Një nga figurat më komplekse të historisë shqiptare, për të cilin janë botuar disa libra dhe studime, por gjithnjë i vendosur ose si patriot i kulluar, ose si emblemë e tradhtisë –Esat pashë Toptani nga historianët shqiptarë shpesh është refuzuar, duke vlerësuar studimet mbi të si një përpjekje pa vlerë. Ashtu si vetë jeta e Esat Pashës, komplekse është edhe përgjigja që jep gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi në librin e tij studimor “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”, botimet UET Press.

Dara shtrëngohet

Lajmi se Mali i Zi i kishte shpallur luftë Turqisë u përhap në Shkodër të mërkurën, më 9 tetor paradite, me anë të tellallit. Qyteti kishte disa ditë që ishte shkëputur nga bota e jashtme, për shkak se linja e vetme telegrafike nëpërmjet Tivarit ishte ndërprerë. Brenda për brenda, komunikimi bëhej me korrierë, të cilët i përcillnin telegramet për në Shëngjin dhe, prej andej, ato

arrinin në Durrës. Në mesditë, nga kalaja e Rozafës krisën tre topa, siç ishte zakoni kur ndodhte diçka me rëndësi. Deri atë ditë, redifet e Esatit mund t’i shihje të shkrehura, duke u sorollatur nëpër pazar. Vetë Esati atë ditë kishte shkuar për të gjuajtur thëllëza.

Dalëngadalë, gjërat po bëheshin më të prekshme. Çdo ditë që kalonte sillte një drithërim të ri në shpirtin e njerëzve, sepse tani askush nuk mund të thoshte me saktësi se ç’po ndodhte dhe nuk dihej se ç’do të sillte dita tjetër. Ankthi u shtua pasditen e 11 tetorit, kur, përveç kërcitjes së topave, që duhet të vinte nga Tuzi, u dëgjuan të shtëna të shumta në formë breshërie në breg të liqenit, mu në rrëzë të Taraboshit, pranë kufirit me Malin e Zi.

Ky shkëmbim i rreptë zgjati deri në orën 7 të mbrëmjes dhe u kushtoi turqve shumë të vrarë e të plagosur.

Mali i Zi kishte marrë Zogajn, në anën jugore të liqenit, afër Shirokës. Nga shtëllungat e zeza të tymit që ngriheshin në atë anë, mund të kuptoje se malazezët po u vinin flakën fshatrave njëri pas tjetrit. Nuk kaloi shumë dhe u mor vesh se bëhej fjalë për një gjëmë të tmerrshme, e cila shfaqej te hutimi dhe pikëllimi i njerëzve që tërhiqnin familje e bagëti për të ikur. Nga ana e malit ishin me mijëra myslimanët që largoheshin. Iknin edhe të krishterët. Para se të niseshin, ata grumbullonin në kishë plaçkat dhe linin në portat e shtëpive kryqe ose figura shenjtësh, që zaptuesi të bënte dallimin me shtëpitë myslimane dhe t’ua kursente flakën. Njerëzit hiqnin këmbët zvarrë nga lodhja, por nuk ndaleshin, sepse Shkodra ishte shpëtimi i vetëm. Kur arrinin në qytet, familjet strehoheshin në hanet e pazarit, ose ku të gjenin shtëpi. Beledia (bashkia) u jepte ndonjë metalik që ata të mund të blinin pak bukë sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Por dukej qartë se qeveria ishte e papërgatitur. Një ditë, dyndja e fshatrave drejt Shkodrës u bë e papërballueshme, sepse qyteti po zhytej vetë në krizë. Hasan Rizai dha urdhër të mos lejohej hyrja e të ardhurve. Përballë klithmave, dënesave, lebetitjeve të grave me fëmijë dhe përgjunjieve të burrave që kërkonin të kalonin me çdo kusht, roja kishte vetëm një fjalë: Jazëk! Nuk lejohet, është urdhër i komandantit.

Dara e malazezëve rreth Shkodrës po shtrëngohej. Më 18 tetor ata kishin përparuar deri në Fushën e Shtojit në veri dhe ishin duke marshuar drejt Kirit. Në jug, ata bombardonin Taraboshin nga pozicionet që kishin kapur në Muriqan. Hasan Rizai prej kohe kishte menduar për mbrojtjen e Shkodrës në rast të një rrethimi. Punimet e fortifikimit kishin filluar të paktën që në muajin

maj në disa vende njëherësh. Në Shkodër arrinin vazhdimisht me anije në formë dengjesh sasi të mëdha telash me gjemba. Ishte fortifikuar Taraboshi dhe kjo nuk kishte qenë e lehtë, sepse të hapje llogore aty ishte njëlloj sikur të mihje në shkëmb e gur. Edhe në Fushën e Shtojit drejt Vrakës e Koplikut ishin ndërtuar llogore. Ishin fortifikuar edhe kodrat përtej Kirit, sidomos

Bardhaj i Madh, një pozicion me rëndësi. Për Hasan Rizain, ky pozicion dhe e gjithë vija e mbrojtjes në perëndim të tij, deri në liqen, ishin pika më e dobët e garnizonit që ai komandonte.

