Rreth 13 milionë gjermanë u detyruan të kërkonin një vendstrehim të ri pas Luftës II Botërore, ndërsa u përfshinë edhe emra të regjisorëve të mëdhenj në historitë e luftës
Lufta II Botërore
Sikurse regjisorë të tjerë të famshëm edhe Alfred Hitchcock ka xhiruar një film për mizoritë e nazistëve dhe kampet e përqendrimit. Në fazën përfundimtare të Luftës II Botërore regjisori ka punuar për forcat aleate.
Hitchcock (Hiçkok) nuk qe përjashtim. Kur forcat aleate po përgatiteshin vitet e fundit të luftës për zbarkimin në Evropë, ata angazhuan edhe shumë regjisorë të shquar. Ata duhet të xhironin filma propagandistikë dhe të dokumentonin ngjarjet e luftës për kronikat javore që shfaqeshin para filmave në kinema. Ndër këta regjisorë ishin Billy Wilder, William Wyler dhe Frank Capra si dhe disa regjisorë britanikë.
Filma propagandistikë për aleatët
Pas karrierës së tij evropiane, Alfred Hitchcock ishte duke punuar asokohe prej disa vitesh në Hollivud. Në vitin 1944, ai xhiroi për herë të parë me porosi të Ministrisë së Informacionit në Londër dy filma gjysmorësh që ishin të destinuar posaçërisht për audiencën franceze. “Bon Voyage” dhe “Aventure Malgache” ishin filma të shkurtër artistikë që kishin si synim të forconin rezistencën e franceze kundër trupave gjermane.
Më pas miku i tij, producenti i filmave Sidney Bernstein, e pyeti Hitchcock-un nëse donte të punonte për një projekt me emrin “F3080”, pjesën e dytë të një dokumentari për çlirimin e kampeve gjermane të përqendrimit. Pjesa e parë e dokumentarit i kushtohej çlirimit të kampit të përqendrimit Bergen-Belsen.
Filmi mbeti fragment
Sot nuk dihet me saktësi se sa i angazhuar qe Hitchcock-u në këtë projekt, por e qartë është se ai ka parë materialet e filmuara dhe kanë udhëzime për montimin e tyre, por filmi mbeti fragment për shkak të ndryshimit të politikës së aleatëve në vitin 1945. Kjo vepër tani do të restaurohet dhe do t’i shfaqet publikut të gjerë.
Skenë nga filmi Lista e Shindlerit
Cili qe qëllimi i filmit që më vonë u bë i njohur me titullin “Kujtime nga kampet”? Amerikanët dhe britanikët donin t’i bënin të botës në vitet 1944-1945 të qartë se për mizoritë e luftës ishin përgjegjës nazistët. Ata donin të tregonin pamjet e tmerrit të kampeve të përqendrimit. Për këtë qëllim ata angazhuan, sikurse dhe trupat ruse, disa ekipe kameramanësh që ishin të pranishëm në çlirimin e kampeve.
“Kameramanët duhet të xhirojnë të gjithë materialet që ilustrojnë lidhjen e industrisë gjermane me kampet e përqendrimit – stemat e prodhuesve të furrave të krematoriumeve, të dhomave të gazit dhe të objekteve të tjera, korrespondencën me furnizuesit etj.”, – shkruante Sidney Bernstein në udhëzimet e tij.
Skrupuloz dhe rigoroz
Për angazhimin e Hitchcock-ut si regjisor nuk ekziston ndonjë kontratë. Por Peter Tanner, i cili punonte asokohe si montazhier, tregon se Hitchcock-u ishte shumë i përpiktë dhe synonte që filmimet të ishin sa më të besueshme. Sipas Tanner, Hitchcock-u kujdesej vazhdimisht që të ishte e qartë ndarja mes xhirimeve autentike dhe skenave të luajtura më pas. Historiani i filmit Christoph Terhechte, drejtues i Forumit të Berlinales, shkruan se Hitchcock-u qe shumë rigoroz në materialin filmik që përdorte. Ky nuk duhet të ishte në asnjë mënyrë i sajuar.
Jashtëzakonisht i fuqishëm dhe prekës
Toby Haggith nga “Imperial War Museums” në Londër, që po merrej me restaurimin e filmit, kishte thënë se ky film ishte “jashtëzakonisht i fuqishëm dhe prekës”. Në të nuk ka vetëm skena tmerri por edhe shprese, p.sh. të një të internuari, i cili bën për herë të parë pas shumë kohësh dush. Sipas një njoftimi në gazetën britanike, “The Independent” të vitit 1945, vetë Hitchcock-u kishte qenë shumë i tronditur nga pamjet e xhirimeve dhe për ditë me radhë nuk kishte shkuar në studio.
Edhe pse filmi “Memory of the Camps” mbeti i papërfunduar, xhirime që ishin bërë për të janë përdorur për shumë filma propagandistikë. /albertvataj.com/