6.1 C
Pristina
Thursday, May 6, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Artur Evans: Ju tregoj sesi Shqipëria e kërkoi pavarësinë qysh në shekullin...

Artur Evans: Ju tregoj sesi Shqipëria e kërkoi pavarësinë qysh në shekullin XIX

Nga: BEN ANDONI*
‘Nacionalizmi, Pavarësia dhe Lidhja Shqiptare’ i kolanës “Letrat Shqiptare” nga Arthur Evans është një botim i ri, i arkeologut të njohur, që hedh dritë mbi çështjet identitare shqiptare.
Megjithëse më së shumti i njohur si autoritet në fushën e arkeologjisë, Arthur Evans ushqeu gjithashtu një interes të ndezur për historinë e Shqipërisë. Dija e tij e thellë në fushën e studimeve ilirike dhe botëkuptimi i sofistikuar mbi rrënjët e lashta të rajonit ndikuan dhe perceptimin e tij mbi realitetin kompleks politiko-kulturor të Ballkanit të shekullit të XIX. Kësisoj arkeologu dhe studiuesi i njohur përftoi edhe cilësitë e një guide sa serioze aq argëtuese brenda kësaj paradigme.
Në të perënduar të shekullit të XIX çështje të identitetit kombëtar përbënin shqetësimin kryesor për shqiptarët. Në këtë kontekst, Albanian Letters hedh dritë mbi mënyrën sesi vetëdija që shqiptarët formësuan mbi identitetin e tyre kombëtar u ndikua në mënyre vendimtare prej ndodhive të kohës, të cilat po ashtu merren hollësisht në shqyrtim ne brendësi të tekstit. Një tezë që e shtyn shumë e shumë kohë përpara përpjekjen për pavarësi…

Mbi autorin
Arthur Evans lindi më 1851 dhe ndoqi studimet pranë Harrow School, Brasenose College, Oxford dhe Universitetit të Gottingen-it. Ai është kryesisht i njohur për punën e tij në Knossos të Kretës, të cilën e identifikon si djepin e qytetërimit lulëzues ‘Minoan’. Evans gjithashtu ushqente interes të theksuar për arkeologjinë dhe historikun e gadishullit ballkanik, dhe gjatë 1880-ës udhëtoi gjerësisht në rajon në rolin e reporterit për Manchester Guardian. Prej 1884 në 1908 mbuloi rolin e përgjegjësit dhe kuratorit të Ashmolean Museum në Oxford. Ndër librat e tij të shumtë mund të përmenden Pallati i Minos-it, Scripta Minos, Sllavët e Adriatikut dhe Rruga tokësore drejt Kostandinopojës dhe Ilirisë antike.

Këto ditë, në kolanën “Letrat Shqiptare”, ditë botohet ‘Nacionalizmi, Pavarësia dhe Lidhja Shqiptare’ e Sir Arthur Evans me redaktimin e studiuesit Bejtullah Destanit. E thënë kështu, kaq thatë, duket se botimi nuk paraqet asgjë të veçantë, por duhet të nënvizojmë se botimi i fundit, i realizuar dekada më parë nga autori, hedh dritë nga një dëshmitar real okular i përpjekjeve për pavarësi, si edhe vëzhgimin e tij në luftën e shqiptarëve për ruajtjen e identitetit. I etiketuar si spiun nga austriakët, por edhe me shumë telashe prej angazhimeve të tij, Sir Evans na vjen me një libër që gërsheton vëzhgimin në terren, kujtime, ngjarje, përsiatje lidhur me përpjekjet e trevave të shqiptarëve nën sundimin osman në momentin më të përshtatshëm, kur është kristalizuar përpjekja për pavarësisë kombëtare, pra në shekullin e XIX, kohë kur Perandoria Osmane ka marrë të tatëpjetën.
Në këtë botim të ri të kolanës Letrat shqiptare, Evans jo vetëm që është dëshmitar i dorës së parë dhe përshkruan ecurinë e ngjarjeve kryesore politike të kësaj periudhe (mes tyre edhe formimin e Lidhjes Shqiptare në vitin 1878 ), por ai bën një përshkrim të strukturës tejet të ngatërruar dhe konfliktet e jetës shoqërore-kulturore-sociale të kohës nga burimet e tij si gazetar.

Pak intermexo
Është e habitshëm sesi një autoritet si ai në fushën e arkeologjisë (këtë punë do e bëjë në pjekurinë e tij më vonë), do ketë interesa dhe një interes kaq të ndezur për historinë identitare të Shqipërisë. Dija e Arthur Evans e tejkalon pritmërinë e zakonshme, por kjo justifikohet kur kujton logjikën skolastike të studimeve historike dhe njohuritë që ai ka për rrënjët historike të rajonit. Me një stil interesant dhe me njohuri të gjera për kohën, ai mundohet të orientojë lexuesin në ngatërrimet e mëdha të shekullit të XIX në Ballkan, nga i cili po dalin shtetet, që kanë lënguar për shekuj nën Osmanët. Me kulturën e tij ai shërben edhe për gazetat e vendit të vet, duke u bërë realisht pikë referimi. Në këtë botim, të “Albanian Letters” hedh dritë mbi mënyrën sesi vetëdija që shqiptarët formësuan mbi identitetin e tyre kombëtar u ndikua në mënyre vendimtare prej ndodhive të kohës, të cilat po ashtu merren hollësisht në shqyrtim ne brendësi të tekstit, shkruan Anna Shkreli në njoftimin për këtë libër.