Esat Pasha përmendet pak në këtë periudhë të parë të rrethimit. Pak është shkruar edhe për marrëdhëniet e tij me Hasan Riza beun. Në një libër të botuar në vitin 1927, marshalli me origjinë shqiptare Fevzi Çakmak, i cili do të luante rol në themelimin e republikës së Ataturkut, shkruan se çështja e komandës së operacioneve nuk ishte fort e qartë, sepse Hasan Rizai ishte komandant i korpusit dhe mbante gradën kolonel, ndërsa Esati ishte pashë, ishte edhe gjeneral brigade. Në të vërtetë, Esati kishte nën komandë një ushtri më të madhe. Të 15 batalionet e redifeve dhe vullnetarëve të tjerë ishin më të shumtë në numër se sa ushtarët e korpusit turk të Shkodrës. Për nga rangu, ishte Esati që duhet të komandonte, por për nga kompetenca ushtarake, komanda duhet t’i takonte kolonel Hasan Rizait, i cili dikur kishte qenë gjeneral, por ishte ulur në rang kur ushtria turke kishte bërë rivlerësimin e gradave. Çakmak shkruan se paqartësitë në zinxhirin e komandës kishin dobësuar disiplinën dhe kishin çuar në shtimin e komitëve.

Në fillim Esatin e thërrisnin komandant i Shkodrës, por atij nuk i pëlqeu ky titull. U vendos që të quhej zyrtarisht komandant i Fronteve të Veriut dhe të Lindjes, dhe kështu nënshkruheshin edhe urdhrat që ai nxirrte me shkrim. Ushtaraku i parë do të ishte Hasan Rizai.

Dy nga oficerët më të lartë të garnizonit turk, Abdurrahman Nafiz Gyrman (Abdürrahman Nafiz Gürman) dhe Qeramudin Koxhaman (Kiramettin Kocaman), i kanë bërë një përshkrim të hollësishëm mbrojtjes së Shkodrës në një libër prej rreth gjashtëqind faqesh, që u botua dy dekada më vonë në Stamboll me miratimin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë.

Libri me titull Mbrojtja e Shkodrës në Luftën Ballkanike, duket më tepër si një përmbledhje shënimesh dhe ditarësh pa një kronologji të qartë.

Për arsye që i shpjegojnë edhe në libër, oficerët nuk kishin ndonjë simpati për Esatin. Ata shkruajnë se, pas fillimit të luftës, kreun e redifeve nisi ta brente shqetësimi se malazezët do të arrinin në Shkodër përmes Kirit dhe se qyteti nuk do të mund të mbrohej më. Esat Pasha, thonë ata, donte të shkonte në Tiranë dhe të ruante prej andej lidhjet me Shkodrën.

Këtu, përbuzja e oficerëve është e hapur. Ata e përshkruajnë Esatin si njeri frikacak, që donte t’i shmangej përballjes me malazezët në frontin e Kirit. Pohimet e dy oficerëve nuk vërtetohen nga ndonjë burim tjetër, ndërkohë që dihet se Esati nuk iku nga Shkodra. Sipas asaj që shkruajnë oficerët, ishte Hasan Rizai që arriti ta bindë Esatin të mos largohej. Dëshmitë që ata japin në libër për Esatin janë fragmentare dhe herë-herë kontradiktore, prandaj duhen marrë me rezervë. Ata nuk flasin sidomos për qëllimet me të cilat Esati shkoi në Shkodër. Këto qëllime, me sa duket ishin mjaft të ndryshme nga ato të Hasan Rizait, i cili e mbronte Shkodrën si një qytet turk.

Ka prova që tregojnë se Esati përpiqej të mbante marrëdhënie të mira me katolikët, sepse i shihte me rrezik acarimet fetare mes shqiptarëve. Në një rast, disa nga etërit dhe seminaristët katolikë të Shkodrës, me lejen e valiut po shkonin si zakonisht në vilën e tyre të Bardhajt, nga ku duhet të merrnin ushqime për t’i sjellë në qytet. Papritur, ata u ndaluan nga ushtarët, diku në mesin e shtratit të tharë të Kirit dhe u shoqëruan për në Fushën e Shtojit te një zyrtar, nën të qeshurat dhe romuzet e myslimanëve që bënin sehir.

Zyrtari i dërgoi me një letër përcjellëse tek Esat Pasha, nën shoqërimin e nja dhjetë ushtarëve me bajoneta të ngrehura. Pasi i dëgjoi klerikët, Esati u bërtiti ushtarëve dhe i qortoi që i kishin arrestuar këta njerëz pa arsye. Grupi i katolikëve u la të shkojë në punën e tij.

