutë tonë të thithin parime qytetënimi dhe të çlirohen nga skema e mirëfilltë mendore, që përfshihet në dy majat e boshtit: “Hosana e Crucifige!”

Kështu tue qenë punët, ma i miri qendrim për nji shqiptar që merret me politikë asht mos me i përfillë tepër as lavdet e as të shamet dhe me i përbashkue si të parat ashtu dhe të dytat në sitën e ndërgjegjes së vet, pa ja vu veshin fjalëve të hallkut. A nuk thotë goja e popullit: “Fjalët e hallkut dhe birat e gardhit, nuk mbyllen kurrë!

Kjo në fushë politike, kurse në atë letrare meseleja ndrron. Thashemthanat e pathemelta duhet me i përgënjeshtrue, sepse kultura dhe letërsia e nji kombi janë visar i çmueshëm, janë palcë e jetës së fisit, që duhet ruejtë e papeçatun, gangulluer.

Kjo më shtyn me ndreqë do lajthime, të meta kritike dhe shtrëmnime të së vërtetës, që sjellin mjegullim e pështjellim të damshëm në historinë tonë letrare, e cila përmbledh e rradhit kronologjikisht vlerat shpirtnore të kombit dhe fuqinë e tij krijimtare.

Prandaj u lypi ndjesë lexuesve të “Shejzave”, po qe se këtu po shpërdoroj durimin e mirësishëm të tyne, tue mbrojtë të vërtetën në nji çeshtje letrare ku ndodhet i ndërlikuem e i përziem personi im.
 E njoh veten jo person politik që merret me letërsi, por letrar, që rrethana të veçanta e hodhën në vallet e politikës.
 Prandaj mbrohem si letrar. Çka flitet për mue si nji njeri politik, nuk më ban as të nxehtë e as të ftohtë: jam vadit me at’ avaz. Nji gja më vjen keq e më prek: se ndër shkrime në daç të nënshkrueme, në daç anonime, ku unë sulmohem, të shumtën e herëve strapacohet ma tepër gjuha shqipe se personi im.

Po të vimë në temë.

Skënder Luarasi

Skënder Luarasi (1900-1982)

Skënder Luarasi, në hyrjen e vëllimit të tij me titull: “Migjeni” (Tiranë 1957, faqe 22-23) shkruan (nuk kuptohet a pse keq i informum, a se deshtas me qëllim denigrues) çka pason:

“Me Migjenin u pa se në qiellin e Shqipërisë, ku dukej se qenë shuar yjet letrare, po lindte një diell… Rinia, gjithë rinia, së cilës i qante zemra për pak dritë e ngrohtësi në atë stinë të ftohtë të letrave shqiptare e përqafoi me gëzim e shpresa të mëdha për të ardhmen e kulturës tonë. Shtypi klerikal heshti duke pritur një qëndrim armiqësor: Shtypi i regjimit u përpoq ta bënte 1) për vete Migjenin. Ernest Koliqi, i cili e njohu përnjëherësh talentin e Migjenit, i shkroi redaktorit të Illyrisë nga Roma 2) që ta siguronte me çdo kusht bashkëpunimin e Migjenit për atë revistë profashiste.

Kur me 7 shtator 1935, u botua vjersha “Të lindet Njeriu”, po Koliqi, ky agjent i imperializmit italian 3), që paguhej për të rekrutuar intelektualët shqiptarë në shërbim të fashizmit, përdori dhelpëri për ta shtënë poetin e ri shqiptar në kthetrat e tij fashiste.
Një dhelpëri të tillë përdori edhe redaktori përgjegjes i revistës “Illyria”, i cili dërgon këtë letër lajkatare, me 4.XI.35:

Të ndertit zotni Millosh Gjergj Nikolla, Shkodër:

Shkrimet e Z. S’uaj, të cilat menjiherë kem vrojtë se kishin nji theks ndiesie për t’u shënue e sidomos nji tingull njerzor drejtuar kah vuejtjet e të vogjëlve, jemi përpjekur t’i qesim sa ma ne shesh në faqet e të rinjve.