Nëse do t’i kthehemi kulturës së tij sa i përket studimeve historike moderne, nuk duhet harruar se vepra e anglezit Evans është e pamatë. Ai nuk është vetëm arkeolog, po edhe historian, gjeograf e gjuhëtar. Te kjo e fundit mbeten interesante vëzhgimet e tij të mëparshme sa i përket onomastikës dhe toponomastikës ilire. Në këtë vazhdë, shqipes i ka bërë të themi një nder të madh, veç një mesazhi krenarie sa i përket toponimisë, pasi mjaft vendbanimeve sllave, Evans i përdor me një ligjësi shpjegimi në funksion të shqipes ose të latinishtes me logjike shqipe.

Identiteti shqiptar
E megjithatë, fusha e tij mbetet shekulli XIX. Një nga kulmet identitare të këtij shekulli është përkujtesa e qytetarëve shkodranë drejtuar më 13 qershor 1878 lordit Bikonsfild për mëvetësi, nga ku shihet se përpjekja e patriotëve shqiptarë për rrugën e lirisë ka filluar qysh dekada para shpalljes zyrtare të pavarësisë. Dhe, shkak është pa asnjë dyshim vendimet e Kongresit të Berlinit që e sakatuan trungun shqiptar, por edhe lëvizjet e pavarësisë që u shpërndanë për vendet fqinje, që ndërkohë edhe i kishin gjetur konjukturat e tyre.
Si për ironi të kësaj pune të madhe, një lloj përpjekje e përsëritur sot në kohët postmoderne, gjithçka e ka fijen lidhëse thjesht me ngjarjet e Vlorës, duke harruar kërkesat politike të Lidhjes së Prizrenit dhe të Kryengritjeve të mëdha anti-xhonturke të viteve para Pavarësisë de jure.

Kurse Evans, në këtë botim të ri, shpjegon me dokumentacion real, por më shumë me fakte të kohës përpjekjen e shqiptarëve për pavarësi. Dhe, mbështetet në logjikën e faktit. Evans është në thelbin e gjërave prej profesionit të tij si gazetar që do e ndihë më vonë edhe si studiues edhe arkeolog. E, ndërkohë peizazhi shqiptar është interesant. “Kriza Lindore e viteve ’70 të shek. XIX e ka trandur perandorinë osmane dhe mu në këtë kohë kemi një hop të lëvizjes kombëtare shqiptare. Dy ngjarje madhore e përkujtojnë këtë. Muaji qershor i vitit 1878 shënon një kufi të qartë në ecurinë e këtij shndërrimi cilësor me Përkujtesën e Shkodrës të 13 qershorit 1878 dhe vendimin e 15 qershorit të Kuvendit themelues të Lidhjes së Prizrenit, pas dy ditësh. Themelet e pavarësisë u hodhën në qershor të vitit 1878, me formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me të shqiptarët arritën marrëveshjen historike të sanksionuar në dokumentet programore të datave 13 dhe 15 qershor 1878, të cilat sanksionuan kërkesën për pavarësi të shpallur në përkujtesën e shkodranëve dhe në programin autonomist të Lidhjes dhe të mbarë Rilindjes. Këto dokumente shënojnë gurin e qoshes jo vetëm në themelet e pavarësisë, por dhe të nacionalizmit politik shqiptar. Lufta e popullit tone për vënien në jetë të tyre nën udhëheqjen e Lidhjes dokumentohet jo vetëm me anë të dëshmive dokumentare, por dhe përmes dëshmive të hershme fotografike”, shkruan te Java, historiani Gazmend Shpuza.
Por mu këtu na shkon Evans, si dëshmitar real. Po e citojmë në një nga kapitujt e librit, ku ai i referohet një tubimi kombëtar dhe deklaratës që del aty duke i cituar me shkrim shqiptarët:
“Ne shqiptarët jemi të bindur se Konventa e Kostandinopojës, me të cilën territori ynë është ceduar, dhe i cili, ka cenuar të drejtat tona të shenjta, do bëjë një konflikt gjakatar të pashmangshëm. Ai është bërë kundër vullnetit të Qeverisë Osmane dhe ajo është sanksionuar vetëm nga Fuqitë ndërmjetësuese për shkak se ata janë keq-informuar për dëshirat e popullatës në fjalë. Më e pakënaqur është Shqipëria jonë me historinë e saj të lavdishme, që nuk do të jap kurrë pëlqimin për një dominim të huaj, aq më pak për një dominim sllave “, shkruan Evans, duke iu referuar një tubimi për një dokumenti shqiptar të kohës.

