“Me përkthimet e mia, u kam treguar popujve fqinjë se gjuha shqipe është një nga më të vjetrat dhe më të pasurat. Nuk ka asgjë të papërkthyeshme në gjuhën shqipe, përderisa janë përkthyer vepra unike si “Iliada” e Homerit, “Komedia hyjnore” e Dante Aligerit etj. Gjej rastin t‘u bëj thirrje gazetarëve dhe gjithë të rinjve të ruajnë këtë gjuhë si identitet të kombit, për më tepër tani kur shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit rrezikojnë të harrojnë gjuhën e tyre”, është shprehur Shvarc.

Robert Shvarc (Sarajevë, 10 dhjetor 1932 – Tiranë, 25 prill 2003) qe përkthyes hebreo-shqiptar. Një ndër përkthyesit më të vlerësuar e të dashur për lexuesin shqiptar, Shvarc njihet për punën e bërë me shqipërimin e letërsisë gjermane dhe “Eksodin” e Leon Uris.

I lindur në Sarajevë, me babain hebre nga Austria dhe nënën nga Elbasani, ai dashuroi dhe lëvroi në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe dhe përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat, mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.

Ma vranë Sarajevën

Ma vranë Sarajevën,
qytetin ku më ka rënë koka,
qytetin përjetësisht të dashuruar,
ku puthej lindja me perëndimin
dhe kishat rrinin pranë xhamive
dhe pranë sinagogave
të zëna për dore,
ku gjindja ishte përherë gazmore
dhe i donte këngët
dhe i donte lulet…

Ma vranë Sarajevën –
dhe Milaçka e kristaltë
gjarpëron tani e kuqe
përmes qytetit të martirizuar…
Ah, ç’ngjyrë tjetër veç asaj të gjakut
mund të lerë pas thundra e një viçi –
iliçi, visarionoviçi,
milosheviçi?

Ma vranë Sarajevën! –
pesëdhjetë vjet kam pritur
ta shihja edhe një herë
qytetin ku kam lindur,
qytetin vetëm pesëqind kilometra larg
që këtej! –
pesëdhjetë vjet kam pritur…

Tani s’dua ta shoh më:
s’kam zemër që të shoh gjithë atë gjak,
gjithë ato kufoma,
mu në zemër të Evropës,
mu në fund të këtij shekulli!

Do ta ruaj në kujtesë
ashtu të hirshme siç e lashë
në fëmijëri,
ashtu të butë dhe njerëzore,
ashtu gjithë tinguj e poezi…

Ma vranë Sarajevën!
Sarajevën më s’e pashë!

I është akorduar nga Presidenti i Republikës titulli “Mjeshtër i Madh” dhe ka marrë titullin Qytetar Nderi i Tiranës. Më 1995 u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane” duke u bërë i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull në fushën e përkthimit dhe e para figurë e shquar e vendeve të Lindjes që nderohej nga presidenti gjerman i asaj kohe. Ai ka sjellë një sërë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas: “Tre shokë”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, “Shkëndija e jetës”, “Obelisku i zi” nga Erih Maria Remark; “Çifutja e Toledos”, “Françesko Goja” nga Lion Fojtvanger; drama të Bertolt Brehtit “Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj”, “Kënga e një nëne gjermane”, “Ditët e Komunës”, “Arturo Ui”, “Pushkët e nënës Karrar”, “Opera për tre grosh”, “Baali”; nga Heinrich Heine “Gjermania, përrallë dimri”; nga Gëte dhe Shileri “Poezi dhe balada”. Shvarc ka përkthyer në gjuhën gjermane autorë shqiptarë si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Ervin Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Rexhep Qosja etj.

“Vargje të pluhurosura” është libri i tij me rreth 110 poezi, të shkruara kryesisht në vitet ’50-’60, ku në çdo varg e strofë poeti sjellë rininë e tij, një copëz përjetësie idealesh, kujtese e shenjtërie. /konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here