Për me ju dhanë zemër të vijoni sa ma me zell në udhën letrare që aq me seriozitet qëllimesh keni kap, këshilli i redaksisë i fletores sonë, vendosi me botue mbas sodit vjershat dhe copat në prozë të juaja në faqen e tretë. Si e dini në faqen e tretë shkruejnë vetëm ata autorë që mirë o keq e kanë marrë njifarë shugurimi nga publiku.

Shpresojmë se edhe mbas sodit zotnia juej keni me bashkpunue në mënyrën sa më të afërme në fletoren tonë, e cila nëpërmjet qëllimeve të tjera, ka edhe atë t’i përkrahi të rinjtë me vlerë dhe ndjenja bujare. Vendimi i këshillit të redaksisë, përsa ju përket juve, asht nji dëshmi e qartë e kësaj përkrahje.

Tue ju urue suksese sa ma të gjalla, për dobinë e artit dhe të letërsisë shqipe, ju lutemi të na dërgoni sa ma parë shkrime në mënyrë që së paku krye dy javesh emri juej të dali në faqe të tretë.

Si titull shpërblimi kësaj here drejtori dau me ju dërgue franga ari 10 (dhjetë) me mandat postë dita e sotme… 4)”

Këta ma të parët shkrime të Migjenit kanë randësi të madhe se dëftejnë menjëherë talentin letrar të Milloshit dhe dëshmojnë se me sa kujdes i kish ruajtur njohuritë e tij të gjuhës amtare, megjithëse ishte larguar prej qytetit lindor dhjetë vjet më parë, që kur ishte kalama; tregojnë se ç’ndjenja të forta e lidhnin me atdheun e tij.

Dhe ato letra të redaktorit të “Illyrisë”, tregojnë se në ç’mënyrë lajkatare, dinake u përpoqën profashistët në Shqipëri ta bënin të tyrin; tregojnë dhe se ç’karakter pati Migjeni, i cili nuk ra viktimë e kurthit të tyre!” 5)

Unë s’ia mohoj kritikuesit kuqalash, që dikur e pata dhe koleg në arsim, mjeshtërinë e premtimeve letrare dhe historike, por tuj e njollosë e prishë në pikpamje shkencore vlerën e shkrimeve të veta, tepër lehtë ai tërhiqet nga fryma ideollogjike (?), ndërkrehet, humbet toruan dhe shkallon prej analizës së mirëpeshueme në shamje e dhunim të së vërtetës.

Dam për letërsinë shqipe!

Punët natyrisht u zhvilluan disi ndryshe, e jo ashtu si i tregon panegjeristi i Migjenit.

I nënshkruemi… si lexues i zhuritur veprash poezie, qysh në moshën ma të gjelbërt, sa i ranë në dore do vjersha të Migjenit, kuptoj se ai pajisej me nji talent të njimendët poetik. Shija ime u shtrue ndër autorë së pari klasikë e neoklasikë, ma vonë në poetë të simbolizmit, sidomos flamant, ndoshta mëtonte në struktura formale kujdes ma të madh gjuhsor e stilistik. Kjo nuk më ndalonte veçse të çmoj në vjershatorin djaloshar hovin e ndjesive dhe të nji lumnije shprehjesh që merrnin ma tepër fuqi shi nga thjeshtësia e mungesa e plotë e qëllimeve lajkatuese.

E bisedova me miqtë e “Illyrisë” dhe i nji mendjeje me Branko Merxhanin e Karl Gurakuqin, vendosëm me ia botue Migjenit, alias Millosh Gjergj Nikollës, vjershat në faqen e tretë të së përkohshmës, dmth., në faqen ku paraqiteshin shkrimet e auktorëve tanë ma të njoftun. Asokohe (1935), unë isha student në Padovë, e nuk merreshim me politike, prandej “agjent i imperializmit italian” (në paça qenë ndonjiherë…) duhet të jem ba ma vonë.

Rreth asaj periudhe që shkon prej 1934 e deri 1937, Skënder Luarasi predikonte marksismin stalinian, i cili orvatej me shkallmue e dërrmue botën shqiptare që kishte nevojë për njësi, dhe përhapte idena dasije të klasave dhe frymën e luftës civile. Në nji kohë kur duhej fuqizue ideja kombtare, shpallte nevojën ndër të rinj të organizmeve ndërkombëtare, dmth. hymjen e gjindjes shqiptare nën suazën e imperialismit sovjetik. Agjent, deshtas ose padeshtas i Rusisë.

