Politika shtetërore e Serbisë në atë kohë e përcillte me vëmendje gjendjen midis “banorëve të rinj”, por roli kryesor që pushteti i atëhershëm ua kishte dedikuar kolonizatorëve “malazezë” ishte krijimi i murit mbrojtës midis kufirit të atëhershëm osman (kosovar), ku herë pas here shqiptarët e dëbuar përpiqeshin që të ktheheshin në vatrat e mëparshme. Një doktrinë të tillë të shtetit të Serbisë e vërteton edhe vetë radhitja gjeografike e fshatrave kolonizuese

Kolonizatorët “malazezë” në rrethin e Jabllanicës u vendosën rreth e përqark kufirit të tanishëm të Kosovës. Në pjesën më lindore të këtij rrethi, kolonizatorët “malazezë” u vendosën në fshatin Maroc duke vazhduar në perëndim drejt Banjës së Vjetër, Vrapcës, Mërkonjës, Medevcit, Gubacit, Tullarës dhe më pastaj drejt veriut, ku vendosja e kolonizatorëve vazhdoi në fshatrat Brainë e Madhe dhe e Vogël, Bërvenik, Përpor, Sponcë, Sfircë, Sekiraçë. Që vija kufitare të sigurohej sa më mirë, kolonizatorët “malazez” u vendosën edhe në pjesën perëndimore në fshatrat Tërn, Tërpezë në rrethin e Kosanicës. Por, krijimi i zonës “malazeze” vazhdoi në fshatrat Brajshor, Drencë, Lece, Slivovë etj. Krahas anembanë vijës kufitare, kolonizatorët “malazezë” u vendosën edhe në zonën e Medvegjës në Sijarinë, Boroc, Petrilë, ku fillimisht u krijuan fshatrat e pastra “malazeze”, ndërkaq edhe vetë Medvegja u përfshi në këtë valë të kolonizimit. Prapë vlen të theksohet se korpusin e kolonizatorëve që ishin vendosur në vatrat e shqiptarëve të dëbuar kryesisht vinin nga fiset e njohura Palëbardhët, Piperët, Kuçët, Bratonozhiqët, Vaosjeviqët etj.

POLITIKA SHTETËRORE E SERBISË DHE E “BANORËVE TË RINJ”

Politika shtetërore e Serbisë në atë kohë e përcillte me vëmendje gjendjen midis “banorëve të rinj”, por roli kryesor që pushteti i atëhershëm ua kishte dedikuar kolonizatorëve “malazezë” ishte krijimi i murit mbrojtës midis kufirit të atëhershëm osman (kosovar), ku herë pas here shqiptarët e dëbuar përpiqeshin që të ktheheshin në vatrat e mëparshme. Një doktrinë të tillë të shtetit të Serbisë e vërteton edhe vetë radhitja gjeografike e fshatrave kolonizuese.

Në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të XX, rreth e përqark kufirit të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, u ngritën karakollët për mbikëqyrjen dhe kontrollin e vijës kufitare. Në viset e kolonizuara, komanda serbe u vendos fillimisht në Prokuple, por selitë e forcave kufitare ishin në Kurshumli dhe në qendrën e Medvegjës. Forcat kufitare kryesisht përbëheshin prej “malazezve”, që paraprakisht në luftë kishin qenë të përfshirë si vullnetarë. “Malazezët duhet ruajtur mirë, sepse ata do të shndërrohen në mbrojtës të mirë të kufirit, përveçse atyre duhet ndarë armë, duhet pasur parasysh që shteti nuk duhet të përzihet, sidomos kur ata vetë i përzgjedhin udhëheqësit e tyre”, thuhet në një raport shtetëror serb të vitit 1890.

