6.1 C
Pristina
Monday, October 18, 2021
Home RETROSPEKTIVË Kur ceremonia e vdekjes vendosej nga Komiteti Ekzekutiv

Kur ceremonia e vdekjes vendosej nga Komiteti Ekzekutiv

Një urdhër i vitit 1967, firmosur nga Ramiz Alia, zhdukte çdo ceremoni fetare, për t’u zëvendësuar me praktika dhe festa socialiste. Ceremonitë themeltare të organizimit të jetës së njeriut, si lindjet, dasma dhe vdekja…do të konsideroheshin si mbeturina e zakone të vjetra. Më poshtë, botojmë të plotë raportin e Komitetit Qendror të PPSH, që u shpërnda në të gjithë Shqipërinë, e firmosur nga Ramiz Alia, mbi organizimin e jetës së njerëzve, ceremonitë më të rëndësishme familjare

Larja e të vdekurve është një mbeturinë fetare, por kur ndonjë insiston se duhet ta lajë, përveç njeriut të afërt të tij, kush tjetër mund ta lajë. Të krishterët të vdekurin e veshin me rroba; myslimanët i bëjnë qefin. A duhet të jetë copa e bardhë apo e zezë, a duhet të quhet qefina po jo, këtu s’ka rëndësi emri. Çështja është që të zhduket koncepti dhe mbeturinat fetare që patjetër duhet t’i bëhet qefin. Problemi tjetër është si do të vendosen në varreza nga lindja apo nga perëndimi, çfarë shenje do t’u vihet. Këto çështje mund t’i zgjidhë Komiteti Ekzekutiv….Është ky, një fragment i relacionit absurd të lëshuar nga Komiteti Qendror i Partisë, drejtuar sektorit të edukimit, posaçërisht me lëndën mbi festat e reja socialiste. Në vitin 1967, siç dihet, në historinë e vendosjes së regjimit diktatorial të Hoxhës, lufta kundër fesë, nuk përfshiu vetëm shembjen e kishave dhe xhamive, por preku dhe embrionin e besimit njerëzor, mbi të cilën kishte ndërtuar mënyrën e jetesës, në rregulla e kanone që u përmbysën me një vendim. Sugjerimet në këtë raport nga leximi i sotëm, vijnë sa qesharake, aq dhe fatkeqe për të kuptuar zhveshjen e çdo tradite etnokulturore, për të instaluar njeriun e ri.

Ja një tjetër fragment: Fejesa apo martesa është gëzim familjar, prandaj edhe kolektivi duhet t’ia festojë. Ceremonia e fejesës apo e martesës, sipas rastit dhe dëshirës, mund të bëhet në klube ose në shtëpitë e kulturës, ku shokët e të afërmit të kenë mundësi të përshëndesin çiftin e ri, të kërcejnë e të vallëzojnë… Për komitetet ekzekutive duhet të marrin masat që të kenë diploma të veçanta, të pajisura mirë e bukur, ku kryhet ceremonia e celebrimit.

Letra që e botojmë të plotë mban udhëzimet mbi zëvendësimin e praktikave dhe zakoneve fetare të jetës së përditshme të njerëzve me ceremoni dhe festa socialiste. Kjo “porosi” mori vendimin e formës së prerë duke iu deleguar për zbatim Ramiz Alisë dhe Dashnor Mamaqit. Letra është siguruar nga Arkivi Qendror i Shtetit, viti 1967, me numër Dosjeje 191. Raporti jep në detaje ceremonitë që do të zhdukeshin tashmë nga kalendari i jetës së përditshme të shqiptarëve për të celebruar festat që lidheshin me luftën, me heronjtë socialistë, me kooperativat, me organizatat e partisë etj.

***

Letër e KQ të PPSH, dërguar KP të rretheve mbi zëvendësimin e praktikave fetare me festat e reja socialiste

Tiranë, më 30/5/1967

Partia e Punës e Shqipërisë

Komiteti Qëndror

Sektori i edukimit

Nr.420

Lënda: Mbi festat e reja socialiste

KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT

Në të gjithë vendin po bëhet një punë e madhe kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve fetare. Në procesin e kësaj pune kanë lindur pyetje e shqetësime të ndryshme, se me se dhe si do të zëvendësohen praktikat, zakonet e vjetra dhe festat në jetën e përditshme të njerëzve.