Vetëm dishiri me qit në pah nji poet i shtyni redaktorët e “Illyrisë” t’i drejtonin Migjenit nji letër trimnuese dhe t’i dërgojnë nji shpërblim për vjershën e botueme në faqen e tretë të së përkohshmes, vjershë që iu ra menjiherë në sy qeveritarëve të kohës, të cilët i qitën mjaft turbullime drejtorisë së saj. Fakti se asnji qëllim korruptues nuk e frymëzonte të nëshkruemin, qi njofti botnisht prirjen e rrallë poetike të Migjenit, e provon pak vjet ma vonë pranimi i tij në rradhën e auktorëve rendue e parashtrue n’antologjinë “Shkrimtarët Shqiptarë” (Tiranë 1941, pjesa e dytë, faqe 471-475).

Në atë kohë s’kishem ma nevojë ta baj për vete, simbas mendjes së Luarasit, poetin orëzi shkodran, sepse së pari ky kish ndrrue jetë më 1938, dhe së dyti, mbasi Shqipnia tashma gjendej pjesë e Perandorisë së Liktorit, ish sosë çdo qëllim korruptimi.

Migjeni

Migjeni – Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938)

Dalja në antologjinë e lartpërmendur të emrave të Faik Konicës (fq. 236-249), Fan Nolit (fq. 272-288), Mit’hat Frashërit (294-304), e Millosh Gjergj Nikollës nuk mbet pa ba bujë. U padita si përkrahës personalitetesh e shkrimtarësh kundërshtarë të gjendjes së re. Padinat shkojshin te Mëkambsi, dhe ishin të përpilueme nga shqiptarët, ndër të cilët ndjehej edhe ndonji patriot, që sot më ngarkon me faje të randa politike…

Migjeni xen nji vend të spikatun, në rradhën e shkrimtarëve tanë, por ia damtojnë namin ata që hiperbolikisht e ngjisin në Majën e Parnasit, ku mbretnon me dy tri shokë të tjerë Fishta. Nga “Illyria”, Migjeni mori vleftë e zà… 6). Luarasi ka arritë vonë si shpallës i talentit të tij. Ka nis me ia burizanue emnin kur drejtuesat e huej te kuqalashizmit tonë hetuen në poetin e shqetë, nji auktor të përshtatun me u instrumentalizue për qëllimet e veta hegjemonike mbas dekës së tij.

Tash vonë, edhe nji farë Musa Krajet, në vepërzën e thatë: “Migjeni mësues” (Tiranë 1973, faqe 15) më shpifet gratis (duket se kuqalashve u djeg puna se ne e kemi hetue, zbulue zotësinë poetike të Migjenit para tyne) përkitasi me poetin e zhdukun para kohe. Qe çka thotë: “Ky rreth shoqëror (i Shkodrës), ndonëse jo shumë i zgjeruar, kishte hera-herë në mes edhe ndonji intelektual të njohur për pikëpamjet e qëndrimet e tjera. Nji nga ata ishte edhe Ernest Koliqi, që kishte qenë mësues e më vonë Ministër fashist i Arsimit. Koliqi kishte bërë ndonji lavdërim për Migjenin, i bindur se “fjala ka këmbë”, e duke i bërë qejfin, do ta bënte për vete kët njeri të thellë.

Dhe është kuptimplote ajo që ngjau nji ditë, kur ky agjent i vjetër i fashizmit duke treguar barcoleta(?), tregoi edhe për nji malsor dhe nënën e tij, duke vënë në pah gjoja budallallëkun e malësorit. Kur të gjithë qeshën, Migjeni jo vetëm që heshti pa asnji shenjë kënaqësie, po i hodhi Koliqit nji shikim përbuzës, duke i thënë shokut të tij në dalje se: ‘Koliqi ishte njeri që tallej me hallet e popullit!’

Këtij jetëshkruesi të panjoftun të vjershatarit shkodran, nuk ia vlen barra qeranë me iu përgjegj, tue shpenzue frymë kot. Mjafton t’i kumtoj se unë kurrë s’e kam njoftë personalisht Migjenin, prandaj as nuk kam pasë rast të rrij në kafe me të.