“KONTRATAT E SHITBLERJES”

Duke u mbështetur në vendimet e Kongresit të Berlinit, banorët shqiptarë të viseve që iu dhanë Principatës së Serbisë pas vitit 1878 e gëzonin të drejtën e shitjes, dhënies nën shfrytëzim të pronave të tyre. Mirëpo, këtë të drejtë e gëzuan vetëm ata që mbetën gjallë pas luftimeve, djegieve dhe shkatërrimeve të ushtrisë serbe. Por, fatkeqësisht, siç e vërtetojnë raportet e diplomatëve të huaj, Principata e Serbisë e respektoi këtë marrëveshje për një kohë të shkurtër. Kolonizatorët serbë dhe “malazezë” i gëzuan pronat shqiptare në rastin e mosparaqitjes së pronarëve shqiptarë, me anë të dëshmive të rrejshme, ngase në shumë raste në zjarrin e luftës bashkë me shtëpitë shqiptare u dogjën edhe tapitë e pronave, dhe së fundi me anë të përndjekjes së shqiptarëve nga vetë blerësit potencialë të pronave të tyre. Kjo ndodhi sidomos në rastin ku si blerës potencialë të pronave shqiptare ishin “nëpunësit e posavendosur serbë në viset e posaçliruara”.

Për shembull, kontratat e shitblerjes që janë arritur brenda palëve janë firmosur në zyrat e pushtetit të posavendosur serb. Në një kopje të kontratës që udhëhiqet nën numrin 3505 të datës 3 korrik 1884 dhe që është firmosur në zyrën e kryeshefit të Rrethit të Lebanit, marrëveshja për shitblerje është firmosur nga i autorizuari Hasan Behrami dhe Stojan Ristiqi (serb nga rrethina e Vrajës). Hasani në këtë rast e ka shitur pronën e gjithmbarshme të familjes. Marrëveshja është vërtetuar në gjykatën e posangritur të Leskocit nën nr. 11408 dhe e mban datën 23 korrik të vitit 1897. Por, si përpilues i marrëveshjes në lëndën e gjykatës është potencuar se atë e ka përpiluar prifti Jovan!

“ASSESI NUK PO MUND TË GJEJMË BANORË LOKALË SERBË QË DINË SHKRIM-LEXIM”

“Assesi nuk po mund të gjejmë banorë lokalë serbë që dinë shkrim-lexim, që atyre t’iu besohet ndonjë punë në administratë. As priftërinjtë nuk po mundemi t’i inkuadrojmë në administratën që po e ngremë me shumë vështirësi, sepse edhe ata janë analfabetë, madje ata po turpërohen që ta pranojnë se janë të tillë”, ka raportuar kryeshefi i Rrethit të Vrajës më 20 gusht 1878. Nga pamundësia për t’u kthyer në pronat e tyre të dikurshme, shqiptarët e këtyre viseve pas luftës së viteve 1877-1878 ua mësynë viseve të ndryshme të Anadollit. Ndërkaq ata që u vendosën në Kosovë dhe viset përreth angazhuan edhe ndërmjetësues për arritjen e shitblerjeve për të nxjerrë sadopak para nga pronat e tyre të humbura.

Ali Sadiku ishte njëri prej të autorizuarve, i cili madje kishte arritur që t’ua shiste pronat edhe shqiptarëve të Jabllanicës që tanimë ishin shpërngulur në thellësitë e vendeve të Perandorisë së atëhershme Osmane. Aliu njihej si njeri i besueshëm dhe gëzonte autoritet tek të dyja palët. Një marrëveshje ku emri i Ali Sadikut figuron si i autorizuar e mban datën 12 qershor 1891, ndërkaq akti i shitblerjes është vërtetuar pas disa vitesh, saktësisht më 13 mars të vitit 1899, nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Principatës së Serbisë në Beograd. Pavarësisht kinse arritjes së “marrëveshjeve” ndër shqiptarët e dëbuar dhe kolonizatorëve të rinj që arrinin nga të gjitha anët duke përfshirë shopët e Vrajës e të Pirotit, viseve të dikurshme shqiptare ua mësynë kolonizatorë nga Mali i Zi, Hercegovina e madje edhe nga Vojvodina e pëlleshme. Mjaftonte që ata paraprakisht kishin marrë informacion se në viset e Nishit, Leskocit, Toplicës, Pusta Rekës e Kurshumlisë gjithçka mund të merrej falas!

