6.1 C
Pristina
Thursday, September 23, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Te varri i mikut më të madh të shqiptarëve

Te varri i mikut më të madh të shqiptarëve

Shkruan:Daut Dauti

Në fund të fshatit Brushford, në anën e djathtë të rrugës, gjendet kisha St. Nicholas. Është ditë e diel kurse ora është gati 12. Në rrugë qëndrojnë tre veta duke biseduar. Njëri që mbante një nga ato xhaketat fluroshente të punës, më përshëndeti dhe ky ishte rast t’ia parashtroja pyetjen time.
‘Tashti kryhet mesha dhe mund të bisedosh me priftin. Unë nuk di gjë për këtë punë. Unë vetëm i bie këmbanave të kishës” – më tha.
“Sidoqoftë, qenke njeriu kryesor se pa këmbana nuk funksionon kisha” – ia ktheva dhe qeshëm sa për kurtoazi.
Pak pas orës 12, një prift i moçëm doli para kishës për t’i përcjellur pjesëmarrësit e meshës së kësaj dite. Ishte i gjatë dhe elegant. Me rrobat e tija të bardha që i shkonin gati zhag përtokë, dukej si nga ata templlarët që i shohim në filma.
Nga kisha doli një dyzinë besimtarësh duke e falënderuar dhe biseduar shkurt me priftin, siç e do rasti. Të gjithë ishin njerëz të shtyrë në moshë. Njerëz që nuk e kanë larg vdekjen dhe që mendojnë për këtë gjë. Të rinjtë më nuk shkojnë në kishë.
Me priftin qëndruam në distancë por e krijuam kontaktin vizuel dhe i formuam pamjet miqësore të fytyrave. Kur mendova se më nuk kishte njerëz në kishë, iu afrova dhe ia tregova qëllimin pse isha aty.
“Unë nuk jam në komandë. Duhesh të bisedosh me Jane-in”.
Jane është grua dhe priftëreshë e ngarkuar me shërbim në këtë kishë. Ajo ende bisedonte brenda me dy veta që ishin të vetmit të rinj e që ishin aty për ta organizuar ceremoninë e martesës.
Kur më erdhi radha mua, i tregova priftëreshës se kush isha. ‘Kam ardhur t’a shoh kishëzën ku është varri i Aubrey Herbert-it”- i thashë.
“Shumë njerëz e vizitojnë kishën tonë për shkak të Herbertit, por askush nga ana e juaj” – më tha Jane. Me fjalë tjera, me sa e dinte Jane, shqiptarët nuk e vizitojnë këtë vend.
Jane më njoftoi me gjërat që kanë të bëjnë me arsyen pse Aubrey Herbert ishte varrosur në këtë kishë. Në fakt, kishës, e cila daton që nga shek. XII, në vitin 1926, i është shtuar aneksi që quhet Aubrey Herbert Chapel (Kishëza e Aubrey Herbertit).
Jane ishte në pension por rolin e priftëreshës e ushtronte në mënyrë vullnetare, pa pagesë. Fliste rjedhshëm dhe më ngjyrën e ëmbël të zërit të bënte të koncentroheshe në fjalët e saja. Ishte nga ato gratë që të pushton me pamje dhe çdo regjisor do ta angazhonte në rolin e grave aristokrate angleze.
Megjithatë, ajo nuk dinte ndonjë gjë për rolin që Aubrey Herbert e ka luajtur në historinë e Shqipërisë. Ky ishte rast kur unë mora rolin e meshtarit, me të cilën gjë, mendoj se e impresionova priftëreshën. Por, ajo u gëzua që e mësoi këtë anë të jetës së Herbertit.
Aubrey Herbert, kampioni i pavarësisë së Shqipërisë dhe miku më i madh që ndonjëherë kanë pasur shqiptarët, qëndron në kishëzën e tij. Jeta e tij ka qenë e shkurtë por tejet dinamike. Megjithatë, statuja e tij e shtrirë paraqet gjendjen e tij të qetë. Është e punuar në bronz por e veshur në mermer. Mbi kokë i qëndron shpata e oficerëve, të cilën e ka bartur në luftë. Tërë kishëza është e veçantë. Ulëset janë sjellur nga një kishë tjetër dhe janë të shek. XV. Xhamat e dritareve janë të një lloji të qelqit që gjendet në Ravena të Italisë. Mbi statujë qëndrojnë punime të veçanta nga druri dhe në të, heraldika e familjes së tij. Kjo pjesë e kishës shërben vetëm për raste të veçanta.