Prandaj po u dërgojmë materialin e bashkangjitur, i cili në bazë të kushteve të rrethit tuaj, mund të thellohet, të përpunohet, të pasurohet dhe mund t’u shërbejë në këtë drejtim.

Me porosi të Sekretarit të KQ të PPSH

Ramiz Alia

Dashnor Mamaq

Me porosi të Sekretarit të KQ të PPSH

Ramiz Alia

Dashnor Mamaqi

AQSH. V.1967, D.191.fq.1

***

Mbi zëvendësimin e praktikave dhe zakoneve fetare të jetës së përditshme të njerëzve me ceremoni dhe festat socialiste

Në mbështetje të masave të rëndësishme që ka marrë partia për revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës, në të gjithë vendin shpërthyen iniciativa të shumta revolucionare, si rezultat i të cilave ideologjia e vjetër feudo-borgjeze ka pësuar dhe po pëson goditje të rënda. Fjalimi programatik i 6 shkurtit, që mbajti shoku Enver, ishte një faktor tjetër frymëzues që i armatosi masat për ta intensifikuar dhe ngritur në një shkallë më të lartë këtë luftë, ku janë inkuadruar të mëdhenj e të vegjël, gra e burra.

Në kuadrin e kësaj lufte të ashpër klasore, goditje të fuqishme po pësojnë mënyra e vjetër dhe borgjeze e jetesës, doket e zakonet prapanike dhe, veçanërisht, ideologjia fetare, e cila prej shekujsh jo vetëm që ka helmuar ndërgjegjen e njerëzve, por ka hyrë thellë në jetën e tyre të përditshme, duke i shoqëruar në çdo moment. Masat e gjera punonjëse dhe në mënyrë të veçantë rinia, kanë marrë zotime që të heqin dorë nga të gjitha festat dhe ceremonitë fetare, nga zakonet e vjetra dhe prapanike dhe të festojnë festat tona dhe zakonet e reja socialiste. Mirëpo, kjo nuk mund të bëhet menjëherë. Të zhdukësh diçka dhe aq më tepër që kjo diçka ka të bëjë me botën shpirtërore të njeriut, nuk mund të bëhet po nuk u zëvendësua me diçka tjetër më përparimtare, më të afërt me njeriun. Në këtë drejtim, në punën tonë ideologjike ka një defekt. Ne deri tani kemi mohuar, por, kjo nuk mjafton. Bashkë me mohimin duhet edhe të pohojmë, të afirmojmë, sepse në disa aspekte të jetës së përditshme të njerëzve, janë krijuar boshllëqe shpirtërore. Dihet se boshllëk shpirtëror në botëkuptimin e njerëzve nuk mund të ketë kurrë. Në të do të gjejë vend pozitivja apo negativja dhe, kjo varet nga puna jonë ideologjike. Ky boshllëk që është krijuar duhet të zëvendësohet me festa dhe zakone të reja, që të mos kthehemi prapë në doket dhe zakonet e vjetra. Këto probleme na i ka ngritur tani jeta. Te njerëzit janë krijuar disa shqetësime dhe me të drejtë ata pyesin si do të festojmë këtë apo atë ngjarje, si do të bëhen fejesat, martesat, varrimi e probleme të tjera. Kuptohet se organizatat e Partisë, organizatat e masave, nuk mund të qëndrojnë indiferent, por duhet të përpiqen që t’u japin përgjigje.

Në mënyrë krejt paraprake dhe në formë orientimi të përgjithshëm, pa u konsideruar aspak si receta në këtë material, ne do të përpiqemi të japim disa mejtime lidhur me festat dhe zakonet e reja socialiste. E theksojmë, se këto janë vetëm mejtime dhe nuk kemi aspak ndërmend që çdo gjë ta kanunizojmë. Është vetë jeta, praktika, eksperienca që do t’i afirmojë, që do të nxjerrë të reja dhe do të pasurojë fondin e festave të reja socialiste, që duhet të rrënjosen në mendjen e njerëzve për t’iu kundërvënë atyre të vjetrave. Natyrisht, këtë gjë ne nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit, pse edhe praktika ka nevojë për orientim dhe eksperienca e masave ka nevojë të krasitet, të përpunohet, të tipizohet dhe të vihet në bazë të dokeve të reja socialiste.