“SJELLJET E USHTRISË SERBE JANË MIZORE…”

Megjithatë informacione rrëqethëse në atë kohë arritën për fatin e shqiptarëve të Nishit. Në njërin prej raporteve diplomatike thuhej: “Sjelljet e ushtrisë serbe janë mizore. Fillimisht ata kishin detyruar banorët myslimanë me terror që t’i lëshonin vatrat e tyre, më pastaj me sjelljet e dhunshme banorët dhe nëpunësit serbë të Nishit pengonin që ata që ishin larguar të ktheheshin sa për t’i shitur shtëpitë dhe pasuritë e tyre. Një shqiptar i ri i quajtur Ibrahim u kthye në Nish për ta shitur shtëpinë që vlerësohej në 1000 dukatë ari. Shtëpia ishte në emrin e së ëmës Emine. Një nëpunës serb pasi e dehu Ibrahimin e ri, e bindi atë që t’ia shiste shtëpinë për 250 dukatë dhe ia dha të riut shqiptarë 50 dukatë! Të nesërmen Ibrahimi i ri trokiti në derën e nëpunësit serb, duke ia kthyer 50 dukatët atij, duke deklaruar se një marrëveshje e tillë së pari nuk mund të ishte valide, sepse në fakt atij i mungonte autorizimi me shkrim nga ana e së ëmës. Si përgjigje Ibrahimi pësoi dhunë, u fye e u poshtërua si më keq. I alivanosur prej dhune ai u la në Burgun e Nishit, ku pas disa ditësh vdiq” . Kjo ndodhi në pikë të ditës midis Nishit, raportonte një diplomat i huaj.

DËSHMI TË RREJSHME LIDHUR ME PRONAT SHQIPTARE

Rrëfime për dëshmi të rrejshme lidhur me pronat shqiptare janë të shumta. Ato madje janë rrëfyer nga vetë fqinjët e dikurshëm të shqiptarëve, serbët lokalë. “Në fshatin Shishicë, që ndodhet tri kilometra në jug të Leskocit, prona e Arifit ishte tridhjetë e tre hektarë tokë. Meqë prona e tij ishte e madhe, ai ishte detyruar që në pronën e tij si punëtorë t’i vendoste dy serbë me familjarët e tyre nga fshati Shumanë, Anten dhe Milloshin. Më të shpërthyer lufta e vitit 1877, Arifi ishte larguar me familjen e tij drejt Luginës së Preshevës dhe ishte kthyer rishtas në Shishicë vetëm pasi ishte arritur ‘paqja’. Më të parë Arifin, Ante dhe Milloshi e kishin kërcënuar atë”.

“Tridhjetë e tre hektarë tokë janë tonat dhe ato as që ndonjëherë kanë qenë tuat!”, ishin fjalët që ia kishin këputur këmbët Arifit. I thyer në shpirt, Arifi për ndihmë i ishte drejtuar Gjykatës së Nishit. Si dëshmitarë në gjykatë, zaptuesit e pronës e kishin sjellë nën kërcënim fqinjin e tyre Llazar Llazaraviq, i cili para gjykatës kishte deklaruar: “Arifi kurrë nuk ka qenë zotërues i pronës”. Këtë rrëfim e ka dëshmuar vetë Llazareviqi, i cili në pleqërinë e thellë hapur fliste se “dëshmia e rrejshme në gjyq dhe largimi i Arifit duarthatë drejt jugut” ia kishin vrarë ndërgjegjen për të jetuar, madje edhe midis atyre në favor të të cilëve kishte dëshmuar ai dhe vetë mjedisit jetësor.

