Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xho Bajden, e përshkroi për herë të parë si një gjenocid masakrimin e popullatës armene në vitin 1915 nga Perandoria Osmane. Ky është një lajm i rëndësishëm, pasi për më shumë se një shekull Turqia, trashëgimtare e Perandorisë Osmane, ka refuzuar që të njohë Gjenocidin Armen, dhe reagon në mënyrë agresive kundër vendeve që e bëjnë këtë.

Për të kuptuar se çfarë ishte në fakt Gjenocidi Armen, duhet të kemi parasysh se sot shumica dërrmuese e armenëve jetojnë në një zonë të kufizuar dhe pa dalje në det të Armenisë, kur për mijëvjeçarë të tërë popullata armene banonte në një zonë shumë më të madhe, e njohur si Anadolli Lindor, që përfshin në thelb gjysmën lindore të Turqisë, që shtrihet më tej buzë Detit Kaspik, dhe deri në rajonet veriore të Sirisë dhe Irakut të sotëm.

Gjatë gjithë Mesjetës, mbretëritë dhe dinastitë e ndryshme armene pasuan njëra-tjetrën në rajon, të rrethuara nga mbretëri të tjera, deri në pushtimin nga Perandoria Osmane, midis shekujve XV-XVI. Nën Perandorinë Osmane, armenët, që i përkasin fesë së krishterë, përjetuan periudha vështirësish dhe persekutimesh, por e ruajtën fort identitetin kombëtar dhe fenë e tyre.

Në fillim të shekullit XX-të, rreth 2 milion e gjysmë armenë që jetonin nën Perandorinë Osmane, u vendosën në zonën e madhe të Anadollit Lindor. Ngjarja e parë epokale brenda së cilës është inkuadruar Gjenocidi Armen ishte kriza shumë e gjatë dhe më pas shembja e Perandorisë Osmane.

Gjatë fazës së zgjatur të destabilitetit politik, që nisi në shekullin XIX-të, tensionet në shoqëritë e perandorisë Osmane degraduan shpesh në dhunë, dhe armenët, të konsideruar si një trup i huaj nga popullata me shumicë myslimane, ishin viktima të dhunës dhe vrasjeve masive.

Masakrat e para sistematike kundër armenëve filluan që në vitet 1890, dhe vazhduan me fillimin e shekullit të ri. Në vitin 1908 një grupim revolucionar i quajtur Komiteti i Bashkimit Progresiv (GUP), por i njohur më mirë si Turqit e Rinj (Xhonturqit), organizoi një grusht shteti kundër sundimit absolut të sulltanit, mori pushtetin dhe krijoi një qeveri kushtetuese. Në fillim ndryshimi i pushtetit u vlerësua nga udhëheqësit e komunitetit armen:Xhonturqit ishin laikë dhe premtuan të ndërtonin një sistem qeverisës më liberal. Por me kalimin e viteve grupi u bë gjithnjë e më autoritar dhe nacionalist, dhe filloi t’i shihte armenët si një kërcënim të mundshëm të brendshëm.

Ngjarja e dytë e rëndësishme që shpjegon Gjenocidin Armen ishte Lufta e Parë Botërore, së bashku me konfliktet që i paraprinë asaj. Midis viteve 1912-1913, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, Perandoria Osmane humbi praktikisht të gjitha territoret që kishte në Ballkan dhe sunduesit e rinj të krishterë nisën të ushtronin dhunë ndaj popullatës myslimane, duke detyruar emigrimin e shumë njerëzve.
Lajmi për këtëdhunën u prit me shumë shqetësim brenda perandorisë dhe provokoi një ndjenjë të fortë zemërimi dhe hakmarrje ndaj popullatave të krishtera, duke përfshirë armenët, të cilët gjithashtu nuk kishin asnjë rol në luftë.

Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Xhonturqit morën anën e Gjermanisë dhe Perandorisë Austro-Hungareze kundër Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë. Shënjestra e parë e osmanëve ishte Rusia dhe kjo gjeneroi një interes të madh tek armenët, të cilët jetonin në këtë anë të kufirit, në Perandorinë Osmane dhe pak më tej, në Perandorinë Ruse.

