Marin Barletius, De obsidione Scodrenci, fl. {11v}: “Progressus est max in Macedoniam… quiaincolentes e am omnes fere Epirotica lingua utantur”.

“Në Maqedoni… banorët e atij vendi thuajse të gjithë flasin gjuhën arbënore.

Hyrje:

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu besohet se ka lindur në vitin 1405, me destinacione të shumta të vendlindjes, varësisht prej autorëve të ndryshëm. Kjo figurë historike edhe sot e kësaj dite luan një rol të rëndësishëm në ekzistimin dhe ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Kryengritja e prirë prej tij pati shtrirje të konsiderueshme dhe trevat e Pollogut gjithsesi do të ishin pjesë aktive e veprimtarisë së tij. Ne do të trajtojmë se çka ndodhi, si rrodhën ngjarjet në këto treva, në çfarë mënyre reagoi popullsia arbërore e cila jetonte këtu, dhe përbërjen etnike e këtyre tokave. Nuk do të harojmë të tregojmë se si u përdorën pikat strategjike të saj në luftimet antiosmane të arbërve me në krye Skënderbeun.

Pollogu në burimet mesjetare:

Fjala Pollog duhet të jetë përhapur nga kisha slave. Kjo do të ishte një mjeshtëri e asaj kishe për të arritur zëvendësimin nga emërtimet osmane në ato sllave.

Gjatë shekullit të XV nuk asnjë gjurmë të toponimit Pollog në trevën e Tetovës dhe Gostivarit. Kjo trevë është regjistruar në defterët osmanë me emrin osman Kallkandelen. Sipas burimeve të kohës, arbërore apo të tjera trevat e Tetovës dhe Gostivarit bënin pjesë në makrotoponimin mesjetar Dibra e Poshtme.

Gjithashtu, edhe sipas autorit Oliver Shmit qendra kryesore e Pollogut të sotçëm, Tetova sipas burimeve osmane njihej si Kallkandelen. Sipas Marin Barletit Dibra e Poshtme, pjesë përbërëse e së cilës ishte edhe Pollogu ishte thuajse e gjitha e rrafshët dhe e rrethuar me fusha pjellore që prodhon thuajse çdo gjë. Arbnorë dhe epirotë e banonin atë vend.

Regjistrat kadastrale osmane kanë dhënë shumë të dhëna në lidhje me përbërjen etnike të Trevave Lindore Shqiptare si dhe dëshmi se prezenca e popullsive sllave në këto territore ishte e vogël. Ekzistojnë dy regjistrime osmane, ai i viteve 1452-53 dhe ai i viteve 1467-68. Sipas autorit Sokollovski gjatë regjistrimit të viteve 1452-53 në Tetovë janë regjistruar 45 shqiptarë dhe 20 serbë. Sipas mendimit të autorit Kasem Biçokut, Tetova gjatë kësaj periudhe nuk ishte e regjistruar si qytet por si fshat për arsye se nuk kishte kështjellë. Sipas dokumenteve osmane të kohës hartuesi i regjistrit osman ka

shkruar emrat etnik shqiptar kryesisht në trajtën osmane dhe sllave: arnautë dhe arbanas.

Pollogu gjatë kohës së Skënderbeut:

Pollogu përveç se ishte i lidhur me Skënderbeun kishte qenë i lidhur edhe me vetë familjen Kastrioti, kur ky rajon por edhe vetë qyteti i Tetovës do të ishin pjesë përbërëse e Principatës së Kastriotëve, atë botë e udhëhequr nga Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut. Ky fakt konfirmohet edhe nga Gjon Muzaka, në Gjenealogjinë e familjes së tij dhe nga vetë Marin Barleti, në veprën Historia e Skënderbeut. Se sa kjo figurë historike ishte e lidhur me këtë rajon tregon edhe vetë fakti se e ëma e tij ishte nga një familje fisnike nga Pollogu, e quajtur sipas burimeve të kohës, familja Tribalda.