Mbi festat e ndryshme
Çdo njeri e ndjen nevojën e gëzimit, bashkimit dhe të dëfrimit bashkë me miqtë, me shokët, me të afërmit. Pikërisht, edhe për këtë arsye, institucionet fetare i jepnin rëndësi organizimit të festave fetare. Disa nga këto, si Pashkët apo Bajrami, përbënin festën e përbashkët për të gjithë, pra njerëzit gëzonin bashkarisht. Disa të tjera, si dita e emrit, pagëzimet, synetllëku etj., ishin më tepër festa në familje të veçuara. Feja, sidomos kisha, për këto festa organizonin ceremoni pompoze, solemne, që t’u mbeteshin në mendje njerëzve, që t’i prisnin me gëzim njerëzit. Çdo gjë shoqërohej me një organizim sa më të bujshëm: që nga veshja, nga zbukurimet, nga organizimi i ceremonisë etj. Kjo ndodhte edhe për pagëzimet, edhe për synetllëkun, edhe për martesën në kishë, edhe për ditën e emrit, pa bërë fjalë për Pashkët e Bajramin.

Të gjitha këto, ne duhet t’i kemi parasysh. Duke hedhur poshtë të gjitha festat fetare, ne duhet të organizojmë festimin e festave tona kombëtare, lokale apo familjare. Por t’i organizojmë më mirë, më bukur, më me madhështi seç i organizonin klerikët.

Festat tona duhet t’u mbeten në mendje për një kohë të gjatë njerëzve.

Çfarë festash mund të festohen?

Festat me karakter te përbashkët kombëtar
Në të gjithë vendin kanë filluar të festohen mirë ngjarjet e shënuara si 11 janari (Shpallja e republikës), 1 m aji, (dita e solidaritetit ndërkombëtar të klasës punëtore), 8 nëntori (dita e themelimit të partisë) 28-29 nëntori (dita e pamvarësisë dhe e çlirimit) etj. Festimi i këtyre ditëve të shënuara po bëhet gjithnjë edhe më masiv. Por ndërsa në qytete këto festa kanë fituar një traditë të mirë, në fshat ose festohen zbehtë, ose nuk ndihen fare. Prandaj organizatat e partisë dhe organizatat e masave duhet të dalin me kohë përpara duke hartuar planin e punës për gjithë aktivitetin që do të zhvillohet para festës dhe ditën e festës, në mënyrë që atmosfera e festës të ndihet me kohë dhe njerëzit të pregatiten sa më mirë, për t’i pritur dhe festuar ato, jo vetëm në rezultate sa më të mira, në punë, por edhe me një aktivitet të madh politiko-kultural, me gëzim dhe dëfrim të përbashkët në kolektiv dhe në familje.

Festat me karakter shoqëror
Deri tani janë festuar dhe duhet të festohen sa më mirë të gjitha festat që kanë karakter shoqëror siç janë 1 janari, (dita e vitit të ri) 7 marsi (dita e mësuesit), 8 marsi (dita e gruas), 25 prilli (dita e kufirit), 5 maji (dita e dëshmorëve) 1 qershori (dita e fëmijëve) 10 korriku (dita e ushtrisë) etj. Gjithashtu mund të kremtohen e të përkujtohen përvjetorët e patriotëve dhe personaliteteve të njohur. Edhe për këto festa organizatat e partisë duhet të mendojnë seriozisht si t’i organizojnë sa më mirë, me programe të pasura politiko-kulturale dhe jo vetëm në kolektiv, por edhe në familje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Këngë për lisin me rrënjë shekullore, Aristidh Kolën e shqiptarisë

Nga: Abdurahim Ashiku Meditime me një pikë loti rrudhave të jetës Në 15-vjetorin e IKJES Të...

Krapi Koi, nga tryeza deri te simboli i statusit: Përse ky peshk vlen deri në dy milionë dollarë

Koi në Japoni është simbol i dashurisë dhe i miqësisë Vitin e kaluar Krapi koi është shpallur peshk kombëtar...

Ndërtimet më ekstreme në planet (Video)

Nga ndërtimi i një hekurudhe në nxehtësinë e vrastare të shkretëtirës deri në rinovimin e një stacioni kërkimor në një nga vendet...

Wilhelm Röntgen, gjerman që zbulou rrezet-x, fizikanti që tejpërçoi brenda nesh shikimin

Ai ishte një prej atyre mendjeve krijuese, pasioni dhe përkushtimi i të cilit i dhuroi botës një dimenison të ri njohës, e...

Recent Comments