Nga Moikom Zeqo

Dijetari i njohur i antikitetit Plutarku, në veprën e tij “Jetët paralele, shkruan dhe për jetën e Pirros së madh të Epirit.

Kur Pirroja ishte 2 vjeç të atin e tij e rrëzuan nga froni.

Atëherë disa shoqërues besnikë të Pirros e morën atë, për ta çuar te ilirët taulantë, pikërisht te prijësi i tyre Glauku, në qytetin e Dyrrahut.

Natën dhe ditën ata iknin me shpejtësi, për të shpëtuar nga ndjekësit, të cilët kërkonin Pirron për ta vrarë.

Në një moment shoqëruesit e Pirros u ndodhën përpara një të papriture: përpara u doli një lumë i rrëmbyer, të cilin nuk e kapërcenin dot, se nuk kishin lundër, ose ndonjë mjet tjetër notimi.

Ndjekësit po afroheshin.

Ç‘duhej bërë?

Ta dorëzonin fëmijën në duart e vrasësve?

Njëri nga shoqëruesit, tregon Plutarku, mori një lëvore druri dhe shkroi mbi të me një majë të mprehtë thike një mesazh, kërkonte ndihmë.

Përtej lumit u dukën disa ilirë.

Frynte erë dhe zërat e shoqëruesve të Pirros nuk kuptoheshin nga ilirët e bregut të përtejmë.

Atëherë lëshuan në lumë lëvoren e drurit të shkruar. Mbas një farë kohe ilirët e morën atë, kuptuan rrezikun e madh, që kërcënonte Pirron dhe menjëherë morën një lundër u afruan në bregun ku rrinte grupi i vogël i ikanakëve dhe i hodhën shëndoshë e mirë përtej lumit.

Ndërkaq ndjekësit arritën te lumi, po tashmë ata nuk mund të bënin asgjë.

Pirron e mori dhe e rriti në Dyrrah Glauku, mbreti i taulanteve, i cili kur djali mbushi moshën 12 vjeç e çoi në Epir, duke e vendosur në fronin mbretëror.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here