Aubrey Herbert (1880-1923) ka qenë i familjes Carnarvon, një familje e vjetër aristokrate dhe ndër më të rëndësishmet në Britani të Madhe e që kishte lidhje të ngushta me familjen mbretërore dhe me influencë në të gjitha qeveritë britanike. Herbert ka lindur në Highclare Caste (shih foton 4). Në rini të hershme shkoi për të jetuar në Pixton Park (foto 5), një pallat me 2000 hektarë tokë, që e mori dhuratë nga nëna e tij, kontesha Carnarvon. Kur vdiq, u varros në këtë kishë, e cila nuk është larg nga vendi ku jetoi.
Jeta e Aubrey Herbertit është e lidhur ngushtë me historinë e shqiptarëve. Aristokratët britanikë gjithmonë mbrojnë ndonjë kauzë të popujve tjerë. Herbert ka qenë turkofil por ai ra në dashuri me shqiptarët dhe u angazhua tërë jetën për pavarësinë e Shqipërisë. Më 1912, para se të fillonte Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e themeloi ‘Albanian Commette’ ku i mblodhi intelektualët dhe personalitet e rëndësishme britanike për të ushtruar influencë në vendimet e konferencës ku po vendosej fati i Shqipërisë. Ai e mbajti në kontakt mikun e tij të shtëpisë, Eduard Grey-in, udhëheqësin e konferencës, me zhvillimet në Shqipëri dhe nevojën për pavarësi të këtij vendi. Herbert ishte ai që e solli në Londër delegacionin shqiptar në krye me Ismail Qemalin për të shtruar influencë në vendimet e konferencës. Isa Boletini ishte miku më i ngushtë i Aubrey Herbert-it. Isa ka qenë heroi i Herbertit. Për këtë arsye, Herbert nuk lejoi që Isa Boletini të qëndronte në hotel dhe e mori në shtëpinë e tij në Londër si mysafir personal.
Aubrey Herbert ishte aq i rëndësishëm në themelimin e shtetit shqiptar sa që qeveria e Ismail Qemalit ia ofroi edhe fronin mbretëror. Herbert i plotësonte të gjitha kushtet për mbret të Shqipërisë, por e refuzoi ofertën për shkak se nuk pati përkrahje nga qeveria britanike.
Deri në vitin 1945, Aubrey Herbert ka qenë ndër heronjtë kryesor në Shqipëri. Gjërat ndryshuan kur komunistët erdhën në pushtet. Emri i tij u ndalua të përdorej për shkak se ai ishte aristokrat dhe britanik. Këta ishin armiqt e komunizmit të Enver Hoxhës. Fshati Herbert, të cilin e themeloi dhe e mirëmbante kontesha Carnarvon për hirë të birit të tij, dhe ku qenë vendosur refugjatët nga Kosova, iu ndërrua emri. U shkatërrua edhe biblioteka dhe fusha e tenisit që e ndërtoi familja e tij në Tiranë.Dhe kështu u zhdukën gjurmët e kontributit të Herbertit dhe miku më i madh që kishin shqiptarët u harrua dhe nuk e përmend deri kur ra komunizmi.
Ky është një shembull që tregon se kur historia hyn në shërbim të shtetit, duhet ta luaj rolin e flliqtë. Ka plot gjëra që historia jonë i ka injoruar ose shtrembëruar dhe pasojat ndjehen edhe sot. Mbi këtë budallaki është ngritur armiqësia e shqiptarëve ndaj anglezëve, e cila, në një masë të konsiderueshme, haset edhe sot.

May be an image of tree and nature
May be an image of indoor
May be an image of castle and outdoors

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Letrat e pabotuara, si Alois Hitler e nxiti djalin e tij të bëhej përbindëshi që e njohin të gjithë

Figura e Adolf Hitlerit, vazhdon të mbetet një temë e rëndësishme e diskutimeve në mjedisin e sotëm akademik. Në fillim të këtij...

Figura e shtrembëruar e Ali Pashë Tepelenës në dramaturgjinë perëndimore

Refik Kadija Vdekja tragjike e Ali Pashë Tepelenës më 25 janar 1822 bëri jehonë në Evropë dhe nxiti interesin...

A duhet të bëhet doza e tretë e Pfizer, FDA del me rekomandim: Vetëm për personat e kësaj moshe

Një komitet i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave hodhi poshtë kërkesën e kompanisë Pfizer për të injektuar në masë një dozë...

Arkeologët rrugës për të gjetur një qytet antik të zhdukur në Meksikë

Gjurmë të fshehura të një qyteti të madh antik në Meksikë janë zbuluar pasi që LIDAR (Zbulimi me anë të laserit të...

Recent Comments