Diktatorëve nuk u nevojiten aftësi të jashtëzakonshme. Më e rëndësishme është që të dukesh si njeriu i duhur, në momentin e duhur. Sepse bashkë me shekullin e njëzetë u shfaq në skenën politike edhe një aktor i ri: masat.

Duket se për diktatorët kanë qenë një thesar i vërtetë teoritë e Le Bonit. Hitleri shkruante tek “Mein Kampf”: Masat nuk do të dinin se çfarë të bënin me lirinë, nën peshën e saj do të ndiheshin të braktisura. Ato admirojnë vetëm forcën, brutalitetin, janë të prirura të nënshtrohen”. Stalini ishte i të njëjtit mendim: “Liria? Vetëm të gënjyerit dhe të fortët besojnë në të. Por njerëzimi është i dobët dhe ai ka nevojë për bukë dhe autoritet”. Sërish Hannah Arendt vërente se “regjimet totalitare karakterizoheshin nga pak programe konkrete dhe nga një nxitje drejt bindjes”. Në kulmin e pushtetit, Hitleri refuzonte të fliste për programin e tij politik (pa e shfuqizuar zyrtarisht). Po kështu Stalini, i cili vazhdoi ta boshatisë doktrinën marksiste nga përmbajtja, duke vënë në zbatim gjëra që binin haptaz ndesh me të. Musolini, me filozofinë e aktivizmit, vinte gjithçka në kontekstin e “momentit historik” dhe as nuk i bëhej vonë për programet, copa letre të padobishme. Një prej sloganeve të tij më të famshëm ishte: “Beso. Bindu. Lufto”, efikas pothuajse po aq sa ai i pagëzuar nga hierarku nazist Heinrich Himmler: “Nderi im quhet besnikëri”. Një tjetër koncept që përsëritej shpesh ishte pagabueshmëria e shefit, që rriste pushtetin dhe fuqinë e kushtëzimit dhe lejonte

justifikimin e çdo mungese koherence: diktatorët mund të ndryshonin mendje radikalisht, deri edhe të mohonin atë që ata vetë kishin pohuar me krenari më herët. Urrejtje dhe dashuri

Një nxitës për të siguruar kohezionin e turmës ishte krijimi i një armiku. Hitleri arriti të bindë të gjithë se hebrenjtë ishin armiqtë natyrorë të “arianëve”. Stalini spastroi partinë komuniste nga rivalët potencialë (përfshirë miq dhe të afërm) duke i akuzuar si “armiq të popullit” dhe se komplotonin kundër tij. Nga ana tjetër, frika e goditjes pas shpine është tipike e tiranëve, që shkon në kufijtë e paranojës. Ciceroni rrëfente se si Dionisi, tirani i Sirakuzës “ishte mbyllur në burg për shkak të etjes së madhe për pushtet. Madje për të mos i besuar as edhe një berberi, u mësoi të bijave se si ta rruanin. E megjithatë, kur tashmë ishin të rritura, ua largoi edhe atyre tehun dhe kërkoi që mjekrën dhe flokët t’ia digjnin me arra të ndezura”.

Perandori Tiber thoshte “Oderint dum metuant”, domethënë “të urrej, ndonëse të dua”: e vetmja mënyrë për të mbajtur nën kontroll kundërshtarët është që t’i terrorizosh. Por marrëdhënia që lidh turmën me diktatorin është pikësëpari një marrëdhënie dashurie. Sipas Zigmund Frojdit, tirani është një mbetje e figurës atërore ideale, nga i cili ke frikë por nga i cili edhe ndihesh i mbrojtur. Janine Chasseguet-Smirgel, psikanaliste franceze shkon më tej: Më shumë se sa babin autoritar, diktatori të kujton figurën e mamasë obsesive. Hitleri krijonte një klimë “shkrirjeje” mes popullin e tij, duke nxitur thirrjen mistike dhe primitive të gjakut dhe të tokës (Blut und Boden). Të njëjtin efekt krijonin disiplina, marshimi me të njëjtin ritëm, uniforma e njëjtë për të gjithë, një simbol dhe një përshëndetje me të cilën të identifikoheshin. Sensi i simbiozës mundëson qarkullimin e mendimeve, që të kenë një efikasitet më të lartë. Mekanizmi biologjik është shumë i njohur sot dhe quhet “neuronet pasqyrë”: është priija e natyrshme që të imitojmë dhe të reflektohemi tek të tjerët. Evolucioni e ka favorizuar, sepse mundëson integrimin në bërthamën sociale, e madje u mundëson njerëzve edhe të dashurohen. Dhe diktatorët më të fortë janë mbi të gjitha të dashuruar.

Përse pikërisht ai? Përse në një moment të caktuar të historisë, një njeri i vetëm merr pushtetin dhe e ushtron në mënyrë despotike dhe pa kontroll? Breza të tërë psikanalistësh kanë gërmuar në biografitë e Hitlerit, Stalinit dhe Musolinit, në kërkim të shenjave parathënëse apo psikopative që u kanë shpëtuar diagnostikimeve. Por… asgjë. I vetmi tipar i personalitetit, që duket se bën bashkë diktatorët e mëdhenj të Nëntëqindës nuk ka asgjë patologjike: është aftësia për të komunikuar. Të gjithë ishin oratorë brilantë, shprehin pikëpamje pa nuanca, dhe ofronin zgjidhje të thjeshta për problemet shumë komplekse të shoqërisë.