Hasan Rizai dhe Esat pasha i kishin hyrë një sipërmarrjeje me rreziqe të mëdha, që më vonë do të njihej si mbrojtja e Shkodrës dhe që do të ishte vendimtare për fatin e qytetit. Roli i tyre dhe peripecitë që i ndoqën janë përshkruar nga disa autorë, por për shkak të izolimit të skajshëm të Shkodrës në ato javë dhe muaj tmerri, disa gjëra kanë mbetur të errëta. Për t’iu afruar sa më shumë të vërtetës, ky libër mbështetet kryesisht te rrëfimet e njerëzve që i kanë jetuar ngjarjet.

Më 28 tetor malazezët kaluan Kirin dhe një ditë më vonë arritën deri në Bardhajn e Madh në lindje, por ata pothuajse humbën në labirintin që krijonin dredhat e lumit, përroskat dhe vreshtat. Beteja u shndërrua shpejt në një masakër. Sipas disa dëshmive, numri i të vrarëve e të plagosurve, të përhapur gjithandej në fushën e luftimeve, shkonte në mijëra. Spitalet e qytetit, ku ngrihej flamuri i bardhë, numëronin deri në pesë mijë të plagosur. Të gjymtuarit i sillnin me karroca, ndërsa ata që mund të ecnin vetë, vinin dy e nga dy duke u mbajtur në krah të njëri-tjetrit. Karrocat sillnin edhe qivure dhe qëllonte që turku brenda tyre të mos ishte ushtar i thjeshtë por një melazim ose bimbash dhe kjo kuptohej nga shamia e mëndafshtë që i mbulonte fytyrën. Në këto raste, në të dyja anët e karrocës ecnin me hap të nxituar një numër ushtarësh në shenjë nderimi.

Të plagosurit malazezë, veç sfilitjes, u duhej të duronin edhe poshtërimin. Rrugës për te Saraji i Ri në Parrucë, ku ishte spitali, ata shoqëroheshin nga ushtarë turq të armatosur dhe pas tyre vinte një turmë myslimanësh shkodranë që rrihnin shuplakat nga gëzimi duke thirrur Padishahëm, çok

ja shaaa (Rrofsh o Sulltani im)! Më tutje mund të dëgjoje një turmë redifesh shqiptare prej 100 ose 150 vetësh që ia kishin marrë këngës. Ishte një skenë surreale, ku mjerimi përzihej me festën.

Malazezët zienin nga inati, por nuk e jepnin veten. Një oficer i tyre, kur pa turmën gjithë shend, tha në gjuhën e vet: “mos u gëzoni shumë, sepse në Podgoricë kemi mbi tre mijë robër nga tuajit”. Megjithatë, ushtarët e Mbretit Nikollë ishin me fat që kishin mbetur gjallë. Batalioni i tyre do të ishte shuar i tëri, po të mos kishte patur ndihmën e malësorëve të Shalës, të cilët e njihnin mirë vendin.

Për shkak të fillimit të shirave, malazezët u tërhoqën nga Kiri në kërkim të një vendi më të mbrojtur dhe u pozicionuan në zonën mes liqenit dhe Fushës së Shtojit. Durham shkruan se ata nuk e kuptonin rëndësinë e Bardhajt, si kyçi për marrjen e Shkodrës. Hasan Rizai përfitoi nga ikja e malazezëve për ta fortifikuar më shumë atë zonë.

Në fillim të nëntorit, malazezët nisën një taktikë të re, bombardimin e qytetit, për të trembur komandën turke dhe për ta hedhur popullatën në rebelim. Kjo shënoi fillimin e një periudhe frike dhe terrori. Zakonisht, bombardimi fillonte aty nga mbrëmja, pas rënies së kambanave, dhe

vazhdonte deri natën vonë. Për shkak të frikës, një pjesë e mirë e banorëve të lagjeve që bombardoheshin dilnin jashtë në terr, viheshin varg burra, gra e fëmijë dhe nxitonin drejt pjesëve ku nuk besohej se arrinin predhat.

Njerëzit trokisnin në dyert e miqve apo të afërmve për t’u strehuar. Qyteti ishte i traumatizuar.

Më 1 nëntor, pas luftimeve në Kakarriq, malazezët mundën të kontrollojnë përkohësisht hyrjen për në Shkodër nga ana e Lezhës, por turqit arritën t’i sprapsin. Hasan Rizai donte me çdo kusht ta mbante të hapur këtë rrugë, nga i vinin përforcime me redife dhe vullnetarë të tjerë. Megjithatë, Shkodra kishte mbetur thuajse e izoluar. Në veri, malazezët mbanin disa pozicione kyçe në Koplik dhe në Vrakë. Në jugperëndim ata ndodheshin në Muriqan. Në anën lindore, matanë Kirit, vigjilonte ditë e natë një divizion i tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here