Si osmanët ashtu edhe rusët u përpoqën t’i bindnin armenët që të bashkoheshin me anën e tyre, por udhëheqësit armenë vendosën që secili komunitet t’i mbetet besnik perandorisë së cilës i përkiste. Por gjërat në terren ishin më të komplikuara, pasi grupe të ndryshme armene morën anën e të dy fuqive, ndërsa shumë të tjerë iu nënshtruan rekrutimit të detyruar dhe shumë prej tyre dezertuan.
Ndërkohë armenët gjithashtu kishin grupet e tyre nacionaliste, dhe shumë prej tyre e shfrytëzuan këtë rast dhe u përpoqën të fitonin autonominë dhe pavarësinë. Në çdo rast, Perandoria Osmane humbi gati të gjitha betejat kundër rusëve që u zhvilluan në zonat e banuara nga armenët.LEXO EDHE:  Masakra e armenëve/ Joe Biden e cilëson si gjenocid

Në radhët e osmanëve filloi të përhapej ideja se armenët ishin Kolona e Pestë që i ndihmonin fshehtas rusët, dhe sidomos pas disfatës së tmerrshme të Sarikamiş në janar 1915, xhonturqit ishin të bindur që fajin për humbjen e kishin armenët.

Në atë pikë, lindën akuzat e rreme për bashkëpunim me armikun (është e vërtetë që disa grupe nacionaliste armene ndihmuan rusët, por shumica dërrmuese e popullsisë mbeti indiferente) të kombinuara me mosbesimin shekullor dhe me nacionalizmin etnik të Xhonturqve.

Intelektualët dhe tregtarët armenë në qytetet e mëdha të perandorisë si Stambolli dhe Smirna, u arrestuan dhe u vranë. Por gjenocidi i vërtetë ndodhi në Anadollin Lindor. Sulmet nga ushtria osmane kundër popullsisë armene dhe përndjekjet sistematike ishin të tmerrshme. Disa bashkësi armene u përpoqën të bënin rezistencë, si në provincën Van, por kjo ishte e padobishme. Kur forcat ruse pushtuan Vanin, ata gjetën 55.000 kufoma të armenëve.

Ndërkohë, Perandoria Osmane nisi zbatimin e një programi të gjerë dëbimesh masive:të moshuarit, gratë dhe fëmijët u detyruan të linin shtëpitë e tyre dhe të ecnin për qindra kilometra përpara se të mbylleshin në dhjetëra kampe përqendrimi në shkretëtirën Siriane. Shumica e të burgosurve u ekzekutuan, ose vdiqën nga uria dhe sëmundja.

Shumica e gjenocidit armen ndodhi brenda një viti, midis viteve 1915-1916, por masakrat vazhduan edhe në vitet 1920. Nga 2.5 milion armenë që ishin në Perandorinë Osmane në fillim të shekullit XX, 90 për qind e tyre u vranë ose u dëbuan nga perandoria.
Vlerësohet se në fund të gjenocidit rreth 1 milion armenë vdiqën. Disa qindra mijëra gra dhe fëmijë u detyruan të konvertohen në Islam dhe u adoptuan nga familjet turke, ndërsa shumë armenë të tjerë u larguan, duke krijuar një diasporë që është akoma e fortë edhe sot në shumë vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Armenia aktuale është trashëgimtarja e një shteti që u krijua nga komuniteti armen që jetonte në perandorinë ruse, dhe që në vitin 1921 u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Edhe atje u strehuan qindra mijëra viktima të gjenocidit.

Ajo që më vonë do të bëhej Republika Turke u bë shumë më homogjene nga pikëpamja etnike dhe fetare, dhe një borgjezi e re myslimane mori pronat armene. Edhe sot kompensimi për viktimat e gjenocidit dhe pasardhësit e tyre është një nga çështjet më të vështira për t’u kaluar dhe një nga pengesat kryesore për një pajtim midis Turqisë dhe Armenisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here