Por, në mesin e zaptuesve në vitet e para të kolonizimit të viseve të dikurshme shqiptare kishte pasur edhe rrëfime të tjera. Njëri prej ithtarëve më të zëshëm të zgjerimit të shqiptarëve drejt tokave serbe, Rista Nikoliq gjatë verës së vitit 1903 kishte qëndruar në Polanicë dhe Klisurë në krahinën e Vrajës. “Fshatarët serbë të Polanicës duke iu dalë në ndihmë ushtrisë serbe i dogjën shtëpitë e shqiptarëve duke i dëbuar ata.” shkruan Nikoliq i cili më tej e paraqet brengën e vetë banorëve serbë që ia ata ia kishin shprehur atij në verën e vitit 1903. “Disa pleq serbë thonë se ky vit nuk ka qenë i bereqetshëm, sepse ata ishin të bindur se kjo ka ndodhur pasi vetë ata në mënyrë të pamëshirshme dhe mizore i kishin sulmuar, plaçkitur dhe i kishin djegur shqiptarët”. (Rista Nikoliq, “Poljanica i Klisura”, 1905 Beograd, fq. 37).

KONVERTIMI I DHUNSHËM I SHQIPTARËVE

Në tragjedinë shqiptare të viteve 1877-78 në krahinat e dikurshme shqiptare, njëra ndër çështjet që është heshtur është konvertimi i dhunshëm i shqiptarëve që edhe pas Kongresit të Berlinit nuk i braktisën pronat e tyre të dikurshme. Konvertimi me dhunë paraprakisht ngjau në qytetin e Nishit, midis shqiptarëve që fillimisht u strehuan në kalanë e këtij qyteti, para se ata të sulmoheshin keq nga banorët vendas. Por, konvertimi ndodhi edhe në Leskoc dhe rrethinë.

Fshati Gorinë i rrethinës së Leskocit para Kongresit të Berlinit, pjesërisht ishte pronë e Demir shqiptarit. Demiri vdiq në kohën e pushtetit osman dhe la pas vetes të birin e vetëm Tahirin që pati dy djem. Pas zgjerimit të Serbisë, Tahiri u konvertua në fenë ortodokse dhe mori emrin Millan, ndërkaq dy bijtë e tij gjithashtu morën emra serbë, i pari Aleksë, ndërkaq i dyti Trajko. Të bijtë e Aleksës, Stojani dhe Zhivko, që akoma e ruanin mbiemrin e sllavizuar Demiroviq në fillimvitet shtatëdhjetë të shekullit XX, jetonin në Gorinë. Por, asimilimi i kësaj familjeje shqiptare nuk mbaroi me kaq. Të dy bijat e Demiri agës, Rabihja dhe Behija, u pagëzuan në Natalia dhe Nastasia. I biri i Rabihes, Stanko Tasiqi gjithashtu ka jetuar deri vonë në Gorinë, ndërkaq i biri i Behijes, Stanoja ka jetuar në fshatin Bunushë. Një pjesë e familjes së Demir agës, më vonë u shpërngulën në Vojvodinë.

Pavarësisht tragjedive në dekadat e fundit të shekullit XIX, shqiptarët edhe në fillim të shekullit XX përpiqeshin që akoma të qëndronin në qendrat si Leskoci, Vraja e Nishi. “Qyteti i ri serb i Nishit qëndron në anën tjetër të lumit Nishava, ndërkaq pjesa e vjetër e qytetit, ajo turke, ndodhet në anën ku ndodhet Kalaja. Isha me fat që u gjeta në Nish mu në ditën e tregut…Tregu i kafshëve ishte përplot kuaj. Një shqiptar i kalëronte ata me radhë. Kalërimi i tij niste ngadalë derisa ai depërtonte në një hapësirë më të gjerë e më pastaj përnjëherë ai kthehej prapa ventre à terrе!” Por ai nuk ishte shqiptari i vetëm në Nish. “Vëzhgova me kujdes shqiptarët duke kalëruar me kuaj përmes Nishit, por nuk e ndjeva se ndonjëri prej tyre ishte i destinuar ta kërcënonte ekuilibrin në Evropë”, ka shkruar Mary E. Durham në librin “Through the Lands of the Serb”, të botuar në vitin 1904 në Londër. (koha.net)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here