Popullsia e krahinave lindore e përkrahu Skënderbeun në luftën epokale që ai e filloi kundër pushtuesve osmanë. Këtë gjë arrijmë ta dëshmojmë pasi Barleti thotë: “Pothuaj se e gjithë rinia (e këtyre krahinave, shënimi ynë) sikur të mos kujdesej për gjë tjetër, i kishte rrëmbyer armët dhe po i shkonte pas (Skënderbeut, shënimi ynë) duke e quajtur shpëtimtar të lirisë.

Sipas Barletit, Skënderbeu kur arriti në Dibër: “ Gjergji e njihte dhe e donte shumë për besnikëritë dhe trimëritë e shumta dhe të shënuara që banorët kishin treguar në kohën kur Gjonit, të atit të Skënderbeut i binte fort në qafë otomani.”

Në kushtet e agresionit osman, sunduesit shqiptarë u bashkuan dhe krijuan “Lidhjen Shqiptare”, e cila tërhoqi në sferën e saj shumë princa të njohur shqiptar e midis tyre edhe ata, zotërimet e të cilëve shtriheshin në verilindje si Dukagjinët, por edhe princa të tjerë të cilët siç shkruan Barleti, “kishin nën sundim” peonët dhe pelagonët e sipërm gjerë në Misi (siç duket sipas Barletit në këto troje të përmendura bënin pjesë trevat e Pollogut, shënimi ynë). Thoma Murzaku në punimin e tij këto treva i quan si trevat në brigjet e Vardarit të Sipërm.

Ndër njëzet e ca fushata të tërbuara që ka përballuar Skënderbeu në krye të kryengritjes, shumica e tyre janë zhvilluar në territorin midis Dibrës, Tetovës dhe Ohrit. Të gjitha betejat e zhvilluara në këtë truall, ku çdo pëllëmbë toke është mbuluar me gjak kanë përfunduar me fitore të ushtrisë që udhëhiqej nga Skënderbeu.

Përfundimi:

Skënderbeu, kjo figurë bashkuese për kombin shqiptar nuk mund se si të mos përafronte edhe trevat tona të Pollogut me trevat tjera shqiptare në luftën e përbashkët kundër pushtuesve osmanë.

Ne mund të arrijmë shumë lehtë në përfundimin se trevat e Pollogut si gjithmonë edhe atë kohë kanë qenë tokë dhe pjesë e pandarë e trungut etnik shqiptar. Nuk do të mundej se si rinia e Dibrës së Poshtme, siç theksohet nga autorët e kohës të qëndronte neutral gjatë kësaj nisme të madhe të ndërmarrë nga Skënderbeu e që në masë u gjendën pranë tij në ato momente.

Ne trajtuam një periudhë kronologjike që përfshin edhe periudhën para Skënderbeut dhe këtu shohim qartë përbërjen etnike dhe se në kuadër të cilit formacion politik hynin sa herë këto toka.

Duke lexuar këtë punim, çdo lexues do të vinte në përfundimin se a thua vallë si do të ishte reagimi i pollogasve të sotëm nëse do të gjendeshin përballë nismave të tilla dhe se a është normale dhe etike që bashkëqytetarë tanë të shajnë këtë figurë, që mbi të gjitha është pjesë përbërëse edhe e vetë historisë sonë rajonale.

Duhet gjithsesi që të nxjerrim shumë mësime dhe përfundime nga kjo thirrje e jona që edhe ne shqiptarë të Pollogut si dikur para më se 500 vitesh të jemi pjesë përbërëse e çdo ngjarje dhe lëvizje me karakter mbarë kombëtar.

Kristo Frashëri thotë: Skënderbeu lindi si ortodoks, rininë e kaloi si mysliman dhe vdiq si katolik. Pra, është koha që ne shqiptarët të bashkohemi siç qenë bashkuar shqiptarët në krye me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, i cili ndërroi fenë por kurrë kombësinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here