Midis eksploruesve të epokës moderne, Ferdinand Magelani që vdiq 500 vjet më parë, kujtohet së bashku me Kristofor Kolombin, Amerigo Vespuçin dhe Vasko da Gamën si një nga më të rëndësishmit. Arsyeja është pretendimi se ai ishte i pari që udhëtoi përreth botës midis viteve 1519–1522
Por në të vërtetë Magelani vdiq gjatë kohës që ndodhej në Filipine, për shkak të një përleshje të armatosur me një fis vendas më 27 Prill 1521, pra saktësisht 500 vjet më parë. Prandaj, edhe pse ai udhëhoqi ekspeditën gjatë gjysmës së Botës se Re të pashkelur dhe e rrethoi për herë të parë Amerikën, nuk u kthye dot kurrë në pikën e tij të nisjes, Spanjë.
Udhëtimin e përfundoi kapiten Elkano. Por sipas disa dëshmive, personi i parë që përfundoi teknikisht rrotullimin rreth globit, ishte një skllav me origjinë filipinase që u largua nga vendlindja bashkë me ekspeditën. Ferdinand Magelani lindi me emrin Fernao de Magalhaes në një familje fisnike portugeze në vitin 1480.
Kur qe i ri ai ishte pjesë e oborrit mbretëror të Lisbonës, por shumë shpejt preferoi që t’i përkushtohej udhëtimeve të gjata dhe të rrezikshme në Afrikë dhe Lindje, ku eksploruesit portugezë ishin në kërkim të një produkti që në atë kohë garantonte fitime të mëdha: erëzat.
I akuzuar për tregti të paligjshme, Magelani u largua nga Portugalia pasi debatoi me mbretin Manuel I dhe gjeti strehë në Spanjën e Karlit V, që ishte dhe rivali kryesor i Portugalisë në ekspeditat detare. Ideja për të ndërmarrë një udhëtim kaq të kërkuar, u nxit nga nevoja për të gjetur një rrugë të re drejt Indisë por që kalonte nga Perëndimi.
Shpresohej që ajo të ishte më e shkurtër dhe më e sigurt se sa ajo që rrethonte Afrikën, e ngjashme me atë të planifikuar nga Kolombi para se të zbulonte rastësisht një kontinent të ri. Karli i dha mundësinë që ta provojë duke i vënë në dispozicion 5 anije, të cilat u larguan në vitin 1519 nga qyteti Andaluzian Sanlukar de Barrameda.
Por ekspedita do të shoqërohej që në fillim me probleme, ndër to më kryesori ishin anijet portugeze, të dërguara nga Manuel I për të mbajtur nën vëzhgim misionin spanjoll, dhe çdo rrugë të zbuluar prej tyre. Për një farë kohe ata arritën që të qëndronin pas anijeve të Magelanit, por më pas i humbën nga sytë.
Problemi i dytë ishte një stuhi e madhe që shkaktoi një vonesë në kalendarin e udhëtimit, dhe për pasojë imponoi një racionim të rezervave ushqimore. Dhe së fundmi ishte marrëdhënia e tensionuar midis Magelanit dhe shumicës së ekuipazhit.
Marinarët në bord ishin kryesisht spanjollë, ish të dënuar që kishin dalë nga burgu, që ranë dakord të merrnin pjesë në ekspeditë në këmbim të parave, ose njerëz që ishin arratisur për shkak të borxheve. Por pak prej tyre ishin të lumtur që komandoheshin nga një portugez.
Sidomos Juan de Kartagjena, që drejtonte një nga pesë anijet atë “San Antonio”, e kritikoi hapur Magelanin, që reagoi duke e arrestuar dhe futur në burg në bordin e një anijeje tjetër të quajtur“Viktorias”.
Por Kartagjena nuk u dorëzua. Në prillin e vitit 1520 ai arriti të arratisej nga anija “Viktoria”dhe të kthehej në bordin e anijes “San Antonio”, duke arritur të nxisë rebelimin e ekuipazhit kundër Magelanit. Atij iu bashkuan edhe kapitenët e anijeve “Konsepsion” dhe “Viktoria” , duke e lënë Magelanin në pakicë.
Kryengritësit i dërguan një letër Magelanit, që ndodhej në bordin e anijes “Trinidad”, ku e urdhëruan që të pranonte humbjen. Magelani u kundërpërgjigj duke dërguar një njeri që qëlloi me thikë kapitenin e anijes “Viktoria”, Luiz Mendoza. Pas këtij akti ekuipazhi besnik i Magelanit shkoi në fjetoren e anijës “Viktoria” dhe i neutralizoi rebelët.
Kapitenit të “Konsepsion”, Kaspar de Kesada, iu pre koka dhe trupi i tij u copëtua për t’u bërë një shembull për të gjithë ata që synonin të rebeloheshin. Ndërkohë anija “Kartagjena” u la të mbytej në mesin e Paqësorit së bashku me një prift, që ishte gjithashtu një nga kryengritësit.
Në tetor ekspedita humbi një pjesë tjetër. Kur anija “San Antonio”po ndahej nga anija “Trinidad” për të eksploruar të dyja anët e një ishulli, anëtarët e ekuipazhit e detyruan kapitenin që të dezertonte dhe të rikthehej në Spanjë.
Përfundimisht, synimi për të anashkaluar kontinentin amerikan, midis territorit të sotëm të Kilit dhe arkipelagut Tierra del Fuego në atë që njihet ende sot si ngushtica Magelan, u arrit nga anijet e mbetura vetëm më 28 nëntor, pas shumë përpjekjesh.
Nga ana tjetër, kushtet e motit ishin aq të favorshme sa që Magelani, kapiteni i parë evropian që mbërrinte atje, e quajti atë që ai mendonte të ishte një det siç njihet edhe sot “Oqeani Paqësor”. Në mars ata arritën në ishullin e Guamit, ku më në fund arritën të grumbullonin furnizimet e duhura, dhe më pas u nisën për në arkipelagun e Filipineve, ku Magelani nisi procesin e konvertimit në Krishtërim të popullatave lokale.
Një udhëheqës lokal që ishte konvertuar në të krishter, Humabon, i kërkoi mbështetje Magelanit për të luftuar kundër kreut të një fisi në ishullin Maktan, Lapu–Lapu, që kishte refuzuar të konvertohej. Magelani pranoi dhe sulmoi fisin Lapu–Lapu me rreth 60 burra, kundër rreth 1500 vendasve, duke besuar në epërsinë e armëve të tyre.
Gjatë luftës, ai u godit nga një shtizë bambuje, dhe më pas u godit nga luftëtarët e tjerë që e vranë. Trupi i tij u braktis nga pjesa tjetër e ekuipazhit. Pas vdekjes së Magelanit, ekspedita vazhdoi, por pa të. Anija “Viktoria” arriti të kthehej në Spanjë vetëm në vitin 1522.