Kaq për hir të së vërtetës.

Penda e Koliqit

* * *

  1. Nuk mund të radhitet “Illyria” ndër organe shtypi të regjimit, sepse për çdo numër drejtoria e saj kishte telashe me ministrin e mbrendshëm të kohë. Sa për Branko Merxhanin, e redaktorët e tjerë (Anton Logoreci, Odise Paskali, Ismet Toto, etj.) nuk ishin sigurisht përkrahsa të regjimit. Sa për të nënshkruemin ai ndejti pesë vjet në mërgim (1924-1929), si ndjekës i qeverisë Fan Noli-Gurakuqi. Shtypi tjetër (fletore të përkohshme) as nuk bante tenezyl t’ia përmendte emrin Migjenit. Aso kohe nji poet ndjehej djerraditë kryekcyem!
    2) Në Romë kam shkue i transferuem nga Padova, si lektor i shqipes në Universitet, në tetuer 1937. Në peridhën që përmend Luarasi isha për vakancë në Tiranë, e bajsha pjesë në redaksinë e “Illyrisë”.
    3) Kam mjaft për me thanë, por e la për nji herë tjetër.
    4) Përmbajtja e shkresës është e redaktorëve. Përpilimin e bani Karl Gurakuqi, siç e tregon qartas edhe stili tipik i tij, që ndiqte gjuhën e mesme zyrtare…
    5) Mbas lajmeve që na erdhen prej Shkodre, Migjeni u gëzue shumë për letrën nxitëse të redaksisë së “Illyrisë”. Përkundrazi na u idhnuen disa të tjerë vjershatarë të rinj, ndër të cilët M.N., që nuk u gradue poet i faqes së tretë.
    6) Në periudhën e bashkimit Shqipni-Itali, Beqir Valteri, në zyrë të “Shkëndisë”, e përkohshmja ku bashkpunuen, nji pjesë e mirë e shkrimtarëve, të cilët ma vonë fituen namë e za si përfaqësuesa të rrymë letrare të realizmit socialist, më solli profesoreshën Ollga Nikolla, të motrën e Migjenit, zonjushë e urtë, me sjellje të mira dhe arsimtare shumë e pregaditur. Ajo kishte përshtypjen se do t’u salvonte nga sistemi i ri. Unë e ndihmova me të gjitha mundësitë e mija, që aso kohe nuk ishin të vogla. Përkrahjen time ajo e meritonte, pa marrë parasysh mendimet dhe ndjesitë e saja, që unë nuk desha t’i hulumtoj…

Marrë nga “Shejezat” vjeti XVIII – 1974 – nr.1-10 (botue te “Arbëria 11, shtator 1993)


1.
21 dhjetor 2013, E-mail: m.luarasi@yahoo.com
Ky shkrim i Ernest Koliqit i botuar 40 vjet me parë në Itali nuk e nderon aspak atë, pasi i shmanget së vërtetës së dokumentuar në lidhje me autorin, Migjenin dhe Skënder Luarasin.

1. Vertet Koliqi ka ndikuar që Migjeni të botojë disa artikuj tek Iliria, por edhe dihet se patën kontradikta per shkak të censurimit të një artikulli dhe ndryshimet e pikëpamjeve.
Gjithashtu Koliqi e ka akuzuar Migjenin tek “Shejzat” e në ligjërata akademike per pikëpamje majtiste, sllav dhe jo aq të talentuar.

Për më tepër pretendon se nuk e ka takuar kurrë, kur dëshmitarë shkodranë kanë shkruar për të kundërtën!!!

Ndërsa Skënder Luarasi e ka njohur mirë Migjenin, kanë qenë në një rreth shoqëror, është përpjekur t’ia botojë vjershat në një libër që më 1935, dhe ia botoi kur mundi pas çlirimit.

Dokumentat janë letra, mbledhja e përbashkët për botimin e revistës më 1935, shënimet e Migjenit për Vilhelm Telin të përkthyer nga Luarasi, etj.