Gjë që të shpie në një konkluzion të qartë: Të përpiqesh që të kuptosh lindjen e regjimeve totalitare, duke u përqendruar vetëm tek personaliteti i diktatorit është jo vetëm e kotë, por edhe gënjyese. Të pranosh një tiran si të çmendur dhe t’i atribuosh atij përgjegjësinë për atë që ka ndodhur, është gjë e rehatshme: është shfryrja klasike që i qetëson të gjithë. Në të vërtetë, diktatori është vetëm maja e ajsbergut, zëdhënësi i një ndjesie të përbashkët: mes diktatorit dhe popullit të tij ekziston një marrëdhënie reciprociteti, në të cilën marrëzia e njërit transferohet tek tjetri, dhe e anasjellta. Edhe gjatë shfaqjeve të tyre më delirante dhe veprimeve të tyre më

Një reflektim i parë mund të vijë nga studimet e Uilfrid Bionit, psikanalist britanik që është thelluar në dinamikat e grupit. Sipas Bionit, një grup në vështirësi – siç mund të ishte një popull i traumatizuar nga lufta dhe në krizë ekonomike – ka prirjen të zgjedhë në mënyrë spontane si udhëheqës, pjesëtarin e tij më të “sëmurë”. Pra, nuk synon tek personat më inteligjentë, më të vendosur, e më të aftë, por tek ata më ekstremë, më të vendosur dhe – përse jo – më të çuditshëm, në gjendje që të konceptojnë idetë më të guximshme dhe t’i vënë ato në zbatim. Në thelb, nevojitet dikush që të jetë i prirur të bëjë “të ndyrin”. Pra, diktatori nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, aq më pak gjeniale, është thjeshtë njeriu i duhur në momentin e duhur, ai që di të mishërojë dëshirat dhe aspiratat e fshehta të popullit të tij. Mussolini paraqitej si “i zgjedhuri”, Hitleri si “i dërguari i fatit”. Të dy përfituan prej humoreve të bashkëkombësve dhe morën pushtetin duke shfrytëzuar pakënaqësinë dhe krenarinë e lënduar të popujve të tyre, duke u shfaqur me një projekt optimist rilindjeje. As edhe elita kulturore e kohës, që sigurisht rrokte kontradiktat dhe limitet e diktatorëve në ngjitje, nuk mundi të bënte gjë. Uolltër Langer, psikanalist amerikan që në vitin 1943 u ngarkua që të kryente një studim mbi personalitetin e Hitlerit, zbuloi se ai burrë i shkurtër me mustaqe, në fillimet e karrierës së tij ishte tallur e vënë në lojë nga intelektualët, të bindur se nuk mund të zgjaste shumë në pushtet. Pra, edhe ata që kishin mjetet për ta kuptuar, e nënvlerësuan potencialin e tij.

Në fakt, në atë kohë ishin ende të paeksploruara pasojat e mjeteve të reja të komunikimit, në dispozicion të propagandës: nga afresket në kisha dhe statujat në sheshe, ishte kaluar tek radio dhe kinemaja, të cilat mundësonin komunikimin e drejtpërdrejtë me të gjithë popullin. Siç ka vënë në dukje filozofja Hannah Arendt “zakonisht diktatorët shfrytëzonin atë pjesë të shoqërisë që nuk ishte shfaqur asnjëherë në skenën politike”. “Masa” ishte një interlokutor i ri dhe i papjekur, që vepronte dhe arsyetonte si një individ i vetëm. Një individ pak “budalla”. Njeriu masë

“Senatores boni viri, senatus mala bestia” thoshin romakët e lashtë. Nëse senatorët e marrë një e nga një janë njerëz të mirë, Senatori ne teresine e tij është një bishe e shëmtuar. Pse? Efekti emotiv i të tjerëve bën të ulen aftësitë kritike dhe bën më të papërgjegjshëm, aq sa gjithsecili prej nesh, në brendësi të një grupi, bëhet më lehtësisht pre e instikteve: mjafton të shohësh atë që ndodh në stadium të dielave.

Këtë gjë e kishte kuptuar edhe mendimtari francez, Gustav Le Bon i cili në vitin 1895 nxorri në shtyp “Psikologjia e turmave”, libër i cili shumë shpejt u shndërrua në tekst të shenjtë për aspirantët për diktatorë. Ata që e lexuan Le Bonin ishin padyshim Hitleri, Stalini dhe Musolini (i cili disa herë kishte thënë se ishte admirues i tij), dhe me shumë gjasa, edhe Franko.

Sipas analizës së Le Bon (i cili i kishte shumë të qarta teprimet e dhunës së turmave gjatë Revolucionit Francez), masa është më “fillestare” se sa individi, reagon më shumë me bark se sa me mendje, udhëhiqet nga emocionet, më shumë se sa nga mendimi kritik. Mbi këtë bazë, Le Bon konkludonte se shoqëritë demokratike do të ishin pashmangshmërisht të karakterizuara nga mediokriteti. Pikërisht sepse masa ka prirjen, për nga natyra e saj, që të shkojë drejt regresit, më mirë të kontrollohet dhe udhëhiqet nga një person i vetëm, që ruan një individualitet të fortë. Ja përse, sipas Le Bonit, turmat preferojnë më shumë tiranët se sa udhëheqësit e butë: duan një figurë autoritare, në gjendje të shkaktojë frikë, por edhe respekt, dhe të cilit t’i delegojnë të gjithë përgjegjësitë. / Bota.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here