Evans nuk është vetëm personazh, por edhe një vëzhgues i hollë, që di të krahasojë kohën dhe vendin ku po zhvillohen ngjarjet me ngjarjet e përbotshme. Shqiptarët që i përcollën Përkujtesën Forign Office, nëpërmjet nënshkruesve të tyre i kërkuan haptazi dhe me këmbëngulje që të shndërroheshin autonomitë lokale të ruajtura deri më atëherë me aq xhelozi e të kurorëzoheshin me një administratë të pavarur në shkallë kombëtare. Duket se mu aty u ushqye synimi strategjik i Rilindjes sonë Kombëtare për krijimin e shtetit modern të njësuar, hedh idenë Shpuza. Kjo në një farë mënyre kundërshton edhe përrallat e vonesës historike të shqiptarëve, pasi “Nacionalizmi politik shqiptar, siç dëshmon ky dokument, ecte pothuajse në një hap me nacionalizmat ballkanas. Në rast pamundësie për t’i njohur Shqipërisë pavarësinë kombëtare, në të u parashtrua me realizëm dhe largpamësi nga autorët dhe varianti alternativ i krijimit të një shteti shqiptar autonom”, thotë Shpuza.
Kohë do të tregojë se Kongresi i Berlinit, ashtu si do të bëjë me dije dhe vetë lordi Bikonsfild nuk u takua për të gjetur zgjidhje për sundimit osman në Ballkan, por me sa duket për t’i zgjatur jetën atij. Jo më kot, kërkesa për pavarësi e datës 13 qershor 1878, u formulua dhe u parashtrua brenda trevave shqiptare. Ajo nuk u importua dhe aq më pak u imponua prej së jashtmi, pavarësisht nga konsultimet e autorëve të saj me përfaqësues të kolonisë shkodrane në Trieste dhe me kolonitë e tjera arbëreshe në Itali. Paria e Shkodrës në bashkëpunim me koloninë shkodrane të Trieshtës dhe me arbëreshët e Italisë, Memorandumin drejtuar lordit Bikonsfild e botoi, në formë broshure, në gjuhën italiane, duke ia bërë të ditur dhe opinionit publik evropian. Çuditërisht kjo broshurë e vogël nuk gjendet nëpër bibliotekat tona, citojmë Shpuzën. E kësaj kohe është dëshmia dhe shkrimi i Evans, që i dërgon njërës prej redaksive të tij në Londër, e cituar në librin e fundit: “Këshilli i kombit shqiptar, mbledhur në Prizren ka vendosur për të hedhur jashtë çdo gjurmë të autoritetit të sulltanit në të gjithë Shqipërinë, në kuptimin më të gjerë, mbështetur në patriotizmin shqiptar. Punimet e Kuvendit janë mbajtur në mënyrë të fshehtë deri në ardhjen e fundit në këto dy ditë prej Shkodrës të delegatëve. Nuk janë të njohura rezultatet e diskutimeve. Dje në mbrëmje, megjithatë, Et’hem Aga i dha një llogari të plotë të anëtarëve të Komitetit Shqiptar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, dhe pastaj për herë të parë u bë e njohur se Këshilli kishte dekretuar atë që mendojnë të bëhet deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Kur çështja është vënë në votim nëse do të kthehen apo jo të kthehen nën administratën turke, ka pasur rezerva të paqarta ndërsa kishte vetëm tre zëra mospajtues në mesin e Delegatët të mbledhur. Qytetet e Vilajetit të Kosovës, e Novi-Bazar, dhe e gjithë Shqipërisë së Mesme u bashkuan në mënyrë unanime në një kërkesë për një Qeveri me shtetas të bashkuar të “Shqipërisë e Madhe”, nën drejtimin e një Valiu Skipëtar. Ajo është nga kufijtë e Bosnjës me ato të Maqedonisë dhe për ta sundimi i osmane është shuar zyrtarisht”.
Por, më e këndshme, është shtjella që ka bërë autori dhe që besoj se do të zerë vend dhe për studiuesit tanë, nëse nuk e kanë parë deri më tani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Historia e kanalit të Suezit i cili u inagurua nga shqiptari Ismail Pashai, pjesë e familjes së Khedive të Egjiptit dhe Sudanit

Kanali i Suezit shtrihet 120 milje nga Port Said në Detin Mesdhe në Egjipt në jug në qytetin e Suez. Kanali ndan...

“Nëse dëshiron që njëqind shqiptarë të heshtin, duhesh të vrasësh nëntëdhjetë e nëntë”

“Nga thëniet të cilat mbledhim nëpër lista të caktuara duhet përfshirë edhe ato të cilat nuk na pëlqejnë, por që i takojnë...

Kulla: Një mënyrë shekullore e jetës në veri të Shqipërisë

Ngritur në mes të maleve dhe fshatrave në veri të Shqipërisë gjenden disa shtëpi prej guri të njohura si kulla, që në...

Camaj dhe Koliqi pjesë e spiunazhit të huaj, publikimi i Tares ndez debatin mes studiueseve

Studimi i publikuar së fundmi nga historiani Auron Tare për dy shkrimtarët e shquar shqiptarë, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, ka nxitur një...

Recent Comments