2. Koliqi ka patur përplasje politike me Luarasin që në Institutin Tregëtar në Vlorë me 1932, në lidhje me literaturën profashiste që propagandonte i pari. Eshtë e dokumentuar roli profashist i Koliqit dhe posti si hierark i fashizmit gjatë pushtimit. Ndërsa për Luarasin ka prova se ka qenë antimonarkist, antifashist dhe me pikëpamje socialdemokrate. Ai nuk ka marrë pjesë në asnjë grupim politik komunist, sikurse shpifet. Ndërsa pas çlirimit dokumentohet se ka qenë një nga kundërshtarët më të rreptë të diktaturës dhe është persekutuar e përjashtuar nga Lidhja e Shkrimtarëve si armik…

Dhe në lidhje me kontributin për Shqipërinë, vlerat demokratike universale, kontributet letraro-historike dhe personalitetin kuptohet lehtë diferenca.

Mesa di unë në historinë botërore në koshin e plehrave ka përfunduar ideologjia fashiste me lakejtë e saj dhe jo vlerat antifashiste e demokratike që përfaqëson Skënder Luarasi.

2.
22 dhjetor 2013 – E-mail: m.luarasi@yahoo.com

Një nga keshillat që u jepte mësuesi i letërsisë Skënder Luarasi nxënesve të tij, përfshi edhe Lazër Radit në gjimnazin e Shkodrës, ishte që ta mbronin të verteten dhe ta shpalosnin fjalën e lirë. E theksoj pasi dje më është hequr nga ju komenti mbi temën e mësipërme, e cila përmban thashetheme, të cilat nuk i përgjigjen së vërtetës dhe nuk e nderojne aspak Ernest Koliqin.

Po sqaroj përsëri shkurt: Antifashisti Skënder Luarasi është ballafaquar politikisht që në vitin 1932, në Institutin Tregëtar të Vlorës, me profashistin Ernest Koliqi, i cili u bë edhe ministër i arsimit dhe eksponent i partisë fashiste.

Skënder Luarasi e ka njohur, ka bashkëpunuar, ka patur pikëpamje të njejta dhe e ka ndihmuar Migjenin për botimin e vepres “Vargjet e Lira” që me 1935, me 1948, 1957, 1961. U martua edhe me motren e Migjenit, Olgën, ndërkohë që Koliqi madje pretendon se nuk e ka takuar kurrë, përkundër dëshmive të bashkëkohësve shkodranë.

Për më tepër, Koliqi me shokë e ka censuruar dhe cilësuar edhe Migjenin kuqalash, sllav, që nuk e ka ditur shqipen dhe jo aq të talentuar.

Materialet e publikuara, madje edhe nga Lazër Radi provojnë që Skënder Luarasi ka qenë republikan, socialdemokrat antifashist, por në asnjë rast agjent kuqalash i ndonjë shteti të huaj, sikurse shpifet nga këmishëzinjtë, madje i persekutuar nga diktatura.

Dhe dihet misioni i tij demokratik antifashist triumfoi përkundër militantizmit të zi fashist që koha e hodhi në kosh të plehut.

Në rast se ky shënim nuk publikohet do ta botoj me komente më të zgjeruara në sajte të tjerë ku respektohet e vërteta e fjala e lirë…


I nderuar Zoti Luarasi,

Së pari më duhet t’Ju sqaroj qetësisht…

Mbeta pak i habitur nga mesazhet, dhe s’arrija ta kuptoj kët rebelim tuajin, për nji shkrim të kahershëm, që është marrë dhe cituar sipas origjinalit… dhe ku bëhej fjalë për personazhe që e kanë kryer misionin e tyre jetësor dhe historik, (në të mirë a në të keq), ndërkohë që Ju kërkonit të më fusni në një polemikë që as më përket, dhe as kam dëshirë të gjykoj as shkrimin dhe asnjërin prej tyre që përfshihën në shkrim, sepse simbas meje secili ka vlerën e vet dhe historinë e vet të shkruar… Koliqi, Migjeni, Luarasi dhe Lazër Radi (si nxënës i të treve, po edhe si mik i tyre) kanë jetuar në nji kohë dhe në nji epokë të tyren, dhe sot, për fat të keq, asnji prej tyre nuk është në jetë.

Nuk duhet të harroni, se të katërt (seicili prej tyre) kanë kontributet dhe vlerat e tyre, të katërt (secili prej tyre) ka veprën e vet (të vlerë ose të pavlerë), të katërt (secili prej tyre) kanë pasë pozicionimet e veta (majtist, centrist, indiferent o djathtist), të katërt (secili prej tyre) ka mbi supe elozhe, gjykime po edhe mjaft paragjykime (që ma merr mendja se ju i njihni mirë), dhe të katërt (secili prej tyre) do të ketë me kohë vlersimin e paanshëm të historisë (jo asaj komuniste).

Të katër këta personazhe, i kam njohur indirekt dhe mjaft mirë, më së shumti jashtë kontekstit komunist, së pari nga im atë, mandej edhe prej gjithë leximeve dhe gjykimeve të mia, dhe mund t’Ju them se çdonjeni ka lënë materiale të bollshme për vehten dhe vlerësimin e tyre, prej nesh që vijmë pas… Edhe në arkivin tim familjar, kam mjaft materiale për secilin prej tyre, të cilat me kohë kanë dalë po edhe do të vazhdojnë të dalin në dritën e botimeve. Fryma tendencioze dhe kërcënuese që Ju përdorni, s’më duket të ketë asgjë polemiste reale, të cilën unë do ta pranoja me mjaft dëshirë… por kjo as më turbullon dhe as më tremb… Këtë stil kërcënimesh e kam jetuar për gati dyzet vite mbi shpinë… dhe ndjehem i argasur me kësi gjërash…

Mund t’ju them se kam opinionin tim për secilin nga këta personazhe të kulturës shqiptare, dhe aspak të ndikuar nga ndonji frymë inati, gjykim i njëanshëm, apo turfullim ekstremist… Gjuha e përdorur nga Ju në të dy mesazhet, si: “fashizmi dhe lakenjtë e tij”; “përfundimi në koshin e plehrave”; “po nuk e botuat ju… unë do ta…”; “e vërteta e lirisë së shtypit”, si dhe kufiri ndarës midis së mirës dhe së keqes që Ju keni, le mjaft për të dëshiruar… Duket si nji “gjuhë e drunjtë”, së cilës i ka ikë koha dhe mbetet pjesë e asaj fryme dhe asaj menyre komunikimi, të cilës tashma i ka dalë boja, por që ju, më duket përpiqeni ta maskoni gjithqysh…

Përsa i përket heqjes së komentit, kjo s’është e vërtetë. Çdo koment miratohet nga unë si drejtues i sajtit. Dhe mund t’Ju them se vetëm sot në mëngjes, munda t’i lexoj dy komentet e tua… dhe më habiti fakti, se janë në nji hark të ngushtë, (pak më shumë se dhjetë orë diferencë)… gjë që flet për ngutin tuaj (futur këtu në mes edhe gjumi)… Mos u merakosni zoti Luarasi… Komentet tuaja do të përditsohen dhe do të përcillen sajt… por… me kët koment përkatës… Ju lutem, mos mendoni se Ju jeni e vërteta, sepse askush s’është zot i së vërtetës, Ju thjesht jepni opinionin tuaj… dhe mos u përpiqni t’i ngatrroni të “vdekurit e mëdhenj” me “të vegjlit e zakonshëm”… Nuk do të bënit keq t’i linit në at “shenjtninë e tyne t’amshueme…!”

Jozef Radi
22 dhjetor 2013

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Këngë për lisin me rrënjë shekullore, Aristidh Kolën e shqiptarisë

Nga: Abdurahim Ashiku Meditime me një pikë loti rrudhave të jetës Në 15-vjetorin e IKJES Të...

Krapi Koi, nga tryeza deri te simboli i statusit: Përse ky peshk vlen deri në dy milionë dollarë

Koi në Japoni është simbol i dashurisë dhe i miqësisë Vitin e kaluar Krapi koi është shpallur peshk kombëtar...

Ndërtimet më ekstreme në planet (Video)

Nga ndërtimi i një hekurudhe në nxehtësinë e vrastare të shkretëtirës deri në rinovimin e një stacioni kërkimor në një nga vendet...

Wilhelm Röntgen, gjerman që zbulou rrezet-x, fizikanti që tejpërçoi brenda nesh shikimin

Ai ishte një prej atyre mendjeve krijuese, pasioni dhe përkushtimi i të cilit i dhuroi botës një dimenison të ri njohës, e...

Recent Comments